Profil i katër koalicioneve në garë

WxP

Staf në FV.AL
Partia Demokratike e Shqipërisë do të mbetet në historinë e Shqipërisë si partia e parë pluraliste që i dha fund regjimit njëpartiak komunist të 45 viteve në Shqipëri. E themeluar më 12 dhjetor 1990, katër ditë pas shpërthimit të lëvizjes studentore kundër komunizmit në Shqipëri, ajo u bë fillimisht shpresa e vetme e shqiptarëve për ndryshimin e vendit dhe rrëzimin e regjimit komunist. Pa ndonjë përvojë ideologjike dhe e prirur të bashkonte gjithë shqiptarët kundër komunizmit, ajo i përngjante një fronti të madh antikomunist, ku bënin pjesë të gjithë ata shqiptarë që dëshironin të merrte fund epoka e komunizmit.
Në krye të saj u ngjitën një grup intelektualësh 50-vjeçarë, të cilët kishin mundësitë dhe fuqinë e duhur për të qenë përfaqësues të një brezi që kërkonte ndryshimin.
Në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991, Partia Demokratike bëri sprovën e parë politike duke konkurruar përballë Partisë së Punës së Shqipërisë. Ajo arriti të korrë një fitore të ndriçuar, duke fituar thuajse në gjithë qytetet e Shqipërisë, por duke humbur thellë në fshatrat e saj, ku frika dhe ndikimi i regjimit komunist ishin të thellë. Duke qenë një sistem i pastër mazhoritar, kandidatët e saj u dëmtuan dhe nga mungesa e përvojës dhe sistemit elektoral.
Por qeveria e re ish-komuniste e dalë nga zgjedhjet nuk pati jetë të gjatë. E promovuar mes protestave që shoqëruan tragjedinë e 2 prillit në Shkodër, ku u vranë 4 të rinj që protestonin pas zgjedhjeve, qeveria e re e kryeministrit, Fatos Nano, u gjend e izoluar brenda dhe jashtë vendit. Ajo u përball me një valë grevash, kryesisht të minatorëve, por dhe sektorë të tjerë të ekonomisë. Ende pa e marrë veten, ajo u rrëzua më 29 qershor 1991 duke i hapur rrugë një Qeverie të Stabilitetit Kombëtar me kryeministër, Ylli Bufin dhe zëvendëskryeministër, Gramoz Pashkon.
Qeveria e re ndërmori disa reforma gjysmake me privatizimet dhe kaloi në gjendje shoku industrinë e vjetruar të regjimit komunist.
Në dhjetor të vitit 1991, qeveria u rrëzua pas ultimatumit të PD për arrestimin e Nexhmije Hoxhës dhe heqjes së kontrollit mbi RTVSH. Një qeveri teknike e drejtuar nga Vilson Ahmeti çoi vendin në zgjedhjet e 22 marsit 1992, ku PD fitoi thellë në masën 68 për qind.
Nënkryetari i PD, Neritan Ceka, e kundërshtoi ashpër prishjen e qeverisë dhe dorëzoi mandatin e tij në zyrën e Ramiz Alisë, duke dhënë dorëheqjen nga politika.
Pas kësaj nis historia e vërtetë politike e PD. Kryetari i kësaj partie, Sali Berisha, u zgjodh president i vendit në prill të vitit 1992 duke mos hequr dorë nga kontrolli mbi PD. Eduard Selami, lideri që e zëvendësoi atë fillimisht në mënyrë formale në PD, ishte një figurë simpatike, por ende jo shumë autoritare.
Qeveria e re u formua në shumicë me figura të panjohura kryesisht lokale, që Berisha i thirri në pushtet për të zëvendësuar autoritetin e themeluesve të lënë mënjanë.
Zgjedhjet e para lokale në korrik të vitit 1992 ishin një dështim për PD. PD rifitoi bashkitë kryesore në vend, por humbi në sistemin mazhoritar, edhe pse mori më shumë vota popullore.
PD nisi të kërkonte përgjegjësit brenda saj. Një grup intelektualësh, themelues të PD e kritikë me Berishën dhe me mënyrën se si po e ndante ai pushtetin, ngritën zërin. Mes tyre shquante Arben Imami, Preç Zogaj, Gramoz Pashko, Perikli Teta dhe figura të tjera të rëndësishme themeluese të PD.
