Në kërkim të gjurmëve të Edith Durhamit

Arfenilla

Themelues i Forumit

5_483127.jpg


Elizabeth Gowing,një angleze në kërkim të gjurmëve të Edith Durham. Ballkani një shekull më pas, në vështrimin e një tjetër britanikeje
A mos je ti Edith Durham?”. Rreth shtatë vjet më parë, Elizabeth Gowing do ta dëgjonte shpesh këtë pyetje, teksa takonte njerëz të ndryshëm në Kosovë. Poetja dhe publicistja angleze, kishte lënë papritur Londrën, për të ndjekur të shoqin drejt një misioni në Kosovë (si këshilltar i ish-kryeministrit Agim اeku). Ishte 37 vjeçe, në të njëjtën moshë që kishte dhe Edith Durham kur e këshilluar nga doktori mori udhëtimin drejt Ballkanit, udhëtim që do t’i ndryshonte jetën. Nuk ishte vetëm kjo pyetje, por dhe dhjetëra histori që dëgjonte nga biseda me shqiptarët, që e shtynë Elizabeth, që një ditë të niste të kërkonte mbi jetën e kësaj anglezeje jo të zakonshme. Historitë që nisi të lexonte për Durham do ta mahnitnin, dhe do ta bënin të kërkonte më tej mbi historinë e kësaj gruaje për të cilët shqiptarët, flisnin me aq pasion. Udhëtimi i saj i parë në gjurmët e Durham nisi nga Rugova në Pejë, e më pas në Deçan, për ta vazhduar pas pesë vitesh nga Shqipëria, duke nisur nga Tropoja, Gjakova, Prizreni e deri në Gradanicë.

1_43363.jpg


Ajo shkeli në të njëjtat vende që Durham kishte përshkruar në kujtimet e saj, u përpoq të gjente të njëjtat gjurmë të së shkuarës, edhe pse kishte kaluar gati një shekull. Të gjithë hulumtimin e saj në jetën e kësaj gruaje, Elizabeth e përshkroi në librin “Edithi dhe unë”, një libër i cili sjell letra dhe dokumente të pabotuara më parë, që ajo i ka gjetur gjatë këtij hulumtimi. Në 150-vjetorin e lindjes së Durham, Biblioteka Kombëtare organizoi një konferencë ku Gowing prezantoi dhe këtë botim. E veshur me një pelerinë që të kujton një foto që Marubi i ka bërë Durham, Elizabeth thotë se kjo grua ka ndryshuar jetën e saj. Tashmë di të shohë më mirë detajet dhe të mësojë prej tyre. Teksa pi çaj, në një bar të Tiranës ajo mund të flasë pafund për Durham, këtë angleze që e bëri ta donte më shumë Shqipërinë. Para se të udhëtonte drejt Shqipërisë, Durham ishte thjesht një angleze që i pëlqente të pikturonte dhe kohën e kalonte në shtëpi duke u kujdesur për nënën e sëmurë. Gjithçka ndryshoi pas një sëmundjeje të papritur, kur mjeku i këshilloi të merrte një pushim të gjatë dhe të udhëtonte jashtë vendit. Deri në ato momente ajo s’mund ta mendonte se do të kthehej në një ambasadore për shqiptarët në botë. Përmes shkrimeve që do të shkruante ajo do të kthehej në një lotuese për çështjen shqiptare. Ajo u nis nga Anglia në bregun e Dalmacisë duke udhëtuar nga Trieste në Kotor, më në fund zbarkoi në Cetinjë.

Kjo pjesë e vogël e harruar e botës do t’i linte asaj mbresa të thella për të gjithë jetën. Për 20 vjet ajo udhëtoi dendur nëpër Ballkan, duke u fokusuar më shumë në çështjen shqiptare, që atë kohë ishte një nga zonat më të izoluara e të prapambetura të Europës. Ajo punoi gjerësisht duke pikturuar, shkruar dhe duke mbledhur artin dhe folklorin e zonave nga kaloi. Pavarësisht nga kjo, vetëm shkrimet e saj do t’i jepnin famë të madhe. Ajo shkroi 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit, nga të cilët High Albania (Shqipëria e Epërme) e shkruar në vitin 1909 është më e njohura. Ky libër akoma edhe sot e kësaj dite është një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe traditave të malësorëve të Shqipërisë Veriore. ثshtë për t’u theksuar që artikujt e saj për revistën Njeriu e bënë atë një pjesëtare të njohur të Institutit Mbretëror të Antropologjisë (The Royal Anthropological Institute). Pas kaq vitesh në Kosovë e tashmë në Shqipëri, Elizabeth duket se e ka zbuluar çfarë e bëri Durham të mos largohej nga ky vend. Ndoshta natyra dhe ngrohtësia që gjen te shqiptarët ishin një arsye që ajo ndenji gjatë këtu. Por kanë dhe nga ata që besojnë se ka qenë një burrë ai që e bëri Durham të vendoste të rrinte në Kosovë. Në biseda të ndryshme thuhet se në Gjakovë ajo u dashurua me një burrë që quhej Mark Krasniqi dhe prej tij ajo vendosi të mos udhëtonte më në pjesën serbe apo boshnjake siç kishte bërë deri para se të njihte atë.

