Barack Obama ka thënë se marijuana nuk është më e rrezikshme se alkooli, por shtoi se konsumimi i saj nuk është “ide e mirë”.
Duke folur për revistën ‘The New Yorker’, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shpreh se legalizimi i marijuanës nuk duhet parë në asnjë mënyrë si një ilaç për shërimin e shumë problemeve sociale.
Kolorado dhe Uashingtoni janë dy shtetet që kanë legalizuar marijuanën kohët e fundit, ndërsa vetë presidenti ka pranuar më parë që e ka konsumuar këtë substancë kur ka qenë i ri.
“Kam pirë kur kam qenë i ri dhe e shoh si një ves të keq, po aq sa cigarja”, tha presidenti amerikan, i cili mendon se ndikimi i marijuanës mbi konsumatorin “nuk është më i rrezikshëm se ndikimi i alkoolit”.
Obama tha gjithashtu se personat e varfër në SHBA (afro-amerikanët dhe latinët) dënohen shumë më tepër për përdorimin e marijuanës sesa ata të klasës së mesme.// Top Channel