Roli i Italisë në krijimin e monarkisë në Shqipëri

Nga Arben Cici

Propozimi italian për krijimin e mbretërisë shqiptare me Ahmed Zogun mbret u hodh në tryezën e bisedimeve dypalëshe (Itali- Shqipëri), që gjatë diskutimeve të mesit të korrikut të vitit 1927, kur Musolini thirri në Romë Ugo Solen për konsultime rreth masave që duhet të merreshin për forcimin dhe zgjerimin e ndërhyrjes së Italisë në Shqipëri.

Koncepti i monarkisë, i drejtimit të shtetit nëpërmjet kurorës, me një centralizim të fortë dhe të kontrolluar nga lart, nuk ishte i panjohur për shqiptarët. Madje mund të thuhet se ishte shumë më familjar se koncepti i republikës.
Shembulli i Skënderbeut dhe pesë shekujt e pasuar nën sundimin otoman kishin mbjellë, rritur dhe ushqyer gjërësisht në popull psikologjinë e të qenurit vasal.
Edhe Fuqitë e Mëdha kishin marrë në konsideratë këtë element kur të nesërmen e pavarësisë së Shqipërisë dërguan aty princ Wid-in . Sidoqoftë një princ i huaj nuk mund të mishëronte ligjshmërinë e ushtrimit të pushtetit apo të sovranitetit i mbështetur në aprovimin nga brenda vendit përderisa ai nuk kishte lidhje të vazhdimësisë së brezave (apo të gjakut) me të cilat janë justifikuar të gjitha monarkitë në vendet e tjera.
Mund të themi se një të kaluar të tillë mban parasysh politika italiane ndaj shqiptarëve e cila në vitin 1927 do të vendoste theksin me të madhe ndaj kërkesës mbi domosdoshmërinë e një qëndrushmërie politike afat gjatë në Shqipëri.
Roma ishte shumë e interesuar dhe nuk dëshironte shkatërrimin e gjithë rezultatit të saj politik, ushtarak dhe ekonomik që kishte arritur në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Për të, çdo luhatje ose tronditje e stabilitetit politik, do të kishte pasoja të drejtpërdrejta negative në interesat italiane.
Propozimi italian për krijimin e mbretërisë shqiptare me Ahmed Zogun mbret u hodh në tryezën e bisedimeve dypalëshe (Itali- Shqipëri), që gjatë diskutimeve të mesit të korrikut të vitit 1927, kur Musolini thirri në Romë Ugo Solen për konsultime rreth masave që duhet të merreshin për forcimin dhe zgjerimin e ndërhyrjes së Italisë në Shqipëri. Në programin e shqyrtuar prej tre çështjesh, e dyta kishte të bënte pikërisht me poropozimin italian mbi mundësinë e krijimit të mbretërisë shqiptare ndërsa e treta, në plotësim të të dytës, të përfshinte problemin e martesës së Zogun më qëllim sigurimin e vazhdimësisë së regjimit .
Sipas Solas, Zogu kishte qenë plotësisht dakord me propozimin italian dhe diskutimi i pikës së dytë, e cila kishte lidhje me shndërrimin e republikës në mbretëri, nxori në shesh këto çështje:
Në këtë fazë kishte një përputhje qëndrimesh por sidomos interesash midis Zogut dhe Italisë.
Nga njëra anë ishin ambicjet personale të Zogut dhe grupimeve që e mbështesnin atë për këtë ndryshim. Me kohë, mënyra e zotërimit të pushtetit aktual nga ana e tij ishte shumë afër konceptit të sistemin monarkist. Sjellja mbretërore që ai kishte mësuar nga Pallati i Abdyl Hamidit u plotësua me shënjat e shumta dalluese të uniformës së tij, deri në riprodhimin e portretit të tij në pulla dhe ndërtesa publike. Për konsum të brendshëm, Zogu u përpoq me të gjitha forcat që të lidhte origjinën e tij me familjen e Skënderbeut. Koncepti i një pushteti despotik kishte hedhur rrënjë në mëndjen e Zogut që në rininë e tij dhe ndoshta që në periudhën e qëndrimit të tij në Konstandinopojë dhe më vonë në Vjenë .
Ai kishte admirim të veçantë për dy figura monarkësh, Jul Qezarin dhe Napoleonin . Padyshim, sedra e tij e etur për lavdi ledhatohej jo vetëm nga përqëndrimi i pushtetit në duart e tij por edhe nga madhështia dhe ceremoniali që rrethon një fron monarku .
