Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

Rroftë Ilir Belliu, vdektë letërsia!

Nga: Rudi Erebara

Nuk di si ta nisësh e ku ta çosh fjalën kur fjala të vjen për poetin Ilir Belliu. Poet me të gjitha deri më një dhe më shumë. Poet që jetonte fizikisht, pa gjoja, sikur, gjasë, apo vetëdije, poezinë si jetë. Poet që fliste jetën ashtu si e shkruante vargun. I njëjti jerm poetik, filozofik, po e njëjta bukë e hidhur e fatit dhe shijes së dashurisë që jeta të jep e jeta ta merr, më enden akoma në kokën time, sa herë e mendoj njeriun Ilir Belliu.

Ky njeri që iku aq i ri e jetonte jetën letërsi. Nuk jam fare i sigurt nëse ai e kuptonte këtë ndjesi si lumturinë në jetë, apo i qe nënshtruar me vetëdije letërsisë, si ndaj një diktature me dhe pa thonjëza, nënshtruar ndaj poezisë si ndaj një religjioni kult që përherë të premton dritën kur të vijë dita, e po atë ditë ngazëllimi i fitores nuk do të jetë kurrë aq sa te quhet lumturi, se poetit me veshje njeriun përmbi supe, nuk i erdhi kurrë dita.

Nuk kam dyshuar kurrë dhe asnjëherë në poezinë e Ilir Belliut. Kam dyshuar gjithmonë nëse e kisha unë fajin që nuk e kuptoja sa dhe si duhet. Edhe kam të drejtat e mia, të lexoj tekst edhe ta gjykoj, por ama kam edhe detyrë të kujtoj njeriun me = poetin.

Tani dhjetë vjet ai shkoi në dritë e lexoj dhe përtyp si koret e bukës poetike që përtypëm ato vitet e para të lirisë, kur donim e nuk dinim, kur e kishim lirinë, fuqinë dhe vargun poetik, por prapë na mundonte qëllimi, që na mundon edhe sot. Të shkruash për kë, përse, a duhet, a i vlen. Ai mundim që më thotë sot e do vite me nguc pyetjen: deri ku duhet të shkojë letërsia.

Ilir Belliu, poeti i dashur dhe akoma i pakuptuar si duhet nga unë vetë; ky njeri elitë, që jetonte elitën poetike brenda elitës së vet, vetmisë e së pamundurës. Ky poet që endej dhe nuk kishte kohë, ishte jashtë kohe, ishte koha në formë jetësore, ishte qoftë edhe ngazëllimi që kishim ne të gjithë, brezi (ose grupi i vogël) i poetëve të fillim viteve '90, ky njeri që nuk na shpëtoi dot ne nga letërsia, as ne nuk e shpëtuam dot të ikte, të rronte, iku një ditë nga kjo botë, e na la si përherë të përtypim figuracionin e tij poetik, që përherë më është dukur si një thikë shumë e shtrenjtë nga ato aziatiket, derdhur në fajancë të bardhë.

E mprehtë më tepër se çdo çelik. E brishtë sa kosi, letra e bardhë, sa buzëqeshja e fëmijës para se të thotë fjalë me kuptim për të rritur, kur thotë poezi e ne budallenjtë e rritur nuk e kuptojmë dot.

Po, ja kjo pyetje më mundon : deri ku duhet të shkojë letërsia? A është letërsia ajo që na jep arsye me tepër të jetojmë, apo është mundimi i jetës, letërsia. A duhet të besojmë letërsinë? A duhet letërsia të na besojë ne, shkrimtarë, poetë dhe lexues njëherësh në një vend kaq të madh e poetik si Shqipëria jonë e vogël? A mos ishte gabim gjithë përpjekja për purifikim të vargut, atë që e bëjmë të gjithë përditë edhe kur hamë lakra të egra e i shërbejmë trupit tonë si një kulti hyjnor.

Apo mos është e gjithë jeta ashtu si e frymëmerrte Ilir Belliu? Eliksir lotësh që nuk i mban dot asnjë varg. Eliksir figurash, kuptimesh që ne duhet të gërmojmë si minjtë mes letrave, duke brenjtur dhëmbët e përparmë apo edhe thonjtë, për të bërë bashkë kuptimin, pse shkroi kështu ky poet. E kuptojmë, jemi hipokritë edhe me veten, e themi, po.

Nuk e kuptojmë, jemi hipokritë me veten edhe me të tjerët, e themi kështu është poeti. Poetët vdesin të rinj, thua se ky është misioni i poetit të madh. Thua se poeti nuk ka te drejta në këtë dhe, as në këtë tokë, as në këtë botë, e duhet medoemos të shkojë e të vdesë i ri për hatër të letërsisë, poezisë... për të na bërë ne të gjallët të ndihemi më mirë kur jemi të mençur edhe e kuptojmë çmendurinë e poetit, po ama për vete lexojmë poezi, nuk pimë ilaçe kundër depresionit... oh! Dy herë OH! Ferri janë të tjerët.

