Një ligj i frikshëm sapo është miratuar

Lauri

Anunnak
7 December 2009
Një ligj i frikshëm sapo është miratuar nga shumica në pushtet. Sipas tij, çdo qytetar me standart të pajustifikuar jetese, mund të ketë nën hetim pasurinë e tij. Nën hetim do të mund të jetë edhe pasuria e vënë që nga nipërit, mbesat, fëmijët ende të palindur prej tyre e deri dhe tek paratë e pronat e njerkut e njerkës kur ata kanë të tillë. Shënjestër e parë opozita që kryeministri e konsideron “mafioze” publikisht. Reagojnë ekspertë dhe konstitucionalistë. Edhe misionet e huaja kundër. Revista Mapo sjell detajet e një ligji që mban erë diktaturë
Korrik 1997: “Do t´u ngrij në buzë buzëqeshjen socialistëve!” 22 nëntor 2009: “Do t´u shkul dhëmbë e dhëmballë me darën e ligjit bandës punisto-mafioze…!” 2 dhjetor 2009: “Në qoftë se në mandatin e parë, ne ia dolëm t’i gozhdojmë bandat një nga një, nga Aldo Baret tek Dritan Dajti, pa diskutim që ky është mandati i gozhdimit tashmë i Aldo Bareve në pushtet, i Aldo Bareve me pamje xhentëlmeni, i Aldo Bareve që kanë vendosur miliarda euro pasuri krimi”. Të tre këto deklarata janë shqiptuar nga Sali Berisha. Janë shqiptuar publikisht dhe ndaj një shënjestre të vetme, kundërshtarëve të tij politikë. “…ligji antimafia është një armë e fuqishme që po jep qeveria në dorë të prokurorëve për të luftuar krimin e organizuar…”. Deklarata e fundit vjen nga një jurist, ish-avokat, ish-zëvendësministër i drejtësisë dhe sot deputet i maxhorancës në datën 21 nëntor 2009. I referohej projektligjit të miratuar të enjten në mbrëmje në Kuvend “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Fjalori i deputetit rreket të kujtojë në mënyrë direkte fjalorin e përdorur në Shqipërinë e diktaturës, kur në të gjitha tekstet e jurisprudencës apo dhe të shërbimit sekret, ish-sigurimit të shtetit, përdorej togfjalëshi tragjik: “…ky ligj është një armë e fortë në duart e organeve të diktuaturës së proletariatit… në luftë kundër armikut të brendshëm…”!
Plot 20 vjet nga shpallja e pluralizmit, armiku i brendshëm vazhdon të ekzistojë – ai saboton integrimin e vendit, prish imazhin dhe mbi të gjitha, është punisto-mafioz – ndërsa dora që do të përdorë armën e fortë kundër tij, është prokuroria.

Në heshtje
Në kohën kur në Shqipëri bien fort këmbanat, “zilja” projektligjit të miratuar tashmë, ka kaluar shurdhët. Specialistë të jurisprudencës, prokurorë dhe avokatë, kanë ngritur zërin e alarmit, por pakkush ka dëgjuar. Pakkush është njohur me aktin më të rëndë që kaloi edhe legalisht tani në Tiranë: çdo qytetar shqiptar, është një qytetar i dyshuar!
Dhe natyrisht, në kohën kur kryeministri i vendit e konsideron opozitën në tërësi dhe drejtuesit e saj, me gjithë Edi Ramën, si krerët e “mafias më të rrezikshme në Evropë”, atëherë edhe objekti i ligjit është direkt i shënjestruar politikisht. Përgjigjet se pse është kështu, i jep vetë ligji që morri votat e shumicës blu.

