Pse i duam të korruptuarit?

Violetta

>> KS- AL. etnike <<
Pse i duam të korruptuarit?



Askush nuk e do (de jure) ose më saktë nuk duhet ta dojë një të korruptuar. Për asnjë logjikë, për asnjë arsye, për asnjë kusht. Por, në dukje, pasi de facto ai konfirmohet në shoqëri si jona se është… njeri i zoti dhe të cilit duhet t’i referohemi. Shoqëria jonë, e cila vjen pas një angështie të madhe sociale, detyruar nga kushtet e një regjimi ekonomiko-social të ashpër për të drejtat është gjithnjë tolerante (lexo: mbyll sytë) për ata që kapërcejnë në shoqëri dhe që përfitojnë rëndom pa asnjë rregull.


Për fat të keq, në Shqipëri dhe kudo në rajon, prej vitesh mungojnë rregullat e lojës në shoqëri. Që do të thotë, në rastin tonë, se duhet të respektohet një karrierë e duhur profesionale apo një zhvillim normal, pa ndërhyrë në forma arbitrare. Në vendin tonë gjithnjë mbyllim sytë për ata që jashtë çdo kriteri bëhen të pasur, duke shkelur kode etike dhe humane. Ne heshtim përballë korrupsionit, që është i përhapur kudo sepse çdo element i lidhur me të konsiderohet gati i ligjshëm dhe më shumë se kaq i domosdoshëm. Po a është e mundur të frenohet korrupsioni? Si ndodh vallë që nëse votuesit nuk e pëlqejnë korrupsionin, pse ai lulëzon natyrshëm në mesin e politikanëve që zgjidhen si të ndershëm, madje edhe në shoqëritë që ne i mbajmë si modele, ku funksionojnë ndarjet institucionale dhe kërkesa e lartë e llogaridhënies?



- Korrupsioni të lidh me anën më të lehtë të shoqërisë njerëzore, atë që duke përdorur ose marrë një favor të japësh e të përfitosh mundësi të padrejta. Dhe, ndodh se falë premtimeve, që cilido i di se janë të gënjeshtërta dhe madje deri edhe votuesi më konservator e jep votën e tij në dobi të përfitimit të një jete më të mirë. Të gjithë e dinë dhe e pranojnë, madje shumë syresh e anatemojnë por në fund shumë syresh e aplikojnë.

- Korrupsioni të duhet për të mbyllur një punë, që nuk mund ta mbyllësh dot duke pasur qoftë edhe dokumentet në rregull; të duhet të bësh një udhë në karrierë, që e meriton por nuk ta japin pa dhënë diçka; të duhet të marrësh një shërbim që e ke të nevojshëm, por që nuk mund ta marrësh. Kjo është ana “pozitive” e korrupsionit, që i kundërvihet masivisht e keqja, ajo që përbën thelbin e këtij fenomeni, që sot po e gërryen të gjithë botën.


- Me korrupsion, i paafti shtron rrugën dhe merr përfitimet që nuk i takojnë. Falë këtij fenomeni, i mbyllet rruga pozitives për t’i lënë udhë së keqes asaj që e dominon jetën tonë në çdo segment. Përjetësohet ai grup njerëzish që sot e dominojnë shoqërinë tonë dhe çfarëdo gjëje tjetër. Edhe pse e dimë se korrupsioni përbën një pengesë të rëndësishme për rritjen ekonomike dhe demokratizimin, dhe është tema e studimeve të politologëve dhe studiuesve, ai është i paluftuar si duhet pasi të gjithë e duan ose më saktë e shikojnë si alternativë. Të kujtohet batuta e politikanit Majko, kur e kishin akuzuar për korrupsion dhe në vend të shqetësohej për atë që e priste nga qesëndia e kolegëve deputetë ishte habitur se e kishin pritur me admirim në parlament. Thelbi: Je një nga ne.


Komuniteti që e ushqen korrupsionin dhe rregullat e tij në një vend është bash ai grup që vendos për pasuritë kombëtare, për zakonet e shoqërisë për gjithçka. Ata janë në qendër të akuzave dhe sërish mbijetojnë me çdo forcë politike sepse politikanët zëvendësohen por kurrsesi të korruptuarit, që krijojnë një habitat, që është vështirë për ta shkulur. Po a na ndihmon dot përvoja ndërkombëtare? ASPAK... Shoqëria është e tmerruar me realitetet e sotme, madje edhe në vendet më të zhvilluara. Kështu, sipas Raportit Botëror të Pabarazisë 2018, ata që i përkasin më të pasurve, tashmë përbëjnë 0.1 përqind të popullsisë botërore, mu ata të cilat prej vitit 1980, e kanë rritur pasurinë e tyre, të barabartë me të ardhurat e 50 përqind të popullsisë së botës. Dhe, deri në vitin 2030, anëtarët e komunitetit të një për qind më të pasurve të popullsisë globale parashikohen të mbajnë 64 për qind të pasurisë së përbotshme – ose dy të tretat e pasurisë së botës, referuar të dhënave të besueshme.


Studiues, sfidues-oratorë dhe politikanë të rinj e dinë, por në fund mbesin në të njëjtin qerthull, atë së të pasurve që duan të mbretërojnë në kurriz të të varfërve. Shembulli i Shqipërisë me një kastë që po lulëzon dhe që ka në dorë fatet e vendit po e vërteton. Shembujt e pafundmë të korrupsionit jo vetëm nuk frikësojnë askënd nga ky grup, interesat e të cilëve janë të ndarë njësoj mes të Djathtës dhe të Majtës, por shërbejnë si inkurajim për ata që duan të bëjnë jetën e tyre. Jo më kot, në të gjitha skandalet e vendit ka vend njësoj për të gjithë politikën.


Dhe, ndodh që masivisht të rinjtë në vend të kërkojnë rregullat e lojës shikojnë beneficet, atë që mund të fitohen vetëm falë korrupsionit dhe shitjes së identitetit. Shembujt e bukur në shoqëri nuk janë më ata që janë të devotshëm, njerëzit e përkorë, studiuesit mbetur nëpër laboratorë e studio të harruar, por kudo ata që bëjnë short-cut dhe janë afër të korruptuarve. Edhe pse korrupsioni është një nga të këqijat më të mëdha të shoqërive, që mbahet disi në kontroll, në vende si Shqipëria, ai përbën kancerin që po gërryen trupin e drobitur të një shteti si yni që mezi mbahet në këmbë. Por neve na pëlqen kjo dhimbje dhe na pëlqen edhe vuajtja, sepse duam të jemi si ata…dhe ndaj i duam të korruptuarit, “të fortët”, ata që përbëjnë legjendat e shoqërisë së sotme boshe. (Homo Albanicus)


Ben Andoni
 
I do kush eshte i korruptuar .......askush tjeter
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top