Rexhep Qosja: "Pse e quaj Kadarenë, mit i komunizmit"?

xhebrail1

INTERIST
Rexhep Qosja: "Pse e quaj Kadarenë, mit i komunizmit"?

Një intervistë me Rexhep Qosjën
Ndër shkaqet e refuzimit të vendeve arabe dhe të numrit më të madh të vendeve islamike në botë që të njohin Kosovën e pavarur, përpos politikës shpërfillëse disavjeçare të Shqipërisë e të Kosovës ndaj fesë myslimane dhe vendeve myslimane, nuk mund të mos shihen edhe racizmi fetar e kulturor kundërmysliman i Ismail Kadaresë, naivitetet politike fetare të ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe propaganda politike-fetare e disa klerikëve dhe zyrtarëve partiakë jo vetëm në Kosovë për kthim në fenë e të parëve!



Regjimi komunist në Shqipëri ka lënë vulën e tij të dukshme në jetën shoqërore të shqiptarëve.
Akademiku, studiuesi dhe shkrimtari Rexhep Qosja, i ka ndjekur prej kohësh këto mendime të shprehura në mediat shqiptare. Ai shprehet i vendosur kundër nocionit "rishkrim të historisë". Në këtë intervistë të gjatë, prof. Qosja ndalet te autorët e ndaluar në kohën e diktaturës, pengjet e tij personale mbi ndonjë shkrimtar që s'ka mundur ta studiojë dhe për vendin që zë letërsia shqiptare në rangun evropian. Duke u nisur nga cilësimi që ai dha për shkrimtarin Ismail Kadare pak javë më parë në një bisedë të hapur me lexuesit dhe gazetarët në Ulqin, ku e quajti Kadarenë "mit i komunizmit", në këtë intervistë Qosja sjell një vijim të asaj që është njohur si polemika më e famshme e këtyre 10 viteve të fundit mes tij dhe shkrimtarit Ismail Kadare mbi identitetin e shqiptarëve, argumentet e reja të tij mbi atë çështje, dhe sidomos mbi islamizmin, pa harruar të ndalet në shijen e hidhur që i ka lënë ai debat, dhe personazhet që morën pjesë në të.




Gjithmonë keni qenë pjesë e debateve mbi çështje e probleme të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Por debati mbi identitetin e shqiptarëve duket ka lënë gjurmë të dukshme. A i qëndroni ende atyre çka keni thënë mbi identitetin e shqiptarëve në librin "Ideologjia e shpërbërjes" e, mandej, në polemikën me shkrimtarin Ismail Kadare?

