Poezia Antologjike “If” e Kiplingut – përkthyer prej 15 autorëve shqiptarë

shkrimi-i-peste.jpg

If you can keep your head when all about you
are losing theirs and blaming it on you
if you can trust yourself when all men doubt you
but make allowance for their doubting too;
if you can wait and not be tired by waiting,
or being lied abaut,don’t deal in lies
or begin hated don’t give way to hating,
and yet don’t look too good,nor talk too wise:
If you can dream-and not make dreams your master;
if you can think-and not make thoughts your aim
if you can meet with Triumph and Disaster
and treat those two impostors just the same;
if you can bear to hear the truth you’ve spoken
twisted by knaves to make a **** for fools
or watch the things you gave your life to, broken,
and stoop and build’emup with worn -out tools:
If you can make one heap of all your winnings
and risk it on one turn of pitch-and-toss,
and lose,and start again at your beginnings
and never breathe a word about your loss;
if you can force your heart and nerve and sinew
to serve your turn long after they are gone
and so hold on when there is nothing in you
except the Will which says to them:”Hold on!”
If you can talk with crowds and keep your virtue,
or walk with Kings-nor lose the common touch,
if neither foes nor loving friends can hurt you
if all men count with you but none too much;
if you can fill the unforgiving minute
with sixty seconds’ worth of distance run,
Yours is the Earth and everything that’s in it
and-which is more-you’ll be a Man,my son!


Në munç… nga Fan S. Noli (Namik Namazi)

lg.php
Në munç të mbash në kokë terezinë
Kur shokët çmenden dhe fajtor të nxijnë;
Në munç të kesh besim, kur të dyshon
Kushdo, dhe s’ka njeri që të beson;
Në munç të preç, dhe pritjen s’e kursen,
Në të gënjefshin, ti nuk i gënjen,
Në të urrefshin, ti s’i çan me brirë,
Dhe s’hiqesh as m’i mënçim as m’i mirë.
Në munç të çndërrosh e të mejtosh,
Dhe nga këto në mos u robërofsh;
Në munç të preç Triumfin dhe Hatanë,
Dhe t’i shkelmosh të dy si kallpazanë;
Në munç të mbahesh, kur një dreq ta dreth
Të drejtën dhe në lak syleshin heth,
Kur sheh kalan’e jetës të rrëzuar
Dhe prap e ngre me veglën e çkallmuar;
Në munç të vësh m’i grumbull çdo thesar,
Edhe t’i loç të gjitha me një zar,
T’i humpç edhe të nisësh përsëri
Pa thën’ asgjë për këtë batërdi;
Në munç të kesh një zemër, trup e kokë
Që të shërbejnë sa të bëhen trokë,
Dhe të vazhdosh i djegur shkrump në furrë,
Dhe të thërret vullneti: “Mbahu, or burrë!”
Në munç të zbreç në turm’ e të mbash nderin,
Të hash me mbretin, të pish me neferin;
Në mos të ngaftë dot as mik as hasmë,
N’i daç të gjithë, po asnjë për dasmë;
Në munç për çdo minutë të përpjetë
Të rënç tamam sekunda gjashtëdhjetë;
Zaptove dhenë me çdo mall dhe hir,
Dhe ca më mirë, qënke trim, or bir!
.
2.Në… nga Vedat Kokona

