RENEA mes plumbash, nuk arreston dot autorin e dy vrasjeve

cent

...Lontano
Rreth dy vjet pas vrasjes së ndodhur në Ungrej të Lezhës, për të cilën u akuzua një i shumëkërkuar i Interpol Tiranës, policia bie në gjurmët e tij. E rrethon diku në zonën ku është lindur dhe rritur, ndërsa nga Tirana nisen forcat RENEA. Përballja me të kërkuarin ndodh orëve të para, ndërsa RENEA është pritur me breshëri plumbash nga ana e të kërkuarit. Në fakt, Petrit Dushin, 44-vjeçarin nga Kaçinari i Mirditës, e njeh pakkush nga ana e radhëve të bluve, të cilët edhe e kanë patur të vështirë të bëjnë të mundur arrestimin e tij.
PicMonkey-Collage32-620x364.jpg
Ai ka qëlluar mbi ta, duke bërë të mundur të zhvendoset për në zonën e Oroshit, duke iu afruar maleve, atje ku edhe ndjehet më i sigurtë, pasi policia do ta ketë mjaft të vështirë të ndërhyjë. Sipas të dhënave të para, jopolicore, bëhet me dije se policia e shkuar nga Tirana ka përdorur të gjithë mekanizmat për të negociuar me Dushin, por nuk ia ka arritur, për pasojë është mbyllur operacioni ditën e djeshme. Sipas të dhënave policore mësohet se Dushi ka me vete armatim të rëndë, ndërsa ka informacione se mund të jetë edhe i plagosur, pasi policia u përgjigj me armë në momentin e parë që e ka rrethuar në një lokal fshati, nga ku Dushi është larguar duke shkëmbyer zjarr me policinë.

RENEA në Mirditë

Informacionin për vendndodhjen e Petrit Dushit, 44-vjeçarit të akuzuar për dy vrasje dhe për falsifikim dokumentesh, mësohet se e ka patur policia e Mirditës. Sinjali është dhënë direkt në Policinë e Shtetit dhe madje edhe plani i operacionit është kryer po në Tiranë, duke marrë parasysh edhe rrezikshmërinë e personit të kërkuar. Në drejtim të vendit ku po pinte kafenë autori i dy vrasjeve janë nisur forcat RENEA. Policia e Shtetit, në fakt ka dhënë pak detaje në lidhje me operacionin e vështirë për të arrestuar në zonën e tij, pikërisht personin që ndiqet për herë të parë, pas dy vitesh, që nga momenti që u akuzua për vrasjen e dytë.

Sipas të dhënave konfidenciale, saktësohet se Dushi ka mundur të çajë rrethimin e policisë dhe të largohet. Aty dyshohet se edhe është plagosur, por policia nuk ka mundur ta vërë në pranga edhe pse e ka ndjekur për rreth 8 orë. Asnjë detaj zyrtar nuk është dhënë për operacionin e forcave speciale për të arrestuar të shumëkërkuarin që ka marrë rrugën e Fushë Lugjeve, zonë mjaft e vështirë për të operuar nga forca policore që shkojnë nga Tirana. Policia saktëson se janë disa të afërm të tij që janë shoqëruar për t`u marrë në pyetje, ndonëse vëllezërit e tij nuk jetojnë në zonën e Mirditës. Dyshohet se Petrit Dushi, qëndronte në fshat dhe strehohej nëpër shtëpitë e braktisura në Orosh, atje ku e ka patur të sigurt se policia shkon rrallë.

Po kush është Petrit Dushi

Ishte tetori i dy viteve më parë kur u tha se një burrë gjendet i pajetë në shtëpinë e tij, në Ungrej të Lezhës. Fillimisht u hamendësua për grabitje, por më pas, policia arriti të kryente një sërë verifikimesh dhe u tha se autor i vrasjes së Mark Jakut, 60 vjeç, ishte një i shumëkërkuar i policisë dhe i Interpolit. Më pas, policia qartësoi edhe faktin se viktima kishte strehuar të kërkuarin për shkakun se ishte në hasmëri me një familje në Kaçinar të Mirditës për një vrasje tjetër, por asnjëherë nuk u bë me dije se cili qe shkaku i asaj vrasjeje. Sipas të dhënave që u dokumentuan nga Policia e Lezhës, u saktësua se Mark Jaku, viktima e atij sulmi me armë, ishte edhe lidhje gjaku me Petrit Dushin, ndërsa u tha se gjithçka kishte ndodhur në pije e sipër, teksa i zoti i shtëpisë i kishte thënë një miku të tij, që kishte qenë edhe ai i pranishëm natën e krimit në shtëpinë e Jakut, se nuk mund ta mbante më në shtëpi të kërkuarin e policisë dhe të hasmit.

Megjithatë policia e Lezhës dhe as ajo e Shtetit nuk realizuan më ndonjë operacion për arrestimin e tij, ndërsa emri i Petrit Dushit ridel në skenë vetëm ditën e djeshme, teksa RENEA bie në pritën e plumbave të tij në Kaçinar. Pas vrasjes së Mark Jakut, e vërteta e të cilit ende nuk është e qartë zyrtarisht, u mësua se autori ishte i kërkuar për një vrasje të kryer 17 vite më parë dhe që ishte i dënuar për atë akt me 20 vjet heqje lirie. Vendimi ishte marrë në mungesë, ndërsa Dushi kishte qëndruar i qetë dhe i pashqetësuar nga policia në vendlindjen e tij.

Vrasja në Kaçinar, 19 vite më parë

Petrit Dushi, është 44 vjeç dhe mësohet se prej shumë vitesh familja e tij është shpërngulur nga Mirdita. Në vitin 1996, sipas atyre pak të dhënash që kanë mbetur nga ajo kohë, Petrit Dushi, qëllon mbi një bashkëfshatar, duke i marrë jetën. U tha se ngjarja e rëndë dhe rasti i paprecedent në ato anë ndodhi pikërisht ditën kur viktima po martonte të bijën. Shkak u tha se ishte një zënke e mëparshme me viktimës dhe Dushit, ku ky i fundit kishte mbetur i plagosur nga viktima.

Ngjarja u rikthye në vëmendje pikërisht pas vrasjes së Mark Jakut në Ungrej të Lezhës, ndërsa që nga ajo kohë kur kishte ndodhur edhe vrasja e bashkëfshatarit kishin kaluar shumë vite. Në fakt policia bëri me dije se mes Dushit dhe fqinjit të tij sherri kishte nisur për çështje pronësie, por Petriti, në atë kohë, rreth 23 vjeç kishte marrë plagë të rënda thike nga personi që më pas i mori jetën. Policia dhe Interpoli e shpallën në kërkim mirditorin. U hetua dhe u gjykua në mungesë dhe gjykata e Mirditës vendos për të 20 vite burg për dy akuza; vrasje me dashje dhe falsifikim dokumentesh.

Shekulli
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top