Projekti për Shqipërinë si Palestinë e dytë

Lauri

Anunnak
Kur vjen fjala për hebrenjtë, shqiptarët kanë të drejtë të mburren se janë një ndër popujt e pakët që nuk ia shitën Hitlerit. Mbi 2 mijë hebrenj, të cilët hynë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan në shtëpitë e shqiptarëve, morën emra të rremë, u pajisën me pasaporta dhe shpëtuan. Kur bëhet pyetja përse kjo ndodhi pikërisht në Shqipëri, kur diskutohet veprimi i njerëzve të thjeshtë, atëherë merita është e kodit të nderit dhe ndjesisë së brendshme të shqiptarëve për t’ju gjendur tjetrit në vështirësi. Por kjo nuk duhet parë në mënyrë kaq naive, pasi ky shpëtim nuk do të mund të arrihej pa qëndrimin e prerë të shtetit shqiptar, i cili e trajtoi problemin e hebrenjve si një “çështje të brendshme”. Këtë na thotë pikërisht studiuesi Shaban Sinani në monografinë e tij “Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi”, i sapo hedhur në treg nga shtëpia botuese “Naimi”. Autori zbulon fakte dhe qëndrime, ofron këndvështrime të reja të patrajtuara më parë, si për shembull, për rolin e ambasadorit të parë amerikan Herman Bernshtajn, me kombësi hebreje në Shqipëri në vitet 1930; për një përpjekje ndërkombëtare nën emrin e Lidhjes së Kombeve për ta parë vendin tonë si “një atdhe të mundshëm të hebrenjve” të rrezikuar në Europë; për të vërtetën historike që edhe qeveritë kuislinge kanë pasur një rol vendimtar pozitiv në shpëtimin e hebrenjve. Edhe më parë është folur për një projekt për ta kthyer Shqipërinë në një “Palestinë të dytë” për hebrenjtë, por kjo ka qenë vetëm në formën e një hipoteze. Në monografinë e tij, Sinani ofron një lëndë të pasur që vërteton se ka ekzistuar me të vërtetë një projekt i tillë.
“Në vitet 1930-1933 ambasadori amerikan në Tiranë, H. Bernstein përgatiti një marrëveshje, sikurse është pohuar, në bashkëpunim me ambasadorin shqiptar në Uashington, F. Konica. Në burimet amerikane thuhet se bashkëbisedues i Bernstein-it ishte Mehmet Konica. Ka shumë të ngjarë që merita e këtij të fundit t’i jetë bartur Faikut. Në vitin 1933, Mehmet Konica ishte “aide de camp” i mbretit Zog. Dëshmohet se ai ka qenë bashkëbisedues i ambasadorit Bernstein. Sipas marrëveshjes së arritur, do të mundësohej vendosja e 500 familjeve hebreje të ardhura nga Europa Qendrore”, shkruan Sinani. Sipas burimeve që ai ka shfrytëzuar, aso kohe, u përcaktua dhe vendi i instalimit të tyre, në rajonin midis Drinit dhe Bunës, që do të bonifikohej me investimet e hebrenjve. Por nuk ishte edhe aq e thjeshtë. “Marrëveshja nuk u arrit të nënshkruhej edhe për shkak të ndërhyrjeve të Romës fashiste, por megjithatë gjeti zbatim edhe pa u nënshkruar, sepse deri në prag të shpërthimit të luftës kishin ardhur në Shqipëri afro 800 hebrenj. Kjo është koha kur zhvillohen bisedime edhe midis Komisariatit të Lartë të Refugjatëve të Lidhjes së Kombeve, si dhe Kongresit Botëror të Hebrenjve, nga njëra anë, dhe qeverisë së Shqipërisë nga ana tjetër. Qeveria mbretërore u shpreh pro pranimit të hebrenjve në Shqipëri. Kjo periudhë, në shtypin europian të kohës, por dhe në relacione të brendshme, sikurse provohet prej burimesh hebreje, është cilësuar si “koha e palestinizimit” a e “izraelitizimit” të Shqipërisë”, thotë Sinani.
Lidhja e Kombeve e konsideronte Shqipërinë një “atdhe rezervë” për hebrenjtë. Studiuesi Sinani na ofron një dokument, ku një prej emisarëve të krijimit të kushteve për ngulitjen masive të hebrenjve në Shqipëri, Leo Elton, në një raport për organizatat sioniste përfunduar në vitin 1935 dhe të publikuar vetëm në vitin 2009, shkruan: “Unë besoj se në qoftë se ato burra e gra do jenë pararendësit e duhur, ato do të arrinin shpejt jo vetëm të ardhura të mbara materiale, por edhe respektin dhe mirësinë e shqiptarëve. Në rrjedhën e pak viteve, jo qindra, por mijëra hebrenj nga të gjitha fushat e jetës mund të pasonin të parët. Si hap i parë këshillohet themelimi i një njësie kombëtarë hebraike në Shqipëri të ngjashme me atë në Palestinën e Mandatuar (nën kontrollin britanik - 1922-1948), në bashkëpunim me dy lëvizjet sioniste. Mandej më vonë Shqipëria mund të kthehet në një shtëpi kombëtare hebraike”.
Sipas burimeve italiane që ndodhen në Tiranë, gjatë periudhës mbretërore janë ndërmarrë nisma politike, madje të rrezikshme, një prej të cilave është edhe pranimi i hebrenjve. Gjë që binte ndesh me qëndrimin që mbante Italia, nën protektoratin e të cilës ndodhej Shqipëria. Tanimë është i njohur fakti se nuk ishte vetëm populli ai që u tregua dashamirës me hebrenjtë, por edhe institucionet shtetërore, u treguan të gatshme për t’u ardhur në ndihmë. Faktet dëshmojnë se gjatë viteve 1932-1937 qindra hebrenj hynë në territorin shqiptar me viza të rregullta të lëshuara nga zyrat konsullore shqiptare. Por kjo politikë vazhdoi edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939. Ndonëse institucione “kukulla”, administrata shqiptare vazhdoi të mbështesë hebrenjtë. “Nuk ishte vetëm nevoja për investime e kapitale që nxiti mbretërinë të përshtaste politikën e shndërrimit të Shqipërisë në një ‘Palestinë të dytë’, siç shkruhej në shtypin e Perëndimit në atë kohë. Nuk ishte as thjesht fakti që hebrenjtë në Shqipëri nuk përbënin ndonjë bashkësi të madhe, që të mund të shihej me sy të keq nga popullsia vendase. A. Zogu e vazhdoi politikën e vet pro-hebraike edhe në prag të largimit politik dhe fizik nga atdheu, kur gjendej në Britani dhe pati premtuar se, po të rikthehej në pushtet, në këmbim të mbështetjes dhe simpatisë britanike, do të mundësonte strehimin e mbi 25 mijë familjeve hebraike në vendin e tij”, shkruan Sinani.