Në s’humbsh toruan kur të gjithë rreth teje
Humbur e kanë dhe thonë se ti ke faj;
Në paç besim tek vetja kur të tjerët s’kanë
Tek ty edhe dyshimn’ ti ua fal;
Në pritsh edhe nga pritja të mos lodhesh;
Në të gënjefshin, ti mos i gënjesh;
Në të urrefshin, ti mos i urresh;
I urtë shumë, as shumë i mirë s’tregohesh;
Në ëndërrofsh, por zot s’ke ëndërrimin;
Mendove dhe mendimet s’i ke si qëllim;
Në e takofsh Triumfin dhe Rrënimin,
Të dy mashtruesve u jep të njëjtin çmim;
Duron kur e vërteta jote ndrydhet
Nga horrat edhe lak bëhet për teveqelë;
Në pafsh atë ç’ke stisur që të thyhet,
Prap të ndërtosh me veglat bërë fërtele;
Në bëfsh një pirg me çka ti ke fituar,
Dhe në rrezik t’i hedhësh çift a tek,
Dhe të humbaç dhe prap duke filluar
Gojën ta qepësh përpara kur s’ke shtek;
Zemrën ti gur n’e bëfsh dhe nervat hekur,
Të të shërbejn’ dhe kur të thonë: Jo!
Dhe të qëndrosh kur asgjë s’të ka mbetur
Përveç vullnetit që të thot’: “Qëndro!”
Në flaç me turmën dhe të ruash nderin,
Me mbret të rish, por cakun mos kalosh;
Kur as armiq as miq s’ta duan sherrin,
Të gjithë kur ti i do, por kurrë mos ta teprosh;
Në e mbushç minutën që nuk të fal kurrë
Me gjashtëdhjetë sekonda në vrapim;
I tokës zot je, çdo gjë atje është jotja,
Dhe sidomos Njeri do jesh, o biri im!


.Në mundsh… nga Robert Shvarc

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…
Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…
Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopukët që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…
Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…
Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkënd e çmon, por veç sa meriton…
Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe NJERI do të jesh, o biri im!
.
4.Në mund… Një sprovë përkthimi nga Kristaq Jorgo

Në mund t’i ruash mendt kur t’gjithë rreth ty
I humbën krejt e fajin lanë mbi ty,
Në mund t’besosh kur t’gjith dyshuan n’ty,
Por dhe dyshimet drejt t’i shohësh n’sy;
Në mund me prit dhe pritjes mos kesh lodhje,
A qofsh gënjye, kurrë ti mos gënjesh,
A qofsh urrrye, ti mos falsh urrejtje,
E prapë mos dukesh shenjt, urtí mos lesh:
.
Në mund t’andrrosh pa-e ba ti zot andrrimin;
Në mund t’mendosh pa-e ba kryeqëllim;
Në mund t’takosh Triumf e Shkatërrimin
Tue-i kqyr si dy mashtrúes, pá dallim;
Në mund ta ndish t’vërtetën tande t’vyer
Nga t’ligj shtrembru’ e ba nji çark për t’marrë,
O t’shohsh ma t’shtrenjtat gjana t’jetës, thyer,
E ndalë t’i ngresh, me çka të mbet, sí m’parë:
.
Në mund ti grumbull tok të gjithë fitimet
T’i vesh në lojë një çast të vetëm: ‘brumb!’,
E t’humbsh, e t’nisësh prapë që nga fillimet
Dhe kurrë një fjalë mos thuash çka ke humb;
Në mund të bësh ti zemër, nerva e pejza
Të t’thonë ‘Ktu jem!’ dhe kúr mbarue kanë kohë,
Dhe kshtu t’qëndrosh tek s’ké ma t’jetës shejza
Përveç vullnetit q’urdhër jep: “Qëndro!”
.
Në mund me folë me pleh dhe nderin t’ruash,
O t’rrish me mbretër – njëjt si t’ishin tjerë,
Në as nga miq, armiq lëndim mos vuash,
Nëse gjithkënd e çmon, por masë pa bjerrë;
Në mund t’i mbushësh ti minút’ të shtrenjta
Me çdo sekondë si një vrapim n’rrëpirë,
E jotja’sht bota-e gjíthë ajó çka brenda,
Dhe ç’ësht’ m’e vlérta – Burrë do jesh, o bir!

