“Mretni”, prostitute dhe çingie..

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Fatos Baxhaku


Vlorë, fillimi i viteve ’30 të shekullit të shkuar. Një grup nxënësish të klasës së fundit të Shkollës Tregtare, që tashmë e konsiderojnë veten burra të vërtetë shkojnë në njërën prej shtëpive publike të qytetit. “Vajtëm një pasdreke të gjithë së bashku. Shtëpia publike ishte pranë spitalit. Aty ishin nja tri gra të thata, të shëmtuara. Shkuan disa shokë, po, kur më tha njëra mua: ‘Eja, mor çapkën’, - unë ika me vrap. Qysh atëherë kam një neveri të madhe për ato të mjera…”, do të shkruante vite e vite më pas njëri prej këtyre djemve. Ai ishte Petro Marko i famshëm.
“Të mjerat” e asaj kohe na u kujtuan sërish tani që debatet mbi prostitucionin, sidomos mbi diskutimin e kotë nëse duhet lejuar e zyrtarizuar apo jo, janë shtuar shumë këto ditë të fillimit të ndrojtur të pranverës. Themi debat i kotë, sepse sigurisht që duhet lejuar me një ligj të posaçëm, puna është se si e qysh e tek duhet të jenë lidhjet e zejes më të vjetër në botë me shtetin dhe shoqërinë.
Sikurse ndodh rëndom, sidomos në vendin tonë krenar, çdo brez mendon se brezat paraardhës nuk kanë bërë asgjë të mirë për këtë vend, çdo brez harxhon kohë, nerva, energji, për të zbuluar gjëra që paraardhësit i kanë gjetur me kohë, ndonëse sipas mënyrës së tyre. I tillë është edhe rasti i prostitucionit, ndaj për t’i ardhur në ndihmë të gjithë të interesuarve në këtë debat, duke përfshirë këtu edhe prostitutat edhe kodoshët, po rreshtojmë më poshtë disa shënime historike të nxjerra nga dokumentet e shtetit Shqipërisë së fillimit të shekullit të XX.
Nëse keni durim t’i lexoni atëherë do të kujtoheni se ndokush prej nesh ka qenë mënjehaoru që asokohe.

Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Prostitucioni në një vend tipik oriental si Shqipëria e asaj kohe s’mund të vinte ndryshe përveçse si një import që vinte bashkë me ushtritë pushtuese. Dhe bashkë me të vinin edhe masat e para për ta kontrolluar atë. Deri asokohe bejlerëve u lejohej që në oborrin e tyre të mbanin një grup femrash jevga (që sot zyrtarisht u thonë egjiptiane), të cilat luanin rolin e kërcimtareve, por edhe të kurtizaneve të deklaruara.
Kujtoni këtu kryeveprën e Kutelit “Vjeshta e Xheladin beut” dhe do ta keni të qartë atë lloj mantenute orientale. Por këto duket se kanë hasur problemet e para me shtetin që në kohën e pushtimit austro-hungarez. Një elbasanas, me sa duket me ngjyrë, lodhet për shumë kohë në 1917 për të nxjerrë nga “spitali” ku ishte shtruar për të zhdukur një infeksion venerian, bashkëshorten e tij, Shahun e Tushit. “Gruja ime është nasmusqare”, ankohet i shkreti burrë derisa çingia kthehet në vendin e vet të punës. Kjo ndodhte në Elbasan në dhjetor të 1917.
Duket se fenomeni ka marrë përmasa serioze sepse “katundaria” (bashkia) e Elbasanit në shtator të të njëjtit vit, vendos që “tashti e paskëtaj të ndalohet dëfryemja nëpër kafet me gra të përdaluna ngaqë këto po shkaktojnë sëmundje të rrezikshme, prishje morali dhe humbje ekonomike ndër nji shumicë të djelmnisë së vendit. Gjithashtu u vendos që edhe gratë e huaja të përdaluna të çohen sa ma parë ndër vendet e tyne…”.
Në fillim të shekullit të shkuar pra ishin mjaft të përhapura të dy llojet e kësaj kategorie: si çingiet, ashtu edhe prostitutat e mirëfillta, këto të fundit kryesisht të huaja.

