Padroni i ri i minierave të Bulqizës

BoOoMBaStiCk

Il Silenzio
V.I.P
Shiko fotografinë 1730582

Biznesmeni i favorizuar i Berishës ka blerë kompaninë “Albanian Chrome” (ACR) duke marrë në këtë mënyrë kontrollin mbi pasuritë e mëdha nëntokësore të kromit në Bulqizë. Nuk dihet vlera e transaksionit, madje as identiteti i pronarëve të kompanisë austriake që ka bërë shitjen e aksioneve më datën 17 Janar të këtij viti. Me këtë lëvizje të re Samir Mane bëhet
realisht ‘moguli’ më i madh në Shqipëri dhe njeriu më i pasur i vendit


Aida Nako

Padroni i ri i rezervave të nëntokës në Bulqizë quhet Samir Mane, një biznesmen shumë i afërt dhe shumë i favorizuar i qeverisë Berisha. Në cilësinë e drejtuesit të “Balfin Group”ai ka blerë aksionet në Shqipëri të kompanisë “Albanian Chrome”(ACR) ndërsa transaksioni në fjalë është konfirmuar dje nga një njoftim zyrtar nga Autoriteti i Konkurencës. Sipas këtij njoftimi më datën 17 Janar 2013, në bazë të “Marrëveshjes për blerjen dhe shitjen e Abanian Chrome Sh.p.k”, të nënshkruar ndërmjet palëve “Balfin Sh.p.k” në cilësinë e blerësit dhe “DCM DECOmetal GmbH” -“DCM Beteilinungs GmbH” në cilësinë e shitësve me objekt përftimin e kontrollit të shoqërisë Albanian Chrome Sh.p.k nga shoqëria Balfin Sh.p.k nëpërmjet transferimit të 100% të kuotave. “Albanian Chrome” është kompania më e madhe në Shqipëri e shfrytëzimit të kësaj pasurie natyrore dhe realizoi një xhiro prej 32 milionë eurosh në 2011, sipas të dhënave nga tatimet, me një rënie të lehtë me bazë vjetore, pasi shënoi nëj vit të vështirë me aksidente dhe grevat e punonjësve, që çuan në mbylljen e minierës për disa muaj. ACR nxjerr krom në Bulqizë, zona më e pasur me krom në Shqipëri dhe e përdor atë për të prodhuar ferrokrom në fabrikën e shkrirjes në Elbasan. Kompania së fundmi kishte dhën njoftime kontradiktore, fillimisht për një investim prej 15 milionë dollarë në hapjen e një pusi të ri dhe më pas drejtuesit e kompanisë kishin bërë të ditur se synonin që të shisnin aksionet e kompanisë.

Dritëhijet

Me këtë lëvizje të re Samir Mane bëhet realisht “moguli” më i madh në Shqipëri dhe njeriu më i pasur i vendit. Flitej prej disa javësh se Mane kishte nisur tratativat për këtë blerje ndërsa disa nga kompanitë e tij kanë kryer marrëdhënie biznesi me kompaninë “Albanian Chrome” si palë e tretë në vitet e fundit. Megjithatë mbetet ende e paqartë vlera e shitjes së kompanisë “Albanian Chrome”(ACR) e për më tepër që prej vitit 2007 kur kjo kompani nisi të operonte në Shqipëri është tejet e paqartë se cilët janë pronarët e saj të vërtetë. Historia nis në vitin 2001 kur shteti shqiptar i dha një kompanie italiane të quajtur “Darfo” të drejtën për të shfrytëzuar me koncesion për 30 vite rezervat e minierës së Bulqizës, më e pasura minierë e vendit. Si kushte nga qeveria u vunë disa detyrime për këtë kompani për të realizuar investime dhjetra miliona euro në galeritë e kësaj miniere dhe në infrastrukturën plotësuese të saj. Por sikundër rezultoi kompania “Darfo” nuk plotësoi kushtet dhe në vitin 2005 në pushtet erdhën demokratët. Në këtë vit nisën dhe kërkesat dhe gjobat ndaj kompanisë “Darfo”, e cila mesa duket i kishte humbur krahët e ngrohta politike me ikjen e të majtëve. Në vitin 2007 kompania “Darfo” vendos të shesë aksionet e saj një konsorciumi ruso-austriak të përbërë nga kompanitë “DCM DECOmetal GmbH” e Austrisë dhe kompania ruse “Teruingo Ltd”. Nga njoftimi i bërë publik nga autoriteti i konkurencës dje lihej të kuptohej se kompania ruse është tërhequr(ose ka ndryshuar emrin) nga ky konsorcium i krijuar në vitin 2007, pasi në kontratën e re të blerjes nga Samir Mane, shitëse figuronte vetëm kompania “DCM DECOmetal GmbH”.