5.Sikur… nga Ukzenel Buçpapaj

Sikur t’mund ta ruash mendjen nga dergja edhe at-here
Kur kretj bota e çmendur fajin kopil ta lë mbas dere;
Sikur t’mund t’i besosh vetes se ende ke burrni e nder
Kur krejt bota e flliqur hedh mbi ty rrena, bajga dhe vrer;
Sikur t’mund ta mundësh pritjen duke u mbajtur te shpresa,
A kur t’hedhin hi syve, t’hakmerresh duke shkepur drita,
A kur t’kafshon urrejtja, ta mëkosh dashurinë pa thersa
E prap t’mos dukesh fort fisnik pleqnar i kamur n’urtina.
Sikur t’mund t’ngarkohesh deri n’qiell me flori dhe lavdi
E për dy pika lot t’i humbasësh a t’ua vesh flakën,
T’mbetesh rrasë n’diell, nga fillimi t’ia nisësh përsëri
Pa t’shkuar ndërmend me than një gjysëm fjale për mandatën;
Sikur t’mund të prehesh si yll n’krahët e punës sate për jetë
Anipse t’u ka tha syri, dora, këmba, zemra mendja
E pa u rrëzuar të ecësh buzë greminës ditën e terrtë,
T’i biesh lik përmjet tmerrit pa u trembur hiç nga vdekja.
Sikur t’mund të ëndërrosh pa u mbytur në gjumë edhe në ëndrra,
Sikur t’mund t’mendosh pa u robnuar truri edhe gjuha,
Sikur t’mund t’lundrosh mespërmes detit me gaz edhe brenga
Pa t’u dehur shpirti e pa të futur ftigamën tuta;
Sikur t’mund ta kqyrësh t’vërtetën që the të shfytyruar,
Kthyer në kurthe ku batakçiu kap me lak të marrët,
A t’përballosh rrënimin e veprës sate t’pranuar
E prap t’ngrihesh dhe pa barna t’ia mbyllësh mundit plagët.
Sikur t’mund t’rrosh me qenin pa mësuar të lehësh flliqshëm
Apo t’jetosh pa ardhur era egërsirë;
Sikur t’mund t’qeshësh faqe miqsh e armiqsh njëlloj hijshëm,
Sikur t’mund t’i duash krejt njerzit pa dreqni e pa tepri,
Sikur t’mund t’ia marrësh me vrap e djersë minutës shpirtin,
E sekondat e saj t’i kthesh në djepe punësh t’arrira,
Toka do t’jepet para teje e ka me ta dhanë gjirin,
Do t’jesh NJERI, biri im, dhe kjo na qënka më e mira
.
6.Sikur… nga Diabolis Dassaretis

Sikur të ruash mendjen kur gjithë që të rrethojnë
Kanë humbur të tyren dhe ta fajësojnë ty
Sikur të besosh veten kur gjithë burrat të dyshojnë
Por merr parasysh dyshimin e tyre gjithashtu;
Sikur të presësh dhe mos lodhesh prej pritjes,
Ose të gënjejnë, por s’jepesh në mashtrim
Ose të urrejnë, por s’i jep rrugë urrejtjes,
Kur s’mbahesh më të lartë, as flet me tepërim:
Sikur të ëndërrosh – e mos i bësh ëndrrat mësuesin;
Sikur të mendosh – e mos i bësh mendimet shënjë
Sikur të takohesh me Ngadhnjimin dhe Shkatërrimin
Dhe trajton këta dy të shtirur me masë të njëjtë;
Sikur të durosh dëgjimin e të vërtetës që sapo the
Hallkuar nga të poshtrit ndër leqe për të marrë
Ose shikon gjërat që t’i dha jeta, thyer përdhe,
Dhe ndal i ringre ato me vegla prishur fare:
Sikur të bësh një pirg me gjithë fitoret
Dhe i rrezikon me një të hedhur kokë a pil,
Dhe humb, dhe nisesh përsëri nga fillimet
Dhe kurrë s’bëzën një fjalë rreth humbjes ti;
Sikur të forcosh zemrën nervat dhe muskujt
Ti t’shërbejnë rikthimit kohë mbasi shkuan ato
Dhe të qëndrosh kur në ty s’ka frymë prej kujt
Përveç Vullnetit që ju thotë atyre: ”Qëndro!”
Sikur të flasësh me turmat dhe të ruash dlirësin’,
Apo shëtitësh me Mbretër – por s’humb sjelljen e mirë,
Sikur as armiqtë as miqtë e dashur ty s’të plagosin
Sikur gjithë burrat maten me ty por askush mbimasë:
Sikur të kesh mbushur të parifalshmen minutë,
Me vlerë gjashtëdhjet sekondash të rrugës në vrapim
E jotja është Bota dhe gjithçka gjendet në të
Dhe – për më tepër – ti do të jesh Burrë, biri im!