Disa përfundime

1. Në vitet 1930 kanë ekzistuar projekte ndërkombëtare për krijimin e një etniteti hebraik në Shqipëri dhe qeveria mbretërore i është përgjigjur pozitivisht këtij vullneti. Hebrenjtë hynë në Shqipëri me dokumente të ligjshme dhe me identitet të fshehur.
2. Në Shqipëri nuk u miratuan kurrë ligje antihebraike dhe nuk ka pasur kampe përqendrimi për hebrenjtë.
3. Shqipëria dhe shqiptarët shpëtuan jo 200 hebrenjtë vendës, por afro 15-fishin e tyre, të ardhur nga Europa Qendrore dhe Ballkani. Një listë prej 2265 emrash të hebrenjve të ardhur në Shqipëri para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore gjendet qysh prej muajit gusht të vitit 2005 në Memorial Museum of Holocaust.
4. Në periudhën naziste qeveria dhe Regjenca e quajtën “çështje të brendshme” dhe pjesë të “pavarësisë relative” mbrojtjen e hebrenjve dhe nuk i dorëzuan listat e tyre (shtator 1943, prill 1944, qershor 1944). Reich-u u tërhoq përballë refuzimit të Tiranës.
5. Pati një konvergjencë tërësore të të gjithë krahëve dhe orientimeve: antifashistë dhe profashistë; laikë e klerikë; myslimanë e të krishterë; komunistë e nacionalistë; në veri e në jug; për të mos lejuar prekjen e hebrenjve të strehuar në Shqipëri.
6. Divizioni SS “Skanderbeg” i krijuar në Kosovë nuk ka marrë pjesë në ushtrimin e holokaustit. Në listën prej 801 personash të shoqëruar prej këtij divizioni në gusht 1944 drejt kampit të Saimi?te-s, i vetmi kamp shfarosjeje në Ballkan, vetëm 35 janë hebrenj dhe nuk është vërtetuar se këta i janë nënshtruar zhdukjes përfundimtare. Qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve, në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë, ka qenë i njëjtë.


Libri

Monografia “Hebrenjtë në Shqipëri - prania dhe shpëtimi”, i prof. dr. Shaban Sinanit është e ndarë në 11 kapituj, që shtjellohen në rreth 500 faqe tekst, përfshi qindra referenca të autorëve vendës dhe të huaj që janë marrë me këtë temë. Shumica e dokumenteve dhe dëshmive zbulohen për publikun për herë të parë. Temat që trajtohen janë: “Qëndrimi ndaj hebrenjve para Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë periudhës fashiste”, “Politika italiane dhe pranimi i hebrenjve në Shqipëri”, “Intelektualët shqiptarë kundër judeofobisë dhe fundi i hidhur i Norbert Joklit”, “Hebrenjtë në Shqipëri dhe shpëtimi i tyre në periudhën naziste”, “Etnotipi shqiptar dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës”, “Divizioni SS “Skanderbeg” dhe fati i hebrenjve në Kosovë në periudhën naziste”, “Shqiptarët dhe Shoah në kontekst ndërkombëtar”. Libri hapet me një parathënie të botuesit Naim Zoto dhe përmbyllet nga recensionet e përgatitura nga studiuesja franceze Claire Lavoine.lma mile
Alma Mile
Panorama.
 
Titulli: Projekti për Shqipërinë si Palestinë e dytë

"Na Kan Shperbly Mir Gjat Luftes Ne Kosove , Edhe Tash Po Na Shperblejn Mir Kta Per Ndihmen Qe Ju Kan Ofru Shqiptaret Ne At Koh Si Ne Shqiperi Ashtu Edhe Ne Kosove" .
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top