Por, për Gowing njerëzve u pëlqejnë t’i lidhin gjërat me dashurinë, megjithëse arsyet mund të kenë qenë të tjera. Ndër letrat më të ndjera të Durham që ajo ka gjetur janë ato drejtuar shokut të saj anglez, gazetarit Henry Nevinson. Sipas Gowing në letrat që Durham i shkruante atij kishte dhe ndjenja dashurore, që nuk u pranuan asnjëherë nga Nevinson, i cili në atë kohë ishte i martuar. Ai është i njohur për raportimet mbi Luftën e Dytë Botërore dhe skllavërinë në Angola në vitet 1904-1905. Ai ka qenë bashkë me Durham në Shkodër, dhe kanë jetuar bashkë në të njëjtën dhomë. Në kujtimet e tij, tregohet se ata nuk kanë qenë asnjëherë të dashur. Por pavarësisht refuzimit të Nevinson, duket se ky anglez ka qenë një dashuri që ka dhembur për Durham, këtë grua që përshkroi si një pikturë viset dhe karakterin e shqiptarëve. Por Durham nuk ka folur shumë për ndjenjat e saj. Ata pak rreshta që mund të gjejmë mbi mendimet e saj si grua, janë në letra që kanë mbetur rastësisht, si ato drejtuar Nevinsonit. E tërhequr nga natyra e veriut të Shqipërisë, Durham kaloi shumë kohë në këto krahina. Ajo ishte e vetmja femër në atë kohë e cila mund të rrinte e të bisedonte lirshëm në një dhomë burrash. Gowing tregon me humor se në veri e kishin të vështirë të vendosnin pas një darke se ku ajo do të flinte në dhomën e burrave apo të grave. Durham u tërhoq shumë nga historia e burrneshave shqiptare, gjë të cilën e tregon dhe në shkrimet e saj. Në biografinë e shkruar për të në anglisht thuhet se asaj iu ofrua të bëhej shtetase shqiptare e të jetonte në Shqipëri, por ajo e refuzoi, pasi donte të mbetej një angleze e lirë. Libri i Gowing është një rrëfim ndryshe për Durham, përmes një udhëtimi tjetër të cilën ajo e bëri me aq dashuri sa dhe Durham vite më parë. Për të kjo grua është një personazh i jashtëzakonshëm i historisë, që jetën e saj ia kushtoi një kauze të rëndësishme siç është çështja shqiptare.


“Edith dhe unë”, çfarë është ky libër?

Libri është një lloj biografie për Edith Durham, por edhe një autobiografi për jetën time. ثshtë një përshkrim i Kosovës dhe i Shqipërisë, duke u nisur nga rrugëtimi që ajo bëri vite më parë. Edith ishte 37 vjeçe kur nisi udhëtimin e saj nëpër Ballkan. Deri në atë moshë, ajo ishte një vajzë angleze e zakonshme, e cila kujdesej për nënën e sëmurë dhe që i pëlqente të pikturonte. Prirja e saj për pikturë është shumë e hershme dhe Edith ka realizuar një sërë punësh. Por pas një sëmundjeje, mjeku e këshillon të udhëtojë. Ajo niset drejt Ballkanit, pa e ditur se me këtë udhëtim do të niste një jetë tjetër për të. Unë isha në të njëjtën moshë me të, kur u zhvendosa bashkë me tim shoq në Kosovë. Ky libër ka shumë informacione për të gjithë ata që duan të lexojnë më tepër mbi jetën e kësaj anglezeje të famshme, por dhe për ata që duan të dinë më shumë për Shqipërinë dhe Kosovën.

Kur dëgjuat për herë të parë për Durham?

Në vitin 2006 unë u shpërngula nga Londra në Kosovë, për shkak të punës së bashkëshortit, i cili nisi të punojë si këshilltar i kryeministrit të asaj kohe. Kur njerëzit mësonin se jam angleze, gjithnjë më përmendnin emrin e Edith Durham, më flisnin rreth saj, kështu nisa të bëhem kureshtare dhe të hulumtoj mbi jetën e saj. Mendova se kjo angleze që i ka dashur shumë shqiptarët, mund të më mësojë mua për jetën time me shqiptarët sot. Përmes saj, mund të njihja më mirë historinë e këtij populli dhe jetën e një anglezeje jo të zakonshme.

Si do ta vlerësonit sot udhëtimin e saj nëpër Shqipëri e Kosovë dhe atë çfarë ajo ka bërë për shqiptarët?