Borxhet

Kompanitë dhe konsorciumet që kanë administruar në formë koncesionare pasuritë nëntokësore të Bulqizës kanë patur gjithnjë dy probleme konstante. I pari ka qenë detyrimi i këtyre kompanive për të realizuar planet e investimit të këtij koncesioni, plane të cilat kërkojnë disbursimin e disa dhjetra miliona eurove si kusht i kontratës për investime. Asnjë nga dy koncesionarët e deritanishëm nuk i ka realizuar këto investime, madje në prokurorinë e Tiranës vitin e kaluar ka patur dhe një hetim të ish-ministrit të ekonomisë Genc Ruli për tolerimin që u kishte bërë kompanive në shlyerjen e këtyre detyrimeve. Problemi i dytë ka qenë gjithnjë menaxhimi i “xhunglës” së disa galerive sidomos në galeritë e zonës “D” të minierës. Këto galeri menaxhohen kryesisht nga individë të lidhur me pushtetin, të nënkontraktuar nga ACR-ja dhe shpesh herë pronarët e këtyre galerive janë bërë aktorë të përplasjeve të dhunshme në garën e paepur për pasurim. Tashmë këtë minierë milionash do e drejtojë Samir Mane, ndërsa ende nuk e dimë se nga kush e bleu Mane dhe kush janë shitësit e kompanisë austriake “DCM DECOmetal GmbH”, por i sigurt është fakti se Mane nga ana e tij e ka nisur ndërtimin e mbretërisë financiare pikërisht në Austri.

Mane riblen dhe “Euromax”-in, e shiti 5 vite më parë

Samir Mane, zhvilluesi i zinxhirit të parë të madh të supermarketeve në vend, Euromax, e ka blerë sërish këtë rrjet supermarketesh në janar, pasi ia shiti atë disa vjet më parë grupit serb “Delta” të Miroslav Mishkoviçit, ndërsa ky i fundit në 2011 ia shiti belgëve të “Delhaise”. Lajmi konfirmohet nga Autoriteti i Konkurrencës, sipas të cilit, Në datën 7 Janar 2013, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë njoftimin e transaksionit të realizuar në bazë të “Memorandumit të mirëkuptimit”, të nënshkruar ndërmjet palëve (“Balfin Sh.p.k” në cilësinë e blerësit dhe “Delihaze Group S.A” në cilësinë e shitësit) më datë 20 Dhjetor 2012, me objekt përftimin e kontrollit të shoqërisë Delhaize Albania Sh.p.k nga shoqëria Balfin Sh.p.k nëpërmjet transferimit të 100% të kuotave. Hipermarketi i parë i “Euromax” u hap në 2005 në QTU, si një markë lokale e grupit Balfin, duke përbërë një risi për tregun shqiptar. Në vitin 2008, pas më shumë se dy vitesh aktiviteti pozitiv, grupi serb i pakicës, Delta Maxi Group , bleu 100% të aksioneve për 29 milion euro. Për shkak të problemeve organizative dhe marrëdhënieve me furnitorët, “Euromax” përjetoi një ngadalësim të aktivitetit, pas 2008. Në mars 2011, tregtuesi belg i pakicës “Delhaize” bleu “Delta Maxi Group”, duke hyrë në këtë mënyrë dhe në tregun shqiptar. “Euromax” është aktualisht zinxhiri më i madh i supermarketeve e hipermarketeve në vend. Ai regjistroi një xhiro vjetore prej 21.7 millionë euro në 2011, me një rënie prej 4% me bazë vjetore.

