Rrënjët e nacionalizmit shqiptar

Lauri

Anunnak
Studimi i nacionalizmit shqiptar është një nga problemet më komplekse të historisë moderne shqiptare. Fati historik i shqiptarëve në shek. XIX–XX dhe ideologjizimi i skajshëm i këtij problemi gjatë periudhës komuniste nuk lejuan trajtime shteruese, por po aq edhe zbulimin e rrënjëve të tij.

Studimet shkencore në Shqipëri mbi nacionalizmin shqiptar kanë filluar gjatë periudhës komuniste, në vitin 1953, dhe vazhduan më intensivisht në vitin 1965. Pyetjes se ku i ka rrënjët në kohë nacionalizmi shqiptar dhe cili ka qenë shtrati që e përgatiti atë, historiografia e periudhës komuniste nuk arriti t’i japë një përgjigje shteruese. Ndonëse pati studiues si Stefanaq Pollo, Stavri Naçi e Injac Zamputi, të cilët në atë klimë të vështirë politike shtruan edhe çështjen e studimit empirik të problemit, më shumë se atij teoriko-ideologjik, duket se konformizmi i fenomenit të nacionalizmit me skemat e marksizmit dominoi shkrimet për këtë temë.

Përsa i përket fillesave të tij ishin këto diskutime që shënuan gjysmën e dytë të shek. XIX dhe Lidhjen e Prizrenit si formën e parë të shprehur të nacionalizmit shqiptar. E thënë më shkoqur, ato parashtruan mendimin se politikisht shqiptarët u zgjuan vetëm kur Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit vendosën shkëputjen e territoreve të shqiptarëve nga trungu amë; kurse kulturalisht u zgjuan me aktivitetin kulturor të Naum Veqilharxhit në vitet ‘30-‘40 të shek. 19.

Edhe studimi monografik mbi zgjimin kombëtar të shqiptarëve i Stavro Skëndit, i vitit 1967, nuk shënoi ndonjë risi në këtë aspekt, pasi veçse përforcoi atë realitet historiografik që tashmë ishte formësuar brenda kufijve të shtetit shqiptar: pra, që nacionalizmi shqiptar si veprim politik u shfaq me Lidhjen e Prizrenit. Një vlerësim i tillë mbi fillesat e nacionalizmit shqiptar tashmë është një opinion shkencor e publicistik më se i ngulitur.

Në vëmendjen shkencore shqiptare ka kaluar pa lënë gjurmë një studim i publicistit Tajar Zavalani i titulluar Nacionalizmi shqiptar (1969). Eshtë interesant fakti që Zavalani është i pari që tregon se rrënjët e nacionalizmit shqiptar duhen kërkuar në periudhën e pashallëqeve.

Edhe studiueset Nuray Bozbora dhe Nathalie Clayer fillesat e kësaj lëvizjeje i kanë vendosur kryesisht në gjysmën II të shek. XIX, pra gjysmë shekulli pas fqinjëve grekë dhe atyre sllavë, dhe më së shumti gjeneza e këtij fenomeni është kërkuar në zhvillimet ndërkombëtare të vitit 1878.

Pra, tre janë opinionet e ngulitura deri më sot në lidhje me fillesat e nacionalizmit shqiptar: së pari, shprehja e parë e nacionalizmit shqiptar ishte Lidhja e Prizrenit; së dyti, zgjimi kulturor i shqiptarëve ka filluar me Naum Veqilharxhin në vitet ‘30-‘40 të shek. 19, dhe, së treti, mendimi nacionalist shqiptar i ka fillesat jashtë vendit, në klubet e emigracionit shqiptar, në gjysmën e dytë të shek. 19.

Duke parashtruar në mënyrë sintetike këto tre opinione tashmë të ngulitura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, mendoj se tendenca për t’i afruar në kohë fillesat e nacionalizmit shqiptar është metodologjikisht e gabuar.