7.Nëse… nga Dine Dine

Nëse mund ta ruash gjykimin kur gjith tjerët e kanë humbur
Dhe fajin për këtë ua hedhin juve;
Nëse mund të besosh kur gjith dyshojnë në ju,
Bile t’u japësh edhe shkas dyshimi gjithashtu,
Nëse mund të presësh pa u lodhur nga pritja,
Apo të gënjehesh pa gënjyer ti asnjë fjalë,
Ose të ndjehesh i urryer pa urryer vetë kurrë.
E megjithatë të mos dukesh as shumë i mirë, as shumë i zgjuar,
Nëse mund të ëndërrosh pa e lënë ëndrrën të bëhet zoti yt;
Nëse mund të mendosh, pa i bërë mendimet e tua qëllim
Nëse mund ta takosh triumfin pas disfatës
Dhe t’i presësh këto dy gënjeshtarë me të njëjtën fytyrë;
Nëse do ta dëgjosh të vërtetën e thënë prej teje
Të shtrembëruar ligsht, sa bëhet lak për të marrët,
Ose të shohësh gjëra për të cilat jep jetën, të prishen para syve tuaj,
E me durim e mund t’i riparosh ato;
Nëse do të humbasësh me një goditje
Fitoren e njëqind ndeshjeve,
dhe pa bërë zë për humbjen, t’ia nisësh nga fillimi
Pa bërë asnjë gjest dhe asnjë psherëtimë;
Nëse mund ta detyrosh zemrën dhe nervat,
Të të shërbejnë edhe kur ato kanë mbaruar,
Dhe të qëndrosh kur asgjë s’ka mbetur tek ju
Veç vullneti që të thotë “Mbahu”;
Nëse do të rrish me të thjeshtët dhe të mbetesh i virtytshëm,
Apo të këshillosh mbretërit dhe të mbetesh popull,
Nëse as armiqtë, as miqtë e dashur s’ia dalin ta prishin zemrën tuaj,
Nëse do t’i duash të gjithë si vëllezër pa qenë asnjëri, gjithçka për ty;
Nëse do të shfrytëzosh minutën e rreptë
Me përkushtim të denjë – të artë,
Atëherë mbretërit, fati dhe fitorja do të jenë skllevërit e tu
Dhe ajo që vlen më tepër se mbretërit dhe lavdia, ti do të jesh
NJERI – biri im.


.Nëse… nga Artan Kafexhiu

Nëse arrin të ruash mendjen, kur të gjithë përreth e
kanë humbur atë, duke të fajësuar ty;
Nëse arrin t’i besosh vetes, kur të gjithë të tjerët
dyshojnë për ty, pa harruar dyshimin e tyre;
Nëse arrin të presësh, pa u lodhur së prituri,
i përgojuar, të mos përgjigjesh me përgojime, i urryer,
të mos hidhesh në krahët e urrejtjes, e të mos
tregohesh as shumë i mirë,
e të mos flasësh së tepërmi si mendimtar;
Nëse arrin të ëndërrosh, pa i bërë ëndrrat padronin tuaj;
Nëse arrin të mendosh, pa i kthyer mendimet në qëllimin tuaj;
Nëse arrin kur ndesh triumfin dhe rrënimin, t’i
trajtosh këta mashtrues njëlloj;
Nëse arrin të durosh të vërtetën e thënë prej teje, të
shpërfytyruar prej rrencakësh për të kurthuar të
marrët, e të shkatërruara, të poshtëruara, t’i shohësh
gjërat, që ja kushtove jetën e të kërkosh të rindërtosh
me atë që të ka mbetur;
Nëse arrin pirgun e fitoreve të tua, ta rrëzosh në
një çast të vetëm – kokë a pilë, të humbasësh, e të
rifillosh ku e nise, pa thënë kurrë një fjalë për
gjëmën tënde;
Nëse arrin ta detyrosh zemrën tënde, nervat e tua, të
mbahen edhe pas shumë kohë kur nuk i ndjen më, të
rezistosh kur brenda teje nuk ka mbetur më asgjë, veç
vullnetit tënd që i thotë: “Mbahuni!”
Nëse arrin të jetosh me fundërrinat, pa humbur
ndershmërinë tënde e përballë të tjerëve të mos
humbasësh arsyen e thjeshtë;
Nëse miqtë dhe armiqtë të mos mundin të lëndojnë;
Nëse të gjithë njerëzit për ty vlejnë, por askush me tepri;
Nëse arrin të mbushësh minutën e pamëshirëshme me
një çast prej gjashtëdhjetë sekondash,
e jotje do të jetë bota e gjithshka e saj;
E ajo çka vlen më shumë, do të jeshë Njeri,
bir i im!
.
9.Po qe se… nga Mahmut Bobrati

