Restaurohen 660 monedha nga Antigonea

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë sapo ka përfunduar restaurimi i 660 monedhave të Antigonesë. Themi të Antigonesë, sepse ato janë gjetur gjatë gërmimeve të ndryshme arkeologjike, pikërisht në Antigone. Gërmimet e shumta arkeologjike të kryera në Antigone, që nga vitet e gjashtëdhjeta e deri sot, sidomos nga i ndjeri Dhimosten Budina, kanë zbuluar ndër të tjera një numër të madh monedhash. Monedhat janë gjetjet kryesore të një zbulimi arkeologjik, sepse ato datojnë sitin, zbulojnë lidhjet tregtare, pra qarkullimin monetar, orientimin e tregtisë, volumin dhe nivelin e shkëmbimit të mallrave, pra zhvillimin. Por siç tregon Frederik Stamati, shef i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë, "monedhat e zbuluara kanë pasur probleme për ruajtjen dhe studimin, të shkaktuara nga qëndrimi në tokë për më shumë se 2100 vjet". Kështu, jo të gjitha monedhat e Antigonesë ishin të lexueshme, ndërsa korrozioni kishte dëmtuar sipërfaqen dhe vazhdonte të zhvillohej duke rrezikuar ekzistencën e tyre. "660 copë monedha të këtij koleksioni, që ruheshin në kabinetin numizmatik të Institutit Arkeologjik, iu nënshtruan restaurimit dhe konservimit për të realizuar trashëgiminë e tyre dhe për të bërë të mundshëm leximin dhe studimin përkatës për monedhat e palexueshme", - tregon Stamati. Trajtimi u krye në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Puna filloi gjatë vitit 2009 dhe përfundoi në mes të janarit 2010. U punua në mënyrë shumë intensive, por edhe pse puna ishte shumë e lodhshme, rezultati i arritur justifikon mundimin. Nga ky grup monedhash vetëm 10 copë ishin prej argjendi, ndërsa të tjerat në bronz. Tani ato ruhen të sistemuara në Kabinetin numizmatik të QSA, në konditat më të mira të arritura në Shqipëri, nga puna e specialistes numizmate, Prof. Dr.Shpresa Gjongecaj.
Antigonea
Emrin Antigone ia ka vënë Pirroja i Epirit në vitin 270, për nder të së shoqes, që quhej Antigona. Ajo ishte thesprote. Antigoneja ka qenë një qendër e rëndësishme në Ilirinë e jugut. Nuk dihet mirë se kur është themeluar, por dihet mirë se u dogj në vitin 167 para erës së re nga konsulli romak Pal Emili, i cili si mundi ushtritë e Gentit, dogji 70 qytete të Ilirisë së Jugut, midis të cilave edhe Antigonenë, e cila nuk e mori më veten kurrë. Monedhat e gjetura në Antigone bëjnë pjesë kryesisht në ato të Koinonit të Epirit, të prera rreth viteve 234-168 p.e.s. Të gjitha përmbajnë të shkruar fjalën A?EIP?TAN. Ato klasifikohen në katër tipe: 1-ato që kanë figurën e Artemisës, 2- ato të tipit Zeus-rrufe, 3-ato me kryet e Zeusit dhe Dionës dhe të fundit e të 4-ato të tipit Dion-trekëmbësh. Ndër të tjera janë gjetur edhe pak monedha republikane. "Tani, mbas restaurimit jo vetëm që u sigurua ruajtja e tyre me një koeficient sigurie prej 99.6%, por njëkohësisht mundësohet studimi më i plotë numizmatik, që natyrisht do të japë të dhëna të tjera, më të shumta në tërësinë e studimeve të kryera deri sot", - shprehet Stamati. Me përfundimin e restaurimit të grupit të fundit prej 51 copësh, arrin në më shumë se 1000 numri i monedhave të restauruara gjatë vitit 2009. "Kjo është një shifër e mirë, ose shumë e mirë, në konditat tona, por u arrit me një punë të sforcuar duke punuar paradite e pasdite, të shtuna e të diela, gjatë ditëve të pushimeve zyrtare dhe pa lejen e zakonshme, kështu që kjo shifër është tej mundësive normale të punës, përveç që laboratori ka detyra për të punuar edhe me objekte të tjera arkeologjike, si dhe me objektet etnografike", - shton Frederik Stamati, shef i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë. Kjo punë dëshmon më së miri nevojën e këtij laboratori për të pasur një numër shumë më të madh të kuadrove të kimisë, për të përballuar nevojat urgjente që ka trashëgimia e objekteve me vlera kulturore dhe historike.

•BalkanWeb•
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top