Nga hëna në tokë - 40 vjet 'Apollo 11'

sweetzzinna

Dum spiro, spero くる
Para pesë vjetësh, më 15 janar 2004, presidenti amerikan i atëhershëm George W. Bush u parashtroi qytetarëve të vet një plan të ri ambicioz për eksplorimin e hapësirës, i cili parashikonte, ndër të tjera, ndërtimin e një baze të përhershme në Hënë dhe organizimin e një misioni me astronautë drejt planetit Mars. Me reputacionin të përbaltur në ligatinat e luftës në Irak, Bush-i shpresonte të zgjonte në qytetarët e vet po aq entuziazëm sa edhe John F. Kennedy në fillim të viteve 1960, kur bëri thirrje për të çuar astronautët amerikanë në Hënë. Për fat të keq, këtë herë publiku e priti propozimin presidencial me kaq indiferencë dhe skepticizëm, sa strategët e public relations të Shtëpisë së Bardhë nxituan që ta heqin nga qarkullimi para se indeksi i miratimit të presidentit nga publiku të ulej edhe më.
Megjithatë, gjatë dekadës së parë të shekullit XXI, jo vetëm SHBA por edhe ekonomi të tjera të mëdha si Rusia, Bashkimi Europian, Kina dhe India, vazhdojnë të derdhin miliarda dollarë për shfrytëzimin e hapësirës rreth Tokës, kryesisht duke lëshuar në orbitë rreth Tokës satelitë për qëllime ushtarake dhe komerciale. Në krahasim me investime të tilla të përditshme, ato pak dollarë që ende shpenzohen për të dërguar sonda automatike drejt Marsit, Jupiterit, Venusit ose brezit të asteroideve e më tej janë një pikë ujë në oqean. Sondat automatike herë pas here dërgojnë ndonjë fotografi spektakolare, e cila afishohet në mediat ose përdoret si desktop - pastaj vëmendja e publikut zhvendoset nga shkëmbinjtë pa jetë drejt temave të tjera më ngacmuese.
E megjithatë, vetëm 40 vjet më parë, në 20 korrik të vitit 1969, mbarë globi e mbajti frymën, teksa Neil Armstrong gatitej të shkelte truallin e virgjër të Hënës, për të shqiptuar pastaj fjalët tashmë të paharruara: "një hap i vogël për njeriun, një hop gjigand për njerëzimin." Kam qenë fëmijë aso kohe, por e mbaj mend mirë se kudo në Tiranë nuk bisedohej për asgjë tjetër, përveçse për momentin kur Armstrong-u do të zbriste, i pari mes njerëzve, në sipërfaqen e satelitit.
Ishte fundi i dekadës 1960, e cila i dha ngjyrë dhe formë pjesës së mbetur nga shekulli XX. Shkenca dhe teknologjia kundroheshin, me optimizëm prej të gjithëve, si çelësi drejt mirëqenies dhe bollëkut. Një nga librat që lexoja, me ilustrime tërheqëse, orvatej t'u shpjegonte fëmijëve përparësitë e zëvendësimit të lëndëve natyrore me lëndë plastike; presidenti amerikan Nixon premtonte se kanceri së shpejti do të mposhtej përfundimisht; futurologët e përfytyronin vitin 2000 si kohën kur njeriu do të shërbehej prej robotëve, teksa gatitej të kolonizonte, me kuç e me maç, planetet e sistemit diellor.
Kur e krahason eksplorimin e kozmosit atëherë, me përpjekjet e sotme për shfrytëzim të hapësirës, nuk mund të mos vësh re një dallim thelbësor - në vitet 1960 kahu i gjakimeve ishte i kthyer nga jashtë, drejt së panjohurës, meqë hapësira përfytyrohej si e gatshme, madje e destinuar për t'u pushtuar prej njeriut: me stacione të përhershme në Hënë, qytete në Mars, miniera në satelitët e Jupiterit dhe ngulime në brezin e asteroideve. Sot, përkundrazi, eksplorimi i hapësirës është i kthyer së brendshmi, meqë pjesa më e madhe e satelitëve përdoren për qëllime praktike, ushtarake ose komerciale.
