Pa dinjitet, por me kokë përpjetë

sabah

Anëtar i Respektuar
Nga Ilir DHIMA

Që aty nga fillimet e mandatit të parë të kësaj maxhorance qeverisëse, gabimet dhe dështimet në Shqipëri nisën të ndjeheshin shqetësueshëm. Megjithatë, ai që drejtonte këtë serial shpresëpak për suksese në një të ardhme të shpejtë, gjithnjë e më shumë nginte kokën lart dhe me buzëqeshje ( për t'ua ngrirë të tjerëve atë) kërkonte që t'u mbushte mendjen të tërëve, se nën qeverisjen e tij shqiptarët më së fundmi paskëshin zbuluar e gjetur 'El Doradon'.
Me këtë pamje dhe me të njëjtat llomotitje rreth gjendjes optimiste në vendin tonë, e shoqëroi atë kohë kryeministri ynë edhe takimin me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, si i pari ministër i një të pari vend anëtar i Bashkimit Europian që shkelte Tiranën nën qeverisjen e Sali Berishës. Aq shumë u habit ministri nga referencat e çuditshme të mikpritësit, saqë kur jashtë çdo protokolli shtetëror Berisha e përcolli deri poshtë shkallëve të Kryeministrisë, buzë bulevardit, atij iu kujtua (siç u pëshpërit atëherë me plot humor e ironi nëpër mjediset diplomatike), ajo maksima e hershme e popullit magjar: "Të dhje.. por krenarë".
Kjo thënie nuk e humbi te ne vlerën e saj groteske, por reale, edhe në vitet e mëvonshme, kur vendi duhej të përgatitej për zbatimin dhe konkretizimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit me Bashkimin Europian. Përsëri, kryeministri ynë deklaronte publikisht në Tiranë se, reformat e kryera nga Qeveria e tij i paskej certifikuar tërë planeti, pa shpjeguar për çfarë planeti e kishte fjalën dhe se sa shumë i madh apo se sa pak i vogël qenkej ky.
Mirëpo, koha tregoi që Europa ruante rezerva të mëdha për Shqipërinë, e cila nuk klasifikohej për përparime të dukshme në kryerjen e reformave, të cilat në ato vite identifikoheshin kryesisht në pesë drejtime të rëndësishme. Pasojat e këtyre rezervave bënë që vendi ynë të grupohej me Bosnjë - Hercegovinën, në një kohë që shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor po u jepej statusi i kandidatit zyrtar për në Bashkimin Europian, dhe jo shumë më vonë, liberalizimi i vizave për në 'Zonën Shengen'.

