Nuk është e lehtë të gjenden shkaqet e plota që çojnë drejt otracizmit (veçimit) të një populli. Një pjesë e tyre mbeten gjithmonë në terr. Nga arsyet e njohura, përveç revanshit të vjetër ballkanik, ka qenë jugosllavomania, thënë ndryshe, moda e flirteve me fqinjin tonë verior, ajo që më së shumti e ka dëmtuar Shqipërinë. Politika vetëvrasëse e veçimit, krimi fillestar e njëherësh më i rëndi, i komunistëve shqiptarë, ka qenë fatale në këtë kah.
Për një ndërlikim të favorshëm të rrethanave, ai që në gjuhën e përditshme quhet skajim i keq i yjeve, Shqipëria, në shumicën e rasteve, del e humbur. Një sërë keqkuptimesh dramatike, fryt i mosnjohjes ose dashakeqësisë, e ndjekin hap pas hapi dosjen e saj. Nga e djathta ajo quhet e majtë e, për çudi, nga kjo e fundit fajësohet si e djathtë. Nga qarqet e krishtera konservatore merret për myslimane, e nga myslimanët radikalë për jo e devotshme. Një pjesë e gjykimeve kundërthënëse e shpesh paradoksale, e kanë burimin te grindjet brenda perandorisë komuniste, atëherë kur Bashkimi Sovjetik hodhi mbi Shqipërinë akuzën biblike se ?iu shit imperializmit për 30 aspra?. Për një kohë të gjatë, ajo akuzë mbeti në kujtesën e miliona njerëzve, të cilët, nga padituria dhe naiviteti besonin vërtet se vendi i vogël stalinist ishte kthyer në Judë, në shërbim të kapitalizmit. Kundër tij u përdorën shpesh të njëjtat mallkime që përdoreshin zakonisht kundër CIA-s, Izraelit ose Boris Pastërnakut. Gjithsesi e pafat, Shqipëria humbi kështu miliona simpatizuesit e saj filosovjetikë e, më pas, pas grindjes me Kinën, miliona të tjerët, maoistët.
Këto aradhë të pafundme, në një mënyrë ose në një tjetër u kthyen kundër saj. Ishin ata që më 1999 mbushën radhët e para të manifestimeve për të mbrojtur Serbinë nga bombardimet, por kurrsesi popullsinë shqiptare nga masakrat. Gati e pabesueshme tingëllon sot profecia e famshme e Hrushovit, kur e quajti Shqipërinë Judë të shitur te Perëndimi. Në atë kohë, akuza ishte krejtësisht jashtë çdo baze logjike, e tillë që mund ta prodhonte veç truri i një të çmenduri. E megjithatë erdhi një kohë që difensa e çmendur u krye, e Shqipëria përfundoi si një ndër aleatët më besnikë, në mos i Perëndimit mbarë, i fortesës së tij kryesore, SHBA-së. Si shumë punë të Shqipërisë, edhe kjo miqësi kërkon taksën e vet. Më kot është thënë e shpjeguar se simpatia për Amerikën nuk është një pasion i radhës, por i ka rrënjët në mirënjohjen historike në fillim të shekullit, kur presidenti amerikan, Willson, ishte i vetmi nga shefat perëndimorë që kundërshtoi dhe pengoi ndarjen e Shqipërisë dhe, në mbarim të shekullit, kur SHBA-ja udhëhoqi koalicionin për çlirimin e Kosovës. Valët e antiamerikanizmit që, për fat të keq, përshkojnë sot botën dhe Evropën, nuk lënë pa prekur vendin e vogël në breg të Adriatikut. Ka gjasë që jo vetëm amerikanofobia klasike, por manifesitmet anësore, nga ato antisemite gjer te altermondistët e më tej, te kundërshtarët e ?UGJM?-ve (ushqime gjenetikisht të modifikuara), të përplasin stërkalat e tyre mbi vendin ballkanik. Ndërkaq, si rrjedhojë e acarimeve midis BE-së dhe SHBA-së, ka gjasë që sipas proverbit ?kur grinden atllarët shkelmat i hanë gomarët?, Shqipëria të hajë shkelma atëherë kur s?e pret.
