Rama pa asnje aleat, Rama vetem ne erresire

Burrel1924

Anëtar i Respektuar
Ish-aleatët e PS të zhgënjyer dhe të irrituar me Ramën. Selia rozë tashmë pa asnjë aleat


Aleatët e PS: Rama të largohet, shkaktari kryesor për humbjen


Shuplakat e para për Edi Ramën vijnë nga dy aleatët e tij më të ngushtë, Paskal Milo e Skënder Gjinushi. Disfata e thellë e Partisë Socialiste, e cila reflektoi edhe me zhdukjen e të gjitha partive që ishin pjesë e koalicionit të majtë, ka rebeluar kryetarët e partive të majta. Dy veteranët e koalicionit të majtë, Gjinushi e Milo, pas zgjedhjeve të 28 qershorit nuk do të jenë më pjesë e Parlamentit shqiptar. Të revoltuar nga kjo disfatë, e cila në një farë mënyrë shënon dhe fundin e karrierës së tyre politike, ata shënjestrojnë Edi Ramën si të vetmin shkaktar të këtij dështimi, i cili sipas tyre, tashmë nuk ka rrugë tjetër veçse të tërhiqet nga drejimi i PS. Ndërsa theksojnë publikisht se Rama është ai që groposi thellë të majtën në një dështim të panjohur më parë, dy liderët Milo e Gjinushi, të cilësuar si më besnikët e koalicionit të majtë, tashmë e konsiderojnë ish-drejtuesin e tyre si një tradhtar, i cili tradhtoi jo vetëm ata, por dhe vetë elektoratin e majtë. Në këto kushte, kur e majta është futur në një krizë identiteti, Milo e Gjinushi i bëjnë thirrje Ramës të japë dorëheqjen sa më shpejt të jetë e mundur nga drejtimi i Partisë Socialiste, e cila tanimë nuk ka asnjë aleat përveç PBDNJ-së. Gjithashtu, ata theksojnë njëzëri se sistemi i ri zgjedhor i propozuar ekskluzivisht nga kryetari i Partisë Socialiste, pasi PD kishte vendosur të miratonte atë sistem që do të ofronte PS, ka patur si qëllim të vetëm largimin e partive të vogla, në mënyrë që Rama ta përqendronte i vetëm të gjithë pushtetin në duart e tij. Ish-aleatët e Ramës të gjendur tashmë jashtë jetës aktive politike, theksojnë se këtë tendencë Edi Rama e tregoi më së miri gjatë fushatës elektorale, ku çensuroi daljen e partive të vogla nëpër debate televizive, duke kushtëzuar kështu vetëm pjesëmarrjen e kandidatëve të PS-së për deputetë. Në këtë situatë, ku nuk ekziston më një koalicion i majtë, ku dhe vetë Partia Socialiste e gjen veten e saj të rrënuar, Milo e Gjinushi i drejtohen Ramës vetëm me një thirrje: të largohet sa më parë nga PS, duke e konsideruar atë si të keqen më të madhe të së majtës.


