Titulli: Ndodhi e pazakonte !!!
RRAHJA DHE HESHTJA
Shkruar nga: Enver Rrobeli, Koha ditore
Xhabir Hamiti, njëri prej teologëve më mendjemprehtë të Kosovës, u keqtrajtua nga persona të panjohur. Me gjasë profesorin e rrahën disa ekstremistë që prej vitesh po e importojnë një version paramodern të Islamit, i cili burimin e ka në shkretëtirat e beduinëve arabë. Deri tani asnjë politikan nuk reagoi kundër këtij skandali, ndonëse dihet se heshtja nuk i ka zgjidhur kurrë problemet
Rrëfimi për mulla Feratin dhe për një katund të Komunës së Kamenicës është simptomatik për nivelin e shumë hoxhallarëve të etnisë shqiptare në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore. I lidhur me dreqin, me të birin e dreqit, me pushtetin dhe me milicinë, mulla Ferati në vitet 50-të ishte angazhuar me mish e me shpirt në përshpejtimin e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Ai u thoshte shqiptarëve se duhet të deklarohen si turq, ai i bënte gati defterët me emrat e njerëzve, ai shkonte në Shkup dhe ua ndreqte letrat për të shkuar ata sa më shpejt në fushat e Anadollit. Për fat të mirë disa banorë refuzuan t‘i shënonin emrat e tyre në listat e mulla Feratit. Ata thanë: „Jo, nuk jemi turq“. Pastaj protestuan edhe disa të tjerë. Në fund vetëm disa familje u larguan në drejtim të Maqedonisë, dikush mbeti atje, dikush vazhdoi rrugën drejt Turqisë. Për shkak të rolit të tij mulla Ferati u dënua me burg, natyrisht pasi në pushtet erdhën disa shqiptarë, që zyrtarisht thoshin se janë komunistë, e më shumë ishin patriotë. Mulla Ferati ishte një diletant.
Xhabir Hamiti është një intelektual me njohuri të thella të fesë islame. Duke lexuar biografinë e tij shihet se Hamiti nuk është diletant si jo pak krerë të sotëm të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), këta kameleonë, që publikisht përbetohen për paqe, ndërsa tinëzisht tolerojnë ekstremistët fetarë. Arsimimi dhe karriera akademike e profesor Xhabir Hamitit është impresionuese jo vetëm për rrethanat kosovare. Përgatitja e tij shkencore, veprat e tij dëshmojnë se në Kosovë ka teologë që mendojnë me kokën e tyre dhe nuk i nënshtrohen propagandës fetare. Hamiti ka doktoruar në Universitetin e Sarajevës në temën “Studimet e shqiptarëve për Kuranin gjatë shekullit XX“. Më parë ai i ka përsosur studimet kuranore në Liban, ka përfunduar Fakultetin e Shkencave Islame në Universitetin e Medinës. Profesor Hamiti është ndër teologët e paktë të Kosovës që flet dhe shkruan pa gabime në anglisht dhe ka njohuri të mira të gjuhës gjermane. Si njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës arabe ai ka sjellë në gjuhën shqipe disa libra të rëndësishëm. Në vitin 2003 ka përkthyer nga anglishtja veprën e autorit Norman Cigar mbi „Rolin e orientalistëve serbë për justifikimin e gjenocidit ndaj myslimanëve në Ballkan“. Duke qenë intelektual i paprishur nga helmi i ekstremizmit fetar vahabist dhe selafist, Hamiti e mbron fenë tonë islame ashtu siç e kemi trashëguar nga prindërit, nga paraardhësit tanë – me porosinë e madhe: nuk ushtrohet dhunë në emër të Zotit!
Kundër Xhabir Hamitit u ushtrua dhunë. E rrahën disa persona, të cilët, siç ka treguar profesori, ishin pothuaj të maskuar. Me gjasë ata janë disa ekstremistë që prej vitesh po e importojnë një version paramodern të Islamit, i cili burimin e ka në shkretëtirat e beduinëve arabë. Ata bien në sy në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë me mjekrat e tyre si tufa të misrit, me pantallona të shkurtër dhe kapela haxhinjsh. Me këtë pamje ata dëshirojnë t’i tregojnë opinionit se janë myslimanë të vërtetë dhe se të tjerët janë të pafe. Kjo është një gënjeshtër e madhe! Sepse pamja e jashtme kurrë nuk është dëshmi e devotshmërisë fetare. Madje profesor Hamiti në një intervistë për gazetën „Java“ me të drejtë ka theksuar se është kundërshtar i atyre që po mundohen ta keqpërdorin shaminë dhe ta rendisin atë në listën e prioriteteve fetare islame.