Po qe se mund të shohësh të shembur tërë mundin e jetës tënde
Dhe, pa thënë asnjë fjalë, ia nis prapë nga e para,
Ose me një kartë të humbasësh fitimin e qindra lojrave,
Pa një gjest, pa një psherëtimë.
Po qe se mund të dashurosh pa u bërë rob i dashurisë,
Po qe se mund të jesh i fortë, duke vazhduar së qeni i ëmbël
Dhe ndonëse duke parë se të urrejnë, të mos urresh ti vetë,
Pa pushuar, ndërkohë, të luftosh e të mbrohesh.
Po qe se mund të durosh që fjalët që thua
Të shtrembërohen nga të ligjtë, për të nxitur mendjelehtët
Dhe të dëgjosh gojët e këqija, të thurin gënjeshtra për ty,
Pa nxjerrë, ti vetë, asnjë gënjeshtër nga goja.
Po qe se mund të mbetesh i denjë pa humbur thjeshtësinë,
Po qe se mund të mbetesh modest, duke këshilluar të fuqishmit
Dhe, po qe se mund t’i duash miqtë si vëllezër,
Pa u bërë asnjëri gjithçka për ty.
Po qe se di të soditësh, të vëzhgosh e t’i njohësh gjërat,
Pa u bërë asnjëherë skeptik dhe pesimist,
Të ëndërrosh, por pa e lënë ëndrrën të bëhet padroni yt,
Të mendosh, por pa kaluar përtej cakut të mendimtarit.
Po qe se mund të jesh i ashpër, pa shkuar kurrë në zemërim të tërbuar,
Po qe se mund të jesh trim, por asnjëherë i pamatur;
Po qe se di të jesh i mirë; po qe se di të jesh i urtë,
Pa u kthyer në moralizues, as një pedant.
Po qe se mund të hasësh triumfin mbas disfatës
Dhe t’i presësh të dy këto gënjeshtra po me të njëjtin qëndrim;
Po qe se mund të mos e humbasësh guximin dhe mendjen,
Kur të gjithë të tjerët do ta humbasin.
Atëherë, të Fuqishmit, Perënditë, Fati dhe Ngadhënjimi
Do të jenë përherë skllevërit e tu të nënshtruar
Dhe ajo që vlen më shumë se të Fuqishmit dhe Lavdia,
Ti do të jesh NJERI, biri im.
.
10.Nëse… Armend Bekaj

Nëse mund të rrish i qetë kur të gjithë rreth teje
Kanë humbur qetësinë dhe ty të fajësojnë,
Nëse mund t’i besosh vetvetes dhe ata t’i falësh,
Për çdo rast e mundësi kur në ty dyshojnë;
Nëse mundesh me prit dhe të mos lodhesh së prituri,
Apo kur të gënjejnë, ti të mos gënjesh,
Apo kur të urrejnë, ti të mos urresh,
Dhe prapë të ecësh pa shumë krenari, me modesti.
Nëse mund të ëndërrosh – pa t’u bërë ëndrrat Zot;
Nëse mund të mendosh – por pa menduar kot;
Nëse mund të trajtosh fitore e fatkeqësi
Jo gjaknxehtë, por me maturi;
Nëse duron se si e vërteta që shqiptove
Shtrembërohet nga mashtrues e matrapazë,
Nëse sheh se si thyhen gjërat që ti ndërtove,
Dhe ndalesh, ulesh, dhe i ndërton prapë.
Nëse ke guxim që të gjitha triumfet
T’i vësh në rrezik në një kthesë të beftë jete,
Dhe të humbësh, por t’ia nisësh nga fillimi
Dhe të mos klithësh «ah, sa i rëndë dështimi»;
Nëse zemër e muskul mund t’i detyrosh
Të të shërbejnë edhe kur dobësohen,
Atëherë kur çdo gjë të thotë dorëzohu,
Përveç vullnetit tënd që bërtet: «Mbahu!»
Nëse në turma zhytesh por virtytin ruan,
Apo me mbretër ecën – por nuk humbë toruan,
Nëse armiq e miq nuk mund të të lëndojnë,
Në ty mbështeten por nuk mund të rrëzojnë,
Nëse arrin që çdo minut ta mbushësh
Me lot e me qeshje, dhimbje e gëzim,
Atëherë e jotja është Bota me çdo gjë në të,
Dhe – për më tepër – do bëhesh burrë, biri im!
.
11.Në se… nga Betim Muço