Objekti i goditjes
Revista MAPO ka mundur të sigurojë paraprakisht draftin e plotë të këtij ligji të ndryshuar disa herë dhe e ka konsultuar atë me specialistë të fushës. Janë pikërisht ata që shpallin dhe alarmin e madh. “Dispozitat e këtij ligji zbatohen për pasuritë e personave, mbi të cilët ekziston një dyshim i arsyeshëm, bazuar në indicije, për…”. Neni tre i këtij ligji vazhdon nga pika a., deri në pikën d., duke specifikuar se për çfarë lloj personash bëhet fjalë, që nga ata që janë pjesmarrës në organizata kriminale dhe grupe të strukturuara kriminale e deri në persona që kanë kryer vepra penale të parashikuara në plot 16 nene të Kodit Penal dhe në pjesën e posaçme, kreun VII, të Kodit Penal.
“Lufta kundër mafias është emergjente dhe qeveria do të përdorë të gjithë forcën e ekzekutivit në këtë luftë. Unë garantoj kupolën e mafies se darët e ligjit do të çmontojnë tërësisht perandorinë e tyre të krimit…”, deklaroi kryeministri në mbledhjen e qeverisë ditën e enjte para votmit në Kuvend. Por për vetë kryeministrin nuk ka dyshim: mafia është Edi Rama dhe një numër i madh deputetësh të partisë së tij, kurse një nga darët është dhe ligji në fjalë. Përballë darëve janë të gjithë ata për të cilët ka ardhur rradha që të provojnë fatin që ju “garanton vetë kryeministri: “…. ne çmontuam një nga një bandat që bënin ligjin në qytete, rrethet dhe portet e këtij vendit, Nehat Kullat, Aldo Baret, Lul Berishat etj., tani kanë ngelur nehatët e kollarisur, kanë ngelur bosët e mafias”.
Ligjërisht, deklarimet e kryeministrit, sipas ligjit, shpjegojnë juristët, mund të jenë indicije për të nisur ndjekjen penale ndaj këtyre personave. Policia do të ketë mundësi të nisë hetimin ndaj tyre – po për emrat që dha vetë kryeministri – dhe pasuritë e këtyre individëve të goditen.
“Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe ndaj pasurive të personave të afërm, bashkëshortit, fëmijëve, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërit, motrat, ungjërit, emta, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka…”, vijon pafund rrethi i njerëzve “rrotull mafias” që do të mund të ndëshkohen sipas ligjit.

Kundërshtitë
Revista MAPO ka mundur të sigurojë një korrespondencë të gjerë mes ministrisë së drejtësisë dhe aktorëve të ndryshëm të interesit që preken nga ligji. E para është prokuroria e përgjithshme, e cila ka depozituar me shkrim idenë e saj në zyrën e kodifikimit të ministrisë së drejtësisë. Një dokument që godet që në rreshtat e parë: “… projektligji nuk është në harmoni me një sërë aktesh normative…”. Por vetëm një rresht më pas, prokuroria e përgjithshme godet edhe shumë më fort, “…është në kundërshtim me kushtetutën”. Sipas saj,: “…masat shtrënguese dhe sanksionet që parashikohen në këtë projektligj kufizojnë liritë dhe të drejtat themelore të shtetasve të parashikuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”. Nga momenti i mospërcaktimit të termit “person i dyshuar”, përdorur në projektligj, “i lihet në diskrecionin e vetë këtyre organeve – polici, prokurori – për të bërë vlerësime subjektive të këtij koncepti rast pas rasti…”. Pra, e thënë më shqip, ndër dy individë në kushte të barabarta, “shteti”, njërit mund t´ja ndjekë “penalisht” pasurinë e tij, kurse tjetrit jo. Ky është dhe momenti që në Shqipëri dhe në kushtet shqiptare të zbatimit të ligjit, çdo qytetar, për shkak të pasaktësisë së ligjit, mund të jetë një qytetar i dyshuar. Një praktikë jo vetëm teorike për sistemin e deformuar të së drejtës në diktaturat tipike të së shkuarës dhe të sotmes.
Por ka dhe më shumë. Ka dhe më keq: “Dyshimi i arsyeshëm… mund të bazohet dhe në nivelin ekonomik të një personi i cili zotëron pasuri apo të ardhura që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe që nuk justifikohen prej tyre”. Në këtë mënyrë, ligji i jep të drejtën “shtetit” të trokasë në derën e cilitdo qytetar për të kontrolluar pasurinë e tij e më tej akoma, për të vënë dorë në këtë pasuri. Në një ekonomi informale si ekonomia shqiptare, kjo gjë është e mundur për cilindo. Në një vend me ngarkesë të madhe negative të luftës politike, natyrisht, shënjestra e parë janë qytetarët e “dorës së dytë”, ata që besojnë tek opozita.

