polisi_tajrush
Struga zemra Ilirides
Tanushë, Maqedoni, 6 maj – Ka më shumë se tre vjet që Xhezair Shaqiri është ngjitur në fshatin Tanushë të Maqedonisë. Shkupi për të duket i largët, ndonëse nuk ka shumë kilometra nga atje. Ish-komandant Hoxha, që kur e ka përfunduar mandatin e deputetit të Kuvendit të Maqedonisë jeton në një kasolle të vogël, i rrethuar nga shumë ish-ushtarë të Ushtrisë اlirimtare Kombëtare të armatosur deri në dhëmbë.
Ky ish-komandant ka lënë jetën dhe luksin e Shkupit për të jetuar në një fshat kufitar me Kosovën nëpër shtigjet e të cilit më së lehti udhëtohet me kalë shale apo samari. Në këtë fshat ku tash e sa vjet jeton ky ish-komandant që vazhdon të quhet komandant, jeta vështirësohet edhe më shumë gjatë muajve të dimrit, kur bora arrin kulmet e shtëpive.
Hoxha ka autoritet jo vetëm mbi Tanushën. Ai kontrollon edhe fshatrat Llukar, Goshicë, Brese që shtrihen nëpër male në mbi një mijë e treqind metra lartësi mbidetare. Në këto anë autoriteti i vetëm është ai.
“Prej herës së fundit kur policia sllavo-maqedonase më 2007 pati ndërmarrë një ofensivë kundër fshatit, me mbi 600 forca elite ne u organizuam dhe për gjysmë ore i qitëm prej fshati. Prej atëherë nuk ka hyrë më këmbë polici në këtë fshat”, tregon Hoxha për të shtuar se pas asaj zmbrapsjeje të forcave policore i kishte vënë kushte qeverisë që të kërkonte falje.
“Nuk jemi kundër arrestimit të një personi, i cili e ka shkelur ligjin, sepse kemi nevojë për polici profesionale, e cila do ta luftojë krimin e organizuar dhe jo në atë mënyrë. Ashtu qysh jemi marrë vesh edhe në 2001-shin që të mos përdoret forca. Ka qenë e patolerueshme që mbi 600 forca elite të njësisë ‘Tigrat’ që të sulmojnë fshatin Tanushë me pretekst të kërkimit të armëve”, thotë ai.
Rruga rreth 10 kilometra nga fshati Dëbelldeh i Kosovës deri në Tanushë të Maqedonisë është vështirë e kalueshme. Veturat nuk shkojnë dot, përveç ndonjë xhipi të madh. E traktorët bartin udhëtarë dhe mallra andej e këndej kufirit. Ecja më këmbë e kësaj rruge plot gropa e gurë nuk është aq e lehtë. Pluhuri mbulon këpucët e bajgat e kuajve janë të shumta si dëshmi se kjo formë transporti është më e përshtatshmja.
Diku nga mesi i rrugës, në një luginë, rrjedh vrullshëm një krua nga rrënjët e ahut, uji i ftoftë i të cilit të bie në ballë. Pakkush mund të kalojë andej e të mos pijë ujin e këtij kroi. Ujin e tij e pi edhe Valoni, 15 vjeç, nga fshati Dëbelldeh, i cili pa përtesë i prin në këmbë ekipit të gazetës deri në kufij. Përtej kufirit nuk qet asnjë hap më shumë për t’u kthyer prapa me një traktor që në atë moment shkon në drejtim të Kosovës.
Kufiri i padukshëm
Në atë pjesë që “e qeveris” komandant Hoxha nuk ka asnjë shenjë treguese që ke hyrë në territorin maqedonas. Në anën e majtë mbi një kodër ndodhet një karakoll maqedonas, në një kodër tjetër ndodhet një pikë e shqiptarëve të armatosur. Në ajër fluturon një aeroplan që nuk shihet.
“Na ka ba zhurmë qiki ballan sot. S’pe dimë a është i KFOR-it a i maqedonasve, se me ditë që është i maqedonasve e kishim qitë në tokë”, thotë një i ri, i dërguar nga komandant Hoxha për t’i pritur gazetarët.
Ai duket se është familjarizuar me një “Kallashnikov”, të cilin e bart lehtë. “Kallashnikovi” i tij që duket se është përdorur gjatë kohë i janë vendosur tre karikatorë me nga 30 fishekë të gatshëm për breshëri.
I dërguari i komandant Hoxhës nuk flet shumë. Nuk e tregon as emrin, por herë pas here tregon se si janë përleshur me armë me ushtarë maqedonas.
“Kemi shku ni ditë i kemi gjetur të shtrirë në tokë do ushtarë. I kemi gjuajt po nuk kemi dashtë t’i vrasim. Vetëm i kemi plagos”, tregon duke shpalosur karakterin e “armiqve” të tyre duke i quajtur të ligë e frikacakë. “Shumë janë të flliqtë. Në di mijë e nitën deri në Shkup kemi hirë”.