Ky ndërlikim ndërkombëtar i dosjes së Shqipërisë, ndonëse mund të duket zotërues, nuk do të arrinte dot të krijonte një klimë mohuese nëse nuk do të arrinte do të ushqehej nga një faktor i befasishëm: shpërthimi dhe shpërndarja nëpër botë e qindra mijëra shqiptarëve. Janë të njohura pasojat e kësaj përmbytjeje: imazhi katastrofik dhe nxitja e racizmit antishqiptar. ثshtë e ditur e vërteta e thjeshtë se, banditët dhe mafiozët shqiptarë përbëjnë një përqindje të vogël të mërguesve, por po aq e ditur është fuqia njollosëse e së keqes. Një vrasje e bujshme e një banditi, mund të hedhë baltë mbi një mijë jetë të ndershme, ato që s?përbëjnë as lajm, as histori.
Ky nam i keq i shqiptarëve, u shumëzua, për fat të keq, nga një rrezatim mosdashurie, për të mos thënë urrejtje kundër vendit, i një pjese të tyre. Kjo mosdashuri e shpallur e vetë vendasve, shërbeu për të legjitimuar mosdashurinë e të tjerëve. Shprehja kulmore e saj, ishte deklarata cinike e regjisorit majtist italian Xhani Amelio ?s?kam takuar gjer më sot asnjë shqiptar që ta dojë vendin e vet?.
Nuk ishte vetëm një gënjeshtër e madhe. Ishte shpallja arrogante e një programi të ri, program që e bënë të tyre intelektualët rimohues shqiptarë. Këta të fundit, siç u tha më lart, ishin batalioni i fundit i ?vezëve të gjarprit?, ata që tinëzisht e mbrojtën diktaturën, duke e paraqitur të keqen e saj, jo si një të keqe komuniste, por gjithëshqiptare.
Shthurja morale e pjesës më të madhe të klasës politike shqiptare, mungesa e përkushtimit për vendin, shpallja e kësaj shthurjeje dhe kësaj mungese përkushtimi, si diçka moderne dhe tallja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e atyre që mendonin ndryshe, ka qenë një tjetër faktor madhor për një rënie të përgjithshme morale në këtë vend.
Rrjedhojë e saj ishte fryma e sëmurë rimohuese, ajo që u përpoq ta zhveshë Shqipërinë nga gjithçka, për ta paraqitur si një vend virtual, version i përsëritur i përcaktimit cinik ?shprehje gjeografike?. Rrjedhojë e kësaj dhe e një fryme hakmarrëse për popullin që, bashkë me shtatoren e tiranit, e përmbysi, më në fund, komunizmin, ishte ideja e nënkuptuar se Shqipëria mund të ishte e pranueshme si otomane, si komuniste, por kurrsesi si demokrate dhe evropiane. Ide të ngjashme, të nxitura nga orekse të shtuara kohët e fundit notojnë nëpër mjegull. Pavarësia e kushtëzuar e Kosovës, ose formula e Kosovës shumëkombëshe, kërkohet t?i kalojnë tinëzisht krejt Shqipërisë. Me fjalë të tjera, në vend të shtetit historik që po mbush shekullin, të ketë një shtet të kushtëzuar shumëkombësh, thua se shqiptarët, ndryshe nga gjithë popujt, nuk mund të kenë shtëpinë e vet. Provokatori tepdil kinse maqedonas, kërkoi pikërisht këtë gjë në emisionin televiziv, të përmendur në fillim të kësaj sprove.
Shqipëria paraqitet sot si një vend që nuk e duan. Këtë pohim e ndan vetëm një hap nga formula: Shqipëria është një vend që s?ka pse të duhet. E nga kjo e fundit, gjer te hedhja e idesë për thurjen e mëtejshme të saj, nuk ka veç një tjetër hap.