Qosja: Tezave që kam paraqitur në atë, si e quani Ju, debat edhe iu qëndroj, natyrisht, edhe do të mund t'u shtoja argumente plotësuese. Ishte ai një debat në të cilin u inkuadruan shumë publicistë, njerëz të politikës, disa shkrimtarë dhe studiues. Pjesëmarrja aq e gjerë në atë debat, sigurisht, nuk ishte e rastit. Në librin "Ideologjia e shpërbërjes" shtrohej një tezë thuajse e paprekur në jetën tonë intelektuale dhe politike. Dhe, kjo tezë, mandej, konkretizohej me shembuj që shumë veta nuk do të donin t'i dëgjonin.
Shtrohej teza:
1. tejshquarja, tejtheksimi i vetëdijes fetare në jetën tonë si popull me tri fe, i përcjellë me propagandë midis fesë katolike dhe fesë myslimane;
2. përpjekja për rrënimin e gjuhës standarde kombëtare dhe krijimin e gjuhës standarde kosovare a gegërishte në përgjithësi dhe
3. ideja e krijimit të kombit kosovar mund të luajnë rol dekompozues, shpërbërës në jetën kombëtare shqiptare, me pasoja që nuk mund t'i parashohim plotësisht sot. Kjo tezë mbështetej në një varg të dhënash nga jeta jonë e përditshme politike, kulturore dhe fetare. Në libër kritikoheshin vetje politike për animet e tyre fetare në jetën politike dhe për shpërfilljen e haptë të fesë myslimane gjithnjë në përpjekje që ashtu t'u servilizonin disa qarqeve konservatore të jashtme dhe, më në fund, tregohej karakteri i papranueshëm politik propagandistik i ftesës së përsëritur shpesh edhe në disa media për kthim në fenë e të parëve. Shkrimtarit Ismail Kadare iu kishte dukur se i është dhënë rast i mirë që t'u "dëshmonte" lexuesve dhe, sidomos, disa qarqeve të huaja se qytetërimi (dhe identiteti) shqiptar është një qytetërim i pastër evropian, pa asgjë në vete nga qytetërimi islam! Përbërësit e shumtë karakteristikë të fesë dhe të qytetërimit islam, që kishin sjellë shekujt në jetën historike të popullit shqiptar, në qytetërimin dhe në identitetin e tij, ai i kishte fshirë me vendosmëri bolshevike. Evropa e tij, në librin e tij polemik me titullin "Identiteti evropian i shqiptarëve", ishte konceptuar si një klub i krishterë, në të vërtetë si një kështjellë mesjetare, në të cilën nuk mund të ketë vend për myslimanët! Për të ishte i papranuar koncepti i elitës intelektuale dhe politike evropiane, në sajë të cilit Evropa e bashkuar shihet si projekt i hapur dhe si një përmbledhje identitetesh kulturore pa mbikomb. Ishte e qartë se me librin e tij "Identiteti evropian i shqiptarëve", Ismail Kadare kishte sjellë në polemikë ide të disa qarqeve ultrakonservatore evropiane, të cilat i cilëson mosdurimi dhe përbuzja e fesë myslimane, të cilat kur flasin për myslimanët në Evropë flasin për "makthin mysliman"! Në përpjekje e sipër që t'u pëlqente sa më shumë atyre qarqeve ultrakonservatore, Ismail Kadare do të bëjë në librin e tij disa pohime dhe do të përdorë disa cilësorë të zatetur përçmim dhe urrejtje për fenë, kulturën dhe qytetërimin mysliman dhe për përbërësit e tyre shumë të dukshëm në qytetërimin dhe në identitetin shqiptar! Dhe kështu, racizmi fetar dhe kulturor ishin bërë ideologji e tij në shkrimin me titullin mashtrues "Identiteti evropian i shqiptarëve". Ata që dinë më shumë për mëtimet shumëvjeçare të Ismail Kadaresë për t'u pastruar nga mëkatet e mëdha intelektuale e morale për shkak të shërbimeve që me vepra e me veprimtari i kishte bërë ideologjisë komuniste në variantin stalinist nuk e kanë të vështirë të kuptojnë arsyen e zhytjes së tij në batakun e racizmit fetar dhe kulturor ndaj të cilit do të reagojnë mjaft lexues shqiptarë në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë. Dikush do të mund të thoshte, siç madje është thënë, se ideologjinë raciste kundërmyslimane të Ismail Kadaresë mund ta shikojmë si koniunkturë të tij, me të cilën nuk duhet marrë seriozisht, por nuk mund të mos e kemi parasysh se në kushtet e sotme kjo ideologji nuk ishte e pa pasoja edhe kombëtare edhe ndërkombëtare për shqiptarët. Ndër shkaqet e refuzimit të vendeve arabe dhe të numrit më të madh të vendeve islamike në botë që të njohin Kosovën e pavarur, përpos politikës shpërfillëse disavjeçare të Shqipërisë e të Kosovës ndaj fesë myslimane dhe vendeve myslimane, nuk mund të mos shihen edhe racizmi fetar e kulturor kundërmysliman i Ismail Kadaresë, naivitetet politike fetare të ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe propaganda politike-fetare e disa klerikëve dhe zyrtarëve partiakë jo vetëm në Kosovë për kthim në fenë e të parëve! Mund të shpresojmë se numri më i madh i shteteve arabe dhe i shteteve të tjera myslimane do ta njohin Kosovën e pavarur - çka është e rëndësishme edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë, por idetë raciste të shkrimtarit Ismail Kadare dhe privatësitë naive politike fetare të ish-kryetarit të LDK-së, i cili shtetin laik, modern të Kosovës, e konceptonte me fotografinë e Papës në Presidencën e Kosovës, do të mbeten si një kujtim tragjik në kulturën dhe në politikën tonë. Po lirohemi prej asaj ideologjie raciste duke paguar çmim: duke çuar emisarë në vendet arabe për të kërkuar prej tyre, në të vërtetë për t'iu lutur atyre, që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top