Nese nuk je dembel si une qe preferoj te lexoj shkurt, ateher hedhja nje sy kti shkrimi pak me te gjate :
KENDVESHTRIMI EUROPIAN DHE E VERTETA PER MOSHEQJEN E VIZAVE
"Serbia është treguar një partnere aktive dhe e besueshme në realizimin e detyrimeve të saj, për rregullat që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave", u shpreh Rehn, komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Europian, më 11 qershor 2009, duke paralajmëruar heqjen së afërmi të regjimit të vizave me këtë shtet, sikundër ndodhi; Shqipëria ka bërë progres, por kanë mbetur pa u kryer ato e këto... bëjini dhe ejani, jeni të mirëpritur. Ky është këndvështrimi europian, i parë jo vetëm me sytë e Olli Rehn. Pra, Serbia pa viza dhe më pas në BE, ndërsa shqiptarët në geton e tyre. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, duhej të vinte dhe shfaqja servile e pushtetit ndaj evropianëve që keqardhja e shqiptarëve të shtyhet më tutje. Thuhet se do jetë punë muajsh e gjithçka do të rishihet, por nuk është e besueshme. Qofsha i gabuar, por kam frikë se është pothuajse e njëjta gjë si me Turqinë, që prej 30 vjetësh i është premtuar dhe ajo pret të hyjë në BE.
Europianët e tashëm, jo të gjithë e dinë se kufijtë e përcaktuar nga Europa, kanë lënë vraga në shpirtin shqiptar dhe aty-këtu, tek individë e personalitete të kombit tonë, edhe një përçmim të thellë. Që tokat shqiptare ju dhuruan serbëve e grekëve, te ne nuk u harrua kurrë dhe shpresa e një bashkimi nën një flamur, jo që nuk u fashit, por mbeti e fshehur dhe e paprekur në shpirtrat tanë. Të moçmit na kishin thënë se që Shqipëria të jetojë, ajo duhet të bashkohet. Shqipëria e bashkuar do të ishte fillimi i perëndimit të paragjykimeve, por nuk na lanë. Personalisht nuk kam gjë me serbët. Ata mund t‘i urresh për luftërat e ndyra që bënë në Ballkan dhe gjenocidin që ushtruan kundër popullit shqiptar e atij boshnjak, mund t‘i diskutosh për nacionalizmin e urryer e krimet që bënë si popull në emër të këtij nacionalizmi, mund t‘i vlerësosh apo jo për zhvillimin e sporteve, por nuk mund t‘i injorosh si komb e rolin e tyre në këtë cep të botës. E meritojnë apo jo të shkojnë në shtetet europiane pa viza, e dinë Hirësitë e Tyre Europiane. Shumica e popullit shqiptar, përgjatë kësaj pritjeje të gjatë, të ngadaltë, i etur e besues për lëvizje të lirë, e ktheu atë në një ëndërr, sidomos për brezin e ri, së cilës Shqipëria nuk i ofron ndonjë gjë të madhe për të ardhmen e tyre. Po qëndroj tek ëndrra e shqiptarëve, si pjesë e komb i vjetër i Europës, për të lëvizur të lirë, duke u përpjekur ta reduktoj problemin në pyetjen, pse nuk duan apo pse nuk na do ne Europa të shkojmë tek ata pa viza? Unë e dua Europën, kulturën e shpirtin e saj, botën e hapur që ajo shfaq, ndaj as kam ndërmend të marr pozat e ndonjë patetisti, por po më shndërrohet në bindje se vendimet e Europës përbëjnë një përçmim të padrejtë e të rrezikshëm për një vend e popull ku njerëzit e saj kanë lënë gjurmë e ku shqiptarët e shohin veten në familjen e kombeve të qytetëruara. Ka njerëz, sfera të shoqërisë e politikës europiane, që e duan Shqipërinë e shqiptarët, por ka në shumicë të tillë që dhe nuk na duan. Janë një pjesë e vogël, por jo përcaktuese që nuk na do, mbase për shkak të shumicës tonë myslimane. Ata as që e dinë se sa pak ndikuese është ky besim në jetën e shqiptarit. Askush nuk di t‘iu thotë se sa Besima, Hasana, Hysena, Bajrama e Kambera nuk i përmbahen parimit se njeriu është krijesë e Zotit, por, mbi të gjitha, bashkëjetesa e tre feve në Shqipëri është e ka qenë kurdoherë e prekshme dhe e verifikueshme.
Popull "i pazhvilluar", po luftë fetare ama nuk kemi bërë, ndërsa populli "i kulturuar e demokrat" irlandez gëloi për dekada nga lufta e katolikëve e protestantëve. Ja këta jemi ne, që dje na u mohua hyrja pa viza në vendet e BE-së.
Artikullin e plote e gjen ktu :
Gazeta Shqip