Ruli u hetua për favorizimin e austriakes “ACR”

Ish-Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, Genc Ruli, pak para se të lërë këtë detyrë ka toleruar koncesionarin austriak, “ACR”, pa vënë në dijeni institucionet kompetente. Kontrata që quhet të kalonte më parë te Kuvendi i Shqipërisë është ndryshuar nga ministri i atëhershëm, Ruli, duke rishikuar afatet e investimeve, pa dijeninë e ligjvënësve, ndërsa veprimi i dytë lidhet me tolerimin që iu bë kompanisë lidhur me pagesën e penalizimeve, kompetencë kjo e ministrit të Financave, Bode. Për këtë veprim të ministrit prokuroria nisi dhe një hetim vitin e kaluar dhe sikundër e kërkon “zakoni” i prokurorisë në të atilla raste në Shqipëri,hetimet u pushuan. Koncesioni i parë që u dha ishte në vitin 2001. Fillimisht ishte kompania italiane “DARFO”. Por, pas disa vitesh, ku vetëm shfrytëzoi rezervat pa bërë asnjë investim, “DARFO” e shiti koncesionin te një tjetër kompani e huaj, austriakes “ACR”. Dhe historia duket se përsëritet. Koncesioni i votuar në Kuvend, detyronte qartë “ACR”-në që deri në fund të vitit 2010 duhet të kishte investuar të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë. Genc Ruli, pak ditë para se të lërë detyrën e tij në vitin 2009, ndryshon programin e investimeve të minierës së kromit, pa e kaluar marrëveshjen në Kuvend. Në datën 7 korrik të vitit 2009, kompania “ACR” i drejtohet zyrtarisht ministrisë, duke kërkuar shtyrjen e afatit të investimeve. Vetëm dy ditë më vonë ish-ministri Ruli firmos marrëveshjen duke shtyrë mbi 13 milionë euro investime për vitet 2009-2013, edhe pse sipas marrëveshjes investimet duhet të ishin kryer sakaq. Asokohe, në minierë dhjetëra punëtorë humbnin jetën. Por ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli e kishte rritur edhe më shumë dozën e lehtësive për kompaninë “ACR”. Ministria e Ekonomisë jo vetëm që toleron kompaninë t’i shlyejë me këste penalitetet prej 1.6 milionë eurosh për mosrealizimin e investimeve, por e lidh shlyerjen e tyre me rimbursimin e TVSH-së (Tatimin mbi Vlerën e Shtuar) nga tatimet, duke marrë përsipër kompetenca të ministrit të Financave dhe Kuvendit.

************

Të gjithë në dispozicion…

Si nisi ngritja e Samir Manes me partnerët rusë nga Vjena në fillim të viteve 90’, më pas aleanca me qeveritarët e Fatos Nanos dhe dominimi i tregut të elektro-shtëpiakeve, deri te ekspansioni i pandalur nën mbështetjen e qeverisë Berisha.