Pa u zgjatur me premtimet e vazhdueshme që u ka bërë dhe vazhdon t'u bëjë shqiptarëve qeveria aktuale e tyre, se vizat do t'u hiqeshin në janar të 2009-s, më tutje - në qershor të këtij viti, akoma më pas që të ruanin durimin për të bredhur nëpër Europë nga dhjetori e tutje etj, etj, le të shohim tani ku kemi vajtur. Asnjë hap përpara, megjithëse pasaporta biometrike mbajnë xhepat e shumë shtetasve tanë. Por, mbase ato do të na hynin në punë së shpejti pas ndonjë vendimi të Brukselit - thonë disa, pasi vështrojnë që sa lart vazhdojnë ta mbajnë kokën pushtetarët tanë, edhe kur ende i mbajnë sytë nga Brukseli; edhe tek Asambleja e Këshillit të Europës miraton një Rezolutë për Shqipërinë, brenda tekstit të së cilës flitet për krizën politike që e ka mbërthyer këtë; madje edhe pasi qeveritarët shqiptarë mbeten të vetmit që nuk thirren në takimin e Presidentit amerikan, Obama me përfaqësuesit e vendeve ish- komuniste - anëtare të NATO-s; edhe kur ministri i Jashtëm i Spanjës, që drejton deri në fund të këtij gjashtëmujori Këshillin e Ministrave të vendeve të BE-së, në Sarajevë uron shtetasit boshnjakë për heqjen e vizave këtë verë, pa e zënë fare në gojë Shqipërinë; edhe kur...
Në këto e sipër, nuk mund të mos justifikohej rritja e interesimit të qytetarëve tanë për vizitën e ditëve të fundit në Tiranë të ministrit të Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, i cili edhe kur më parë mbante detyrën e zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, kishte shfaqur në një farë mënyre e mase për Shqipërinë rolin e protektorit në zgjidhjen e shpejtë të kësaj çështjeje dhe disa të tjerave në rrugën e integrimit europian.
Por, askush nuk fërkoi duart nga intervistat e këtij personaliteti që, pasi përfundoi bisedimet me liderët tanë qeverisës, veçanërisht rreth mundësive për ngritjen këtu në interes të vendit të tij të një centrali bërthamor mjaft të kontestueshëm, nuk iu shmang pyetjeve të gazetarëve edhe mbi përfitimin prej nesh të heqjes së vizave dhe të marrjes së statusit të kandidatit zyrtar për në Bashkimin Europian.
Ndonëse nuk harroi të formulojë, herë-herë edhe me terma diplomatike, premtimet e zakonshme për vlerësimet pozitive mbi përfundimin me sukses të këtyre proceseve brenda vitit, sidoqoftë ai s'e pa të udhës që të lërë pa përmendur kushtin e domosdoshëm, sipas të cilit klasa politike shqiptare duhet të tejkalojë ndasitë dhe të punojë në Parlament për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Dhe, sigurisht, nga kjo klasë dhe për ndasitë e saj s'kishte se si të veçonte maxhorancën qeverisëse, te përgjegjësitë e së cilës përherë e më tepër po përqendrojnë vëmendjen homologët e tij perëndimorë.
Megjithatë, ministri ynë i Jashtëm, në konferencën e shtypit, përkrah Frattinit, kokën e mbante përpjetë dhe u shpreh se, çështja e vizave nuk qenka ndonjë problem i ngutshëm për shqiptarët, një e treta e të cilëve jetojnë jashtë dhe një pjesë tjetër e madhe e tyre paskan në pasaportat e veta viza njëvjeçare, por më së shumti ka të bëjë me dinjitetin tonë. Pra, fraza e këtij pushtetarit tonë mund të interpretohet pa stërhollime, fare qartë, se qenkan të huajt dhe jo politikanët tanë ata që ua mbakërkan peng shqiptarëve dinjitetin e tyre.
Ngado që ta zësh dhe kudo që ta lësh këtë deklaratë zyrtare, një pyetje s'i ndahet asaj: Mirë, por a nuk është nëpërkëmbur vazhdimisht dinjiteti ynë mu këtu brenda vendit dhe nga qeveria aktuale e tij? Ja ku jemi përfshirë, që prej fillimit të kësaj Legjislature, në një krizë politike të ashpër me përmasa kritike të shtrira tashmë në tërë perimetrin tonë jetësor. Tashmë është bërë e qartë edhe nëpër Europë e gjetkë se, baza e lindjes dhe e ashpërsimit të mëtejshëm të kësaj krize qëndron jo te roli protestativ i opozitës, por sidomos te qëndrimet e maxhorancës dhe të qeverisë së dalë prej saj, që nuk pranojnë të bëhet transparencë e procesit zgjedhor të zhvilluar vitin e kaluar, sepse - nëpërmjet arsyetimeve të liderit të saj - procesi i vjetshëm konsiderohet, veç të tjerash, si më i miri deri tani.
Po, kështu thonë, më i miri, pavarësisht që (siç po vërtetohet çdo ditë e më shumë), një nga të drejtat e njeriut që qëndron në themel të të gjithë rendit juridik, atë për votën, të karakterizuar dhe sanksionuar në Kushtetutën tonë si: vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë, klika drejtuese nuk mund ta respektojë veçse si një formulë të thjeshtë solemne. Si një formulë të tillë, përderisa ka synuar, vepruar dhe realizuar dhunimin e kësaj të drejte me mjete antidemokratike, për të uzurpuar pushtetin, ku spikat paaftësia dhe korrupsioni tronditës.
Në të gjitha konturet e këtij dhunimi shfaqet haptazi shkatërrimi i shtetit të së drejtës, më së pari nëpërmjet shkeljes së dinjitetit të Njeriut nga ata që nuk kanë dinjitet njerëzor e as profesionale dhe, prandaj, ua përbuzin dhe mohojnë atë të tjerëve, ndonëse mbrojtja e dinjitetit dhe e personalitetit përmendet shprehimisht që në Preambulën dhe në një nga dispozitat e para (neni 3) të Ligjit tonë Themelor, ashtu sikurse në të gjitha kushtetutat moderne të vendeve që udhëhiqen nga regjime liberalo-demokratike. Madje, në dallim me këto, respektimi i dinjitetit të Njeriut i është dhënë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë kuptimi dhe vendi i një parimi kyç, për të interpretuar të gjitha të drejtat themelore dhe pjesët e tjera të saj.
* * *
Në këtë vështrim, vlerësohet ky parim edhe në të gjitha dokumentet kryesore të Bashkimit Europian, sepse ky vet është përcaktuar në vijimësi si komunitet të drejtash dhe vlerash, funksionimi i të cilave garantohet nga institucionet e tij. Rregullat janë të përkufizuara prej kohësh edhe në Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, edhe në atë katalog legjislativ që thirret 'aquis communautaire', pa plotësimin rigoroz të të cilit rrugët për në Botën e Vjetër zgjasin, pavarësisht pozicionit gjeografik.
Zgjasin, sepse Bashkimi Europian pret nga shtetet që duan të jenë pjesë e komunitetit të të drejtave dhe vlerave të tij, që vullneti për të hyrë në 'të të konkretizohet në ndërmarrjen e të ashtuquajturave 'kritere të Kopenhagenit', të cilat kërkojnë, ndër të tjera, "...si kusht paraprak për anëtarësimin, që vendi kandidat të ketë realizuar një stabilitet institucional, si garanci për rendin demokratik dhe ligjor, për ruajtjen e të drejtave të njeriut..." Ishin këto kushte të formuluara qysh në fillim të viteve '90, që shërbyen si bazë për zgjerimin dhe transformimin e Tregut të Përbashkët Europian (TPE) në organizmin multifunksional, i cili më 1995 mori emërtimin 'Bashkimi Europian'.
Krahas kritereve të qarta dhe teknike që e kualifikojnë një vend kandidat, prej kohësh është bërë e qartë që në formën e vlerave luajnë rol sidomos faktorët, të cilët duhet të ndikojnë në organizimin institucional të qëndrueshëm të shtetit dhe në aftësitë funksionuese të tij. Pikërisht për zbatimin e këtyre kritereve kujdesen vendet anëtare të Bashkimit Europian, që shteti dhe sistemi politik i brendshëm të dëshmojnë masë të lartë legjitimiteti dhe, me këtë, besim te qytetarët. Por, siç ka vërejtur politologu i shquar i kohës sonë, Andras Bozoki: "Horizonti i përvojave të qytetarëve në shtetet e transformuara postsocialiste, me institucionet e shteteve të tyre, shpesh herë është diçka tjetër...Praktikat informale zotërojnë në të shumtën e rasteve ngjarjet politike në vendin e tyre", çka i ka detyruar politikanë dhe vëzhgues të ndryshëm që të shprehen së fundmi me tone gjithnjë e më të larta kundër idesë së 'mbështetjes së stimuluar të hyrjes' në BE, ose asaj që quhet ndryshe 'anëtarësim pa përkatësi'.
Në këtë kuadër ndoshta duhen kuptuar edhe konstatimet e fundit të Raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikolaos Chountis, i cili në tekstin e Projekt - Rezolutës që do të paraqitet së shpejti për miratim ka shtjelluar haptazi dhe me gjuhë të ashpër problemet që vihen re te ne për zhvillimin e zgjedhjeve, për keqartikulimin e politikës, për mos kryerjen e reformave me rëndësi madhore për shtetin e së drejtës dhe për ekonominë, si pasojë e mungesës së konsensusit ndërparlamentar etj. Ndërkaq, mbi këtë bazë mund të vlerësohet edhe pesimizmi i Komisionerit për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Shtefan Fyle, shprehur këto ditë në një intervistë të tij, pikërisht tani, kur shërbimet e Komisionit Europian janë duke punuar për një opinion të fundit mbi Shqipërinë. Pikërisht tani kur KE pret këtë opinion për të vendosur mbi radhën dhe natyrën e saktë të hapave që do të hidhen, të cilët do të përfshijnë edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