Kundërshtojnë dhe konstitucionalistët
Janë disa konstitucionalistë që bëjnë qortimin e ashpër të projektligjit, por askush nga ta nuk pranon të citohet me emër. Ata ngrenë disa shqetësime të cilat kanë të bëjnë me përputhjen me kushtetutën të draftit të përgatitur nga qeveria. “Ky është një ligj i zakonshëm që kërkon një shumicë të thjeshtë për t´u miratuar, por edhe duke qenë i tillë, ai nuk i shmanget koncepteve të shprehur e të përdorur në kode të cilët janë ligje në hierarki normative më të lartë se ligji i zakonshëm”, shprehen ata, duke kujtuar se kodet miratohen me shumicë të cilësuar nga Kuvendi. Po kështu, edhe objekti i punës së prokurorisë, dorës së cilës synohet t´i vihet kjo “armë e fuqishme”, nuk është në harmoni me ligjin. Konstitucionalistët afrojnë dhe një shembull: Përmendet përkufizimi “standart i pajustifikuar i jetesës”, që jep një shkas për të nisur procedimin ndaj personit që gëzon këtë standart. Por Kodi Penal saktëson se ky standart jetese i pajustifikuar, mund të jetë rrjedhojë edhe i veprave të tjera penale, si për shembull kontrabanda me mallra, shmangia e tatimeve e të tjerë, të cilat nuk përfshihen në veprat penale objekt i këtij projektligji. E po kështu edhe konfondimi i hierarkisë së ligjeve. Gjykimi i objektit të këtij ligji që u miratua vetëm me shumicë të thjeshtë, do të bëhet nga gjykata e krimeve të rënda, funksionimi i të cilës mundësohet me një ligj të miratuar nga një shumicë e cilësuar.

Gafat e pafundme
Ato nisin që me modelin e zgjedhur, atë anglez, ndërkohë që Shqipëria njeh të drejtën kontinentale dhe mbi të gjitha, sistemi i drejtësisë në Shqipëri, nuk afron kurrsesi ato garanci që janë bazike në sistemin gjyqësor anglez të formuar fort mbi bazën e një tradite të pakontestuar pothuaj kurrë. Pyetjet që ngrihen dhe që me të gjitha gjasat nuk do të marrin përgjigje janë të shumta: ato nisin me kërkesën se kush do të japë garanci se ligji do të zbatohet dhe intepretohet drejt dhe se përpara tij të gjithë qytetarët do të kishin të drejtën kushtetuese për t´u konsideruar të barabartë përpara ligjit; vazhdojnë me papërcaktueshmërinë e masës së sekuestrimit të pasurisë, kur ato janë vënë me krime të natyrave të ndryshme; më tej me ambiguitetin për të ndarë rastin kur pasuri të krijuara në mënyrë të ligjshme janë të përzjera me pasuri të paligjshme, e kështu me rradhë. Konstitucionalistët nënvizojnë se një nga problemet më të rënda në projektligj është dhe fakti se drafti nuk siguron raportin përpjestimor midis masës së pasurisë së sekuestruar dhe qëllimit të ligjshëm të ndjekur, rast pas rasti. Ata i referohen në këtë çështje edhe një vendimi të gjykatës së Strazburgut, çështja Riela kundër Italisë, të shtatorit 2001.
“Për ta shprehur më thjeshtë shqetësimin e shpjegojmë me një kasus: një pedagog kapet me 100 euro mitë të marrë nga studenti i tij. Sipas frymës së ligjit, e gjithë pasuria e tij dhe e gjithë njerëzve të tij të afërm, që nga bashkëshortja e deri tek kunetërit, nipërit e mbesat, vjehrri e vjehrra, është një pasuri e dyshuar dhe mund të sekuestrohet”, thotë një nga burimet e revistës MAPO. Por nëse në rastin e pedagogut, shembulli ngjan qesharak, në rastin e personave të përfshirë në politikë, të atyre që zakonisht kryeministri i konsideron kupolë mafioze, atëherë zbatimi i ligjit do të ishte dramatik për fatet e demokracisë në vend. Nga Edi Rama e poshtë, pasuritë e tyre mund të jenë objekt i i veprimit agresiv të ligjit.