Të gjitha këto tregojnë se nuk ishte rastësi, deri edhe propozimi i hapur italian për të kapërxyer autoritetin e pushtetit të tij të kufizuar ligjërisht, që lidhej me formën republikane të qeverisjes.
Vendosja e një pushteti suprem, ndoshta në planin e brendshëm, do të krijonte një unitet të popullit, mentaliteti i të cilit ishte larg idealeve të një republike, dhe ku intrigat dhe luftrat ndërfisnore, të ushqyera edhe prej pushtimit ottoman, kishin krijuar një traditë negative për qeverisjen përfaqësuese parlamentare.
Një mbret, ashtu si fqinjët e afërta, Italia, Greqia, Jugosllavia dhe të largëta të Shqipërisë, dhe jo një president me një qeverisje të kufizuar do të mund të stabilizonte atë, do të mund të eleminonte elementët shkatërrues dhe shpërbërës të një shteti dhe për më tepër një fron mbretëror shqiptar i qëndrueshëm do të sanksiononte bindshëm pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë.
Në rrugën e vendosjes së monarkisë, Zogut i duhej patjetër mbështetja e një fuqie të jashtme. Ndrojtja e tij nga ndonjë reagim i huaj armiqësor për këtë veprim përbënte një prej arsyeve kryesore që e shtyunë atë të mos shpallte monarkinë që në vitin 1925.
Po kështu, duke marrë në konsideratë situatën politiko-ekonomike të brendshme dhe atë gjeopolitike, sidomos të rajonit, përcaktuese, vendimtare dhe jetike për Zogun ishte një mbështetje e jashtme e fuqishme e cila do të amortizonte goditjet politike që i vinin nga brenda dhe do të siguronte jetëgjatësinë e pushtetit të tij.
Zogu e kishte kuptuar më së miri se shndërrimi i republikës në mbretëri dhe shpallja e tij mbret nuk ishte vetëm një ambicie e tij personale dhe e interesave ose grupimeve politike që e mbështesnin atë. Nga ana tjetër, edhe Roma dhe interesat e saj, duke njohur ambicjet e Zogut dhe duke shfrytëzuar varësinë ekonomike dhe politike të tij ndaj Italisë deri në këtë kohë, shikonin tek personi i tij figurën më të përshtatshme për të mbrojtur dhe ruajtur interesat e Italisë në Shqipëri. Për më tepër duke forcuar pushtetin personal të Zogut ajo mundësonte zgjerimin e depërtimit të gjithanshëm italian në Shqipëri në të ardhmen . Megjithëse Zogu ishte i ndërgjegjshëm dhe kuptonte të gjithë këta elementë, oferta e Musolinit e ledhatoi ndjeshën sedrën dhe ambicjen e tij karakteristike . Për fatin e tij të mirë, ishte e vetmja alternativë politike që propozonte Roma për momentin, alternative e cila përputhej si me interesat e Italisë (Musolinit) ashtu edhe me ato të Shqipërisë (Zogut).
Po ato ditë të firmosjes së traktatit të aleancës mbrojtëse (nëntor 1927) Pallati Chigi filloi të shtronte, si një problem të afërt tashmë, etapën e dytë të kësaj vije, transformimin në mbretëri të regjimit shqiptar. Me këtë transformim, d.m.th. duke krijuar një mbretëri vasale, Pallati Chigi synonte të përforconte ndaj të tretëve sidomos ndaj Jugosllavisë, sundimin e pakundërshtueshëm të Italisë mbi Shqipërinë . Zogu kishte refuzuar të bënte paralelisht nënshkrimin e traktatit të aleancës mbrojtëse dhe uljen e tij në fron (të cilin ai e kish dëshiruar prej kohësh) me qëllim që të mos i jepte përshtypjen Europës, sidomos Jugosllavisë dhe Anglisë, që froni ishte një shpërblim për traktatin .
