“Një mijë diej vezullues”

Lauri

Anunnak
Fati tragjik i gruas në “Një mijë diej vezullues” të Khaled Hosseini dhe letra prekëse e babait për Mariam
IMG_20230308_181857.jpg
"Një mijë diej vezullues" është në të njëjtën kohë një kronikë e pabesueshme e tridhjetë viteve të historisë së Afganistanit dhe një histori thellësisht reale dhe e vërtetë e familjes, miqësisë, besimit dhe shpëtimit që gjen forcë dhe jetëson me dashurinë, besimin, miqësinë dhe njerëzoren.
"Një mijë diej vezullues" të Khaled Hosseini, lindur një brez larg dhe me ide shumë të ndryshme rreth dashurisë dhe familjes, Mariam dhe Laila, dy personazhet kryesore të romanit, janë dy gra që i lidh fati tragjik dhe lufta e përbindshme dhe absurde. Ata janë dy realitete që përshkohen nga fate të ndryshme por që piktakohen për t'u shndërruar nga rivale dhe armike, në gra të një burri, në motra dhe mike emblematike të një dashurie që triumfon. Khaled Hosseini i sjell këto dy personazhe duke dëshmuar forcën e sprovës së qëndresës. Ata nuk kanë lindur vetëm të vuajnë, të hiqen zvarrë nën peshën e nënshtrimit të traditës zakonore, të durojnë veç fatit të pafat, jetën me një burrë që di të bëjë seks por jo të dashurojë, di të kërkojë të drejtën e dominimit, gjë nuk nguron ta bëjë këtë duke përdorur gjithnjë vetëm dhunë. Gra të një burri tashmë me vite të rrëzuara, fati i femrës në një realitet poshtërues, por edhe fisnike, ata lëvizin në panoramën ngjethëse të Khaled Hosseini si dy botë që presin fundin e tyre, duke besuar tek ëndrra, vullneti që zgjedh secila sipas mënyrës dhe parathënies së saj. Në faqet e këtij libri, në letrën kulmuese të historisë që babai Xhelil që i lë së bijës Mariam para se të vdesë, përshkojnë vërtetësinë e jetës në këtë fat, të cilin nuk e nënshkruan islami, por njerëzit. Diskriminimi i gruas, siç përshkruhet në këtë libër, nuk është një ndëshkim islam, por një reale që merr jetë prej fantazmave kanunore të së shkuarës dhe intolerancës që mbin si një bar i keq në kopshtin ku sekush kërkon të ndërtojë parajsën e vet. Por jeta, familja, e ardhmja i jep kësaj krijese që nuk ka lindur të jetë e ndëshkuar, një forcë heroike, bije, gruaje, nëne, që di t'i jepet si dashurisë prindërore dhe përkushtimit familjar, ashtu edhe devocionit bashkëshortor dhe kurajës për t'u ngritur mbi fatin e trishtë që e kthen atë në një krijesë që hiqet zvarrë dhe lejon të bëhet me të gjithçka. Hosseini tregon në këtë roman se si dashuria e një gruaje për familjen e saj mund të lëvizi një masë të përbindshme dhe të zgjojë brenda sajë forca dhe vullnete që as ajo nuk e di se jetojnë me të. Dy vajza, dy gra, dy fate, një familje dhe ëndrra që i ndan rrugët por i mban si logo që shndrit në peisazhin e Kabulit të "Një mijë diej vezullues".
Një arritje mahnitëse që magjeps por edhe të coptojë zemrën. Histori bindëse për një kohë të kontradiktash, papajtueshmërishë dhe përplasjesh, cekje në një miqësi të pamundur, dhe shenjtërim i asaj dashurie të pathyeshme që bën që të shpërthejnë, "Një mijë diej vezullues".
Kjo letër është kulmimi i asaj historie ngjethëse të romanit, "Një mijë diej vezullues" të Khaled Hosseini, roman i cili u botua më 2008, por që rrok gjithnjë atë forcë përpirëse të përshkimit të tragjikes së jetës së ferrit të Kabulit. Më vërtetësi dhe gjuhë rrëfimi tronditëse, Khaled Hosseini rrëmben mëndje dhe zemra dhe i hedh në shtjellën përpirëse të trëgimtarisë së jetëve, të cilat më shumë se fati i ndëshkon tradita kanunore.

13 maj 1987
E dashura ime Mariam,
Lutem që kjo letër të të gjejë shëndoshë e mirë.
Siç e di edhe ti, erdha në Kabul një muaj më parë për të folur me ty. Por ti nuk doje të më takoje. Mbeta i zhgënjyer, megjithatë nuk të vë faj. Në vendi tënd edhe unë do të kisha bërë të njëjtën gjë. Privilegjin e dashurisë sate e kam humbur shumë kohë më parë dhe për këtë e kam gjithë fajin vetë. Por, nëse po e lexon këtë letër, atëherë duhet ta kesh lexuar dhe letrën që të lashë te dera. E ke lexuar dhe ke ardhur të takosh Mullah Faizullahun, siç të kërkoja që të bëje. Të jam mirënjohës për këtë, Mariam xho. Të jam mirënjohës për mundësinë që më dhe që të të them disa fjalë.