Dy javë më parë u mbodh në Tiranë KRRTRSH-ja nën drejtimin e kryeministrit, e një ndër vendimet kryesore që u morën në këtë mbledhje ishte ai i aprovimit të projektit për një fshat turistik në bregdetin e Durrësit, në zonën e Hamallajt. E dini se kush është investitori i këtij projekti? Përgjigja është “Balfin Group”, në pronësi të Samir Manes. Por ky është ndoshta hapi i fundit i ndjekur nga qeveria në mbështetje të këtij biznesmeni, pasi me dhjetra vendime të tjera janë ndërrmarë në vitet e fundit në favor të kompanive të zotit Mane, aq sa vitin e kaluar si kurrë ndonjëherë më parë, qeveria doli me disa vendime seriale shpronësimesh të tokave të komunës Mullet, në favor të kompanisë së zotit Mane. Duket se vetëm kompanitë në pronësi të zotit Mane nuk po e ndjejnë krizën në Shqipëri. Xhiroja vjetore e deklaruar nga “Balfin Group” në Shqipëri në vitin 2011 arriti në vlerën 76 milionë euro dhe 160 milionë euro në nivel rajonal dhe një xhiro totale prej 236 milionë eurosh. Aktiviteti i shoqërisë mbulon disa sektorë, duke e klasifikuar “Balfin Group” si investitorin me portofolin më të diversifikuar në Shqipëri. Portofoli i investimeve shtrihet në sektorët e ndërtimit, tregtisë me pakicë dhe shumicë në fushën e elektronikës dhe modës, menaxhimin e qendrave tregtare, shërbime, mikrokredi, telekomunikacion, real-estate, ndërtime fshatrash turistikë dhe së fundmi edhe minierat milionere të Bulqizës. Po kush është Samir Mane, si e nisi ai biznesin dhe si arriti të jetë në vitin 2013 njeriu më i pasur i një ndër vendeve më të varfra të Evropës?

Biznesmeni në fjalë ka nisur studimet për inxhinier minierash dy vjet para rrëzimit të komunizmit dhe i ka braktisur ato pas rënies së komunizmit. ثshtë nga të paktët që ka dalë jashtë kufijve të Shqipërisë andej nga ishte më vështirë për të hyrë se sa për të dalë, përmes Jugosllavisë që po shembej. Prej Beogradit ka ikur në Austri dhe ka filluar jetën e emigrantit. Më pas ka përdorur punësimin e tij me kompani lindore, kryesisht ruse, për të nisur një tregti të vogël të pajisjeve elektroshtëpiake. Tentoi të shtrihej dhe në Shqipëri, por pa shumë sukses në një treg që diktohej nga ekskluziviteti i një biznesmeni të fuqishëm siç ishte Agron Duka. As Ridvan Bode, atëherë ministër në ikje, nuk e ndihmonte dot. Ardhja e socialistëve në vitin 1997 e riorientoi të gjente atje aleatë të rinj. Në vitet e para e pati të vështirë. Manovrimet e tij me doganat, udhëtimet bosh ose vetëm me letra të kamionëve të tij nga Vjena në Lubjanë dhe nga Dubai në Tiranë, u bënë të famshëm për doganierët shqiptarë. Në tregun e madh të elektroshtëpiakeve po bënte vend dhe një degë e tij. Qëndrimi në Vjenë e bënte të favorshëm njohjen me shumë zyrtarë shqiptarë që kishin Vjenën qytet transit për udhëtime, dhe Fatos Nanon që e kishte qendër zbavitje për fundjava në kazinonë e saj. Lidhjet u forcuan.

Oktapodi

Që prej viteve 2000 Mane nisi ekspansionin e tij në biznes falë edhe mbështetjes së pakushtëzuar të qeverisë së Fatos Nanos sidomos me tolerimet në dogana dhe tatime. Më vonë rreth vitit 2008 Mane madje ka ndërtuar një kompani të përbashkët me një prej njerëzve më të besuar të Nanos. Bëhet fjalë për kompaninë “FINAL”, e cila është e regjistruar si fond Mikrokredie. Paketën e shumicës së aksioneve e zotërojnë një fond amerikan i quajtur “River Sticks Capital” me 29.4 përqind dhe grupi “BALFIN” me 22.9 përqind të aksioneve. Grupi Balfin është tërësisht në pronësi të Manes. Por në listën e aksionerëve konfigurohet dhe zoti Emin Barçi, ai zotëron rreth 16.2 përqind të këtij fondi në partneritet me Samir Manen dhe ortakët e tjerë. Zoti Barçi është gjithashtu aktiv dhe pjesë e Këshillit Mbikqyrës së kompanisë “Xhoi Travel” në pronësi të Xhoana Nanos. Nga ana tjetër në këto vite të vështira opozitarizmi, shumë deputetë dhe eksponentë të opozitës kanë patur rastin të kenë marrë “dhuratë” nga kompanitë e Manes shumë bileta avioni jashtë vendit, apo edhe rezervime në hotele të shtrenjta gjatë vizitave të tyre. Por ndikimi dhe lidhjet e Manes brenda opozitës së sotme mund të jenë dhe më konkrete dhe më të fuqishme se sa më lart.