Shtëpia në të cilët ndodhet baza e këtyre njerëzve të armatosur është e vogël, e palyer nga jashtë dhe e tymosur nga brenda. Pas derës është një grumbull armësh kalibrash të ndryshëm. Oda është plot burra, të cilët dëgjojnë se çka flet Hoxha.
“Sllavo-maqedonasit po shihet se me paramendim të mirëfilltë kanë marrë ofensiva të njëpasnjëshme kundër shqiptarëve dhe prej atëherë nuk e kanë parë të udhës që të kërkojnë falje për ato humnera që i kanë krijuar me shqiptarët dhe Tanusha është ku është sot jashtë kontrollit të Policisë. Veç shkolla funksionon këtu, asgjë tjetër”, thotë Xhezair Shaqiri - Hoxha.
Ai thotë se vendi është shumë i prapambetur dhe se investimet e shtetit nuk kanë ndodhur me dekada. Hoxha thotë se në “republikën e tij” ka shumë probleme, të cilat janë injoruar nga pushteti maqedonas.
“Asnjë qeveri nuk ka dashur t’i marrë parasysh kërkesat e shqiptarëve të fshatrave Tanushë, Lukar, Morinë, Goshicë, Bresë, fshatra rreth kufirit që kanë lidhje farefisi me fshatrat e Kosovës të cilët janë nip e dajë”, thotë ai duke shpjeguar krushqitë në këto fshatra: “Një vajzë prej Prishtinës a prej Shkupit nuk vjen të martohet këtu”.
Ofensivat
Komandat Hoxha për situatën e krijuar në disa rajone të Maqedonisë të banuara me shqiptarë fajëson kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, dhe dy liderët shqiptarë, Ali Ahmeti e Menduh Thaçi.
“Shteti i Maqedonisë nuk ka bërë asgjë që të tejkalohet kjo situatë, nuk i ka interesuar apo i ka interesuar që situata të jetë kështu. Më e keqja është se as ndërkombëtarët nuk kanë bërë asgjë që ta normalizojnë situatën”, thotë Shaqiri dhe shton se nuk lejon që të maltretohet popullata shqiptare.
“Prej se kur është VMRO-DPMN-ja në pushtet shumë ofensiva janë bërë kundër shqiptarëve. Një ndër to janë edhe Brodeci, Sopoti, shumë prej ish-pjesëtarëve të UاK-së ka mbi 300 ushtarë që gjinden nëpër burgje pa asnjë dëshmi, edhe pse ekziston marrëveshja për amnisti”, thotë ai duke rikujtuar projektet antishqiptare, sipas tij, të Gruevskit, siç ishin Enciklopedia dhe projekti “Shkupi 2014”.
“Shihet qartë që Marrëveshja e Ohrit është cunguar dhe ka hasur pengesa të mëdha. Kemi shumë ligje të kësaj marrëveshjeje që nuk kanë kaluar në Parlament, ndërsa afati i fundit ka qenë 2004-a. Kemi ende problem me shumë djem të luftës që ndiqen dhe nuk janë rehabilituar në shoqëri”, shprehet komandant Hoxha. “Marrin rrugën për në kurbet dhe kur kthehen arrestohen sepse kanë fletarrestime”, shton ai duke u çuditur me mosreagimin e ndërkombëtarëve si nënshkrues dhe garantues të Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje kjo që i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni.
Riorganizimi i UاK-së
Ish-deputeti Xhezair Shaqiri që aktualisht udhëheq Partinë Demokratike Kombëtare, thotë se nuk është vetëm Tanusha që ka mbledhur ish-ushtarë të UاK-së, por ka edhe fshatra të tjera. Këto grupime të armatosura, sipas tij, janë bërë për t’i ikur burgosjes pa asnjë fakt të ish-luftëtarëve.
“Paaftësia e Thaçit dhe Ahmetit për t’u ulur dhe për të krijuar një strategji dhe t’i bëjmë kërkesat e përbashkëta që të arrihen të drejtat e shqiptarëve, po shfrytëzohet nga Gruevski”, saktëson Hoxha.
Ai kujton se nuk është i çmendur të rrijë aty i armatosur, por është i detyruar.
“Ne nuk jemi të çmendur të rrimë këtu, kam gruan dhe tre fëmijë, kemi dëshira kemi perspektivë por meqë sllavo-maqedonasit kanë marrë shumë ofensiva kundër gjithë shqiptarëve, kundër komandantëve dhe ushtarëve, ndër ta jam edhe unë, nuk ka zgjidhje kjo punë”.