Në gusht të vitit 1992 ata botuan një dokument, ku kërkonin një analizë të përgjegjësisë brenda PD, por si përgjigje morën një konferencë të jashtëzakonshme në muajin shtator që i përjashtoi ata nga Partia Demokratike.
Ky ishte përjashtimi i parë i dhimbshëm brenda PD, i cili çoi në formimin më pas të Aleancës Demokratike, një grupimi liberal me një gjuhë të ashpër opozitare me PD.
Në vitin 1993-1994, brenda PD po formoheshin fraksione paksa më radikale nga e djathta. Petrit Kalakula, që drejtonte degën e Tiranës dhe Abdi Baleta, një deputet me qëndrime nacionaliste të qarta, po rrisnin frymën kritike ndaj Berishës, sidomos pas përpjekjeve të tij për t’iu rikthyer profilit të majtë të partisë, duke shpallur Fan Nolin një idhull politik të PD dhe duke vlerësuar Revolucionin e Qershorit 1924, si revolucion demokratik, njësoj si ish-komunistët.
Kalakula dhe Baleta u përjashtuan nga PD dhe ngelën po ashtu në minorancë në përpjekje për të formuar disa fraksione të djathta, siç ishte Partia e Djathtë Demokratike dhe Rimëkëmbja Kombëtare.
Pas humbjes së referendumit të Kushtetutës në nëntor të vitit 1994, Berisha u gjend i papërgatitur dhe pa asnjë tezë politike për të shpërndarë përgjegjësinë. Për fatin e tij rebeli i radhës u gjend vetë. Eduard Selami, kryetar i PD, nisi një tur kritikash në gjithë vendin duke kërkuar të bashkohej posti i kryeministrit me atë të kryetarit të PD dhe të kërkonte forma të tjera të ri-miratimit të Kushtetutës, siç ishte dërgimi në Kuvend dhe korrigjime të pjesës problematike.
Pas kësaj ai u përjashtua nga PD në një Kuvend të saj në pranverë të vitit 1995, duke mos u lejuar as të hynte në mbledhjen që po merrte vendim për shkarkimin e tij.
Pas kësaj Selami u largua pas disa muajsh nga Shqipëria drejt SHBA me një bursë studimi dhe më pas mbeti aty duke tentuar herëpashere të rikthehet në Shqipëri, por pa ndonjë plan konkret.
Zgjedhjet e majit 1996 ishin një shans i humbur për PD. Ajo u dëmtua rëndë nga fitorja e thellë dhe pa principe në gjithë vendin, pas një procesi të destabilizuar nga mungesa e opozitës dhe humbja e kontrollit institucional mbi procesin.
Zgjedhjet u kritikuan rëndë dhe u bën shkak për prishje të marrëdhënieve mes qeverisë shqiptare dhe asaj të SHBA.
Disa përpjekje diplomatike për të zbutur situatën u refuzuan nga zoti Berisha dhe gjendja shkoi në ekstrem. Rrotull Berishës mbetën pak zëra autoritarë dhe i vetmi që dukej se përçonte frymën e tij radikale te Perëndimi, ishte këshilltari i tij, Genc Pollo.
Pas zgjedhjeve të dështuara dhe formimit të një qeverie të re gati teknicienësh, pa figura përfaqësuese politike të PD, Berisha ngjante i plotpushtetshëm, por dhe në ankth për të ardhmen e pushtetit. Të gjitha figurat politike ishin larguar prej tij, dhe ekipi i teknicienëve të PD që drejtonin qeverinë, ishin të pazot për të përballuar krizën politike që po vinte.
Në këto kushte, zgjerimi i bazës financiare të skemave piramidale dhe përpjekjet e Guvernatorit të Bankës Qendrore dhe ministrit të Financave, Bode, për t’i ndalur ato, dështuan.
Në janar të vitit 1997 u dhanë shenjat e para të krizës dhe u shfaqën po ashtu zërat e parë kritikë brenda PD.
Kur kriza shpërtheu në gjithë elementët e saj në muajin shkurt dhe mars, Berisha u rigjend pa asnjë zë autoritar politik brenda PD. 14 ministra dhe ish- ministra të tij, mes të cilëve Genc Ruli, Dashamir Shehi, Dylber Vrioni, Bashkim Kopliku etj., dhanë dorëheqjen duke u distancuar nga Berisha dhe politika e tij. Berisha u rizgjodh në mënyrë të dyshimtë president më 3 mars 1997, por gjashtë ditë më vonë u detyrua të dorëzojë pushtetin e qeverisë së tij te Bashkim Fino për shkak të përshkallëzimit të
protestave dhe destabilizimit të vendit.
