Sipas librit tuaj, cila është prejardhja e Skënderbeut?
Schmitt: Në radhë të parë, përfytyrimi ynë modern për përkatësinë tonë etnike nuk mund të transferohet në mesjetë. Së dyti, Skënderbeu është ndjerë arbër dhe kjo është vendimtare, pasi identiteti përcaktohet ashtu si ndjehet individi.
Në të gjitha burimet arkivore, dokumentohet se ai është ndjerë si udhëheqës i Arbërisë dhe njëkohësisht ai ka qenë pjesë e aristokracisë ballkanike, duke qenë i miqësuar me shumë familje të rëndësishme të rajonit.
E ritheksoj se në tërë Evropën, aristokracia ka qenë ndërkombëtare, vetëm familjet e rëndomta nuk kanë pasur miqësuar me familjet e huaja. Dhe për mesjetën ishte praktikë lidhja e familjeve aristokrate.
Në këtë kontekst, edhe djali i Skënderbeut e martoi një princeshë serbe. Ndërsa sot, kjo shikohet si diçka negative, si pasojë e përvojës negative shqiptaro-serbe gjatë shekullit XX, nga ku ekzistojnë shumë paragjykime, por, siç dihet, në mesjetë nuk ka pasur konflikte shqiptaro-serbe.
Në mesjetë, për këto familje bëhej fjalë më shumë për prestigj, prandaj ishte shumë interesante që ta martosh vajzën e një udhëheqësi të fuqishëm, që ndoshta fliste gjuhë tjetër, sesa ta martosh një vajzë të varfër e që fliste të vyejtën gjuhë dhe kjo ishte praktikë në tërë Evropën.
Gjatë leximit të librit hasim në një konstatim interesant: fillimisht thoni se Skënderbeu rrjedh nga një ambient religjioz ortodoks, por në letrat e tij, të cilat ju i përmendi në libër, Skënderbeu gjithnjë në vetën e parë i referohet përkatësisë katolike. Në këtë kontekst, edhe më interesant del fakti se luftën e Skënderbeut nuk e përkrahu Kisha Ortodokse, por Kisha Katolike. Si i shpjegoni ju këto relacione?
Schmitt: Duhet pasur parasysh, Skënderbeu jetoi 63 vjet dhe gjatë jetës së tij përjetoi ndryshime të mëdha dramatike. P.sh., në fund të jetës mund të thuhet se ai ndjehej katolik dhe se gjatë luftës së tij kundër Perandorisë Osmane qëndroi shumë afër Kishës Katolike, ishte miqësuar me hierarkinë e lartë katolike, qëndroi në aleancë me Papën e Romës dhe udhëheqësit e kohës në Itali, por në rini ai erdhi nga brendësia e Ballkanit ku nuk kishte kishë katolike, pra, në Dibër nuk kishte kler katolik.
Megjithatë, në sytë e udhëheqësve ortodoksë serbë, babai i Skënderbeut shikohej si arbër (kulla që ndërtoi në Manastirin e Hilandarit në malin Athos, u quajt nga murgët serbë "kulla arbre (arbana?ki pirg), ashtu siç shikohej krejt familja Kastrioti, pavarësisht se ishte ortodokse (Reposhi, vëllai i Gjergjit, vdiq si murg ortodoks në Hilandar).
Veç kësaj, në vazhdim të jetës së tij, Skënderbeu e kuptoi se mbijetesa e tij nuk mund të ndodhte pa përkrahjen e Perëndimit, pasi ndihma nuk po vinte nga fqinjët e tij ortodoksë, me të cilët, me serbët dhe malazezët, në fillim kishte bashkëpunuar, por të cilët u sulmuan nga osmanët, dhe për këtë shkak nuk kanë mundur t´i ofrojnë një mbështetje të vazhdueshme.
Por, pas betejës në Fushë-Kosovë (1448) d.m.th., pas dështimit të koalicionit të tij me Hungarinë, fuqinë më të rëndësishme në rajon, pasi rënies së shteteve ortodoksë dhe ballkanikë nën pushtimin osman (Bizanti, Serbia, Morea, Bosnja midis 1453 dhe 1463), Skënderbeu filloi të orientohet gjithnjë e më shumë kah Perëndimi, d.m.th., shtetet italiane, në radhë të parë mbretërinë e Napolit dhe shtetin e Kishës.
Në këtë kontekst, Skënderbeu gjithnjë e më shumë u afrua me Kishën Katolike, por nuk ka ndonjë dokument që flet se Skënderbeu u konvertua në katolik, megjithëse ai e ndjente veten si i krishterë dhe është legjitime ta cilësosh në vitet ´50-të dhe ´60-të të shek. 15, katolik.
Më ka bërë përshtypje në libër pjesa ku ju flisni për Skënderbeun si udhëheqës, strateg dhe diplomat me tipare më të veçanta në Evropën Juglindore. Ku i mbështesni këto pohime ose thënë më saktë, çka e dallon Skënderbeun nga udhëheqësit e asaj kohe?