Nga t’ia filloj?
Që nga hera e fundit që kemi folur, babai yt ka njohur shumë hidhërime, Mariam xho. Njerka jote, Afsuni, u vra ditën e parë të revoltave të vitit 1979. Po atë ditë, një plumb qorr vrau motrën tënde, Niloufarin. E kam ende para syve të voglën Niloufar, që bën vertikalen për t’u lënë përshtypje njerëzve. Vëllai yt, Farhadi, u bashkua me xhihadin në vitin 1980. Sovjetikët e vranë më 1982., në rrethinat e Helmandit. Nuk e pashë kurrë trupin e tij. Nuk e di nëse ke fëmijë, Mariam xho, por, nëse ke, Zoti t’i ruajtë dhe uroj të mos njohësh hidhërimin që kam njohur unë. Ende më dalin në ëndërr. Shoh në ëndërr fëmijët e mi të vdekur.
Edhe ti më del në ëndërr, Mariam xho. Më ka marrë malli. Më ka marrë malli për zërin tënd, për të qeshurën tënde. Më ka marrë malli që të lexoj për ty dhe të shkojmë bashkë për peshk. A të kujtohen kohët kur dilnim bashkë të gjuanim peshk? Ti ke qenë një vajzë e mbarë, Mariam xho, dhe nuk mund të mendoj për ty pa provuar turp e keqardhje. Keqardhje… Kur vjen puna tek ti, Mariam xho, është një det i tërë. Më vjen keq që nuk të takova ditën e parë që erdhe në Heart. Më vjen keq që nuk ta hapa derën dhe nuk të futa brenda. Më vjen keq që nuk të quajta vajzën time dhe të lashë të jetoje në atë vend për gjithë ato vite. Dhe për çfarë? Nga frika e turpit? Nga frika e njollosjes së emrit tim të mirë? Sa pak rëndësi kanë këto gjëra tani, pas gjithë kësaj humbjeje, pas gjithë këtyre tmerreve që kam parë nga kjo luftë e mallkuar. Por, tani sigurisht, është shumë vonë. Ndoshta ky është dënimi më i drejtë për ata që nuk kanë pasur mëshirë: t’i kuptojnë gjërat atëherë kur nuk mund të ndryshojnë asgjë. Tani gjithë ç’mund të them, është se ke qenë një vajzë e mbarë, Mariam xho, dhe kurrë nuk të kam merituar. Tani gjithë ç’mund të bëj, është të lyp ndjesën tënde. Të lutem të më falësh, Mariam xho. Më fal! Më fal! Më fal!

Nuk jam më i pasur si njëherë e një kohë. Komunistët më konfiskuan pjesën më të madhe të tokave dhe të gjitha dyqanet. Por bie në gjynah, por e ankohem, pasi Zoti – për arsye që nuk arrij t’i marr vesh – më ka bekuar me shumë më tepër se shumicën e njerëzve. Që kur u ktheva nga Kabuli, arrita të shes atë që më kishte mbetur nga tokat. Të kam future në zarf pjesën e trashëgimisë sate. Siç e shikon, nuk është ndonjë pasuri e madhe, por është diçka. Është diçka. (Gjithashtu, do të shohësh se u bëra mbarë t’i kthej paratë në dollar. Mendoj se kështu është më mirë. Veç Zoti e di fatin e monedhës sonë të shkretë.)

Shpresoj të mos mendosh se po përpiqem të blej faljen tënde. Shpresoj të më besosh se unë e di që falja jote nuk është në shitje. Nuk ka qenë kurrë. Thjesht po të jap, edhe pse me vonesë, atë që të takonte prej kohësh. Sa isha gjallë, nuk kam qenë i drejtë me ty si baba. Ndoshta mund të jem i tillë i vdekur.

Ah, vdekja! Nuk dua të të rëndoj me detajet, por vdekja është shumë pranë meje tani. Zemër e dobët, thonë mjekët. Më duket se vdekja i shkon për shtat një njeriu të dobët si unë.

Mariam xho

Guxoj, guxoj ta lejoj veten time të shpresoj që, pasi të kesh lexuar këtë letër, të tregohesh më mëshirëplotë se unë me ty. Që në zemrën tënde të gjesh mirësinë të vish të takosh babanë tënd. Që të vish në derën time edhe një herë e të më japësh shansin që këtë herë ta hap, të të pres, të të marr në krahët e mi, bija ime, ashtu siç duhet të kasha bërë vite të shkuara. Është një shpresë e dobët, ashtu si dhe zemra ime. Këtë e di. Por do të të pres. Do të pres trokitjen tënde. Do të shpresoj.

Zoti të dhëntë jetë të gjatë e të begatë, bija ime! Zoti të dhëntë fëmijë të bukur e të shëndetshëm! Uroj të gjesh lumturinë, paqen dhe ngrohtësinë që unë nuk ta dhashë dot. Qofsh mirë! Po të kë në duart e Zotit mëshirëplotë.

Babai që nuk të meriton,
Xhalil

(Përgatiti: Albert Vata
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top