E vërteta është se shamia ka shumë pak të bëjë me traditën islame. Në Kuran lista e rregullave të veshjes për një femër është shumë e shkurtër. Profesori Reinhard Schulze, nga Instituti për Shkenca Sociale dhe për Filologji Orientale në Universitetin e Bernës, ka theksuar në një referat se shamia në traditën e Profetit nuk ka domethënie religjioze. Në Kuran shkruan se besimtarët duhet t’i bartin „rrobat e devotshmërisë“. Kjo, sipas profesor Schulze, domethënë: „Besimtarët duhet t’i mbulojnë vendet e turpshme“. Tani mund të pyesim: A është koka pjesë e turpshme e trupit? Natyrisht që në këtë pyetje nuk do të dinin të përgjigjeshin personat që e rrahën Xhabir Hamitin, sepse ata - si armiq të (pa)vetëdijshëm të Kuranit - mendojnë se bindjet e tyre të mbrapshta mund t’ua imponojnë të tjerëve me grushte. Në Librin e Shenjtë po ashtu thuhet se femrat duhet të bartin njëlloj shalli apo mbulese mbi gjoksin e tyre, me fjalë të tjera: nuk mund të ecin me gjinj përjashta. Ky rregull i veshjes dallon nga periudha paraislame, kur femrat bartnin pak rrobe. Sipas profesor Schulze, në ilustrimet e para nga shekulli i 10-të valltaret e Profetit Muhamed shihen gjysmëlakuriq. Në Kuran tërthorazi kërkohet që të mbulohen ato pjesë të trupit të femrës, të cilat mund të ngjallin ndjenja erotike te meshkujt, por askund nuk bëhet fjalë për mbulimin e fytyrës. Nëse vahabistët dhe selafistët e sotëm, pra nëse këta përfaqësues të rrymës ekstreme të Islamit kërkojnë mbulimin e femrave nga frika se nuk mund t’i kontrollojnë epshet e tyre, atëherë ky është problem i tyre moral, fetar, social dhe kulturor.
Në intervistën e lartpërmendur dhënë gazetës „Java“, profesori Xhabir Hamiti ka thënë se „toleranca është fundamenti bazë i besimtarit. Ajo është kërkesë e Zotit. Sjellja e mirë, drejtësia, dashuria dhe butësia mes njerëzve pa dallim është kërkesë hyjnore. Unë islamin si fe nuk e shoh si diçka të ngurtë, statike, siç mund ta shohë dikush tjetër”. Në qëndrimet e tij publike Hamiti ka mbrojtur Islamin autokton shqiptar dhe është deklaruar kundër ndikimeve të kulturës së huaj në traditën fetare të myslimanëve në Ballkan. Në fakt kemi të bëjmë me një pseudokulturë statike, e cila nuk ka ndryshuar me shekuj. Ithtarët e saj sot kërkojnë që femrat të vishen si pinguinë dhe t’i nënshtrohen vullnetit arbitrar të mashkullit. Ithtarët e këtij versioni të keqinterpretuar të Islamit do të dëshironin që në sheshin “Nëna Terezë” të organizoheshin orgji të kamxhikosjes së mëkatarëve fetarë. Këtë mundësi atyre nuk duhet lejuar. Duhet të reagojë shoqëria. Edhe ajo civile. Duhet të deklarohen edhe më zëshëm krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK). Fenomeni i vahabizmit dhe ekstremizmave të tjerë fetarë nuk është i ditës së djeshme. Sidomos pas luftës në Kosovë janë futur shumë organizata të ashtuquajtura bamirëse nga vendet arabe, të cilat bashkë me bukën dhe kripën që ua dhurojnë skamnorëve sjellin edhe disa shishe me helm fetar. Këto rreziqe i ka parë profesori Xhabir Hamiti dhe ka reaguar si intelektual i guximshëm. Teologët e tjerë e kanë futur kokën në zall. Kundër rrahjes së profesor Hamitit nuk reagoi deri tani asnjë politikan, ndonëse dihet se heshtja nuk i ka zgjidhur kurrë problemet. Zakonisht politikanët e Kosovës dinë ta keqpërdorin fenë gjatë fushatave zgjedhore, dikush bën poza me prift, dikush me hoxhallarë. Tani asnjë pushtetar nuk kërkoi nga policia zbulimin e sulmuesve. Por, opinioni i Kosovës nuk do të befasohej nëse Policia e Kosovës pas disa ditësh do të nxirrte para kamerave televizive tre agjentë zviceranë, të cilët do t’i akuzonte për sulmin kundër Xhabir Hamitit. Sepse tashmë politikanët dhe Policia e Kosovës janë të ushtruar për prodhimin e spektakleve me pasoja të rënda për vendin.