Në zgjedhjet e 29 qershorit 1997 ai humbi thellë dhe u detyrua të rikthehej në seli të PD duke dhënë dorëheqjen dhe nga President i Republikës.
Besniku i tij i fundit, ish-kryetari i PD, Tritan Shehu, ishte i pari që e braktisi dhe u bë një zë kritik ndaj tij.
Vitet që pasuan ishin vite të vështira të Berishës, shoqëruar me izolim të fortë politik ndërkombëtar e kombëtar. Qeveria shqiptare dhe shumë diplomatë perëndimorë u angazhuan për izolimin dhe nxjerrjen e tij nga politika. Investimi kryesor në këtë drejtim u bë mbi Genc Pollon, në atë kohë nënkryetar i zotit Berisha. Pollo u stimulua të largohej nga Berisha dhe politika e tij dhe u bë një kritik i egër i tij. Në vitin
1999, ai u largua nga Kuvendi, ku do rivalizonte Berishën dhe e akuzoi atë si njeri të korruptuar që kishte marrë parل nga firmat piramidale dhe i kishte investuar në New Jersey. Akuzat e Pollos ishin të pazakonta dhe mbështeteshin nga medie në tërësi antiopozitare dhe një qeveri që e kishte objektiv politik largimin e Berishës nga politika.
Në zgjedhjet e qershorit 2001, Pollo me ndihmën e ish-kryeministrit, Ilir Meta, arriti t’i marrë PD dhe siglën e saj duke stimuluar kështu një fitore deri në 5 për qind në rang vendi, një rezultat surprizë për një lider anonim.
Fryma antiopozitare që rrethonte Berishën dukej se po merrte fund në vitin 2002, kur nisën përpjekjet për një president konsensual. Berisha, i cili kishte humbur jo për faj të tij në zgjedhjet e viti 2001, arriti të rimarrë veten duke u bërë faktor në zgjedhjen e Alfred Moisiut, president të republikës dhe Dhori Sollakut si kryeprokuror i vendit.
Pas kësaj ai nisi një kurs të fortë të ndryshimit politik, duke u përpjekur të fitojë besimin si një lider i reformuar dhe një figurë e hekurt kundër korrupsionit.
Një sërë aksionesh politike si ai “Nano ik!” ia rritën pikët në opinionin publik.
Në vitin 2005, falë këtij imazhi që kish nisur të ndryshonte dhe trukut të krijimit të një grupi të rinjsh pranë PD nën emrin KOP, ai arriti të bindë shqiptarët për ta rivotuar. Ai fitoi më 2005 përmes një fushate komplekse, ku kombinoheshin ish-themeluesit, disidentët, të rinjtë dhe figurat solide politike të PD.
Por ndarja e pushtetit nuk i ngjau fitores. Ajo u bë pronë e njerëzve të afërt të Berishës, kryesisht rekomandime familjare dhe njerëz besnikë të tij. U mbajtën larg pushtetit gjithë ish-disidentët e PD, përjashto Rulin, i cili bëri marrëveshje personale me të. Po ashtu iu dha pushtet i madh të rinjve që Berisha kishte nën kontroll.
Nën këtë skemë qeverisëse, me njerëz formalë, por jo liderë realë, ai prodhoi disa skandale të rënda në qeverisje, siç ishte rasti i Gërdecit apo papërgjegjësia e prokurimit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Njerëzit e afërt të familjes së tij u shfaqën në çdo aferë korruptive dhe sekserë të familjes, si Damir Fazlliç, u bënë simbole të kapjes së shtetit përmes familjes së tij.
Tragjedia e Gërdecit ndryshoi historinë politike dhe personale të Sali Berishës. Nën ankthin e gjykimit të paanshëm për njerëz të afërt të tij të përfshirë në këtë aferë, ai nisi një sërë sulmesh ndaj sistemit të drejtësisë dhe kryeprokurores, Ina Rama.