Në se në vend ke kokën kur të tjerë pranë
S’e kanë dhe të bëjnë ty me faj
Në se e beson veten kur të dyshojnë mbarë
Por dhe dyshimet fare nuk i flak
Në se nga pritja s’lodhesh kur ti pret
Në se për ty gënjejnë, me rrenat s’ bën pazar
Apo në se urrehesh, ti vetë nuk urren
Kokulur, pa mbajtur me të madh
Në ëndërrofsh pa bërë ëndrrën zot për ty
Në mundsh jo si qëllim në vete të mendosh
Në mundsh që gjëmën a triumfin sy më sy
Si dy mashtrues t’i trajtosh njëlloj
Në se duron të ndjesh ato ç’ke thënë
Nga horrat shtrembëruar për budallenjtë kurth
Apo të shohësh coprash gjërat që ke bërë
Dhe t’i ndërtosh sërish i lodhur e me mund
Në se me gjithë fitoret bën mullar
Dhe i rrezikon të gjitha me një dorë
Dhe i humbet dhe nis nga nise prapë
Dhe humbjen fare nuk e zë me gojë
Në se ti zemrën detyron, dhe nerv e fije ç’ke
Të të shërbejnë dhe kur ardhur u ka caku
Dhe ti të mbahesh dhe kur asgjë më s’ke
Përveç vullnetit q’u thotë atyre “Mbahu”
Nëse me turma a mbretër mban virtutin tënd
Pa humbur kurrë toruan nga turmat apo mbretërit
Nëse asnjë armik a mik i dashur dot nuk të bën dëm
Nëse të gjithë vlejnë për ty por asnjë në dëm të tjetrit
Në se e mbush minutën që s’të fal
Me plot gjashtëdhjetë sekonda vrap të vlefshme largësi
E jotja është bota me gjithë brenda ç’mban
Dhe ç’është më shumë: do jesh Njeri o biri im!

12.Në qoftë se… nga Meri Lalaj

Në qoftë se e mbron kokën tënde kur të gjithë rrotull teje
Kanë humbur të tyret dhe të hedhin faj ty,
Në qoftë se i beson vetes kur të gjithë dyshojnë për ty
Por edhe të mos lejosh dyshimin e tyre.
Në qoftë se pret dhe nuk lodhesh nga të priturit
O në të ngatërrofshin me gënjeshtrën mos e përdor si armë
O në të urrefshin mos jep shkas për urrejtje,
Mos u trego shumë i mirë, mos thuaj mençurira.
* * *
Në qoftë se ëndërron, mos bjer rob i ëndrrave të tua
Në qoftë se mendon le të bëhen mendimet qëllimi yt,
Në se takohesh me triumfin dhe zezonën e tmerrshme
Përpiqu t`i përballësh të dyja njësoj.
Në je i zoti të përmbahesh tek dëgjon fjalët e tua të vërteta
Të shtrembëruara nga zuzarët që duan të të futin në kurth,
Apo vëren gjërat që u ke dhënë jetë janë shkatërruar
Përvishu dhe ndërtoi me mjete të rrënuara.
* * *
Në qoftë se ke korrur shumë fitore
Dhe i rrezikon në një grimë të vetme,
Dhe si i humbet ia nis rishtas që nga fillimi
Por pa psherëtirë asnjë fjalë për humbjen tënde.
Në qoftë se mund të forcosh zemrën, nervat, muskujt
Të të shërbejnë sa më gjatë të jetë e mundur
Edhe të mbahesh kur nuk ke ku të mbahesh,
Përveçse vullnetit që të thotë: “Mbahu fort!”
* * *
Nëse u flet turmave dhe prapë je i ndershëm
Apo ecën me mbretër pa humbur thjeshtësinë,
Nëse as armiqtë, as miqtë e dashur nuk të lëndojnë
Në qoftë se të gjithë të çmojnë, por jo tej mase,
Në qoftë se mund të mbushësh minutën kalimtare
Me gjashtëdhjetë sekonda plot me vlerë
E jotja është bota dhe çdo gjë që ndodhet në të,
Dhe ajo që ka më shumë rëndësi, ti do të jesh
Njeri, biri im!
.
13.Nëse … nga Faslli Haliti

