Rrethimi i dyte i Shkoderes.Ndërmjetësimi i mbretit të Spanjës për falje

Lauri

Anunnak
Në fund të vitit 1792 Kara Mahmudi, për të tretën herë, u shpall ...
...fermanli, u shkarkua nga rangu i vezirnisë dhe u dënua me vdekje. Për të vënë në zbatim fermanin e mbretit dhe për të zënë pashain e Shkodrës, u ngarkua Ebu i poshter Pasha, guvernatori i Rumelisë. Bashkë me të iu dha urdhër edhe vëllait të Kara Mahmudit, Ibrahim Pashës e nipit të tij, Mehmet Pashës, të cilët kishin ikur nga Shkodra e shkuar në Stamboll. Ebu i poshter Pasha me një ushtri prej 30 mijë vetësh u nis në fillim të verës për në Shkodër, duke ndjekur udhën nga Ohri dhe duke mbledhur të gjithë pashallarët e bejlerët që ishin kundër Kara Mahmudit. Në këtë ekspeditë mori pjesë edhe Ali Pashë Tepelena. Me këtë rast “Tarihi Xhevdet” vë në dukje një raport të Halit efendisë (ish – ministër i jashtëm), të cilin e ka paraqitur në vitin 1225 – sefer (1810-dhetor), ku ky ishte i ngarkuar për të shkuar në Bagdat me mision. Ndër të tjera, në atë raport, thuhet: “... kur mbrojtësi i Agribosit, shkëlqesia e tij Ebu i poshter Pasha u ngarkua të shkonte për të ekzekutuar Kara Mahmud Pashë Shkodrën, iu dha titulli kryekomandant i ushtrisë së Rumelisë, edhe unë i përvuajturi isha në suitën e tij. Dhjetë muaj me rradhë, natë e ditë, kemi rrahur mendime e kemi bërë diskutime duke marrë pjesë ndër mbledhje si personalitete të provuara e të rrahura me përvojë në Rumeli, ashtu si edhe pashallarë e bejlerë të Shqipërisë. Kemi diskutuar njëri me tjetrin, herë me porta të mbyllura, herë të hapura se me ç‘mënyrë mund të shtihej në dorë Mahmud Pasha. Më në fund u pëlqye, gjoja, një zgjidhje e plotë e me sukses e atij plani. Mirëpo, kur vajtëm në vend (Shkodër-H.B) planet tona të kota , të padobishme, nuk përkuan aspak me politikën e, aq më keq, përfunduan të dëmshme e kundër qëllimeve tona.”

