Qeveria përcakton mënyrën e transferimit, pezullimit apo lirimit të punonjësve

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Si do të veprohet në rastet kur punonjësit janë të paaftë, apo kur femrat mbesin shtatzënë

HERION MESI


administrata1-320x213.jpg


Qeveria përcakton mënyrën e lëvizjeve të punonjësve në administratë sipas kritereve, duke bërë që një nëpunës të kalojë nga i përkohshëm në të përhershëm dhe anasjelltas. Në mbledhjen e radhës, qeveria miratoi propozimet e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Inovacionit dhe Administratës Publike që përcaktojnë procedurat për transferimin e përhershëm dhe të përkohshëm të nëpunësve civilë, pezullimin nga shërbimi civil të nëpunësve civilë, lirimin nga shërbimi civil për nivelin ekzekutiv, të ulët dhe të mesëm drejtues. Konkretisht, ndryshimet prekin kapitujt e ligjit “Për nëpunësin civil” që flasin për transferimin e përkohshëm të të punësuarit; Transferimin e Përhershëm; Transferimin për shkak të mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit; Transferimin për arsye të paaftësisë shëndetësore; Transferimin për shkak të shmangies së konfliktit të interesit; Pezullimin dhe lirimin nga shërbimi civil, si dhe e drejta për t’u ankimuar e punonjësit.

Transferimi i përkohshëm

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e djeshme, qeveria thekson se nëpunësi civil mund të transferohet përkohësisht në një pozicion tjetër të shërbimit civil të së njëjtës kategori, sipas rastit, përkatësisht brenda administratës shtetërore, brenda njësisë përkatëse të qeverisjes vendore dhe brenda institucionit përkatës të pavarur. Sipas VKM-së, ky transferim bëhet në interes të institucionit, “deri në 6 muaj me/ose pa ndërprerje, gjatë 2 viteve; për përmirësimin e rezultateve të tij, deri në 3 muaj pa ndërprerje gjatë 2 viteve; dhe për arsye të përkohshme shëndetësore apo gjatë shtatzënisë”- thuhet në vendim, teksa sqarohet se transferimi i përkohshëm nuk bëhet për nëpunësit civilë në periudhë prove. Nëpunësi civil mund të transferohet në interes të institucionit me kërkesë të institucionit, drejtorisë së interesuar apo njësisë së burimeve njerëzore dhe ai mund të transferohet në një organizatë ndërkombëtare, në të cilën Republika e Shqipërisë është anëtare, apo në një institucion ndërkombëtar. “Kërkesa bëhet nga organi i emërtesës në këtë institucion apo organizatë dhe miratohet nga njësia përgjegjëse”- thuhet në vendim. Gjithashtu, sipas VKM-së, nëpunësi mund të transferohet për përmirësimin e rezultateve të tij në bazë të planeve vjetore të mobilitetit (lëvizjeve) brenda institucionit dhe në bazë të planeve vjetore të mobilitetit të përgjithshëm për administratën shtetërore. Sipas VKM-së, nëpunësi ka të drejtë, që brenda 15 ditëve nga data e marrjes së njoftimit, të refuzojë me shkrim transferimin e përkohshëm pranë njësisë përgjegjëse dhe të dëgjohet prej saj. Ankimi i tij është vlefshëm nëse gjendja e tij shëndetësore, provuar me vërtetim mjekësor, e bën transferimin të pamundur dhe vendi ku transferohet gjendet më shumë së 30 kilometra nga vendbanimi i nëpunësit civil.

Transferimi i përhershëm

Sa i përket transferimit të përhershëm, ky është një caktim i detyrueshëm i nëpunësit në një pozicion tjetër të shërbimit civil. Dhe ky transferim realizohet në rastet e gjendjes së paaftësisë shëndetësore për të kryer detyrat e pozicionit të mëparshëm; shmangies së një konflikti të vazhdueshëm interesi; apo përfundimit të pezullimit, kur pozicioni i mëparshëm është i plotësuar përfundimisht. Për institucionet e administratës shtetërore, “DAP-i merr vendim brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nga eprori direkt ose nëpunësi civil dhe vendos për transferimin në një pozicion tjetër të të njëjtit institucion, ku nëpunësi civil është i emëruar; në institucionet e varësisë së institucionit ku nëpunësi është emëruar; apo në një institucion tjetër të shërbimit civil”, thuhet në VKM. Ndërsa për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, sipas VKM-së, njësia përgjegjëse merr vendim brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nga eprori direkt dhe vendos për transferimin e nëpunësit brenda institucionit.