Prandaj e pavarësisht nga përsosja e teknologjisë të nevojshme për të hedhur diçka në orbitë rreth Tokës ose më tej, asgjë nuk e ka zëvendësuar dot magjinë e modulit LEM të misionit Apollo 11, delikat e me letër varaku, të drejtpeshuar aq drojtur në rrafshultën e Mare Tranquillitatis. Për krahasim, anija e sotme Space Shuttle nuk është veçse kamion i madh e kabل për të ngritur në orbitë gjithfarë kargosh prozaike, si satelitët e parashikimit të motit e të korporatave të telefonisë celulare; për të mos folur pastaj për satelitët ushtarakë dhe të përgjimit, ose kamerat fotografike të Google Earth.
Kozmosi në vitet 1960 ishte më tepër ankth dhe premtim për aventurë dhe lulëzim ekonomik e shpirtëror të tillë që do t'ia jepte njerëzimit të ardhmen e përbashkët në kundërvënie me ballafaqimin absurd dhe vrastar të Luftës së Ftohtë; sot, përkundrazi, hapësira rreth Tokës nuk dallon shumë nga një peizazh industrial i rëndomtë e zymtë, i mbytur në hekurishte dhe mërzi. Edhe astronautët vetë, që dje magjepseshin me pamjen e universit dhe shndërroheshin vetvetiu në poetë mistikë përballë bukurisë së Tokës parë për së largu, sot e kalojnë kohën duke luajtur shah në Internet, duke pastruar nga myku mjediset e stacionit MIR, duke demonstruar në ekran eksperimente naive për fëmijët e shkollave.
Vetë fëmija, në vitet 1960 kërkonte të dinte se pse nuk mund të kapërcehej shpejtësia e dritës; pyeste nëse ka jetë në Mars apo në Antares; ëndërronte që një ditë të mund të ecte me kërcime të plogëta, si astronautët gjatë shëtitjeve të tyre në pllajat e heshtura të Hënës. Unë ç'nuk do të kisha dhënë atëherë, për të parë nga afër e prekur me dorë ndonjë prej kapsulave Columbia; dëshirë që m'u realizua shumë vite më pas, gjatë një vizite në Washington DC në 1998, kur ajo kapsulë e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Aviacionit dhe të Hapësirës m'u duk jashtëzakonisht e vogël, madje klaustrofobike.
Për këtë zbythje në pritjet e publikut nuk e ka fajin shkenca, as teknologjia. E vërteta është se hapësira kozmike rreth Tokës është mjedis veçanërisht armiqësor për njeriun: mungon ajri dhe uji; temperaturat janë të skajshme - të akullta ose përvëluese; rrezatimi kozmik vrasës. Entuziazmin e viteve 1960 e ushqente shpresa se, misionet drejt Hënës do t'i hapnin rrugë eksplorimit njerëzor të sistemit diellor, i cili ndoshta do t'i sillte Tokës së mbipopulluar e me burime në shterrim e sipër po aq të mira sa edhe zbulimi i Botës së Re prej Kolombit & Co. në fund të shekullit XV; sot ky entuziazëm nuk ekziston më.
Prandaj nuk është rastësi as që vetëdija ekologjike dhe lëvizjet e të gjelbërve morën hov pikërisht kur publiku anembanë u vetëdijësua, sado me vështirësi, se largimi prej Tokës në një të ardhme të afërt ishte i pamundur; dhe se nuk kishte asnjë Botë të Re që të na shpalosej krahëhapur përtej horizontit qiellor, si dikur kontinenti amerikan lundërtarëve europianë.