Schmitt: Ky është pohimi thelbësor i këtij libri, që deri më tani nuk është diskutuar. Skënderbeu ka qenë një figurë e jashtëzakonshme jo vetëm në Evropën Juglindore, por edhe në Evropë. T'i rikthehemi pyetjes suaj, përse ai ka qenë një udhëheqës i veçantë?
Së pari, në aspektin ushtarak ai ka qenë një nga udhëheqësit e paktë ushtarako-politikë në Ballkan, i cili e ka studiuar me saktësi strategjinë luftarake të osmanëve.
Në anën tjetër, princërit bullgarë, serbë dhe të tjerët, i kanë luftuar osmanët në mënyrë konvencionale, me trupat e tyre zhvillonin beteja të hapura fushore, pastaj në qytete, dhe u shkatërruan nga ushtria osmane. Ndërsa Skënderbeu, dy gjëra i kishte kuptuar: së pari, vendlindja e tij ishte e varfër dhe kishte më pak ushtarë.
Së dyti, ai nuk zhvilloi beteja të hapura fushore, por me shkakësi shfrytëzoi natyrën dhe shumë herët e internacionalizoi luftën e tij kundër osmanëve, në një fazë të parë me fqinjët në rajon (deri më 1448-ën), sidomos me Hungarinë, dhe në një fazë të dytë (sidomos pas 1450-ës) më ndihmën ushtarake (nga Napoli) dhe ekonomike (nga Roma dhe nganjëherë nga Venediku).
Në këtë kontekst, ai ndërtoi raporte diplomatike me vendet fqinje, si dhe me shtetet italiane, me synimin që të siguronte mbështetje nga jashtë, sepse atij i duheshin armë, ushqime dhe para në luftë kundër osmanëve.
Në aspektin politik, nëse e krahasojmë me serbët, të cilët e ruajtën besimin ortodoks, por e humbën shtetin, përgjigjja e Skënderbeut ishte radikale dhe për këtë ai u afrua me Perëndimin katolik, pasi e kishte parë se vendet ortodokse ishin shumë të dobëta për të zhvilluar rezistencë.
Veç kësaj, e kishte të qartë se qëllimi i një kryengritjeje të suksesshme kundër osmanëve do të ishte vetëm shkatërrimi i Perandorisë Osmane, pasi e dinte se alternativa tjetër, një mbretëri e vogël përballë një Perandorie të madhe, gjithmonë do të ishte e pasigurt dhe nuk do të kishte shanse për mbijetesë.
Në anën tjetër, osmanët ndiqnin një strategji shumë të shkathët, nëse dikë apo shtet nuk arrinin ta nënshtronin, atëherë i ofronin krijimin e një shteti vasal, pastaj, pas disa vitesh e pushtonin gradualisht, ashtu siç bënë me serbët, të cilët pranuan vasalitetin (1448) dhe me këtë fituan disa vite (1459). Por, Skënderbeu i tha jo një oferte të tillë, pasi ai e dinte saktë si funksiononte kjo strategji, që pas një periudhe të caktuar vasaliteti, vendi i tij do të pushtohej nga osmanët.
- Një moment tjetër, që më ka përshtypje në këtë libër, është trajtimi i Betejës së Beratit, ku ju keni veçuar kontributin dhe veçantinë luftarake të Skënderbeut. اka mund të thoni më tej për lexuesit për luftën e Skënderbeut në Berat?
Schmitt: Beteja e Beratit tregon veçantinë e figurës së Skënderbeut, i cili, për dallim nga udhëheqësit e atëhershëm, ishte udhëheqës ideal i luftës - sipas idealit të këngëve popullore, jehonën e të cilave mund ta gjejmë në veprën e Marin Barletit, - që dinte të mobilizonte dhe t´u dilte personalisht në ndihmë ushtarëve të tij.
Në aktet dhe dokumentet arkivore dokumentohet se Skënderbeu ishte një luftëtar i madh, nuk ishte udhëheqës i cili i dërgonte luftëtarët e tij në vdekje dhe vetë qëndron në kështjellë, por ai luftonte edhe vetë në radhën e parë të betejës dhe këtë e tregoi në Betejën e Beratit, kur në mesin e katastrofës ai i dëshmoi kualitetet si udhëheqës.
Ai, në Berat lufton deri në momentin kur u tërhoq luftëtari i tij i fundit dhe reaksioni i njerëzve të tij ishte i qartë: nëse udhëheqësi i tyre vetëflijohej, atëherë kjo i motivonte shumë. Ky rast tregon përse Skënderbeun e kanë ndjekur njerëzit edhe pse ishte rrezik, ngase ai ishte i pari dhe i fundit në luftëra.
- Zoti Schmitt, ju e dini se çdo libri i bën mirë kritika e argumentuar, ashtu si njeriut bari i mirë. Deri më tani a keni pasur ndonjë kritikë që keni thënë, epo kjo ia vlen të merret parasysh ose që ju ka shtyrë të mendoni për ndonjë korrigjim të pikëpamjeve tuaja.
Schmitt: ثshtë një pyetje shumë e mirë. Nga kritikat e shumta që kam lexuar, kam parë se ka pasur shumë pak historianë profesionistë, që e kanë përpunuar librin.