Zhvillimet politike ndërkombëtare që çuan në krijimin Lidhjes së Prizrenit nxorën në pah një nivel të avancuar jo të mendimit, por të veprimit politik të nacionalizmit shqiptar. Kjo na bën të mendojmë se format më të hershme të tij duhet t’i kërkojmë edhe më herët. Gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli shënohet atëherë kur një individ apo një grup individësh shpallin se ai komb ekziston dhe ai/ata individë marrin përsipër ta provojnë një realitet të tillë. Pra, gjeneza e lëvizjes nacionale të një populli lind kur lind mendimi politik për të jetuar më vete, kur lind ideja e mëvetësisë kombëtare.

Por, ndërsa është i rëndësishëm identifikimi i fillesave, metodologjikisht do të ishte më e saktë dhe korrekte të identifikohen edhe elementët formëzues të vetëdijes nacionale shqiptare, që në fakt përgatitën edhe mjedisin për lindjen e lëvizjes nacionale shqiptare. Një gjë e tillë kërkon depërtimin thellë në kohë dhe pashmangmërisht edhe trajtimin në këtë këndvështrim të dokumenteve të hershme të shqipes së shkruara me të gjitha alfabetet: latin, arab e grek.

Deri më sot në asnjë rast nuk është shtruar pyetja se çfarë ka menduar elita shqiptare përkundrejt zhvillimeve të tilla që po ndryshonin konfigurimin politik të rajonit. Në se statusquo-ja politike ndryshon si rezultat i një konstelacioni të ri politik, është krejt e natyrshme që elementët e çdo grupi të caktuar etnik brenda një formacioni shtetëror multietnik të tentojnë të vënë në pah ato elementë që ata i bashkojnë, madje të shkojnë edhe më tej, duke insistuar për të ekspozuar veten si një grup me veçori të spikatura, të ndryshme nga të tjerat, për më tepër nga fqinjët, duke e bërë atë të jetë sui generis. ثshtë logjike të mendosh që vetëm kështu çdo grup etnik të luftojë për të siguruar mbijetesën, madje në kushte optimale të aspirojë edhe për sundim mbi fqinjët. Në rastin shqiptar, kur i gjithë Ballkani i krishterë ishte zgjuar dhe kishte shtruar diplomatikisht, por edhe me armë zgjidhjen e çështjes së tyre kombëtare, për rastin shqiptar krahasuar me fqinjët duhet thënë se kemi një specifikë që ka të bëjë me faktin që shumica e shqiptarëve në fund të shek. 18 – fillim i shek. 19 ishin myslimanë, madje fuqia politike, ushtarake dhe ekonomike e viseve shqiptare ishte në duart e elementit elitar mysliman.

Në vitet ’20 të shek. XIX, rajoni i Epirit pas eliminimit të Ali Pashës njohu zhvillime të rëndësishme. Kjo dëshmohet më së miri nga letërkëmbimi që gjendet në Arkivat Osmane, letërkëmbim i cili përfshinte autoritetet osmane, elitën shqiptare dhe drejtuesit e kryengritjes greke. Studiuesi turk Hakan Erdem është i pari që filloi të eksplorojë natyrën e marrëdhënieve trepalëshe osmano-shqiptaro-greke në kontekstin e zhvillimeve gjatë viteve të Revolucionit Grek (1821-1930).

Përtej marrëdhënieve midis qendrës dhe një province osmane, ky dokumentacion reflekton edhe marrëdhëniet mes shtetit mysliman dhe shqiptarëve, një prej komuniteteve etnike përbërëse të këtij shteti, por me shumicë dominuese gjithashtu myslimane. Ky dokumentacion zbulon se përfaqësuesit më të spikatur të elitës shqiptare janë realisht të avancuar në mendimin e tyre politik për kohën.

Në një letër të datës 29 nëntor 1828, drejtuar pjesëtarëve të elitës shqiptare të kohës, Ismail bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit) i drejtohet Sulejman bej Konicës, Tahir aga Abazit (një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ali Pashës), Veli bej Grebenesë dhe krerëve të tjerë shqiptarë të viseve të jugut të Shqipërisë dhe u propozon që ata të mos merren me shtypjen e kryengritjes greke, siç ishin urdhëruar nga Porta e Lartë, por u kërkon që të takohen në qytetin e Beratit “për të diskutuar për avenirin e Shqipërisë me kushtin që [atje të bisedojmë] si bij të denjë të këtij vendi”.

