Përtëritja e shëndetit mental

Kresha

A pretty face can never trick me
Të menduarit është një proces mental i vazhdueshëm, të cilin është e pamundur ta përcjellësh në mënyrë kronologjike. Ai ndodh në shpejtësi të konstitucionit, të përmbajtjeve komplekse që artikulohen në bazë të koncepteve verbale, të cilat i objektivizojmë dhe i konkretizojmë. Pra, nganjëherë mendojmë mbi atë që jemi duke menduar ose mundohemi të bëjmë përtëritjen e të menduarit. Pyesim veten se çfarë është kjo energji çudibërëse, e cila zhvillohet, transformohet dhe rigjenerohet.

Unë mendoj mbi atë që mendoj, ose më konkretisht mendimi për mendimin. Pra, të menduarit në mënyrë unike zhvillohet në mënyrë subjektive dhe i kthehet subjektivisht vetë natyrës së vet. "Secili njeri mendon, por mënyra dhe përmbajtja e të menduarit te njerëzit është e ndryshme", thekson Emersoni.

Duke e konceptuar të menduarit si vlerë universale që i është dhënë njeriut si kualitet dhe privilegj, shpeshherë mendojmë në mënyrë racionale (të arsyeshme) se a mundet njeriu të përkufizohet në bazë të përmbajtjes, të konstitucionit të idesë mbi dukuritë që ndodhin në natyrë e në shoqëri, madje edhe të idesë mbi vetë veten.

Sado të mundohemi të jemi objektivë, nuk mund të zhvishemi nga subjektiviteti edhe pse na pëlqen objektiviteti si synim, pasi prapëseprapë i kthehemi natyrës sonë të lindur. Pra, nuk mund të dalim jashtë pragut të predispozicioneve të lindura, prag i cili njeriut i është dhënë në dimensione të determinuara (caktuara) nga Zoti Fuqiplotë. Prandaj edhe vetë të menduarit dhe shkalla e koeficientit të inteligjencës si aftësi e përgjithshme është e determinuar. Përtëritja e shëndetit mental paraqet përtëritjen e shëndetit emocional për arsye se zemra dhe truri janë në funksion të impulseve interaktive dhe ky interaksion paraqet esencën e kualiteteve ekzistenciale.

Të provojmë ta konkretizojmë përtëritjen e shëndetit mental, të provojmë të mendojmë mirë, të formulojmë ide pozitive mbi vetveten, mbi botën, mbi proceset, mbi njerëzit dhe gjithësinë duke mënjanuar çdo formë të ndryshme të paragjykimeve, kritikave dhe formave negative që rrezikojnë konstruktivitetin dhe nëse në këtë sistem të të menduarit është krijuar sistemi i vlerave, qofshin ato individuale, sociale dhe universale, atëherë kemi fituar përtëritjen e shëndetit mental. Ky shëndet mental është i impulsuar nga zemra e shëndoshë, përkatësisht nga jeta e ndjenjave.

Për ta rigjeneruar shëndetin mental duhet të ruhemi nga sëmundje si: të menduarit jo drejt, destruktiviteti, subjektivizmi, paragjykimet, tendencat negative, instinktet irracionale, komplekset e mohimit të të tjerëve, urrejtjet, sjelljet afeksionuese, obsesionet, xhelozia si sëmundje psiko-emocionale etj.. Këto dhe shumë gjendje të tjera negative, nëse zënë vend te ne, rrezikojnë shkatërrimin e higjienës psiko-emocionale dhe mundësia për t'u shkatërruar sistemi i higjienës mentale është e mundshme. Nëse mbrohemi me sukses nga këto forma dhe mendime, atëherë kemi fituar luftën me vetveten sepse arsyeja dominon mbi irracionalen, dashuria mbi urrejtjen, e njerëzishmja mbi të panjerëzishmen, humania mbi jo humanen etj.. Pra, shëndeti mbi të metën.

Mbi të gjitha mirëbesimi si vlerë universale njeriun e përkufizon me kualitetet e ekzistencës, të cilat përcaktojnë edhe përmasën e kualiteteve të pasjetës. Jemi të vetëdijshëm se jeta mirëfilli është plot ngjarje, ndodhitë zhvillohen përreth nesh dhe te ne në kompozicione të ndryshme; stres, kriza, vuajtje, mendime, emocione-përjetime, befasi, të pritura e të papritura. Nëse i pranojmë të gjitha këto si të natyrshme dhe mundohemi t'u japim kuptim, vërtet jeta fiton kuptim dhe kënaqësi për arsye se rigjenerohet energjia pozitive, e cila flak çdo të metë që paraqitet para saj.

Nëse kjo arrihet me mund e sakrificë, është arritur suksesi dhe vlera, përkatësisht sendërtimi i sistemit të vlerave, i cili është synimi normal i çdo njeriu dhe synimi që nga vetëdija individuale të krijohet sistemi i vlerave për ngritjen e vetëdijes kolektive. Individi është produkt i shoqërisë dhe shoqëria është interaksion i lidhjeve heterogjene të individëve dhe nga ky heterogjenitet individual krijohet homogjeniteti social (shoqëror).

Pra, niveli i suksesit, i motiveve, i sjelljeve, i reagimeve në situata të caktuara, modestia, karakteri, ndihma dhe përkrahja që u ofrojmë të tjerëve dhe anasjelltas, shoqërizimi, qëndrimi ynë në raport me familjen, me rrethin shoqëror, me profesionin dhe shkalla e kolegjialitetit si dhe niveli i raporteve me vlera universale varet nga niveli i strukturës së formimit të koncepteve kognitive (njohëse), përkatësisht nga mënyra se si i projektojmë idetë dhe si i reflektojmë këto ide e mendime dhe se si i objektivizojmë në jetë.

Ruajtja dhe rigjenerimi i njëmendësisë mentale kërkon në mënyrë permanente kujdes për zhvillimin e të menduarit si proces i përgjithshëm, por edhe për të menduarit seleksionues, që do të thotë të bëhet ndarja midis arsyes dhe paarsyes, të drejtës dhe të padrejtës, pozitives dhe negatives aq sa mundemi dhe të provojmë të ndajmë vlerën nga antivlera në funksion të krijimit të sistemit të vlerave. Nëse kjo arrihet me sukses, rrjedhoja është ekuivalente me pozitivitetin, racionalen, suksesin dhe shëndetin.

Marre nga revista Argumenti

Prof.Soc.Murat Gashi
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 46.7%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 26.7%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 26.7%
Back
Top