Një nga masat e para që ndërmori djaloshi Ahmet Zogu, kur ishte ministër i Brendshëm ishte miratimi i një ligji të posaçëm mbi rregullimin e prostitucionit. Në fillim duket se ka një hallakatje të madhe në lidhje me terminologjinë. Dikush këto gra i quante “gra të përgjithshme”, dikush tjetër “gra të përdaluna”, të tjerë akoma, “gra botore”. Ahmet Zogu, si zakonisht, i ra shkurt. Me iniciativën e tij qeveria e atëhershme, e drejtuar nga Xhaferr Ypi, miratoi një rregullore prej 26 nenesh e cila u quajt “Rregullore mbi rregullimin e kurvënis”.
Zogu thjesht kishte përkthyer një rregullore që ishte në fuqi në Sarajevë gjatë pushtimit austro-hungarez. Pikërisht për këtë kjo rregullore u quajt edhe “Rregullorja e Sarajevës”. Ky akt nënligjor hyri në fuqi që në shkurt të vitit 1922. Për Zogun nuk kishte më diskutime të tepërta. Prostitutat cilësoheshin me termin më të përhapur “Rrugaçë”.
Rregullorja, e cila u plotësua disa muaj më pas me disa nene të tjera, përcakton në mënyrë të detajuar se cili i jep lejet për ushtrimin e profesionit, se si dhe ku duhet të jenë shtëpitë publike, detyrimin për t’u vizituar dy herë në javë nga mjeku i bashkisë, detyrat dhe detyrimet e “drejtorit të shtëpisë publike”. Me një fjalë thuajse gjithçka.
“Rrugaçet” duhet t’i paguanin bashkisë një taksë mujore prej 2 frangash ari. Bëhej kujdes edhe për korrupsionin. Në asnjë mënyrë nuk lejohej që vetë “Rrugaçet” të paguanin mjekun. Këtë pagesë duhej t’ia bënin Bashkisë së Policisë Bashkiake, e cila kishte të drejtë të kontrollonte pa paralajmërim shtëpitë publike, në të cilat ishin të ndaluara pijet e forta alkoolike, ndërsa birra dhe vera mund të shërbeheshin vetëm me leje të posaçme.

Ndërkohë korçarët ishin treguar më të shpejtë. Ata këtë punë e kishin rregulluar që në maj të 1921-it. Në një vendim të “Këshillit Administrues të Prefekturës së Korçës lexojmë veç të tjerash: “…اdo grua e cila kurvëron brenda në qarkun, është e detyruar ta deklaronjë në Drejtorinë e Policisë, e cila do t’i dorëzonjë një defterkë (radhua) të veçantë, ku të shënohen ditët dhe orët e vizitave. Doktori duhet të vejë në gruaja për ta vizituar dy herë në javë, në ditën dhe orën e caktuar. Do të ketë të ndenjurin në familiet e rezervuara për gratë publike, në Korçë në familet e caktuara, d.m.th. Në Vash të poshtë dhe në Kull’e Hirit. Në një dhomë vetëm një grua mund të rrijë për të ushtruar mjeshtërinë e saj… Eshtë e ndaluar për gratë publike e hyra ose e shëtitura në Bulevardin e Shën Gjergjit, të famullisë së Mitropolisë dhe të dy xhamive. اdo kundërvajtje mbi këto urdhërime do të dënohet me burg që me 15 ditë deri në 3 muaj dhe me gjobë që me 5 gjer 100 franga ar. Në qoftë se përsëritet kundërvajtja gjoba dhe burgu do jenë për dy…”. Në disa pika korçarët ishin treguar shumë më të rreptë se sa Zogu disa muaj më pas.

Rregullorja e “kurvënies” mobilizoi një armatë të tërë nëpunësish civilë dhe policorë. Në fillim duhet të ketë pasur reaksione të mëdha, dhe kjo ishte e kuptueshme nëse imagjinojmë sadopak Shqipërinë e asaj kohe. Disa muaj më vonë, këshilli bashkiak i Durrësit njoftonte Ministrinë e Brendshme se nuk ishte dakord që në Durrës të hapej një shtëpi publike. Preteksti ishte një gënjeshtër: Në Durrës nuk ka asnjë prostitutë! Lart, në Veri, në Shkodër, zhvendosja e një shtëpie publike në brendësi të lagjes Parrucë, diku në afërsi të një xhamie të vogël, shkaktoi një stuhi të vërtetë mes banorëve myslimanë, të cilët protestuan fuqishëm. Gjithsesi zeja më e vjetër e botës vazhdoi udhën e patrazuar nën kontrollin e rreptë të një shteti të vërtetë policor. Të gjitha gratë e përgjithshme ishin nën vrojtim të rreptë policesk e burokratik aq shumë saqë ndonjërës prej tyre, tashmë plakë e shtyrë i duhej të paguante ende taksën e “kurvënisë”.
Në gusht të 1926 Dilja e Xexes, një çingie nga lagjja “Xhamia e Sherifit” në Tiranë lutej që të çregjistrohej nga lista e grave të përgjithshme dhe të mos kryente më vizitën e detyrueshme mjekësore. “Vërtet – shkruan ajo me lutje të thellë – kam qenë në grupin e çingieve, por vetëm deri kur ka qenë Austro-Hungaria këtu, se masanej u vjetrush dhe që atëhere kam hek dorë prej atyne punve puth shkaktojnë vizitë. Tashti ndodhem në shtëpinë puq me dajën tim dhe merrem me punë vetjake e nuk jam ma prej grave të përgjithshme”.
Historia e Diles së Xexes këputet këtu. Askush nuk di të na thotë nëse vazhdoi ta paguante taksën e profesionit të saj të vjetër edhe në moshë të shtyrë.