Shqipëria për shumëkënd është sot një pemë e rrëzuar, prej së cilës, ashtu si e thotë proverbi, të gjithë mund të bëjnë dru. Shqipëria e ka ulur kryet vërtet, por, për fat të mirë, nuk ka rënë. Ata që mezi presin ta shohin përtokë, është më mirë të kthehen e të shohin mjerimin e ngazëllimit të tyre meskin. Asgjë e mirë nuk i vjen Ballkanit nga lëngata e një prej popujve të vjetër të vet. Përkundrazi, shëndoshja e popullit shqiptar, normaliteti i tij, ashtu si ajo e çdo populli, ashtu si e popullit serb e malazez, është në të mirë të të gjithëve. Të sëmurë apo të shëndoshë, ne jetojmë e do të jetojmë në të njëjtin pavion dhe, duam apo s?duam, fatet i kemi të përziera. Ata që nuk arrijnë ta kuptojnë këtë, s?kanë kuptuar asgjë nga kjo botë.
Shqipëria nuk ka rënë. Ende i drojtur, si në muzikën e Ravelit, ndihet një motiv i kundërt, me atë të mosdashurisë. Ndërsa mafiozët shqiptarë ushqejnë acarimin kundër kombit që i përkasin, një tjetër armatë, ajo e fëmijëve shqiptarë, anekënd Shqipërisë e shkollave të botës, zgjon nderimin e, bashkë me të, dashurinë. Në këtë ndeshje, që të kujton luftën midis bishës dhe qengjit, ashtu siç jepet në shkrimet e shenjta, qengji, ai që ka të ardhmen, do të fitojë. Disa javë më parë, në prag të vitit të ri 2004, një qytet i vogël francez, në breg të Atlantikut, u ngrit i tëri në këmbë, me manifestime, me peticione e me komitete, për të mbrojtur një familje shqiptare, për një problem administrativ. Në Operan e Parisit, kur Angjelin Prelocaj, në preludin e një prej baleteve të tij, me një bri në dorë foli ca çaste fjalë të vjetra shqipe, salla e mbushur plot, që nuk i kuptonte ato, por që e dinte se kjo ishte gjuha amtare e koreografit të madh, në heshtje solemne, si në një katedrale, i dëgjonte gjithë nderim.
Kohërat janë duke u ndërruar në Ballkan e në Evropë. Një brez tjetër është duke ardhur, me një mendje më të kthjellët e një shpirt më të pasur. Ende nuk kanë në dorë fuqi ekonomike e politike, megjithatë fryma e tyre ndihet anekënd: në shkolla, në auditore, në familje, në kafe, në internet. ثshtë frymë tjetër, që kërkon një tjetër Shqipëri. Që refuzon varfërinë si fatalitet e imoralitetin si kusht. Që spraps këngën e kukuvajkave e profkat e rimohuesve. Që natyrshëm kërkon t?i kthejë nderin e humbur vendit të vet.
Një këngë e adoleshentëve, e shpërndarë tani vonë nëpër Shqipëri, e jep në mënyrë prekëse këtë kumt: Shqipëri, atdhe i dashur
Ne s?të lemë ty të varfër.
ثshtë kumt e premtim bashkë. ثshtë i thjeshtë, i dhimbshëm, pa dokrra e fjalë të mëdha. Nuk flitet për Shqipëri etnike a multietnike. Flitet thjesht për Shqipërinë moderne, atë që nuk mund të ekzistojë, pa lënë pas varfërinë. E varfëria, në këtë rast, është e lidhur me të gjitha: turpin, bjerrjen morale, poshtërimin. Ndaj premtimi ?S?të lemë ty të varfër?, është i barazvlefshëm me ?s?të lemë ty të biesh?.
Asnjë popull s?duhet lënë të bjerë. Sikur adoleshentët e Ballkanit perëndimor, ta këndonin një këngë të ngjashme për popujt e tyre, ky do të ishte një lajm i mirë. E nëse do ta këndonin bashkarisht për gjithë gadishullin, ky do të ishte një lajm i madh...
( Marre nga
www.shkodra.net )