Në kasollen e njeriut që pret vdekjen në vetmi

vitk

Anëtar i Respektuar
»
15/12/2009 - 09:06





Ferdinand Dervishi

Islam Meta banon në koliben e fundit të humanëve, në fund të lagjes së romëve në Bregun e Lumit në Kamzë. Pas ndërtesës së tij ka ferra, një palë shina të ndryshkura treni dhe një përrua që quhet edhe lumë, mbushur dingas me hedhurinat e gjithë Tiranës. Por edhe vetë Islami, jeta e tij, gjendet në rrëzë të greminës, i sëmurë me kancer, në fazën kur nuk ka më kthim pas, drejt jetës. Ndërsa pranë, në shtëpizën e fundit që ka ndërtuar me duart e tij, sa ishte i shëndetshëm, nuk i rri askush. Fati nuk ia ka dhënë asnjë fëmijë, por edhe me gratë, nuk e ka ndihmuar, edhe pse me to ka histori të gjata, edhe pse në njërën nga duart i duket qartë një tatuazh me emrin “Suzi”, shpuar me gjilpërë në kohërat e ëmbla të rinisë. “Islam, nuk e dinim numrin e bebelinave, prandaj të sollëm ca të holla, që të dërgosh e t’i blesh vetë...” Islami, që rri gjatë gjithë kohës shtrirë, falënderon dhe i fsheh të hollat në një të çarë të mobiljes që ka afër shtratit. “Mirë bëtë. Do dërgoj ndonjë fëmijë të m’i blejë, se u jap ndonjë pesëdhjetë lekëshe dhe më shërbejnë”, i përgjigjet Islami infermieres së një shoqate humanitare që quhet “Ryder Albania” dhe që ndihmon pikërisht këtë kategori të sëmurësh.
I sëmuri
Islam Meta, tashmë 46-vjeçar, nuk ka qenë gjithmonë kështu, i lidhur pas një krevati të mjerë, nën mëshirën e fëmijëve të lagjes, që i shërbejnë sa herë u duhet ndonjë lek për të blerë ëmbëlsira. Islami në rini të tij mburret se ka punuar në minierën e Valiasit, se ka hapur toka të reja tek Ura e Beshirit, se ka prashitur të mbjellat në Laknas, se ka bërë ushtrinë në Telepenë, por edhe se ka dashuruar. E pohon se dashuria e vetme e jetës së tij ishte pikërisht femra, që ka emrin në tatuazhin që gjendet në lëkurën e tij, vizatuar nga maja e mprehtë e gjilpërës me në sfond një zemër të përshkuar nga shigjeta e dashurisë. “Me Suzin jetova gati 30 vjet, se jam martuar fare i vogël, por për fat të keq nuk patëm fëmijë”, rrëfen Islami. Ndërsa sëmundja i është shfaqur para gjashtë vitesh. Në formën e një puçrre të vockël. Që Islami nuk ia ka vënë veshin deri sa iu shkatërrua krejt shëndeti, pasi bëhej fjalë për një plagë kanceroze. Por edhe vetë Islami, meqë e kishte në vend të keq, nga turpi, kishte ngurruar të shkonte te mjeku në kohë. Dikur, i bërë keq, ai shkon, por doktorët vetëm sa e operojnë për t’i zgjatur jetën. “Kam ndërtuar edhe dy kasolle të tjera këtu pranë dhe i kam shitur. Të hollat kanë shkuar spitaleve”, rrëfen Islami. Kuptohet që ai ka ndërtuar në tokën e askujt dhe se blerësit i kanë dhënë ca të holla pa i kërkuar asnjë dokument pronësie.
I braktisuri
“Edhe gruaja e dytë më la. Iku me një tjetër. Punonte deri vonë, deri në 11 të natës dhe më pas duhet të më shërbente edhe mua. Nuk kishte kohë të më shërbente, nuk kishte dëshirë. E mori vesh se nuk kisha shpëtim nga kjo sëmundje, prandaj iku. Tani për mua kujdeset vetëm njëri nga vëllezërit. Më sjell ushqim. Të tjerët nuk duan t’ia dinë nëse jam apo jo gjallë”, rrëfen Islam Meta. Në fakt gruaja e dytë e ka braktisur menjëherë pasi ai është operuar për kancer në zorrën e trashë. Mjekët ia kanë nxjerrë pjesën e shëndoshë të saj diku në bark, ndërkohë që sëmundja, kanceri, përparon. Aktualisht, Islami është katandisur në një grusht burrë, që nga shtrati ngrihet vetëm me ndihmën e të tjerëve. E ndihmon pak një nga vëllezërit, apo edhe djali që gruaja e dytë kishte sjellë me vete. “Ah, këtë koliben djalit të gruas do ia lë trashëgim, sepse ata të mitë më duket se mezi po presin sa të vdes, që të fitojnë ndonjë lek, që do hedhin mbi arkivolin tim shoqëria ime...” Islami ndonjëherë është fare i hidhur. Të vetmit që falënderon janë punonjësit e “Ryder-Albania”, të cilët e vizitojnë periodikisht duke i bërë shërbime të ndryshme, që nga asistenca mjekësore deri te ndihma me të holla. Të njëjtët e kanë ndihmuar të përfitojë një pension invaliditeti në shumën 3.3 mijë lekë. “U futa në borxhe, sepse kujtova se do merrja pension 8.7 mijë lekë”, thotë me dhimbje Islami, që dikur ka lënë kockat në minierën e Valiasit dhe në fushat e kooperativave, pa u kujdesur kurrë që të dokumentojë pensionin e tij. I braktisur nga pothuaj të gjithë, duke e ditur se vdekja i ka trokitur në derë, humani me emrin Islam gjithsesi përpiqet të vazhdojë jetën, t’u kërkojë llogari atyre që nuk e ndihmojnë, të falënderojë ata që i rrinë pranë, të shohë futboll në televizorin e vogël, të dhuruar dhe zemërgjerësisht të planifikojë testamentin për djalin e gruas së dytë.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top