Për më tepër, deri në fund të viteve 1970 teknologjia kishte përparuar kryesisht si ndërmjetësuese në marrëdhëniet e njeriut me sendet. Edhe eksplorimi dhe kolonizimi i sistemit diellor do të kryhej nëpërmjet pajisjeve teknologjike të mundësuara nga fizika, kimia, shkenca e materialeve, biologjia dhe mjekësia. Njeriu kishte nevojë, para së gjithash, për makina të tilla që t'i lejonin të zhvendosej me shpejtësi në korridoret e hapësirës; por edhe për materiale të përshtatshme për të përballuar armiqësinë e mjedisit përtej Tokës. Teksa të gjithë futurologët i kushtonin vëmendje të veçantë automatizimit dhe robotëve, pakkush e kishte parashikuar revolucionin që po përgatitej në laboratorët e IBM: kompjuterin personal.
Mirëpo kompjuteri personal i ripërkufizoi nga rrënjët marrëdhëniet e njeriut me teknologjinë dhe me sendet në përgjithësi; madje kombinimi magjik i hardware-it dhe i software-it shërbeu, ndër të tjera, edhe si çelës për t'i hapur njeriut dyert e realitetit virtual - qoftë në aspektin shqisor, duke e zëvendësuar botën reale me botë të tjera të përfytyruara; qoftë në aspektin komunikativ, duke e zëvendësuar komunikimin ndërnjerëzor të drejtpërdrejtë me Internetin.
Njerëzimi i viteve 1960 ishte ekstrovert, i kthyer me fytyrë nga hapësira, i gatshëm për të eksploruar dhe kolonizuar botët; njerëzimi i viteve 2000 është introvert, i kthyer me fytyrë nga vetvetja, i mbyllur në guaskën e planetit Tokë, por edhe i humbur në hapësirën e pafund të realitetit virtual. Nëse në shekullin XIX njerëzit fantazonin për kanalet ujitëse që kishte zbuluar në Mars Schiaparelli; nëse në shekullin XX njerëzit më në fund dërguan sondat në Mars për t'u siguruar se në planetin e kuq nuk ka gjë tjetër veç gurëve; në shekullin XXI njeriu do të mund ta sendërgjojë Marsin sipas dëshirës e midesë - por vetëm brenda realitetit virtual të kompjuterit.
Natyrisht, edhe realiteti virtual kërkon teknologjinë e vet, e cila nuk mund të konceptohet as të realizohet pa bashkëpunimin e shkencave të sakta. اfarë ka humbur pikërisht, nuk është rëndësia objektive e njohjes, por pjesëmarrja e publikut në këtë aventurë të njohjes, ose shkëputja tanimë totale midis teknologëve dhe përdoruesve të teknologjisë. Në vitet 1960 një fëmijë veçanërisht kurioz i klasës së tetë ende mund ta kuptonte si funksiononte një orë tryeze me zemberek ose deri diku edhe një gramafon; por sot pakkush përveç ekspertëve të fushës e ka të qartë se çfarë ndodh pikërisht brenda një ore dore elektronike, le pastaj një riprodhuesi MP3. Jetojmë në një botë që na rrethon me produkte magjike, të cilat jemi kushtëzuar t'i marrim për të mirëqena; por kureshtja e vjetër tashmë ka vdekur, sepse parimet mbi të cilat funksionon teknologjia e sotme janë tepër të stërholluara e tepër të ndërvarura për t'u kuptuar nga mendja e vdekëtarit.
Prandaj edhe 40-vjetorin e zbarkimit hënor të Apollo 11 e përkujtojmë si diçka poetike, ose një ngjarje që, më shumë se arritje për teknologjinë dhe dëshirën e njeriut për njohje, shërbeu për të na bërë të gjithëve të ndihemi, qoftë edhe për një ditë të vetme, qytetarë të planetit Tokë.
Shekulli
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 46.7%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 26.7%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 26.7%
Back
Top