Edith Durham meriton dashuri dhe mirënjohje jo vetëm prej Shqipërisë por edhe Anglisë, pasi ajo i ka njohur ata me shqiptarët dhe kulturën e një popullit të lashtë. Durham duhet të njihet edhe si piktore edhe si shkrimtare apo antropologe, si një lobuese e madhe për çështjet shqiptare, gjithashtu edhe si një humanitare e madhe për punët që ka bërë për shqiptarët.

Sipas jush, çfarë e bëri një angleze si ajo të dashurohej me Shqipërinë?

Nga përvoja ime kuptova që mikpritja është një vlerë që ende mbretëron tek shqiptarët, ndaj besoj që shumë vizitorë këtu dashurohen menjëherë me vendin, prej virtyteve tuaja. Peizazhi juaj është i bukur po kështu dhe traditat tuaja të lashta. Për këto arsye, jo vetëm Edith, por shumë të huaj dashurohen me Shqipërinë.

Sa ka ndryshuar Ballkani nga ai çfarë Durham përshkruan në librat e saj?

Kuptohet që shumë gjëra kanë ndryshuar. Koha kur Edith ka udhëtuar në Ballkan ishte koha e luftërave, e tashmë nuk jetojmë më në një epokë të tillë. Megjithatë më duket se ende në Shqipëri ka njerëz që janë të pastrehë, ose kanë nevojë për ilaçe, ose ushqim, siç ka gjetur Edith mes refugjatëve të asaj kohe, dhe është mirë të mos harrojmë të shkuarën.



A ka dokumente, letra apo shkrime të Durham të pabotuara?

Një pjesë e librit tim është bazuar në letrat dhe fletoret që ka shkruar Edith gjatë udhëtimeve të saj në Ballkan. Janë pronë e Royal Anthropological Institute në Londër dhe nuk janë të botuara më parë, edhe pse janë interesante.

A i ngjan udhëtimi juaj në Kosovë udhëtimit të saj?

Kam udhëtuar në çdo vend në Kosovë që ka udhëtuar Durham, dhe libri flet për ngjashmëritë dhe dallimet midis udhëtimeve tona. Por ajo nuk ka jetuar në Kosovë, por në Shqipëri, ndërsa unë kam jetuar në Kosovë për shtatë vite. Prej Majit jam zhvendosur në Tiranë bashkë me tim shoq. Ndoshta kjo do të më shërbejë që përvojat e udhëtimit nëpër Shqipëri t’i shkruaj në një vëllim të dytë.

Një grua, çfarë mund të gjejë te një grua si Durham?

Njerëz si ajo që kanë një të shkuar, mund të na frymëzojnë dhe të mësojmë prej tyre. Unë kam mësuar shumë prej Edith Durham prej guximit të saj, për kujdesin që ajo kishte ndaj detajeve të vogla, për të mos i shpërfillur njerëzit që duken të rëndomtë, pasi çdo njeri ka një histori. Për të vlerësuar çdo artefakt, qoftë kjo diçka e thjeshtë prej kuzhinës, qoftë stolia më e pasur, mund të na tregojë diçka për një popull apo një vend, apo për të kaluarën tonë. Edith Durham nuk u dorëzua kurrë. Edhe në ditëlindjen e saj të 80 ajo ka dalë në protestë në rrugë. Kjo është diçka shumë frymëzuese.

Henry_Woodd_Nevinson_%281856-1941%29_364570.jpg
Henry Nevinson, burri që deshi Edith

I tërhequr nga përshkrimet e mikeshës së tij, Edith për Shqipërinë, Henry Nevinson, publicist dhe gazetar i njohur, pranoi ftesën e saj për ta vizituar. Në kujtimet e tij, ai flet për Shkodrën. Brun dhe i gjatë, Henry ishte një djalosh që i kujtonte Edith, dashnorët e bukur në poemat angleze. Ajo u dashurua me të, një dashuri që nuk iu kthye kurrë, por që ishte për të ëndrra më e bukur gjatë udhëtimeve nëpër Shqipëri. Janë disa letra dashurie që ajo ia shkroi atij pas kthimit në Londër. Letra që pasi i rrëfen për shqiptarët dhe udhëtimet që ka bërë, tregon dhe për ndjenjat e saj për të. Por Henry ishte një burrë i martuar i cili kishte një lidhje të fshehtë dashurie. Vetëm pas vdekjes së të shoqes Margaret Jones më 1933, me të cilën kishte një djalë, ai mundi të bashkëjetonte me të dashurën e tij prej vitesh Evelyn Sharp, për të cilën refuzoi dhe Durham. Ai kujtohet dhe sot si gazetari që investigoi për Harper Monthly Magazine tregtinë e skllevërve nga Angola drejt plantacioneve të kakaos në Sao Tome. Këtë hulumtim ai e botoi në librin “Skllavëria moderne” më 1906. express
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top