Vitit 2008 ishte një vit i harxhuar në luftë me drejtësinë dhe jo me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Frytet e para të kësaj lufte u korrën, edhe pse me vonesë. Dosja e Gërdecit, e cila gjendet në gjykatë, është e cekët, dhe nuk janë hetuar lidhjet politike të saj, edhe pse faktet që të çojnë te njerëz të familjes Berisha janë të qarta.
Nën peshën e akuzave për korrupsion, kapje të shtetit dhe përdorim të pushtetit për interesa të njerëzve të afërt të tij, Berisha po shkon drejt zgjedhjeve të 28 qershorit me një listë besnikësh që nuk përfaqësojnë më as frymën e vitit 2005 dhe nevojën për reforma që ka ajo parti. Ai ka përjashtuar nga listat e deputetëve gjithë figurat me individualitet politik dhe përpiqet t’i ngjajë në formimin e grupit të ardhshëm parlamentar, qeverisë aktuale që ka. Mbështetësit e presidentit, Bamir Topi, ish-nënkryetar i PD, janë zbuar nga listat dhe strukturat e PD, duke shënuar kështu fushatën e fundit spastruese në PD dhe duke i lënë ata jashtë garës së partisë dhe garës elektorale. Ndikimi i tyre në këto zgjedhje do të jetë një test politik për të dy palët.
Përkundër kësaj, zgjedhjet që tani kanë prodhuar një klimë të pasigurt dhe shkelje të standardeve, pasi qindra-mijëra shqiptarë do të mbeten pa votuar, pasi nuk kanë karta identiteti.
Berisha është përpjekur të justifikojë këtë me mungesë dëshire për të votuar, por opozita dhe komuniteti ndërkombëtar po e shikojnë me dyshim zhvillimin normal të zgjedhjeve pa një marrëveshje politike për t’i çuar te kutitë e votimit të gjithë shqiptarët.


Bashkimi për ndryshim
Edi Rama


Kandidati për kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, vjen nga një histori e gjatë politike, drejt së cilës e ka shtyrë prirja e tij për protagonizëm publik, dhe angazhimi si publicist në fillim të viteve ‘90. I përfshirë në ngjarjet e dhjetorit të vitit 1990, fillimisht një personazh i njohur antikonformist në Akademinë e Arteve dhe më pas në mbështetje të fortë të lëvizjes studentore, Edi Rama u bë shumë shpejt i padobishëm për partinë e parë opozitare, të formuar në Shqipëri, Partinë Demokratike.
Pikëpamjet e tij radikale dhe shpesh anarkiste, e mbajtën atë larg organizatave politike për një kohë të gjatë. I angazhuar si publicist në gjysmën e parë të viteve ‘90, ai u bë i njohur si një kritik i rreptë i qeverisjes së Sali Berishës, por dhe i frymës konservatore të Partisë Socialiste. I përfshirë në jetën publike të vendit, herë si publicist, herë si artist, Edi Rama filloi të bëhej një zë kurajoz për një opozitë të dërrmuar dhe pa perspektivë në vitin 1996, kur zgjedhjet u destabilizuan dhe Berisha rriti ndjeshëm pushtetin e tij edhe mbi shoqërinë shqiptare.
Me fillimin e trazirave të vitit 1997, Edi Rama ishte viktima e parë e dhunës së frymëzuar nga politika. Njerëz të panjohur e rrahën barbarisht para shtëpisë së tij, duke shkaktuar një reagim të ashpër brenda dhe jashtë vendit. Pas kësaj ai largohet drejt Parisit dhe kthehet në Shqipëri në prill të vitit 1998, kur Fatos Nano bëri ndryshimet e para në qeveri. Ai i ofroi Edi Ramës postin e ministrit të Kulturës, deri në atë kohë një post periferik në qeverinë shqiptare.
Por, sapo hyri në zyrën e ministrit, Edi Rama shfaqi menjëherë ambicien e tij për t’u kthyer në qendër të vëmendjes. Ai ideoi lyerjen e fasadave të ministrive kryesore në qendër të Tiranës, duke i sugjeruar dhe qeverisë heqjen e kioskave nga parku qendror i Tiranës dhe rruga buzë Lanës.
