LeVoyageur
Once upon a time...
Shkruan Emin AZEMIStudentët që do të diplomojnë, nesër do të dalin me dije të cunguara, jo për fajin tyre, por për papërgjegjshmërinë e profesorëve të cilët, në ndonjë rrethanë më normale ndoshta nuk do ta kishin pasur vendin nëpër universitete. Përpara (tri dekadave) kur ka pasur kritere, profesorët e tillë (si disa që po i shohim tani) kanë mundur të punojnë vetëm magazinierë, ndezës të stufave të fakulteteve dhe ndonjë “administrator” i fotokopjeve. Asgjë më tepër….
Një dukuri e shëmtuar, që tash më është bërë shprehi, e që mbetet e patrajtuar sa duhet nga mediat, vazhdon të fshihet dikund skutave neglizhuese të disa universiteteve tona. Ka ende plotë profesorë që vazhdojnë të jenë të padisiplinuar dhe aspak korrekt në raport me studentët, sidomos kur janë në pyetje provimet. Ndodhë që provimi të anulohet dhe për këtë të mos njoftohen studentët. Ndodhë që të mbahen provimet dhe rezultatet të mos shpallen fare, ose të shpallen me 2 muaj vonesë(!).
Këso far majmunllëqesh të profesorëve para disa dekadave nuk ka pasur. Ata që kanë studiuar në universitetet shtetërore në Shkup, Prishtinë, Zagreb e gjetiu, nuk mbajnë mend të ketë pasur kaq papërgjegjësi nga ana e disa profesorëve.
Dimensioni tragjik i këtij problem qëndron në faktin se studentët kanë frikë t’i denoncojnë profesorët e tyre. Ata kanë frikë t’i denoncojnë edhe ata profesorë që mbajnë nga tri-katër lëndë, por edhe ata që kushtëzojnë studentët t’ua blejnë librat e tyre. Thua se kushedi çfarë librash na qenkan ato, ndonëse dihet publikisht se shumica e atyre teksteve të ashtuquajtura universitare janë plagjiatura që shiten si vepra autoriale. Studentët, duke mos pasur alternativë janë të detyruar t’i blejnë librat e tillë, madje duke paguar edhe nga 200 euro, sepse në të kundërtën ata nuk mund ta japin provimin. Pra, kriter për dhënien e provimit nuk është njohuria mbi lëndën, por blerja e librit që për autor ka profesorin matrapaz.
Sigurisht profesorët e mjerë që tregohen kaq mizorë ndaj studentëve të tyre, vuajnë nga kompleksi i inferioritetit që kanë pasur gjatë studimeve, atëherë kur mezi kanë kaluar provimet me një gjashtëshe të lodhtë. Tani kur janë bërë turravrap profesorë, pas intervenimeve që ka bë sherifi lokal i partisë, harrojnë të kaluarën e tyre me plot telashe studentore dhe brenda natës bëhen njerëz të disiplinës, që as miza nuk guxon t’iu bëjë zhurmë kur ata flasin. Në fakt ata si rrallë flasin sepse në ligjërata mungojnë nga tri, katër javë dhe mungesën e tyre mundohen ta kompensojnë disa asistentë, të cilët aktrojnë rolin e profesorit.
Nëpër disa fakultete tona para disa viteve pati profesorë të angazhuar edhe nga Prishtina dhe Tirana. Ata tani nuk i ke askund. Në vend të tyre erdhën profesorët vendorë (çdo respekt për ndonjë rast përjashtues) dhe duke dashur të zaptojnë sa më shumë lëndë (nga tri,katër) të gjorët nuk po arrijnë të bëhen as hija e profesorëve të Prishtinës e Tiranës. Për rrjedhojë, disa programe studimore janë të rrezikuara që të shuhen fare, pikërisht për shkak të kësaj qasje kaq të verbër të universiteteve tona ndaj kuadrit të mirëfillta i cili po zëvendësohet me kuadër të padenjë për të mbajtur titullin profesor universitar.
Kjo politikë universitare e dëbimit të profesorëve me përvojë dhe angazhimit të çunakëve e vajzusheve që avancimet akademike-shkencore i bëjnë duke vrapuar, me turr e vrap po zënë pozita monopolizuese dhe me nga tri, katër lëndë të zaptuara mundohen të na bindin se kështu bëhet universiteti. Si do të munden këta turravrap profesorë të tregojnë efikasitet akademik në auditorët e mësimit dhe si do të arrijnë t’i notojnë studentët, duke qenë njëkohësisht edhe korrekt, edhe objektiv, edhe të disiplinuar?
Në këtë pyetje përgjigjen vetë studentët. Ata thonë se ka prej profesorëve që nga tri, katër javë nuk duken në fakultet. Ka prej profesorëve që më tepër janë të angazhuar nëpër udhëtime, në work shope dhe nëpër kaladredhime, se sa në ligjërata, aty ku edhe e marrin rrogën. Studentët ankohen se këta profesorët madje harrojnë të vinë në provime, por edhe nëse vine, harrojnë të shpallin rezultatet e notimit.
Një rend për gjithë ata që duan të jenë jashtë rendit, ka nevojë të ndodhë sa më shpejt nëpër universitetet tona. Studentët që do të diplomojnë nesër do të dalin me dije të cunguara, jo për fajin tyre, por për papërgjegjshmërinë e profesorëve të cilët, në ndonjë rrethanë më normale ndoshta nuk do ta kishin pasur vendin nëpër universitete. Përpara (para tri dekadave) kur ka pasur kritere, profesorët e tillë (si disa që po i shohim tani) kanë mundur të punojnë vetëm magazionerë, ndezës të stufave të fakulteteve dhe ndonjë administrator i fotokopjeve. Asgjë më tepër.
Po pse vallë heshtin studentët? Pse ata nuk e ngrenë zërin, pse ata nuk i denoncojnë këta pseuodoprofesorë? Si është e mundur ata të kalojnë filtrat e organeve universitare dhe ngelin të pandëshkuar për sjelljet e tyre harbute kundrejt studentëve?
Këto pyetje meritojnë më shumë vëmendje, jo vetëm nga rinia studentore, por nga gjithë shoqëria, sidomos nga Ministria e Arsimit dhe institucionet përkatëse që merren me problametikat arsimore. Këto të fundit madje duhet më tepër të jenë prezent nëpër universitetet tona dhe të shohin nga afër parregullsisët e profesorëve, sidomos të atyre që mungojnë dhe bëhen pengesë e mbarëvatjes së procesit mësimor, ku më të dëmtuarit janë studentët. Sepse këta të fundit për një nënshkrim të një profesori humbasin disa afate dhe me këtë humbasin edhe shanset për të kapur me kohë mundësitë e punësimit dhe të avancimit të mëtejmë.
Deri kur do të TOLEROHEN PROFESORËT E PAPËRGJEGJSHËM NËPËR UNIVERSITETE?
Pamfleti.net