Rrëfenjat kthehen përsëri

WxP

Staf në FV.AL
Se që ta marrësh vesh ti, o mik, shtrigat janë gra e sidomos plaka. Hanë gjind, po ua ka më fort ënda të mbysin e t’u pinë gjakun fëmijëve e të rinjve, qofshin edhe nuse të reja, po edhe njerëz që i kanë zët. Shtrigat shkojnë e bien në mbrëmje për me fjetë si të gjithë robt e tjerë të shtëpisë dhe kur çatis mesnata iu del shpirti prej trupit dhe fluturon e shkon e hyn në shtëpinë e atij që do me mbytë.”
Në kohët moderne, kur teknikat e të shkruarit dhe teknologjia e botimeve po njohin vazhdimisht progres, ndodh që njeriu i kthehet vetvetes duke reflektuar. Ai kërkon të gjejë atë që nuk e ka, ose që të paktën i mungon prej kohësh. ثshtë pikërisht ajo e thjeshta, e bukura, e pa përsëritshmja. Kështu ndodh edhe me prozatorin Virgjil Muçi, i cili së fundmi na vë përballë me veprën e tij më të re, rrëfenjën “Shtrigat”, botimi i shtëpisë botuese “Korbi”.
Pas botimit të kolanës “Përralla shqiptare”, Muçi paraqitet para lexuesve me një rrëfenjë, e cila për nga vlera duhet të thënë se është një kontribut jo i vogël në prozën shqiptare. Kjo për dy arsye; e para sepse me këtë botim, autori rikthen gjininë e bukur të rrëfenjës, e cila në këto kohë moderne (me ndonjë përjashtim të vogël) qëndronte e strukur dhe tulatur larg syve të autorëve dhe lexuesve, dhe e dyta, pasi në këtë botim gjejmë elemente të pasurimit të saj. Kjo kryesisht në stil dhe në ndërtimin e veprës. Në vetvete, rrëfenja është një tregim i shkurtër, real apo i trilluar, i cili zakonisht bazohet nga një gjuhë e thjeshtë. E veçanta e Virgjil Muçit është se duke u bazuar mbi gjuhë e vjetër klasike të rrëfimit, ai fut në të edhe elementin e përshkrimit të botës së brendshme apo fenomeneve. Për herë të parë shohim një spegim interesant për objektin (në rastin e tonë Shtrigat), i cili nëpërmjet një fjalori të pasur, vjen para lexuesit me një thjeshtësi dhe bukuri të admirueshme. Ndërkaq, gjuha e thjeshtë, e cila është e ndërtuar me mjaft mjeshtëri, na lejon të zbulojmë dhe të shohim qartë deri në pikën më të fundit. Natyrisht, këtu një rol të madh ka edhe ndikimi i “Përrallave shqiptare”, të cilat kanë qenë pjesë e punës së Virgjil Muçit prej një kohe të gjatë. Modeli i zgjedhur prej tij, është më i përshtatshmi.
Gjatë leximit, na duket herë sikur lexojmë një përrallë të vjetër, e herë sikur lexojmë një rrëfim modern. Fabula e rrëfenjës është e thjeshtë: një djalë i vogël, të cilin autori e quan thjesht Djali pa emër, niset një ditë për të gjetur se çfarë ishte frika dhe se ku fshihej ajo. Në rrugëtimin e tij, i cili duket se nuk do të ndalet asnjëherë, ai takon shumë njerëz, përjeton shumë ngjarje dhe peripeci, por asgjëkundi, me gjithë dyzimet e shumta që i karakterizon njerëzit përreth, nuk sheh dhe nuk e takon frikën. Për të, jo herë shfaqet në trajtat e një fenomeni, herë në trajtat e një emocioni të paprovuar dhe herë në trajtat e një njeriu. Këtë e shohim veçanërisht kur Djali pa emër vendos të sfidojë çdokënd dhe gjithçka dhe niset për të ruajtur shtëpinë e zengjinit të vdekur, ku siç shprehet Muçi: “njerëzit që hynin të gjallë, dilnin të nesërmen të vdekur”. Kjo pjesë, e cila shënon edhe kulminacionin e veprës, vjen nëpërmjet një shkalle të lartë emocionale. Djali pa emër, kthehet në një sfidant si për jetën ashtu edhe për vdekjen. اdo gjë tek ai buron dhe rrjedh natyrshëm dhe çdo fjalë dhe veprim i tij, është rezultat i logjikës. Djali pa emër, nuk është aspak trimi i çartur, që çon të drejtën në vend, por djali i urtë dhe i mençur, i lindur për të jetuar dhe gëzuar. Në fund, si rëndom ndodh në rrëfenja, sakrifica e tij e ka një çmim. Dinjiteti dhe guximi, shpërblehen gjithnjë me pasuri dhe lumturi.
Duket sikur rrëfenjat shkruhen vetëm për të vegjlit. Fatkeqësisht duhet thënë se ky është një mendim i mbrapshtë. Këtë na e pohon me veprën e tij edhe Virgjil Muçi, i cili veprën e tij duket se e ka shkruar kryesisht për të rriturit, pikërisht për ata të cilët shpesh, të mbytur nga frika dhe mosguximi zhyten në një jetë sa të frikshme aq edhe të ndyrë. Duket se në këtë kohë të trazuar, “Shtrigat” është një apel dhe busull njëkohësisht.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top