Me këtë biografi të shkurtër në ndihmë të kryeqytetit, ai shfaqi hapur ambicien e tij për t’u bërë kandidat për kryetar bashkie në Tiranë në vitin 2000. I mbështetur fort nga qeveria dhe media, ai arriti të fitojë kundër Besnik Mustafaj, një figurë e moderuar e Partisë Demokratike, i cili mes të tjerash konkurroi në kushtet e një procesi zgjedhor jotransparent, me mangësi të mëdha në lista dhe komisione zgjedhore tërësisht të njëanshme. Megjithatë, Mustafaj ia njohu fitoren rivalit të vet dhe Edi Rama nis prej atëherë karrierën e tij si kryebashkiak i Tiranës.
Surprizat e tij të para ishin sërish ngjyrat. Ai inicioi një sërë projektesh që i ideonte personalisht për lyerjen e pallateve të Tiranës me ngjyra, në përpjekje për t’i hequr qytetit zymtësinë dhe mungesën e një identiteti urban. Projektet, edhe pse ishin të kritikueshme, u bënë popullore dhe tërhoqën vëmendjen e shtypit botëror.
Në spiralen e debateve brenda pushtetit të socialistëve, Rama ishte gjithmonë në anën e kryeministrit. Kështu, ai u angazhua qartë në krah të Ilir Metës gjatë konfliktit të tij me Fatos Nanon në fushatën për katarsisin në vitin 2001-2002. Por kjo nuk e pengonte që të ripajtohej me kundërshtarët, kur ata forconin pozitat.
Nën këtë valë suksesi Rama fitoi dhe zgjedhjet e vitit 2003, përballë Spartak Ngjelës, i cili arriti të zhvillojë një fushatë të suksesshme elektorale.
Në nëntor të vitit 2003, Rama tentoi të prekë ëndrrën e tij drejt kreut të Partisë Socialiste. I futur për të formuar një biografi gare, ai doli i treti pas Fatos Nanos dhe Rexhep Meidanit, në një kongres që shihej qartë që komandohej prej kryetarit të saj, Nano. Ai heshti dhe thuajse injoroi përjashtimin nga strukturat drejtuese të Ilir Metës dhe grupit të tij, dhe iu rikthye punës së tij në bashki.
Deri në vitin 2005 Rama qëndroi larg problemeve të brendshme në Partinë Socialiste, por kritikët e tij e akuzonin se ai qëndronte pas frymëzimit të lëvizjes “Mjaft!” kundër Fatos Nanos. Vetë Rama nuk i pranoi kurrë këto akuza, dhe formalisht iu bashkua fushatës elektorale të Fatos Nanos në vitin 2005 duke sugjeruar dhe disa kandidatë të tij, siç ishte zonja Kodheli në Tiranë.
Humbja e zgjedhjeve prej Nanos në korrik të vitit 2005, i hapi atij rrugën drejt kreut të partisë. Në fillim me tone të zbutura, ai pranoi propozimin që Fatos Nano të ishte një figurë nderi në parti, por, sapo mori në dorë frenat e partisë, filloi të ndryshojë gjithçka dhe të formonte partinë e tij.
Ai arriti të ribashkojë të majtën në vitin 2006 dhe të shkonte i bashkuar me ta në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007, duke arritur një fitore të rëndësishme në gjithë qytetet kryesore të Shqipërisë.
Por pak muaj pas zgjedhjeve, ai nuk arriti ta ruante shumicën opozitare të bashkuar. Ilir Meta u largua nën pretendimin se ai nuk i përgjigjej për një reformë zgjedhore konsensuale, ndërsa zgjedhja e presidentit në vitin 2007 e gjeti të papërgatitur dhe pa një plan të tij. Berisha ia doli të zgjidhte kandidatin e tij falë disa rrethanave aksidentale, që dhe vetë nuk i dëshironte.
Pas humbjes së presidentit dhe humbjes së unitetit në të majtën, Ramës iu rishfaq shansi në pranverë të vitit 2008, kur në Gërdec shpërtheu një fabrikë municionesh, ndërtuar nën lobimin e qartë të djalit të kryeministrit, ku humbën jetën 26 vetë. Kur të gjithë prisnin luftën e opozitës, panë një projekt tjetër. Dy muaj pas Gërdecit Rama dhe Berisha bashkuan votat për ndryshime kushtetuese që çimentonin pushtetin e secilit në krye të partisë dhe vinin në vështirësi partitë e vogla rivale. Të dy së bashku arritën të bëjnë votat e duhura për këto ndryshime, të cilat i vlenin aq shumë Edi Ramës për të konsoliduar partinë e tij të re socialiste.