Gjinushi: Rama luftë të paprinciptë kundër aleatëve


Megjithëse pas 28 qershorit Partia Socialiste është përfshirë në ethet e rënda të humbjes, reagimet e para për largimin e kryetarit të kësaj partie, Edi Ramës, vijnë pikërisht nga krahu i djathtë i tij në koalicionin e majtë, Skënder Gjinushi, kreu i PSD. Përmes një prononcimi mediatik, Gjinushi ka kërkuar nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, që të reflektojë mbi situatën e krijuar dhe të japë dorëheqjen nga e kreu i PS-së, në mënyrë që në krye të së majtës të vijë një lider tjetër, i cili do të ishte në gjendje që të reformonte të majtën dhe ta nxirrte nga qorrsokaku ku ka përfunduar. Duke e cilësuar Kodin Zgjedhor si shkaktarin kryesor të mosfutjes së partive të vogla në Parlamentin e ardhshëm, Gjinushi ka theksuar se Kodi Zgjedhor ishte i tillë që u linte shumë pak hapësirë partive të vogla dhe ky ishte një Kod nga i cili përfituan shumë dy partitë e mëdha. Në këto kushte, Gjinushi ka theksuar se PS përveç votave të elektoratit të saj përfitoi shumë dhe nga votat e partive të vogla, por që ishin në të njëjtin koalicion me to. Gjinushi thekson se shkaktari kryesor i kësaj disfate të humbjes së të majtës u bë dhe Partia Socialiste. Në këtë kontekst, ai ka nënvizuar se sëmundja e Edi Ramës për të bërë mazhorancën i vetëm dhe pa aleatë, në mënyrë që ta kishte të gjithë pushtetin në duart e veta, solli dhe shkatërrimin e së majtës. Sipas Gjinushit, Rama i bënte gjithmonë llogaritë se si do ta ndante pushtetin dhe jo se si do të fitonte zgjedhjet. Ndër të tjera, ai ka vënë në dukje se e njëjta histori brenda së majtës ka kohë që është bërë kronike, pasi dhe në zgjedhjet e 2001 dhe në zgjedhjet e 2005, PS bënte llogaritë se si do të ndante pushtetin dhe jo se si do të fitonte garën elektorale. Gjinushi dënoi gjithashtu edhe faktin që Rama kundërshtoi të bashkohej me Metën dhe partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse nuk pranonte kurrsesi që LSI të bëhej pjesë e qeverisë. Ndër të tjera, Gjinushi vuri në dukje se kjo situatë ka qenë e qëllimshme nga ana e PS, sepse sipas tij, në rast se PS nuk do t`i kishte sulmuar aleatët e saj dhe LSI, atëherë ky Kod Zgjedhor nuk do t`i kishte nxjerrë kurrsesi partitë e vogla të majta jashtë Parlamentit.


Milo: Rama, luftë brenda llojit për të na asgjësuar


Kryetari i PSD, Paskal Milo, dënoi ashpër rrugën e humbjes drejt së cilës Rama çoi të majtën verbërisht. Milo nuk heziton të deklarojë publikisht se sulmi i Ramës ndaj partive të vogla të majta ka nisur që gjatë fushatës, në të cilën përfaqësuesit e partive të vogla nuk u lejuan të marrin pjesë në debatet televizive. Në këto kushte, kreu i PDS ka theksuar në një prononcim mediatik se partitë e vogla tashmë nuk mund ta ndihmojnë koalicionin, sepse ishte vetë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që e udhëhoqi të majtën drejt humbjes, duke mos e ditur dhe vetë se ku po e çonte. "Nuk mundemi dhe nuk mund ta shpëtojmë koalicionin kur përgjegjësit kryesorë, ata që organizuan koalicionin, ata që udhëhoqën koalicionin, nuk kishin një strategji të qartë se ku po shkonin", theksoi Milo, i zhgënjyer nga humbja e thellë e së majtës. Gjithashtu, ai ka vënë në dukje se në këtë betejë elektorale partitë e majta u përballën me dy kundërshtarë politikë, ku kundërshtari i parë, siç dihet, ishte Partia Demokratike, ndërsa kundërshtari i dytë ishte Partia Socialiste. Milo thekson se ishte e palogjikshme lufta që po ndiqte Rama, sepse ai dhe PS, po bënin një luftë brenda llojit, duke luftuar në fushatat e saj elektorale partitë e koalicionit të majtë. Ne, tha Milo, nuk e prisnim që PS të bënte fushatë kundër nesh në shkallë kombëtare. Ai dënoi ashpër faktin që Rama bënte thirrje të mos i votonin partitë e majta, sepse nuk do të shkonin për koalicionin e majtë. Gjithashtu, Milo shprehu bindjen se ishte oreksi i madh i Ramës ai që shkaktoi humbjen e së majtës. Sipas tij, largimi i Ramës nga kreu i PS është i pashmangshëm, megjithëse nuk përjashton dhe mundësinë e rikthimit të Fatos Nanos për të riformatuar të majtën shqiptare.