Bizneset

Thuajse nuk ka asnjë aktivitet të rëndësishëm në të cilin Samir Mane nuk është prezent. Ai rezulton aktiv në tregun e pronave të paluajtshme, duke zotëruar sipërfaqe gjigande në bregdet dhe jo vetëm, ai është aktiv në telekomunikacion, në tregun e elektronikeve, në ndërtimet rezidenciale, në qendrat tregtare, në marrjen e licensave dhe koncesioneve për fshatra turistikë dhe shërbime. Ai është aksionar me 20 përqind në “Media 6” e njohur ndryshe si “Tv KLAN”. Përgjatë 8 viteve të fundit ai ka patur ekskluzivitetin nga qeveria shqiptare në përfitimin e disa të drejtave, licensave, koncesioneve, kthim dhe kompesim të pronave duke ndërtuar kështu një perandori të quajtur “Balfin Group” dhe duke kaluar kompanitë e tjera bijëza në emër të njerëzve të tij më të besuar kryesisht menaxherë, djem të rinj, me të cilët punon prej vitesh. Së fundmi, në një periudhë ku në Shqipëri tregu është karakterizuar nga mungesa e kapitalit dhe borxhet e stërmëdha të bizneseve dhe qeverisë dy prej menaxherëve të tij kanë krijuar kompaninë ‘CE2 Service’, e cila me aprovimin e qeverisë shqiptare ka fituar të drejtën të mbajë përqindje të majme nga kompanitë private për mbledhjen e borxheve që qeveria u ka këtyre kompanive por dhe anasjelltas. Samir Mane disponon 17.55 përqind të aksioneve të operatorit “Plus Communication” nëpërmjet grupit të tij “Balfin”. Në vitin 2009 qeveria dhe licensën për kompaninë e katërt celulare dhe fillimisht u përdor si koperturë në garë kompania PTK e Kosovës, ndërsa fill pas fitimit të tenderit kjo kompani shiti aksionet e veta te Mane dhe një grup biznesmenësh. Gjithsej shteti shqiptar arkëtoi për këtë licensë 7.2 milionë euro ndërsa sot pas tre vitesh rezulton se vetëm 17.55 aksione të kësaj kompanie kanë një vlerë më shumë se 7 milionë euro. Në konfigurimin e sotëm të aksionarëve të “Plus Communication” kompania kosovare PTK e cila shërbeu si koperturë gjatë tenderit, rezulton se ka firuar në 0.58 përqind të aksioneve dhe kjo kompani fitimprurëse kontrollohet tashmë prej Manes dhe disa aksionarëve të tjerë./Dita
 
Titulli: Padroni i ri i minierave të Bulqizës

To view this content we will need your consent to set third party cookies.
For more detailed information, see our cookies page.


Ish-zëvendësministri i Energjetikës Pajtim Bello thotë se shitja për herë të dytë e koncesionit të kromit vulos përfundimisht fundin e minierës së Bulqizës.

"Eshtë marrë vendim për ta ndëshkuar përfundimisht minierën e Bulqizës, për ta përcaktuar përfundimisht fatin e saj. Dëmi është i qartë, miniera e Bulqizës nuk është e hapur dhe jetëgjatësia e saj tashmë numërohet në muaj, jo në vite. Edhe minerali që ka mbetur do të merret dhe askush nuk do ta hapë më atë minierë", thotë Bello.

Tre ditë më parë Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se kompania 'ACR' ja ka shitur 100 për qind të aksioneve grupit 'Balfin', që zotërohet nga biznesmeni shqiptar Samir Mane.