Në fakt, në llogaritjet e tij, ai e kish menduar se si të zgjidhte ato që dukeshin si aspektet paraprake të problemit, se si të hiqte qafe ato persona që mund ta pengonin në marshin e tij drejt fronit. Zogu do të manovrojë midis kundërshtarëve të brendshëm dhe mbështetjes së tyre nga jashtë. Ai synoi të eliminonte ato figura, si Jusuf bej dhe Ceno bej Kryeziu, të cilët ishin veglat e Beogradit kundër regjimit të tij, si dhe Vërlacin i cili mund të shndërrohej një qëndër e opozitës së bejlerëve dhe eventualisht një njeri i preferuar për Qeverinë e Romes. Në mars të vitit 1927 u vra sërbofili Jusuf bej Dibra, kunati i Zogut. Në tetor u vra një tjetër kunat i tij, lidhur shumë me Beogradin, Ceno bej Kryeziu. Në dhjetor ndodhi atentati ndaj Shefqet bej Vërlacit, italofil. Në telegramin e tij të 15 dhjetorit 1927 drejtuar Romës, të titulluar “Kjo është jeta e sotme në Tiranë” Sola shkruan: “Një panik i pafrenuar e ka përfshirë Xhemil Dino... Disa ditë më parë kishte pasur një depresion. Belbëzonte dhe dridhej. اdo natë flinte në dhoma të ndryshme të hotelit. I hipi anijes të shtunën pa ditur drejtimin... Iliaz Bej Vrioni, natën thërret për ndihmë, duke dalë nëpër korridorë me dy pistoleta në dorë, me kemishë nate. Ai zbuloi se ratifikimet e Traktatit të Aleancës s’ishin bërë akoma dhe kështu u vetëofrua që ta bënte këtë personalisht në Romë. Do të niset të shtunë ose të dielë. Edhe ai po arratiset. Shefqet bej Vërlaci është më dinjitoz. Guxon të dalë më këmbë i shoqëruar nga dy persona të armatosur. Kjo është jeta e sotme në Tiranë” .
Në manovrimin e tij me Italinë, ai kërkon të sigurojë njohjen e plotë nga Italia e për këtë ishte i gatshëm të bënte lëshime. Duke njohur synimet e Italisë, ai dëshironte të përfitonte sa më shumë prej saj që të jepte përshtypjen e një “vasaliteti përfitues”.
Që herën e parë kur propozimi italian për krijimin e një monarkie në Shqipëri iu paraqit Zogut nga Sola në shtator 1927 së bashku me propozimin e paktit të aleancës mbrojtëse dhe të martesës me një princeshë italiane , Zogu përgatiti strategjinë e tij të zakonshme për të rritur çmimin e shpërblimit. Si zakonisht, ai formuloi një kërkesë të re për ndihmë më të madhe financiare për Shqipërinë. Sola, i cili ishte i përgatitur për një kërkesë të tillë, e informoi Zogun se Italia mund të kontribuonte vetëm duke dërguar në Shqipëri ekspertë ushtarakë dhe financiare por jo të financonte në mënyrë të drejtpërdrejtë buxhetin shqiptar. Zogu shprehu pakënaqësinë e tij ndaj këtij sugjerimi të Romës. Megjithatë, ai ishte i vendosur të mos linte t’i shpëtonte përsëri nga dora rasti i mbështetjes italiane për krijimin e monarkisë duke u treguar i gatshëm të paguante çmimin e nevojshëm me një pakt të ri dhe një angazhim më të madh italian në Shqipëri.
Ndërkohë, në propozimet e Romës, Zogu pa një dritë mundësie për të hequr qafe marrëveshjen e fshehtë ushtarake të vitit 1925, si dhe për të biseduar çështjen e grupeve të emigracionit. Për të gjitha këto arsye, ai i pranoi qëllimisht propozimet por me kusht që të diskutohej rreth tyre .
Menjëherë mbas nënshkrimit të paktit të ri të aleancës mbrojtëse, Zogu filloi lojën e tij të zakonshme për të sabotuar atë ashtu siç kishte vepruar me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Italinë.
Tentativa për vrasjen e italofilit Shefqet bej Vërlaci më 13 dhjetor dhe artikulli shumë i ashpër me paralajmërime kundër Italisë dhe politikës së saj në Shqipëri në gazetën gjysëm zyrtare “Telegrafi”, ishin pjesë e manovrimeve të Zogut . Duke goditur direkt paktin e ri, nëpërmjet kësaj gazete, Zogu parapërgatiste Italianët për lëshime ndaj kërkesave të tij në rritje dhe në të njëjtën kohë provonte se deri ku mund të shkonte dara shtrënguese e Romës dhe presioni i saj.
Italia shfaqi hapur pakënaqësinë ndaj veprimeve të Zogut dhe në të njëjtën kohë dha prova se kishte në dorë krijimin e Mbretërisë Shqiptare, ç’ka do të thoshte për Zogun që ai duhet të ishte dakort me kushtet e Romës.
I ndodhur përballë rrezikut të humbjes së mbështetjes italiane për ndryshimin kushtetues, Zogu e pa të udhës të mbyllte “Telegrafin”, “me preteksin se artikulli i tij kishte penguar marrëdhëniet me vendet aleate mike” , duke provuar se vullneti i tij politik përputhej me synimet e kushtëzuara politike të Italisë.