Mbyllja ose ristrukturimi

Në rastin e mbylljes apo ristrukturimit, do të konsiderohen ndryshime të vendit të punës rastet në të cilat, për efekt të ristrukturimit të ndodhur në institucion, janë shkurtuar, ristrukturuar vende pune, apo ndryshuar kriteret e vendeve të punës, nëpunësit e të cilave mund të sistemohen në vendet e reja të krijuara, të ristrukturuara apo të mbetura si pasojë e ristrukturimit. Në këto raste njësia përgjegjëse krijon një komision prej tre anëtarësh ristrukturimi, i cili shqyrton mundësitë e sistemimit të çdo nëpunësi civil në vendet e lira ekzistuese dhe propozon transferimin e nëpunësit në një pozicion të lirë të së njëjtës kategori. Sipas VKM-së, komisioni i ristrukturimit, brenda 15 ditëve nga ristrukturimi, i propozon me shkrim njësisë përgjegjëse transferimin e nëpunësit civil sipas precedencës së përcaktuar në pikën 2, të nenit 50, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”. Ndërsa, “Njësia përgjegjëse brenda 10 ditëve nga data e marrjes së propozimit nga komisioni i ristrukturimit, vendos për transferimin e nëpunësit civil, njofton nëpunësin civil për vendimin dhe merr mendimin e tij me shkrim”- thuhet në VKM. Nga ana tjetër, punonjësi duhet të japë mendimin e tij me shkrim brenda 5 ditëve nga data e marrjes së njoftimit. “Nëpunësi ka të drejtë të refuzojë vendimin dhe të dëgjohet nga njësia përgjegjëse, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së njoftimit për vendimin, vetëm në rast se: gjendja e tij shëndetësore, provuar me vërtetim mjekësor, e bën transferimin të pamundur; vendi ku transferohet gjendet më shumë se 30 kilometra nga vendbanimi i nëpunësit civil”- thuhet në pikën 21 të vendimit, i cili ngarkon njësinë përgjegjëse të verifikojë shkaqet e refuzimit dhe mund të revokojë vendimin nëse plotësohen kushtet e lartpërmendura. Por, në rast se arsyet e punonjësit për të refuzuar këtë transferim për shkaqe të tjera përveç pikës 21 të këtij vendimi, përbën shkak për lirimin nga shërbimi civil.

Transferimi për paaftësi shëndetësore

Në këtë rast, eprori direkt ose vetë nëpunësi mund të kërkojnë transferimin në një pozicion tjetër të së njëjtës kategori, ku punonjësi është i aftë të kryejë detyrat. “Nëpunësi civil që kërkon të transferohet, i paraqet njësisë përgjegjëse një kërkesë me shkrim dhe vërtetim të gjendjes shëndetësore, të siguruar sipas legjislacionit në fuqi. Njësia përgjegjëse njofton eprorin direkt për kërkesën e nëpunësit. Nëpunësi civil dëgjohet nga njësia përgjegjëse përpara se të marrë vendim dhe i paraqet asaj vërtetimin e gjendjes shëndetësore”, thuhet në VKM.

Konflikti i interesit dhe pezullimi

Me qëllim shmangien e konfliktit të interesit në institucionet qendrore, eprori direkt, vetë nëpunësi ose njësia e burimeve njerëzore mund të kërkojnë transferimin në një pozicion tjetër të së njëjtës kategori ose, në një kategori më të ulët. Ndërsa në institucionet e qeverisjes vendore dhe institucionet e pavarura kërkesa mund të bëhet nga eprori direkt ose vetë nëpunësi civil. Pezullimi i marrëdhënies në shërbimin civil bëhet për shkak të njërës prej arsyeve të pezullimit, sipas nenit 54, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”; me kërkesë të vetë nëpunësit, ose në rastin e procedimit disiplinor sipas pikës 6, të nenit 59, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”. Për institucionet e administratës shtetërore, njësia e burimeve njerëzore njofton njësinë përgjegjëse për pezullimin e nëpunësit civil të kategorisë ekzekutive, të ulët apo të mesme drejtuese, brenda 3 (tri) ditëve pune nga data e konstatimit të pezullimit.




Shërbimi Civil
Nëpunësi lirohet automatikisht në rast se merr dy vlerësime negative
Në kreun e shtatë të vendimit të saj, qeveria përcakton dhe rastet kur nëpunësi lirohet nga detyra e tij në shërbimin civil. Sipas VKM-së, në pikën 42 të tij, nëpunësi civil lirohet nga shërbimi civil për shkaqet e parashikuara nga neni 66, i ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, me deklarimin e njësisë së burimeve njerëzore të institucionit, ku nëpunësi ushtron detyrën. “Lirimi nga shërbimi civil bëhet automatikisht menjëherë pas dy vlerësimeve negative radhazi nga njësia e burimeve njerëzore dhe i njoftohet menjëherë nëpunësit. Vlerësim negativ konsiderohet vlerësimi jo kënaqshëm”- thuhet në pikën 42 të VKM-së. Gjithashtu, nëpunësi lirohet nga shërbimi civil kur bëhet i paaftë përgjithmonë për të kryer detyrat për shkak të gjendjes shëndetësore. “Paaftësia shëndetësore përcaktohet nga njësia e burimeve njerëzore, në bazë të certifikatës së kontrollit shëndetësor dhe sipas kritereve të paaftësisë shëndetësore. Nëpunësi civil është i detyruar të paraqesë deri më 10 janar të çdo viti pranë njësisë së burimeve njerëzore të institucionit certifikatën e kontrollit shëndetësor”- thuhet në VKM, e cila sqaron se nëpunësi që largohet nga shërbimi civil duhet të bëjë të gjitha veprimet e duhura për dorëzimin e detyrës në mënyrë korrekte dhe në përputhje me etikën e nëpunësit civil.
g.shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top