Nëse do t’arrish të mos hutohesh, kur të gjithë
rreth teje hutohen, duke ta hedhur fajin ty;
nëse do t’arrish të kesh besim te vetja, kur të gjithë dyshojnë te vetja,
duke llogaritur edhe dyshimin e tyre;
nëse ti do t’arrish të presësh pa u lodhur nga pritja,
nëse ti i përgojuar, s’do të humbasësh kohë me përgojime,
apo nëse i urryer, ti nuk do të merresh me urrejtje,
pa kërkuar të dukesh shumë i mirë, apo tepër i urtë;
nëse ti do t’arrish të ëndërrosh, pa e bërë ëndrrën padronen tënde;
nëse ti do të arrish të mendosh, pa e bërë mendimin qëllim në vetvete.
Nëse ti do t’arrish të përballesh me suksesin dhe dështimin
duke i trajtuar këta dy mashtrues njëlloj,
nëse ti do t’arrish të dëgjosh të vërtetën të deformuar
nga mashtrues që duan të të fusin në kurth si një naiv,
apo të shikosh të shemben gjërat për të cilat ti jep jetën
dhe të kërrusësh shpinën për t’i mbledhur ato me mjete të përshtatshme;
nëse do t’arrish të mbledhësh të gjitha fitimet e tua
dhe t’i rriskosh ato vetëm duke hedhur një zar,
të humbasësh dhe të fillosh përsëri, krejt nga fillimi
pa marr frymë dhe të mos thuash asgjë për humbjet;
nëse ti do t’arrish të shtrëngosh zemrën, nervat dhe muskujt,
megjithëse i rraskapitur për ca kohë, që t’u shërbeje qëllimeve të tua,
dhe të mbahesh fort, kur asgjë s’mbetet më tek ty
përveç vullnetit që të urdhëron: «mbahu fort!»;
nëse do të arrish të flasësh me turmat duke ruajtur virtytet e tua,
ose të shetisësh me Mbretin dhe të mos i humbësh marrëdhëniet e tua të zakonshme;
nëse as armiqtë apo miqtë e shtrenjtë s’do t’arrijnë të të godasin
nëse të gjithë kanë rëndësi për ty, por askush tepër;
nëse ti do t’arrishd të përjetosh minutën e pamëshirshme
dhe t’i japësh vlerë secilit nga të gjashtëdhjetë sekondave
atëherë bota do të jetë jotja, me gjithçka që ajo përmban,
dhe- ajo çka vlen më tepër, ti do të jesh Njeri, biri im!
.
14.Nëqoftëse! – nga Mal Berisha