Ka shumë mundësi që Roma të këtë vendosur të heqe dorë nga mëdyshjet e saj mbi Zogun dhe të ardhmen politike të regjimit të tij në prill 1928 . Kjo periudhë përkon me planin e Musolinit për të rrethuar Jugosllavinë duke harmonizuar paralelisht kohët e veprimit në Shqipëri me ato të ndërhyrjeve diplomatike pranë vendeve të tjera, veçanërisht me kohën e marrëveshjes së projektuar midis Greqisë dhe Turqisë .
Italia e ftoi Zogun të bisedonte seriozisht për problemin e monarkisë shqiptare. Ai e pranoi në parim ftesën dhe, në qershor të vitit 1928, vendosi përfundimisht për to.
Bisedimet ishin shumë intensive dhe u zgjatën deri në gusht të vitit 1928. Një e dhënë paraprake mbi bisedimet është se Zogu në mënyrë të vazhdueshme kërkonte të holla por sidomos menjëherë pas vendimit përfundimtar mbi ndryshimin e formës së regjimit sipas asaj që ishte vendosur në vija të trasha në nëntorin e vitit të kaluar .
Në kompensim edhe të nënshkrimit të traktatit të aleancës mbrojtëse, Italia i dha Zogut 10 milionë lireta: një pjesë menjëherë, pjesa tjetër në shtator, pas shpalljes së mbretërisë . Pasi mori 5 milionët e para, Zogu hapi bisedimet me Solan .I bindur se miratimi vetëm i Italisë për krijimin e monarkisë shqiptare mund të shkaktonte pakënaqësi dhe reagime negative të vendeve të tjera evropiane dhe të atyre fqinje, Zogu ndërmori një veprimtari të të dendur diplomatike. Nëpërmjet Ministrit të tij të Jashtëm, Vrioni, ai kërkoi jo vetëm të mësonte opinionin e Anglisë por edhe të merrte një miratim paraprak prej saj. Në takimin me Chamberlenin, Vrioni, (i cili vetë ishte kundër shpalljes së monarkisë dhe qëllimeve të Zogut) mori një përgjigje të thatë sipas të cilës “nuk ishte në zakonin e Qeverisë së Madhërisë së Saj të merrte përsipër përgjegjësitë e dhënies së këshillave lidhur me çështjet e brëndshme të një vendi të pavarur” .
Në fakt, Londra ishte skeptike ndaj argumentave të Zogut për domosdoshmërinë e krijimit të monarkisë shqiptare për më tepër që e kishte kuptuar se mbrapa saj fshihej Roma. Ajo tregohej shumë e kujdesshme për të dhënë opinione ose për të reaguar në favor ose jo të krijimit të monarkisë shqiptare.
Një fakt tjetër që shtonte skepticizmin e saj ishte se Zogu ishte akoma i pamartuar. Kjo lloj monarkie, që nuk mbarte në vetvete vazhdimësi, nuk mund të zgjidhte problemet e stabilitetit të brendshëm të Shqipërisë.
Londra shprehte shqetësim dhe për faktin se si shpallja e monarkisë ashtu edhe mungesa e sigurisë në trashëgiminë e saj, do të rrisnin pakënaqësitë jashtë kufijve të Shqipërisë, sidomos të fqinjëve.
Shumë kuptimplote është thënia e Gjeneralit Percy gjatë një takimi me Zogun në gusht të vitit 1928: “Zogu ishte i rrethuar nga tre zonjusha, Miss Jugosllavia, Miss Greqia dhe Miss Italia, ndaj dhe një martesë e konceptuar keq mund të çonte vetëm në probleme serioze .
Nëpërmjet një alegorie Zogu iu përgjigj Persy-it se “marrja në krahë e një miku, kur miku bëhet i ngushtë ka tendenca të kthehet në përqafim dhe përqafimi mund të çojë në thyerje kockash dhe se nuk kishte ndërmend t’i shih*te të thyera brinjët e Shqipërisë .
Ky pohim i Zogut vërtetohet nga disa fakte. Ai refuzon propozimin italian për fejesë me princeshë italiane dhe organizon atentat kundër italofilit Vërlaci .
Zogu kërkonte mbështetje nga Roma për ndryshimin e brendshëm kushtetues, por nuk dëshironte të lidhte po me Italinë trashëgimin e fronit të vet . Italia, mund të pranonte qetësisht refuzimin e Zogut për t’u martuar me një princeshë italiane por do t’i refuzonte kategorikisht çdo tentativë të tijën për të gjetur lidhje martesore me vendet fqinjë të Shqipërisë…

Revista Java
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 25.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 12.5%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 6.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 18.8%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 12.5%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 25.0%
Back
Top