Në kërkim të kullës së Isa Boletinit

Nostra_22

Anëtar i Nderuar
Udhëtimi drejt kullës së Isa Boletinit ish te një ditë që më mbushi plot emocione. Po shkoja drejt vendit ku kishte lindur gjyshja ime; e cila më kishte treguar shumë histori për babanë e saj, një personazh i njohur, patrioti shqiptar dhe luftëtari i rezistencës Isa, i fiksuar në kujtesën time. Mëngjesin e një të diele të bukur mora rrugën nga Prishtina drejt Mitrovicës. Një udhëtim prej 40 kilometrash, që nuk zgjat më shumë se 45 minuta. Me të mbërritur në Mitrovicë, pa marrë kthesën e majtë që të çon në të, vazhdova rrugën drejt në drejtim të Beogradit. Rruga për në fshatin e Boletinit kalon përmes Dudi Krsh. Një kthesë në të djathtë, menjëherë pas një ure të vogël të udhëheq për në Boletin. Duhet të përshkosh edhe 8 kilometra për të mbërritur atje. Rruga është e kalueshme edhe me një makinë të thjeshtë. Pasi kam ngarë për 20 minuta në një të përpjetë, gjendem përballë mureve bazë të kullës së Isa Boletinit. Parkova, mora pajisjet e mia dhe u nisa drejt hyrjes, e cila me gjithë zhgënjimin tim ishte e mbyllur. Trokita disa herë, madje edhe bërtita, por asnjë nuk më ktheu përgjigje. Kështu që vendosa të ecja rreth kullës dhe t’i bëja disa fotografi nga jashtë, duke shpresuar që dikush do të dukej e ndërkohë do të hapte portën. Ndërsa veproja kështu, mendja ime po mbushej me imazhe historike që kishin lidhje me këtë vend të shenjtë. U ndjeva i nderuar, krenar, i dëshpëruar dhe i gëzuar në të njëjtën kohë! Gjyshi im, një figurë e njohur historike, ka lindur në Boletin më 1864, me emrin e vërtetë Isa Shala. Iu bashkua Lidhjes së Prizrenit, lëvizja e parë kombëtare shqiptare, kur ishte vetëm 17 vjeç. Më vonë ai u bë udhëheqësi i lëvizjes rezistente nga sundimit otoman, duke mbrojtur bashkimin e vilajeteve të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës, në një shtet të pavarur shqiptar. Ai mori pjesë në deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në 28 nëntor, 1912 në Vlorë si përfaqësues i kosovarëve. Gjithashtu, ishte pjesëtar i delegacionit shqiptar të Konferencës së Paqes në Londër më 1913, që shënoi dhe përmbysjen e Perandorisë Otomane në Europë. Më vonë, gjatë Luftës së Parë Botërore, ai iu bashkua Lëvizjes së Kaçanakut kundër sundimit serb. Por më 23 janar, 1916, ai u vra gjatë një përpjekje të dështuar për të pushtuar kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricën. Patriotizmi i tij përshkruhet në vet fjalët që ka thënë: “Unë jam mirë, atëherë kur Shqipëria është mirë”. Në vitin 2004, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova e dekoroi Boletinin me urdhrin më të lartë presidencial, “Hero i Kosovës”.
Kulla
Pas kullës, dallova shkollën që mbante emrin e tij, e cila ishte hapur dhe financohej për fëmijët e këtij fshati. Ai ishte shumë i vetëdijshëm për rëndësinë e edukimit, ndonëse nuk kishte pasur mundësi ta përfitonte vet. Ndërsa po bëja disa fotografi të pjesës së kullës që ishte përballë oborrit të shkollës, vura re një të çarë në gardhin që ndante muret e kullës me oborrin. Pa hezituar vendosa të kaloja përmes saj. Tashmë isha brenda kopshtit që rrethohej nga muret dhe mund të shihja muret e kullës që i ishte kushtuar grave, e cila ishte rinovuar pas konfliktit të Kosovës në 1999. Ishte gjithçka atje, para meje dhe unë mund të ulesha që të kapja ritmin normal të frymëmarrjes. Dhjetë minuta më pas, dera e kullës qendrore u hap dhe unë vura re një djalë të ri, rreth të 20-tave, duke ecur nëpër kopsht. U ngrita, takuam duart dhe i kërkova ndjesë që kisha hyrë përmes një të çare të gardhit. Më tregoi se punonte si kujdestar i kullës, i caktuar nga Ministria e Kulturës. Kur e prezantova veten si stërnipi i Isa Boletinit, ai u gëzua shumë. Atëherë filloi të më tregonte pjesët e tjera të kullës dhe të më thoshte se do të donte të kishte më shumë vizitorë që të shkonin në një vend kaq të rëndësishëm të historisë shqiptare. Teksa bëja fotografi, duke admiruar bukurinë natyrale përreth kullës, po mendoja se nuk ishte e rastësishme zgjedhja e këtij vendi strategjik. Edhe sot ishte e vështirë të arrije atje, e duhet të ketë qenë edhe më shumë kur Isa Boletini ishte gjallë dhe kur mjetet moderne të qarkullimit nuk përdoreshin.
Poshtë kullës ndodheshin varret e Isa Boletinit, dy djemve të tij dhe dy nipërve. Por aty nuk ndodhet trupi i tij. Në vitin 1998, daja im Remzi Murati, Shukri Mustafa dhe një imam nga Mitrovica zhvarrosën eshtrat e tij nga varreza e Podgoricës dhe i dërguan në Mitrovicë. Në ato ditë ishte një udhëtim i rrezikshëm, duke kaluar në kontrollin e disa pikave policore. Ishte menduar që kjo gjë të bëhej me një ceremoni zyrtare, por për shkak të situatës së paqartë politike në Mitrovicë, u anulua. Si rezultat, eshtrat e tij janë fshehur në Mitrovicë, duke pritur ditën që të prehen të qeta në kopshtin e shtëpisë së tij, që e donte shumë.
Si të shkosh atje?
Merr rrugën kryesore nga Prishtina në Mitrovicë, vazhdo për katër kilometra drejt në rrugën që të çon në Beograd, merr kthesën djathtas sapo të kalosh një urë të vogël dhe ndiq shenjat për në Kelmend. Boletin është rreth 20 minuta udhëtim nëpër kodër, duke nisur nga kjo pikë.


G.Shqiptare
 
Redaktimi i fundit:
Fatkeqesishte afer kulles ehste nje kishe manastir serb,dhe me pakon famekeqe te Ahtisarit,zona e kishes dhe ajo perreth saj duhet te jete e ashtuquajtur "zone e mbrojtur"qe dmth nuk do mund ta vizitosh sa here te duash por duhet te kalosh neper procedura burokratike.Eshte jashtezakonishte e dhimbshme se si ka mundesi qe nje vend kaq i bukur dhe njekohesishte nje kulle historike dhe e lavdishme,te mos mund te vizitohet nga shqiptaret,sepse pikerishte hyrja e saj kalon prane manastirit serb,ne te cilin gjenden dy plaka !!!
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top