Porsa mori vesh nisjen e ekspeditës turke kundër tij, Pasha i Shkodrës mblodhi forcat e veta dhe i doli para në Lezhë. Kur e parashikoi se nuk mund ta ndalonte marshimin e ushtrisë osmane, u tërhoq në Shkodër dhe u mbyll në kështjellën Rozafat. Ushtritë turke hynë në Shkodër më 20 gusht 1793. Ebu i poshter Pasha e bllokoi kalanë dhe me urdhërat e forta që i dha popullit, Shkodra u detyrua t‘i bindej dhe ta njihte Ibrahim Pashën për vezir të Shkodrës, pasi Ebu i poshter Pasha e deklaroi si të tillë. Megjithëse ishte i rrethuar, Kara Mahmudi shpesh herë bënte sulme për jashtë kështjellës; kështu, ditë më ditë, turqit i zuri dimri, por komanda turke e kishte vendosur ta vazhdonte rrethimin. Për t‘u strehuar ushtarët qenë zënë 700 shtëpi në qytet. Për të ruajtur udhën, ishte zënë kalaja e Lezhës prej Toptanit (Mustafa Bej Toptanit), të cilin shkodranët e kishin armik e prandaj u dëshpëruan shumë. Megjithëse ishte forcuar mirë me ushqme, Kara Mahmudi e kishte lënë të lirshme hyrjen e popullit nga porta e vogël e kështjellës. Në këtë mënyrë Pasha i Shkodrës merrej vesh me shkodranët duke iu besuar këtyre planin e një sulmi të befasishëm kundër ushtrisë turke. Pasi kaluan kund tre muaj në rrethim, përkrahësit e Pashës në Shkodër, Lezhë e në fshatra, në agimin e 28 nëntorit 1793, u hodhën në kryengritje po në të njëjtin moment, kur edhe Kara Mahmudi me ushtarët e tij doli nga kështjella dhe iu vërsul trupave armike. Qysh në çastin e parë u mbyllën rrugët e qytetit dhe ushtarët turq u izoluan ndër shtëpitë e qytarëve ku ishin strehuar. Në panik e sipër Mahmud Pasha mësyen topat e turqve. Kushtrimit iu përgjigjën besnikët e Mahmud Pashës që, duke mos marrë parasysh aspak rrezikun e atyre të pengjeve në Vlorë as të familjeve të tyre, sulmuan me pushkë të gjata e me tagana në dorë mbi ushtarët turq duke bërë kërdi të mëdha mbi ta. Kjo mësymje e papritur e shqiptarëve shkaktoi pështjellim të madh në ushtrinë e Ebu i poshter Pashës, i cili luftoi aq sa të fitonte kohë të ikte pa u dorëzuar, por me dëm të madh të ushtrisë, duke lënë një shumicë të madhe municioni në dorë të Bushatlliut. Ushtria osmane mori rrugën për nga Lezha, por fshatarët e malësorët i dolën para dhe e ndoqën këmba këmbës deri në Lezhë. Duke parë se nuk mund të qëndronte aty, Ebu i poshter Pasha, së bashku me Ibrahim Pashë Bushatlliun dhe nipin e tij, Mehmet Pashën, u nisën për në Elbasan. Prej këndej i njoftuan Portës së Lartë disfatën që kishin pësuar. Ibrahim Pasha dhe nipi i tij, Mehmet Pasha, kërkuan nga Elbasani të faleshin prej Kara Mahmudit, i cili ua pranoi lutjen dhe i fali. Ata u kthyen me një shumë të mirë të hollash që ia kishin hequr vezirit të Rumelisë.

Pasi u muar vesh disfata e Ebu i poshter Pashës, në Stamboll u dha urdhër të mblidhej një ushtri e madhe për vitin e ardhshëm 1749 (1209 Hixh.) dhe të dërgohej kundër Mahmud Pashës. Kara Mahmudi bëri një përpjekje pranë Papës për ndërmjetësimin e tij tek mbreti i Spanjës që ky të ndërhynte pranë sulltanit për ta falur. Këtë hap duket se pasha e bëri me anë të konsullit spanjoll në Shkodër, i cili pat qëndruar në Shkodër deri në vitin 1804 me qëllim për të ndihmuar misionarët. I interesuar për mbrojtjen e katolikëve të Shkodrës, Papa ngarkoi mbretin e Spanjës të ndërhynte pranë Portës së Lartë që Kara Mahmudi të mos hiqej nga fuqia. Këtë të vërtetë na e pohon dhe Xh. Pasha: Mbreti i Spanjës me anë të ambasadorit të tij në Stamboll u mor vesh me sulltanin (Selimi i III). Për të diskutuar këtë çështje, më 10 shaban 1209 91794) mblidhet një këshill në shtëpi të Shejhul Islamit. Më në fund u vendos falja e Kara Mahmud Pashës duke e lënë përsëri vezir, por me kusht që të mos kalonte kufirin e sanxhakut të Shkodrës.

Vrasja e Kara Mahmud Pashës

Veziri Bushatlli hyri përsëri në luftë më 8 shtator 1796. Ushtria e tij e fortë e përbërë prej 23 mijë vetëve ngriti lëmin ushtarak në mes të Shpuzës dhe të Podgoricës, në bregun e djathtë të Moraçës. Komandantë të kësaj fuqie pranë vezirit ishin: Ibrahim Pasha, nipi i tij Mehmet Pasha, një pashë nga Mahmut Begollajt e Pejës me një numër të madh bejlerësh e agallarësh. Malazeztë kësaj here kishin zënë vend nga perëndimi i Shpuzës e i Podgoricës në qarkun e Lieshankës për të mbrojtur vendet afër Riekës e Cetinës. Vlladika me 3590 vetë luftëtarë kishin zënë vend te rrëza e malit Sadiavac, afër fshatit Vuçej-Studenatz. Nga jugu i tij qëndronte guvernatori Ivan Radoniç me 3 mijë luftëtarë përbri malit Busovnik afër katundit Krus; kishin para vetes lumin Matica. Veziri i Shkodrës e ndryshoi planin e luftës atë botë, më 22 shtator 1796 kaloi lumin Zeta dhe mësyni fshatin Krus, n‘orën 8.30 të mëngjesit. Në fillim shqiptarëve iu priu fati, por mandej, pas një luftimi katër orësh, fitorja u mbeti malazezve me disfatë të plotë të shqiptarëve.