Ai del kundër planeve osmane që synonin, që nëpërmjet autoritetit të krerëve shqiptarë, mobilizimin e përgjithshëm të shqiptarëve për të shtypur kryengritjen greke. Madje u thotë të hapin sytë mirë për të mbrojtur vatanin, pasi të mbaronte çështja greke radha do t’u vinte atyre. Madje, në këtë letër Ismail bej Vlora bën me dije se ai në atë moment kishte filluar negociatat për këtë problem me Silahdar Podën.

Ismail bej Vlora me shkallën e njohjes së dokumentacionit që kemi deri më sot është i pari pjesëtar i elitës shqiptare të kohës, i cili realitetin e ri politik që po krijohej në Greqi e pa përtej kufijve të çifligjeve të tij. Eshtë krejt e natyrshme që pjesëtarë të elitës shqiptare duke qenë njëkohësisht edhe autoritete provinciale osmane e kishin shumë të lehtë që autoritetin politik që i kishte dhënë Stambolli ta përdornin për interesat e veta, dhe më konkretisht siç thotë Ismail beu “për punët e Shqipërisë” apo “për punët e popullit shqiptar”.

Këtu është shumë e rëndësishme të perceptojmë dhe të vlerësojmë drejt shkallën e emancipimit politik të elitës shqiptare: ky emancipim është i një natyre të veçantë për shkakun se, ndonëse me osmanët elita shqiptare ndante të njëjtin besim fetar, ky dokument dëshmon se përfaqësues të saj qartazi mendojnë për shkëputje nga Perandoria Osmane. Madje, edhe termi vatan nga një term tradicionalisht i përdorur në gjuhën politike të Islamit në kuptimin atdhe i myslimanëve (homeland of muslims), në këtë dokument përdoret me kuptimin atdhe kombëtar (patria). Ndoshta ky dokument është nga të parët në gjuhën politike osmane kur ky term pëson një ndryshim të tillë semantik.

Njëkohësisht ky dokument na bën me dije edhe faktin tjetër, që Pashallëku i Ali Pashës, mes të tjerash ishte edhe një institucion i cili kishte vendosur urat e njohjes dhe të komunikimit mes elitës shqiptare të kohës. Në këtë dokument citohen mbiemrat e shumë personaliteteve të kohës, të cilat më pas do të jenë mbiemrat e familjeve të mëdha shqiptare, pjesëtarë të së cilave morën përsipër përmbushjen e misionit kombëtar dhe ngritjen e shtetit shqiptar.

Ky dokument është dëshmi e faktit që edhe shqiptarët ishin zgjuar dhe po mendonin për mëvetësinë e tyre, ashtu sikurse kishin bërë apo ishin duke bërë fqinjët e tyre grekë e sllavë. Ndaj mendoj se, më e pakta, ata nuk duhen gjykuar si të vonuar në fillimin e lëvizjes së tyre kombëtare për faktin se ishin myslimanë.

Nga ana tjetër, jam i mendimit se metodologjikisht do të ishte e gabuar të fetishizojmë vlerat e një dokumenti të vetëm në atë masë sa ai të ravijëzojë gjithë periudhën me karakteristikat e saj. Vetëm hulumtimi i gjithë dokumentacionit të kohës dhe analiza e kujdesshme e marrëdhënieve të shtetit osman me Fuqitë e Mëdha të kohës do të mund të shpjegojnë shkaqet pse shqiptarët u vonuan në shpalljen e pavarësisë nga shteti osman.

Lindja e mendimit politik nacionalist të një kombi shënon një stad cilësor që, nga njëra anë i jep fund fazës së evidentimit të elementëve formëzues të lindjes së kombit, kurse nga ana tjetër i hap rrugë veprimit të organizuar politik drejt një lëvizjeje, e cila çon në krijimin e shtetit kombëtar.

Dritan Egro
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top