Reformat kushtetuese zgjatën gati një vit dhe fillimi i vitit 2009 e gjeti Edi Ramën të lirë për të qenë, edhe opozitar, edhe kryetar legjitim i opozitës. Ndërkohë, ai kishte humbur rrugës aleatin e tij të rëndësishëm, Ilir Metën, dhe kishte fituar G99.
Reagimet e ashpra të partive të vogla dhe greva e tyre e urisë nuk ia ndryshuan mendimin. Ai po shkon drejt zgjedhjeve i bindur se Partia e tij Socialiste është një shumicë e sigurt dhe se aleatet e tjerë të së majtës mund t’i bashkohen atij pas zgjedhjeve.
Strategjia dhe fushata e tij elektorale ka tone krejt të ndryshme nga ajo e Berishës. Rama po i drejtohet përditë elektoratit të ndërmjetëm mbi të majtën dhe të djathtën duke supozuar se e majta është një votuese e sigurt e tij.
Zgjedhjet e 28 qershorit mund të shënojnë suksesin e tij më të madh politik, i cili mund ta konsolidojë atë përgjithmonë si një figurë afatgjate të së majtës shqiptare, ashtu siç mund dhe ta rrëzojë përfundimisht, nëse ai nuk arrin t’ia dalë dot.

Aleanca Socialiste për Integrim
Ilir Meta


Ilir Meta, udhëheqësi i grupimit më të madh opozitar në Shqipëri, ka një biografi politike të pazakontë. Ai ka hyrë në politikën shqiptare si pjesë e delegacionit të studentëve të Dhjetorit që shkuan t’i kërkojnë pluralizëm politik Ramiz Alisë, në dhjetor të vitit 1990 dhe përfundoi më pas në krye të qeverisë së Partisë Socialiste, që ishte një trashëgimtare politike e ish-komunistëve.
Në vitin 1991 ai themeloi Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar, duke futur së pari termin evropian në politikën e së majtës shqiptare. Në vitin 1992 u zgjodh deputet i Skraparit për Partinë Socialiste. Ai u bë i njohur në shtator të vitit 1992, kur udhëhoqi një protestë të qytetarëve të Poliçanit kundër mbylljes së Kombinatit të Armëve për shkak të reformave në ushtri. PD në pushtet i hoqi atij imunitetin në Kuvend, por çështja nuk shkoi më tej.
Pas arrestimit të Fatos Nanos dhe rritjes së frymës konservatore në Partinë Socialiste, Ilir Meta, iu bashkua grupit që kërkonin ta moderonin politikën e Partisë Socialiste. Ai filloi të artikulonte më shumë orientimin perëndimor të Shqipërisë dhe nevojën për bashkëpunim me institucionet perëndimore.
FRESH u bë pikënisja e kontakteve perëndimore për Partinë Socialiste, sidomos me të majtën italiane dhe ato të vendeve skandinave.
Në vitin 1995-1996 ai ishte një nga katër nënkryetarët e Partisë Socialiste, por i rreshtuar kundër mbështetësve të zotit Nano. Karriera e tij u vu në rrezik, për shkak të shigjetimeve se po punonte për të rrëzuar nga kreu i PS liderin e burgosur, Fatos Nano.
Por pozitat e tij politike u forcuan shpejt. Pas vitit 1997 ai u emërua fillimisht si sekretari Jashtëm, një post identik me zëvendësministrin e Jashtëm.
Kur Pandeli Majko u bë kryeministër pas 14 shtatorit 1998, Ilir Meta mori postin e zëvendëskryeministrit. Kongresi i 1999 i Partisë Socialiste ishte një moment dramatik. Kandidatura e shumëpritur e Pandeli Majkos për kreun e PS u rrëzua bashkë me qeverinë e tij. Fatos Nano, i cili u ri-kurorëzua kryetar i PS, pranoi më lehtë Ilir Metën për kryeministër.
Kryeministri më i ri në Evropë nisi kështu një karrierë politike të pazakontë. I vendosur të linte gjurmë, ai u përkushtua pas infrastrukturës së shkatërruar të vendit pas punëve publike dhe menaxhimit me dorë të fortë. Ai arriti të përfundojë autostradën gjysmake Tiranë-Durrës një segment të rrugës Kavajë-Rrogozhinë, rrugën e Qafës së Llogorasë, rregulloi parkun “Rinia” në Tiranë dhe mbështeti dukshëm Edi Ramën në projektet e tij për punët publike.