Kjo është hija e diktaturës
“Pse diktaturat, si rregull, kanë sukses në luftë kundër krimit?”, pyet një jurist i konsultuar nga revista MAPO. Dhe po vetë përgjigjet: “Sepse ato nuk mund të lejojnë qendra të tjera pushteti, ato veprojnë me arsyen e shtetit dhe në emër të arsyes së shtetit, mbi arsyen dhe të drejtën e individit, çka nuk ndodh në demokraci. Rasti klasik që përmendet në historinë e të drejtës, është ai italian. Në fillim të viteve ´20 diktatori italian Benito Musolini dërgoi në Palermo, atdheun e mafias, اezare Morin, të quajtur prefekti i hekurt. Në valën e mbi 8 mijë vrasjeve, shumica dërmuese pa gjyq, ai doli të çlirojë Siçilinë nga pushteti i mafias. Por a ishte kjo rruga që duhej ndjekur, a duhet duartrokitur ky akt, pavarësisht suksesit në luftë kundër krimit?”, thotë ai duke bërë të njëjtën paralele me regjimin e Hoxhës në Shqipëri, që gjithashtu vendosi rendin në vend, me zjarr, me hekur, ligj dhe antiligj duke e çliruar vërtet shoqërinë nga krimi i vogël i rrugës, por duke e vënë atë nën thundrën shumë herë më të egër të diktaturës.

Të huajt
Në bastet mes shqiptarëve, shpesh si pikë referimi më e saktë merren të huajt. Dy misionet që mbikqyrin reformën në drejtësi, OPDAT, nga departamenti amerikan i drejtësisë dhe Euralius nga BE-ja, kanë marrë në shqyrtim projektligjin. Burimet tona specifikojnë se, në fund të tetorit, dy misionet e konsiderojnë këtë inisiativë si “… shumë të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar…”. Por në të njëjtën kohë… “….shprehin shqetësime serioze për disa nene të tij…”, sidomos për pjesët e pakonsultuara me ta. Burimi i revistës MAPO saktëson se dy misionet kanë kërkuar që teksti të mos miratohet në mënyrën e paraqitur, por të kthehet sërish në ministrinë e drejtësisë për t´u ripunuar dhe konsultuar me institucionet e interesuara shqiptare dhe ekspertë të huaj. Dhe pikërisht ekspertët e huaj të dy misioneve nënvizojnë të njëjtin term: ….”standart i pajustifikuar jetese…”, i cili sipas tyre, në mënyrën e shprehur në projektligj, shfaq mundësinë për të dhunuar garancitë kushtetuese të së drejtës së pronës private.
Mbetet të pritet se çfarë do të ndodhë më tej. Po t´i besohet deputetit të PD-së, ish-zëvendësministër i drejtësisë, ligji do të jetë një armë e fortë në dorë të prokurorisë kundër krimit, po t´i besohet kryeministrit se krimi është në simbiozë me opozitën punisto-mafioze, atëherë Rama e të tijtë janë në “telashe” dhe po t´i besohet vetë frymës së ligjit, në Shqipëri është në prag dita kur çdo qytetar, është një qytetar i dyshuar. Një shprehje që kujton jo vetëm hijen e diktaturës.Marre nga revista MAPO(Shekulli)
 
Titulli: Një ligj i frikshëm sapo është miratuar

"standart i pajustifikuar i jetesës"..?!?!?!?!?
Dmth nqs une kam nje kusheri qe ka bere nje krim ose ka vjedhur pershembull..sapo te vej une kemben ne shqiperia qenkam e rrezikur edhe une? Po normale qe sali berisha ka marre pushtetin totalitar ne dore tani,na formuloi edhe ligjet e antimafias ngjan sikur une do vej ne burg ke tma doje qejfi..

Damn it ku kemi perfunduar ne duart e nje diktature berishiane
 
Titulli: Një ligj i frikshëm sapo është miratuar

Uaaa sa mire..Kjo do te thote qe ky torollaku (SALA) do hetoje mbi pasurine e vajzes se saj,e mbi pasurite e te afermve te tij.E mbi te gjitha do hetoje dhe mbi pasurite e tij.Sa njeri i drejte.


Kam pershtypjen qe ky po perdor kete menyre,per te vjel cik lek nga te ndershmit qe e kane djersitur pasurine qe kane.Se mafien nuk e leviz dot ai,se sikur e vune ne pushtet ashtu dhe e heqin.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top