Mos e humb toruan kur tjerëve për-rreth teje iu është tretur!
Dhe veçse të fajsojnë ty asgje nuk iu ka mbetur…
Nëse i beson vetes kur të gjithë njerëzit tek ty dyshojnë,
Leri të qetë, hapur dyshimin ndaj teje ta tregojnë!
Nëse pret dot dhe nga pritja e gjatë nuk lodhesh,
Ose i rrethuar prej gënjeshtrash atypari ndodhesh,
I urryer po qe, urrejtjen – me urrejte mos e zevendëso!
Dhe përsëri as si më i miri, as më i zoti mos u trego!
Nëse endërro – bëje, por ëndrra mos të të sundojë!
Nëse mendo – mendo por mendimi thjesht mos të mundojë!
Nëse njësoj i duron edhe triumfin edhe dështimin,
Dhe këta, si dy mashtrues ta venë në prove durimin,
Në se arrin të dëgjosh të vërtetën që vetë e ke thënë,
Të shpërdredhur prej kopukëve, në kurthën e tyre për të shtënë,
Ose të shohesh gjërat që iu kushtove jetën, në rrënim,
Ndalo dhe hoop! Rindërto bash prej mbetjeve në shkatërrim!
Nëse do mund t’i mblidhje tërë fitimet e jetës tënde, në një!
Dhe të rrezikoje t’i humbësh në një bast: Kokë a Pilë,
Të filloje nga e para, dhe tash pa asgjë, pa shtëpi a vilë,
Të mos e kthesh kokën mbrapa për atë që nuk vjen më.
Nëse do bëje të të bindeshin trupi, zemra e nervi zemërak,
Edhe për shumë kohë për ato që nuk kthehen më kurrë,
Dhe kështu të mbahesh kur s’ka mbetë më për ty, aspak,
Përveç ofshamës që të ysht pa ndarë: Mbahu bre burrë!
Nëse flet dot me turmat pa e humbur virtytin,
Ecën përkrah mbretërish, i thjeshtë e njerëzor,
Nëse nuk e sheh të keqen as tek armiqtë as miqtë që të cytin,
Nëse njerëzia besojnë tek ti, por nuk të shohin si hyjnor,
E nëse mund të mbushësh minutën e mosfaljes, aq e vështirë,
Me gjashtëdhjetë sekonda të gjata që të qetësojnë, si shërim:
E jotja është Toka dhe gjithçka që gjëndet në të, e qetë dhe e dlirë,
Dhe çfarë është më e vlefshmja: Ti do jesh Burrë – biri im.

.
15.Nëse… nga Alfred Kola

Nëse ruan qetësinë kur të gjithë sa të rrethojnë
E humbasin qetësinë dhe fajtor të bëjnë ty,
Nëse vetes i beson kur të gjithë të dyshojnë,
Por dyshimeve të tyre u le vend diku aty;
Nëse mundesh që të presësh dhe nuk lodhesh teksa pret,
Kur të ngopin me gënjeshtra, ti gënjeshtrat nuk i nget,
Ose ndeshesh me urrejtjen, por urrejtjes udhë s’i jep,
E nuk hiqesh shumë i mirë, si i mençur ti nuk flet:
Nëse mund të ëndërrosh – ëndrrën zot s’bën kurrsesi;
Nëse mundet të mendosh – dhe mendimet mos synosh;
Nëse mundet të përballesh me Triumf e Fatkeqësi
Dhe të dyja ato shtinjake bash njësoj do t’i trajtosh;
Nëse duron dot të dëgjosh ndershmërinë që ke kumtuar
Shtrembëruar nga ca horra që budallin kanë mashtruar,
Gjërave që jetë u fale i sheh që janë copëtuar,
Dhe të kërrusesh t’i ndërtosh me do mjete të holluar:
Nëse mund të bësh një tog me fitimet gjë ke marrë
Në një çast t’i rrezikosh kokë-a-pil dal-si-të-dalë,
Të humbasësh dhe sërish ti ia nis si herën e parë
Dhe për humbjen kurrësesi nuk frymon as dhe një fjalë ;
Nëse nervat, dejet, zemrën mundet ti t’i detyrosh
T’i shërbejnë kthimit tënd dhe kur s’kanë më fuqi,
Dhe kështu të mbaheh fort kur përbrenda mbetesh bosh
Veç Vullnetit që t’u thotë: ju aty, “Hej mbahuni!’
Nëse mund t’i flasësh turmës, i virtytshëm të tregohesh,
A të ecësh përkrah Mbretërish – mos humbasësh asnjeri,
Nga armiq a miq të dashur të mos mundet të lëndohesh,
Nëse njerëzit të besojnë, porse kurrë me tepri;
Nëse mund të plotësosh at’ minutën e pafalshme
Vlerën gjashtëdhjetë sekonda për distancat në vrapim,
Jotja është e gjithë Toka dhe çdo gjë që është e vlefshme,
Atëhere mbi të gjitha- do jesh Burrë, biri im!
*****
Korçë, 8 shkurt 2019

Pergatiti Jozef Radi

mapo.al
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top