Nipi sekser e pasuria e vajzës fundosin ish-gjyqtarin e Kushtetueses, KPA vulos shkarkimin

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
[h=1]Nipi sekser e pasuria e vajzës fundosin ish-gjyqtarin e Kushtetueses, KPA vulos shkarkimin[/h]
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese pretendoi se procesi i tij në shkallë të parë ishte i paragjykuar, por trupa gjykuese e KPA konfirmoi mungesën e burimeve për pasurinë dhe “problemet serioze” me pastërtinë e figurës.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i vlerësoi të pabazuara pretendimet e ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdari në ankimin e tij ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Dizdari pretendoi para KPA-së se procesi i hetimit dhe gjykimi në shkallën e parë të vetingut ishte i njëanshëm, i paragjykuar dhe i pabazuar në ligj.

Kolegji i rrëzoi pretendimet e tij në dhomë këshillimi, duke i gjetur të drejta argumentet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për pamjaftueshmëri dhe mungesë të burimeve të ligjshme në deklarimin e pasurisë së tij; ndërkohë që për kriterin e figurës konstatoi se problemet ishin serioze.

Ankimi i Dizdarit në Kolegj u vlerësua nga trupa gjykuese e drejtuar nga Ina Rama, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Rezarta Schuetz, Luan Daci e Ardian Hajdari.

Dizdari i kërkoi KPA-së prishjen e vendimit nr.37, datë 16 korrik 2018 të KPK-së dhe konfirmimin e tij në detyrë, duke pretenduar se lidhur me pasurinë komisioni ka gjykuar në kundërshtim me ligjin, pasi nuk është marrë në konsideratë asnjë pretendim i tij lidhur me pasuritë dhe burimin e tyre. Ai i kërkoi KPA-së që të konsiderojë si “lapsus” vlerën e deklaruar në lekë “të vjetra” për të ardhurat e viteve 1982-1993. Gjithashtu, ish-gjyqtari Dizdari pretendonte në ankim se shuma prej 23 mijë euro që i kishte dhënë ish-bashkëshorti vajzës së tij dhe huatë pa interes nga dy kushërinj të saj për blerjen e një apartamenti në Tiranë kanë pasur burime të ligjshme, pasi sipas tij ata kishin të ardhura të mjaftueshme.

Ai e quan të padrejtë edhe vlerësimin e KPK-së për figurën.

“Lidhur me kriterin e kontrollit të figurës, Komisioni ka qenë i njëanshëm ose paragjykues dhe jo i saktë, kur konkludon se kontaktet me shtetasin (nipin) A.L. përfshihen në kategorinë e të pasurit kontakt të papërshtatshëm me persona të përfshirë në krimin e organizuar, pasi… figura e veprës penale, për të cilën është dënuar ky shtetas, nuk përfshihet në kategorinë e personave të parashikuar në nenin 3, pika 1, të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, për pasojë, nuk ka ekzistuar detyrimi për të pasqyruar në deklaratën për kontrollin e figurës një moment që nuk parashikohet nga ligji”, ka pretenduar Dizdari në ankimin e tij.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit analizoi të ardhurat e subjektit dhe pasuritë e tij dhe personave të lidhur dhe arriti në përfundimin se ka mungesë burimesh të ligjshme. Në analizë janë marrë edhe pasuritë e deklaruara nga vajza e Dizdarit, për të cilat KPA sërish ka disponuar se ish-bashkëshorti i saj dhe kushërinjve nuk justifikojnë paratë dhe huatë e dhëna.

Lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka argumentuar se nipi i gjyqtarit Gani Dizdari ishte dënuar nga Gjykata e Fierit dhe Gjykata e Apelit të Vlorës për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Kjo vepër penale është konsumuar nga shtetasi në fjalë për ndikim ndaj anëtarëve të Gjykatës së Lartë, në një çështje, ku kryesues i trupit gjykues të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, ka qenë vetë subjekti i rivlerësimit, Gani Dizdari,” thuhet në vendim.

Kolegji interpreton edhe lidhur me pretendimin e Dizdarit në ankim se nipi i tij nuk është dënuar për krim të organizuar. Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se në momentin e dorëzimit të deklaratës për kontrollin e figurës, vepra penale, për të cilën është dënuar me vendim të formës së prerë nipi i subjektit, nuk përfshihej në veprat penale për krimin e organizuar dhe se subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur detyrimin të pasqyrojë në deklaratën për kontrollin e figurës një fakt që nuk parashikohej nga ligji.

Por Kolegji vëren se “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm” është shtuar në listën e veprave penale të përfshira në krimin e organizuar në vitin 2017 dhe në analizë të këtyre rrethanave, trupa gjyqësore e konsideron marrëdhënien me nipin si “kontakt të papërshtatshëm”.

Në fund të vendimit, trupa gjykuese e KPA-së arrin në përfundimin se Dizdari ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë dhe se ka “probleme serioze” me pastërtinë e figurës, duke vulosur shkarkimin e tij përfundimtar nga detyra./BIRN


kpa.jpg
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top