Kjo puna e dhënies së informatave mbi prostitutat ku kthye gati-gati në mani, aq sa u vunë në vëzhgim të gjitha të huajat që vinin në Shqipëri. I tillë qe rasti i një fisnikeje të re e të pashme franceze, e afërt me Kontin Tucholsky, i cili bënte biznes në Durrës. Kur vajza e re guxoi të shkonte nga Durrësi, ku jetoi disa muaj, në Elbasan, atëherë u konsiderua menjëherë si një prostitutë ilegale. Vetëm kohë më pas, spiunët nisën të raportonin të vërtetën: “nuk gjetëm asnjë fakt që zonjusha të jetë grua e përgjithshme”.

Duket se Zogu, që ndërkohë bluante në kokë telashe të tjera, nuk u mor vetë personalisht me këtë fenomen. Por vetëm disa muaj pasi u bë mbret në 1928, atij iu desh të zgjidhte një tjetër telash. Në lagjen e Tabakëve, vetëm pak metra larg Pallatit Mbretëror, thuajse çdo natë kërciste ahengu i qejflinjve tiranas bashkë me çingiet e tyre të preferuara. Një pamje jo moderne për mbretin e porsazgjedhur të shqiptarëve. Zogu mobilizoi Ministrinë e Brendshme dhe Bashkinë e Tiranës. Në pranverë të 1929 në vendin e pabanuar Brrakë, në rrugën e sotme ku ndodhet Prokuroria e Tiranës, nisi ndërtimi i një lagjeje të re, krejtësisht me shpenzimet e shtetit.
اingiet u zhvendosën nga lagja e tyre e vjetër në shtëpitë e reja, larg syrit të Mbretit dhe të kureshtarëve. Hera-herës na bien në dorë të dhëna statistikore. Në 1938 Bashkia e Tiranës kishte të regjistruara 5 bordello, 71 gra publike, nga të cilat 5 greke, 2 jugosllave, 2 franceze, dhe 62 shqiptare. Në të njëjtin dokument thuhet se “Janë zanë tue ba kodoshllëk e tue majt ndër shtëpia gra me qëllim prostitucioni, 13 persona… Masa administrative për këta asht internimi dhe masa gjyqësore burgimi. Brenda vitit janë ekspulsue 4 gra, prej të cilave 1 çekosllovake 43 vjeç, 2 gjermane 17 e 46 vjeç e një bullgare 30 vjeç..”. Peqini në këtë drejtim ishte më pak ndërkombëtar dhe fare më modest. Lista e grave publike në 1930 përbëhet nga Sanija, Rukija, Lahja, Fatushja, Sabja. Në fund të listës është një tjetër Sabe, ajo është cilësuar si “Sabe Jevga e Vogla”.

17 vjet pasi Zogu legalizoi prostitucionin Shqipëria u pushtua. Zeja e vjetër lulëzoi sërish. Lufta është parajsa e saj. Asokohe pakkujt i shkonte mendja se bashkë me shumë gjëra po zhdukeshin edhe shtëpitë publike, prostitutat e deklaruara, kodoshët me licencë, çingiet… Gjatë viteve të komunizmit këto gjëra dënoheshin me dënime të egra.
Porse ja ku jemi tani, të gjithë duke diskutuar për një gjë që paraardhësit tanë, me sa duket më praktikë, e kishin zgjidhur me kohë.
Mos vallë jemi tepër vonë?
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top