Po qe se letërsia bëhet armë si u bë, rroftë Ilir Belliu, vdektë letërsia!
 
Pe: Rroftë Ilir Belliu, vdektë letërsia!

Lirikë

U bënë fije-fije
pëllumbat prej mërzie
E një muzikë e përgjakur
të kujton se je plakur.

Më puthi për së dyti
E në lotë shpërtheu
përbindshi fëminor
me një trishtim qorr.

U bënë fije-fije
pëllumbat prej mërzie
e një muzikë e përgjakur
Të kujton se je plakur.

Vizatim i shpejtë

Pothuaj e huaj
Kjo hënë e ngrënë.
Shpërhaq mes rrathësh vetmie
Një rrënim fëmije…

S’di kush të ndjek pas

Thërrimet e thirrjeve
mbledh në agoni
zogu i strukur
në gjoksin e ndukur.

S’di kush të ndjek pas
deri larg te treni
e tinëz të ngjit
një sëmundje Qeni.

Oh, zgjodhu edhe ti
Vetvetja është fuqi
e mbushur me fuqi.

Troket në derë një panterë

Gjarpri zhvirgjëron
një vaginë në greminë
اupkë e vogël qan
Ka humbur shtëpinë.
Si prej një krateri
rrjedh nga goja vreri
e kur bie terri
një panterë besëprerë
Troket tri herë në derë…

Këngë tjetër

Dihet
Keqësim i Motit
ثshtë punë e zotit
Eh, sa i bukur bubi
fle në tavan
te Cubi.

S’mbijnë dhëmbë në pëllëmbë
as borzilok në zorrë
pa një cent në korrent
Më afron një dorë
Eh, sa i bukur bubi
Fle në tavan
te Cubi…


Butësi kafshe

Kjo kafshëz ty të ngjan e mos tento t’i afrohesh… Ka një butësi arratisëse egërsia e saj mu në dukje e sipër. Butësi e qielltë që injekton në dhembshuri të lëmuar. S’është se i trembem, por kafshëza ndihet ngushtë kur tinëz i afrohem. Bie nata e kjo kafshëz e dashur papritur e bjerr butësinë antike. Zbardh… Kafshëza duket së largu si qershizë. Rri ngadhënjimisht palëvizur e kurrë më nuk afrohet…

1998

Marrë nga Aleph, Nr. 3, Pranverë 1999


Poezi të Ilir Belliut marrë nga nr. 11 i Revistës Aleph, vjeshtë 2001

Tango me peshkaqenin

Ti mezi fsheh defektin e luan
Tango me peshkaqenin Kjo
Fantazmë me azmë, ngatërron
Ushqimet e shkul inatshëm
Qimet. Fati i mpreh majën
E lapsit e i bën një portret
Gjarpërit Kolosi çartet me
Një kokërr hudhër e i shtrydh
Diellit një puçërr. Njerku u
Martua me një bletë
Bleu një apartament të
Blertë.

Dhjetor 2000


Fëmija që rrodhi nga muri

Ligështues
fëmija ilegal!
që rrodhi nga muri
Djall fëmijë!,
Kurrnjëherë s'më neveriti
Në të gjitha ngjyrat...
Fëmijë
si çdo fëmijë
zog elektrik efekti
burrë ekziston
në orët magjepse të rrëzimit

Një plak i bukur më kalon nëpër ëndërr

Në plak i bukur jeton në mua
gjysëm prej jete
gjysëm prej ëndrre

Një plak i fismë
që ëndërron e fle si qengji
që vuan e kërleshet si pylli.

Ku je?
Kur do më shfaqesh sysh?
O ti plak i bukur...
Domethënë ti ish-burrë
Domethënë ti ish-djalosh
që veç nëpër ëndërr di të kalosh.
 

Konkursi Letërsisë

  • Aeroporti i Zaventemit

    Votat: 6 54.5%
  • Të harrova, sepse të dua

    Votat: 5 45.5%
  • Vetëm …

    Votat: 4 36.4%

Theme Editor

Settings Colors

  • Mobile users cannot use these functions.

    Select View Mode

    Switch between full screen and narrow screen modes.

    Grid View

    Easily review content and get an organized view with grid mode.

    Image Grid Mode

    Display your content in an organized and visually rich way with background images.

    Sidebar Close

    Create a larger workspace by hiding the sidebar.

    Fixed Sidebar

    Ensure constant access and easily manage your content by pinning the sidebar.

    Box view

    You can add a box-style frame to the sides of your theme or remove the existing frame. Valid for resolutions over 1300px.

    Radius Control

    Customize the look however you like by turning the radius effect on or off.

  • Choose your color

    Choose the color that reflects your style and ensure aesthetic harmony.

Back