"Kompania shfrytëzoi mineralin e kromit, transferoi fitimet, tashmë merr edhe një dorë eurosh nga shitja e aksioneve dhe largohet pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. Ndërkohë ne na lë një të keqe të madhe, ashtu siç u paralajmërua para dy vjetësh", shton Bello.

Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga vetë Ministria e Ekonomisë, ACR nuk ka realizuar 13 milionë euro nga plani i detyrueshëm i investimeve, që kryesisht kanë të bëjnë me hapjen e thellësisë së minierës për rritjen e jetëgjatësisë së saj. Bello thotë se shitja në këto kushte duhet të ishte ndalur.

"Absolutisht koncensionari nuk mund të ikë duke shitur. Ai mund të përzihet, pra mund ta largojë Qeveria, por mbasi të paguajë penalitetet. Nuk mund të pritej që këto kompani të largohen pasi konsumojnë gjithë kohën për të kryer investimet, nuk i kryejnë dhe pastaj ikin. Kompanitë shfrytëzojnë burimet e mineraleve dhe ikin pa i hyrë një gjemb në këmbë", shton Bello.

Abuzimi 12-vjeçar me kromin

Ikja e kompanisë ruso-austriake shënon fundin e një historie abuzimi dhe shpërdorimesh me një nga pasuritë më të madhe publike, minierën e kromit në Bulqizë. Koncesioni i minierës është miratuar që në vitin 2001 nga ish-Qeveria socialiste.

Bashkangjitur marrëveshja përmbante edhe një plan të detyruar investimesh për rritjen e sigurisë në punë, përmirësimin e teknologjisë në minierë dhe zgjatjen e jetës së saj. Por plani i investimeve nuk u zbatua si nga darfo fillimisht ashtu dhe nga acr më vonë.

Në qershor të vitit 2009, kur afati ligjor kishte skaduar të dy kompanitë kishin kryer vetëm gjysmën e investimeve të detyruara. E gjendur përballe kësaj shkelje, që ligjërisht e rrëzonte koncesionin e minierës, ACR kërkoi shtyrjen e afatit të investimeve dhe shtyrjen për pagesën e gjobës që ajo duhet të paguante për mosrealizimin e tyre.

Vetëm 2 ditë pas kësaj kërkesë, në 9 korrik të vitit 2009, ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli përmes një procedure të dyshimtë miratoi kërkesën më një vendim të vetin, duke anashkaluar kuvendin, i cili ishte organi që kishte miratuar marrëveshjen koncesionare. Pa kërkuar miratimin në Kuvend, Zoti Ruli i dha të drejtë kompanisë që 11.4 milionë dollarët që duhet t'i kishte investuar t'i riskedulonte deri në fundin e vitit 2012.
Paralelisht ish-kreu i Energjetikës shtyu edhe pagesën e gjobës prej 1.6 milionë dollarësh, që kompania duhet të derdhte menjëherë në shtet për moskryerjen e investimeve. Por edhe pas kësaj shtyrje sërish kushtet nuk u zbatuan. Në fund të vitit 2012 acr kishte realizuar vetëm 30 për qind të investimeve, të cilat duhet të kishin përfunduar ligjërisht që në vitin 2009.

Ndërsa gjoba 1.6 milionë dollarë, që kompania duhet ta derdhte brenda gushtit të vitit 2010 në buxhet nuk u shlye asnjëherë. Tashmë kompania po largohet, pasi ka shfrytëzuar më shumë se 6 vjet rezervat e gatshme të kromit, duke marrë fitimet pa kryer asnjë investim dhe duke lënë pas një faturë të madhe për publikun: Rrezikun e mbylljes përfundimtare të minierës sepse shfrytëzimi i rezervave të të gatshme të kromit ka cënuar rëndë rentabilitetin e saj. Kjo i jep fund një koncesioni që në fund pati vetëm një rezultat, privatizimin e fitimeve të pasurisë publike dhe kalimin e humbjeve te qytetarët./TCH
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top