Zgjedhjet e vitit 2001 ishin një test i madh politik për të. I gjendur mes rrezikut të rikthimit të Fatos Nanos dhe nevojës për zgjedhje të lira, ai zgjodhi një të mesme, e cila la gjurmë në jetën e tij politike. Zgjedhjet e 2001 ishin qartësisht jashtë standardeve, por të pranuara. Policia u përdor qartë në shumë qendra votimi dhe Gjykata Kushtetuese veproi pa shumë takt në gjykimin e 40 mandateve. Komuniteti perëndimor njohu qeverinë e re, por nuk njohu një shumicë për president.
Pak muaj para se të afrohej çështja e presidentit, kryetari i PS, Fatos Nano, nisi një fushatë të pazakontë antikorrupsion të përkufizuar si katarsis. Fillimisht i vetëm, por duke mbledhur energji rrugës, Fatos Nano përdori grupin parlamentar si mekanizëm bllokues ndaj qeverisë së Ilir Metës. Në janar të vitit 2002, pas presionit publik dhe bllokimit në Kuvend, Fatos Nano e detyroi Ilir Metën të dorëhiqet. Prej atëherë nisi një luftë e ftohtë ende e pambyllur mes tij dhe partisë së zotit Nano.
Në kongresin e vitit 2003, Nano përjashtoi Ilir Metën dhe grupin e tij nga forumet e PS. Ilir Meta, i cili ishte ende formalisht zëvendëskryeministër i kabinetit të Fatos Nanos, kishte dhënë dorëheqjen që në verë.
Pas përjashtimit dhe nga forumet drejtuese në Kongres ai po shikonte të ardhmen e tij jashtë PS. Në pranverë të vitit 2004 ai formoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, një strukturë politike shumë solide, bazuar te veprimi dhe aksioni politik, por dhe te lidhjet njerëzore e krahinore.
Fatos Nano e nënvleftësoi fillimisht fuqinë e saj, por në zgjedhjet e vitit 2005 partia e zotit Meta u bë varrmihësja kryesore e pushtetit të Fatos Nanos.
Pas ardhjes në pushtet të PD, Ilir Meta fillimisht ndoqi një linjë të butë bashkëpunimi, e cila u egërsua menjëherë në vitin 2006, kur PD tentoi të riformatonte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Gjesti i tij i forcës duke hipur sipër tavolinave mbeti emblematik për parlamentin. Kuvendi u bllokua dhe pas një marrëveshjeje të re u bënë ndryshimet kushtetuese që prishën disa ekuilibra politikë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2006-2007, ai u bashkua me Partinë Socialiste nën premtimin se së bashku do të bënin një Kod Elektoral të favorshëm për LSI.
Me gjithë joshjet nga Berisha, Ilir Meta i qëndroi besnik Edi Ramës deri në përfundim të zgjedhjeve.
Pas zgjedhjeve Meta kërkoi të nisnin një bashkëpunim institucional për Kodin Elektoral. Por duket se këtu interesat e tij dhe të zotit Rama ndaheshin. Megjithëse të dy e tregojnë ndryshe historinë e ndarjes, e qartë është se Kodi Elektoral, i hartuar me firmën e zotit Rama, prek qartë interesat e LSI.
Kjo e armiqësoi atë ndjeshëm me Partinë Socialiste dhe e futi në një grevë urie njëjavore për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik ndaj këtij monopoli dypartiak.
Në këtë fushatë zgjedhore ai ka hyrë me një koalicion partish të vogla nga e majta, të cilat synojnë të përbëjnë një pakicë bllokuese në Kuvend.
Objektivi i fundit i zotit Meta është të jetë ai forca që do të vendosë për pushtetin e së majtës. Të presim 28 qershorin për ta parë këtë.


Aleanca Poli i Lirisë
Aleksandër Meksi


Aleksandër Meksi hyri në jetën politike të Shqipërisë në dhjetor të vitit 1990. Ai ishte ndër intelektualët e parë të Tiranës që iu bashkua Lëvizjes Studentore dhe ideatori i themelimit të Partisë Demokratike. Ai u përfshi në grupin nismëtar që hartoi dokumentacionin për themelimin e PD dhe ishte pjesë e ekipit drejtues të saj.
