PRAPASKENAT / Kush e detyroi Shkëlqim Canin të japë me koncension mbledhjen e TVSH?

Ministria e Financave konfirmoi sot në mënyrë përfundimtare dhënien me koncension të sistemit elektronik të tatimeve, mbledhjen e TVSH-së.
HashtagAL ka mësuar disa detaje mbi një konflikt që është luajtur në prapaskenë për realizimin ose jo të këtij koncensioni.
Historia nis në fillim të vitit 2015, kohë kur një grup pune pranë kryeministrit Rama dhe ministrit të Ekonomisë Arben Ahmetaj, hartoi një listë konfidenciale të aseteve dhe shërbimeve që shteti shqiptar mund të ofronte për dhënien me koncension.
Në këtë listë ishte si opsion alternativ dhe dhënia me koncension e regjistrit elektronik të Tatimeve.
Më pas “krejt rastësisht” nga Hong Kongu vjen interesimi i një kompanie të quajtur “EMPO”, ajo bëri një propozim të pakërkuar.
Ministri i Financave Shkëlqim Cani ishte që në fillim kundër dhënies së këtij shërbimi me koncension, por direktiva nga kryeministri ishte që ky projekt të zbatohej me shpejtësi.
Dhenia me koncension e TVSH
Faksimile e raportit te eksperteve qe kundershtuan dhenien me koncension te regjistrit tatimor
Megjithatë Cani ngriti në muajin Shtator një grup ekspertësh që të bënte vlerësimin e avantazheve dhe dizavantazheve të këtij koncensioni.
Përfundimi që nxorën ekspertët ishte pa ekuivok. Lexoni me vëmendje çfarë shkruhet në raportin vlerësues të ekspertëve:
“Kjo formë koncensioni, nënkupton ndryshim të sistemit aktual dhe delegimi i autoritetit publik tek privati përsa i përket tatimeve vë në dyshim shumë elementë dhe qëllime të sistemit aktual që lidhen me rrezikun e keqadministrimit dhe keqpërdorimit të të dhënave, zhveshjen e shtetit nga autoriteti kryesor i mbledhjes dhe administrimit të të dhënave dhe do të ngrejë pikëpyetje të mëdha përsa i përket sistemit të ankimeve ndaj vlerësimeve tatimore etj.
Lidhur me subjektin që do të jetë palë e paditur nga tatimpaguesit që ankohen dhe me marrëdhëniet detyrimore koncesionar-shtet-tatimpagues.
Po ashtu, është shumë e diskutueshme zgjidhja e propozuar lidhur me pronësinë mbi asetet pas përfundimit të koncesionit.”
Cani e njohu me këtë përfundim të ekspertëve dhe kryeministrin Rama, por direktiva politike ishte e qartë: “Hapni tenderin, do jepet me koncension”.
Ministri Cani deri këtu mund të rezistonte, ai kapërceu raportin e ekspertëve të vet dhe hapi procedurat për dhënien me koncension të këtij shërbimi.
Regjistri elektronik i Tatimeve dhe mbledhja e TVSH-së, është një shërbim tipik shtetëror, dhënia e këtij shërbimi me koncension në një kompani private është jo vetëm tregues i paaftësisë së qeveritarëve për të menaxhuar me sukses, por është dhe një veprim që për nga mënyra si është kryer, ngre dyshime se grupe interesi pranë kryeministrit Rama kanë imponuar këtë lëvizje.
Vetëm tre ditë më parë FMN-ja dha alarmin se koncensionet që po jepte qeveria “rilindëse”, po krijonin një barrë të rëndë për Shqipërinë.
Por Rilindja nuk ndalet, tashmë dhe mbledhja e TVSH-së do jetë një shërbim që do e kryejnë privatë, e me sa duket roli i qeverisë shqiptare është kufizuar vetëm në organizimin e ankandeve në të cilat paraqiten kompani të dyshimta private që kapin asete dhe shërbime shtetërore me koncension. HashtagAL
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top