E gjithë kjo situatë aspak optimiste do të duhej që t'i bënte më së pari qeveritarët tanë të mos ngrenë kokën shumë përpjetë, por t'i thërrasin mendjes për mënyrat e pranueshme të zgjidhjes së krizës politike në Parlament dhe plotësimin e shpejtë të të gjitha kushteve që dikton heqja e vizave për në 'Zonën Shengen'. As të mos mashtrojnë me dozat e ujkut dhe me kokë përpjetë, se eksportet e larta të Shqipërisë në muajt e fundit zënë vendin e parë në të gjitha vendet europiane, madje të të gjithë rruzullit (përsëri është vështirë të kuptohet për cilin rruzull ose planet është fjala)!
Në të kundërtën, është e domosdoshme të mbahet parasysh që, për shembull, përmbytja e tokave të Nën-Shkodrës dhe Maliqit, apo rrëshqitja e dherave pothuajse në të gjithë gjeografinë vendase, ende nuk kanë zënë sytë dhe veshët, as nuk kanë mpirë gjymtyrët e qytetarëve tanë të uritur, për të protestuar fuqishëm vazhdimisht ndaj keqqeverisjes dhe drejtimit korruptiv në shumë drejtime, çka edhe mund të rrezikonte shembjen e tërë kësaj piramide shtetërore.
(g.sh)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top