I ulur në një divan, komandant Hoxha herë pas herë kujtohet para se të përgjigjet. Disa prej ushtarëve të tij e shikojnë në gojë se çfarë thotë e disa flenë. Në mesin e tyre është edhe një nga Kosova, pjesëmarrës në shumë luftëra. Duket i dëshpëruar nga zhvillimet në Kosovë, ndërsa prehje për këtë gjen në Tanushë.
Aeroplani që fluturon mbi malet e Anamoravës prish qetësinë në këtë shtëpi veç me burra. Aty vazhdon dyshimi se mos është i KFOR-it se po të ishte maqedonas do të hidhej në tokë. Luftëtarët debatojnë se sa metra lartësi mund të jetë dhe cila armë nga stogu pas dere mund ta mbërrijë.
Komandant Hoxha përmend daljen në skenë edhe njëherë të UاK-së, por mohon lidhjet me ta. Edhe për këtë i fajëson Thaçin e Ahmetin. Dalja e parë ka ndodhur javën e kaluar në fshatin Bllacë të Maqedonisë ku pati përleshje ndërmjet forcave të policisë maqedonase dhe disa njerëzve të armatosur. Këtë sulm e mori përsipër UاK-ja.
“Tash na ka dalë puna pak prej kontrollit, sepse Thaçi e Ahmeti nuk janë të aftë t’i mbrojnë të drejtat e shqiptarëve. Ka dalë një komunikatë e Ushtrisë اlirimtare Kombëtare, unë nuk i njoh, por sigurisht që dikush janë”, shprehet Hoxha duke saktësuar se nuk do të jetë kundër tyre.
“Personalisht jam shumë i shqetësuar që shumë njerëz më thërrasin dhe më pyesin se a po formohet UاK-ja dhe më pyesin a jam unë në këtë lojë, por fatkeqësisht nuk di çka t’u them”. Xhezair Shaqiri thotë se ka pasur oferta për riorganizimin e UاK-së por që nuk dëshiron ta marrë një barrë të tillë mbi supe. “Ne vetëm jemi të organizuar dhe nëse është dikush që mund të riorganizohet më mirë se ne edhe fillon konflikti ne nuk kemi çare pa hyrë në UاK”.
Ai thotë se nuk ka shumë informacione për riorganizimin e UاK-së në Maqedoni, por nëse ndodh një konflikt i armatosur fajin për këtë ua hedh maqedonasve.
“Ndoshta po gaboj, por mendimi im është se vetëm jemi futur në një konflikt, Maqedonia është futur në një konflikt. Shqiptarët shumë më herët kanë pasur arsye që të organizohen sidomos UاK-ja të mobilizohet”. Sipas tij, është krijuar një mekanizëm i organizimit për mbrojtjen e shqiptarëve në terren, kryesisht në Tetovë, Kumanovë, Shkup, Gostivar.
اmimi i dorëzimit të armëve
Hoxha përjashton marrjen përsipër të udhëheqjes së UاK-së, për arsye se nuk dëshiron ta marrë një barrë kaq të madhe përsipër. Ndonëse pret një konflikt të ri, ai nuk ia di epilogun. Këtë thotë se e dinë vetëm ndërkombëtarët. Komandant Hoxha thotë se zgjidhja më e mirë është federalizmi i Maqedonisë. Këtë gjë e ka edhe në program të partisë.
“Në programin tonë e kemi federalizmin e Maqedonisë, por nuk do të themi ndarje që prapë në bashkësinë ndërkombëtare të futemi të bashkuar. Por federalizmi i Maqedonisë është i nevojshëm, për shkak të problemeve”, shpalos synimin ai. “ثshtë tepruar që shqiptarët e Maqedonisë të qahen te ndërkombëtarët, t’u thonë që na sulmuan, na bënë dëm, s’po e respektojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe ndërkombëtarët janë të shurdhër në këtë drejtim ose nuk mund ta bindin Nikola Gruevskin”.
Ai tregon se ka kontakte me politikanë të Kosovës dhe me ata të Shqipërisë, por nuk saktëson me cilët. Këshillat që merr nga ta thotë se janë ruajtja e stabilitetit të Maqedonisë dhe të implementohet Marrëveshja e Ohrit.
“Ata bëjnë shtypje te ne e jo te Gruevski”.
Hoxha që tash jeton në një fshat të harruar të banuar kryesisht me shqiptarë thotë se jeta aty është tmerrësisht e vështirë. Investimi i fundit, sipas tij, është bërë para 20 vjetësh në një shkollë. Nga atëherë asnjë qindarkë nuk është ndarë për këto anë.
“Rrymë nuk ka dimrit, sepse për shkak të instalimit të vjetër këputën tela gjatë dimrit dhe askush nuk i rregullon. Bora dy metra, s’ka lëvizje, s’ka investime, tmerr”, shprehet ai pa e ditur se edhe sa kohë do të jetojë në ato kushte. /koha.net/