Blerina TOSLLUKU





Rama "harron" zotimin për të dhënë dorëheqjen në rast humbjeje


Kryetari i PS-së, Edi Rama, në një dalje publike dje la të kuptohet se nuk do t'i përmbahet zotimit të dhënë për dorëheqje nga posti i kreut të PS-së në rast se kjo parti do të humbte në zgjedhjet e 28 qershorit. Ai është munduar të anashkalojë interesin e gazetarëve rreth kësaj çështjeje me pretendimin se ende janë disa kuti votimi pa numëruar dhe se PS po përgatitet të kontestojë rezultatin përfundimtar. Ndonëse deri në momentin kur ishte ende e paqartë se kush ishte fituesi i zgjedhjeve të së dielës së shkuar, kryetari i partisë kryesore të opozitës nuk paraqiti asnjë rezervë për procesin zgjedhor, konfirmimi i fitores së shumicës së vendeve në Parlament nga koalicioni i djathtë i kryesuar nga Partia Demokratike, ka ndryshuar tërësisht qëndrimin e kryetarit të PS. Tashmë ai po mundohet të gjejë artifica të paqena për të justifikuar humbjen që partia e tij pësoi në zgjedhjet e javës së shkuar. Fakti që Rama u përpoq të tensionojë situatën në disa qendra numërimi dëshmon për reagimin prej humbësi, që ai tashmë e ka bërë të zakonshëm sa herë që përballet me refuzimin qytetar. Kryetari i PS-së ka paralajmëruar protesta për të kundërshtuar rezultatin që e nxjerr atë humbës, por nuk ka asnjë mundësi që në një vend që tashmë është anëtar i NATO-s dhe ka depozituar kërkesën për anëtarësimin në Bashkimin Europian, rezultati i zgjedhjeve të ndryshohet me kapriço politike, qofshin këto edhe protestat në rrugë. Duket se kryetarit të PS-së nuk i mbeten shumë opsione për të zgjedhur, në një kohë kur partia e tij ka pësuar një humbje të ndjeshme, ndërsa aleatët e dikurshëm po i kërkojnë me ngulm që të japë dorëheqjen. Por ajo që nuk i lë asnjë zgjidhje tjetër Ramës, përveç dorëheqjes, është fakti se në PS ka filluar të përvijohet një lëvizje e qartë që kërkon largimin e tij. Mësohet se dy ditë më parë një nga pretendentët kryesorë për të drejtuar PS-në, Ben Blushi, i ka kujtuar edhe njëherë nëpërmjet një sms-je Ramës se duhet t'i përmbahet asaj që ka deklaruar; se do të japë dorëheqjen në rast humbjeje. Burime nga PS bëjnë të ditur se tashmë Blushi ka filluar aksionin politik për të detyruar Ramën të japë dorëheqjen në rast se ai do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë. Në daljen e djeshme Rama ka shfrytëzuar rastin t`u hakërrehet të gjitha këtyre lëvizjeve që kërkojnë largimin e tij, duke i etiketuar ata tashmë me togfjalëshin e dalë boje "politikë e vjetër". Megjithatë, të gjitha faktet dëshmojnë se Rama po humbet terren në drejtimin e PS-së, pasi disa drejtues të vjetër dhe me peshë në këtë parti kanë kërkuar mbledhjen e forumeve për të analizuar shkaqet e humbjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive. Ndërkohë figura të njohura të Partisë Socialiste kanë paralajmëruar një rikthim të mundshëm në radhët e saj për largimin e Ramës. Duket se kryetari aktual i PS-së nuk gëzon më as mbështetjen e shumicës së Grupit të ri parlamentar socialist, i cili është në pritje të kryetarit të ri. Megjithatë, të dhënat flasin për një përplasje të ashpër në selinë rozë, ku duket se Rama kërkon të mbajë me çdo kusht postin e kryetarit të fituar me aq mund, me qindra leje ndërtimi të shpërndara për delegatët në kongresin e jashtëzakonshëm të 2005.



Gazeta 55- /2009
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top