Aleksandër Meksi u zgjodh deputet i Tiranës në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit dhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë deri më 22 mars 1992. Pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e marsit 1992, ai u zgjodh kryeministër i Shqipërisë.
Raportet e tij politike me ish-presidentin, Berisha, në pamje të parë kanë qenë korrekte dhe institucionale. Ai ishte kryeministri që pati përgjegjësinë e madhe të ndërmerrte reforma të dhimbshme për të ndryshuar sistemin në Shqipëri. Nën drejtimin e tij u hartuan dhjetëra ligje që ndryshuan funksionimin e shoqërisë shqiptare dhe përmirësuan standardet e saj drejt një shteti ligjor.
Brenda Partisë Demokratike ai ka pasur në fillimet e veta probleme me ekipin drejtues të saj, probleme të cilat shpërthyen në nëntor të vitit 1994, pas humbjes së referendumit për Kushtetutën. Ish-kryetari i PD në atë kohë, Eduard Selami, kërkoi bashkimin e postit të kryetarit të PD me kryeministrin dhe kjo shkaktoi largimin e tij nga PD. Edhe pse konflikti nuk ishte një përplasje direkte mes Meksit dhe Selamit, por mes Selamit dhe Berishës, pozicioni i kryeministrit ishte objektivi i konfliktit.
Brenda Partisë Demokratike Meksi mbështetej nga një grup i gjerë teknokratësh, të cilët nuk ishin në një gjatësi vale me retorikën politike të Berishës. Pas zgjedhjeve të kontestuara të 26 majit 1996, Meksi u rizgjodh kryeministër, por Berisha rriti ndjeshëm kabinetin në përpjekje për t’i humbur atij integritetin. Ai largoi nga qeveria e Meksit ata ministra që konsideroheshin si mbështetës të tij, mes të cilëve shquante ish-ministri i Brendshëm, Agron Musaraj.
Trazirat e vitit 1997 e vendosën kryeministrin, Meksi, në pozitë të vështirë. Qytetarët që kërkonin paratë e humbura në fajde, kishin target të armiqësisë së tyre qeverinë dhe presidentin Berisha. Meksi propozoi në fillim të shkurtit vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Vlorë për të shmangur shkatërrimin e qytetit dhe shkatërrimin e atyre që quheshin banda jashtë kontrollit.
Propozimi i tij në Kuvend u hodh poshtë nga PD dhe filloi procesi i destabilizimit të vendit.
Më 1 mars 1997 ai dha dorëheqjen në bllok me gjithë ekipin e tij dhe vendi mbeti pa qeveri. Më 3 mars Berisha u rizgjodh president dhe një javë më pas vendi formoi një Qeveri të Shpëtimit Kombëtar me kryeministër Bashkim Finon.
Pas kësaj Meksi u tërhoq në jetën e tij private dhe profesionale. Ai iu rikthye profesionit të tij si arkeolog dhe specialist i restaurimeve kishtare. Qëndroi larg jetës politike aktive, por ishte vazhdimisht një zë që kërkonte ndryshime serioze dhe reformim të PD.
Në Kuvendin e vitit 2001 ai u përpoq të konkurronte për kreun e PD, por Kuvendi i dominuar nga Berisha nuk pranoi platformën e tij për fraksionet në parti. Pas kësaj ai u tërhoq plotësisht nga kontributi në politikën aktive.
Rikthimi i tij surprizë ishte shfaqja në krye të Polit të Lirisë në zgjedhjet e vitit 2009. Së bashku me Dashamir Shehin, ish-zëvendëskryeministrin e tij dhe një sërë mbështetësish, ish-themelues të PD, ai po përpiqet të faktorizohet si një formacion i djathtë autentik, që mbron interesat e pronarëve e të persekutuarve politikë. Ka një program, i cili pretendon zhdukjen e hendeqeve të forta sociale të krijuara në vend dhe futjen në kornizat e shtetit ligjor të problemit të pronës. Poli i Lirisë është shprehur për pavarësi të plotë të institucioneve të drejtësisë dhe zhdukje të ndikimit politik mbi të.
Aleksandër Meksi shikohet gjerësisht nga e djathta shqiptare si ish-kryeministri i tyre i parë, me të cilin lidhet memoria historike e PD dhe kjo mund të bëjë që shumë votues të zhgënjyer nga PD e sotme t’i drejtohen ish-kryeministrit të tyre.




Tema
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top