Malazeztë në këtë luftë patën nderin të shohin të shtirë për dhe edhe vezirin e famshëm të Shkodrës, Kara Mahmud Pashën, të cilit i prenë kokën. Kafka e tij u depozitua në kuvendin e Cetinës. (Thuhet se autoriakët kur pushtuan Cetinën, në Luftën e Parë Botërore të vitit 1914, e tërhoqën së andjejmi dhe e dërguan në Muzeun e Vjenës, por kjo nuk është e dokumentuar). Rreth përshkrimit të kësaj beteje, burimet malazeze lënë mjaft për të dyshuar, sepse kanë divergjenca në mes të tyre dhe ekzagjerime në vrasjen e Bushatlliut. Vihet re se autorët jo sllavë janë më objektivë përsa i përket betejës dhe vrasjes së vezirit shkodran: D. Milakoviç shkruan:”Në luftën e Krusës ranë dëshmorë më se 2 mijë shqiptarë “, ndërsa raporti i sekretarit të Vlladikës botuar prej Th. Ippen-it e ngre numrin e të mbeturve shqiptarë më tepër se 3400. D. Milakoviç vazhdon më tej: “Ushtria e Mahmud Pashës hyri fituese në Krus, fshat i krahinës Ljeshka por shqiptarët, në gëzim të fitores, u dhanë pas plaçkës e djegies së fshatit, ndërsa malazezve u erdhën ndihma të reja nga banorët e Rjekës dhe të Crnikës, të cilët, të bashkuar në Ljeshkë, arritën t‘i prisnin udhën kolonës së ushtrisë së Mahmud Pashës, ushtarët e së cilës nuk mundën të grumbulloheshin në formacion luftimi. Të habitur pas plaçkës, nuk mundën të përballonin sulmin e malazezve, u sprapsën me humbje të mëdha, me ta bashkë mbet i vrarë edhe vetë Kara Mahmudi”.

Autorë osmanë si dhe D. N. Nikaj e këngët popullore, vrasjen e Kara Mahmudit e tregojnë ndryshe. Autori Xhevdet Pasha shkruan:”Kara Mahmud Pasha i shpërndau ushtarët për të fjetur ndër shtëpitë e fshatit, ndërsa vetë bashkë me 50-60 vetë besnikë zuri vend në një kishë. Shkjetë e diktuan, aty e rrethuan natën, më në fund e vranë”. Ndërkaq D. N. Nikaj tregon se pasha qëndroi burrërisht, vrau 32 armiq e, pasi mbet i vdeur, i prenë kokën. Nga të dhënat gojore tregohet se kur ra dëshmor Kara Mahmudi, trupi i tij qe bartë prej të quajturit Mir Ujka, i postribas nga Vorfa, i fisit Sinanej. Kuptohet se qe bartë prej kishës ku i qe prerë koka. Kara Mahmud Pasha është varrosur në fshatin Krus, në rrethet e Podgoricës. Mbi varrosjen e tij në këtë fshat, i quajturi Ahmetag Efoviqi, plak nga Podgorica, na pohonte: “Krajli i Malit të Zi, Nikolla i Parë, kur pa se austriakët në Luftën e I Botërore, në vitin 1914, po i kërcënoheshin Cetinës, erdhi një ditë në Podgoricë e mblodhi popullin. Vetë krajli që kishte hypë majë kali, mbajti një bisedë të zjarrtë dhe u përpoq ta bindte popullin për me rrokë armët kundra anmikut të atdheut. Ma në fund krajli iu tha: “Unë tek e mbramja, me besnikët e mi, do të shkoj e të vdes në Krus, aty ku ra dëshmor Kara Mahmud Pashë Bushatllia”.
nga libri "Bushtallinjte"
 
Titulli: Rrethimi i dyte i Shkoderes.Ndërmjetësimi i mbretit të Spanjës për falje

Nga vargmal.org
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top