Me shqiptar se shqiptaret!

Maksimilian Lamberc - Albanolog

MË SHQIPTAR SE SHQIPTARËT
Në maj dhe qershor të vitit 1916, Maks Lamberc udhëtoi për herë të parë në Shqipëri si anëtar i Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave për të kryer hulumtime gjuhësore dhe folklorike
Gjuhëtar austriak, profesor, albanolog. I ka kushtuar vëmendje të veçantë si albanolog studimeve të dialekteve arbëreshe, ndarjes nëndialektore të shqipes, folklorit dhe kulturës popullore. Është një nga albanologët më të mëdhenj, që në pjesën më të madhe të jetës së tij është marrë me gjuhën, folklorin dhe traditat shqiptare, duke paraqitur një vepër voluminoze dhe të pastër, që sa bie në kontakt me të mendon se nuk e ka shkruar një i huaj, por një shqiptar 24 karatësh. Në punën vigane prej studiuesi të kryer prej Lambercit vërejmë se ka shumëçka nga vullneti, pasioni, përkujdesja dhe mjeshtëria e një restauratori të zotë, që nuk ka ngurruar së kërkuari, përzgjedhuri e rindërtuari mozaikun e dëmtuar nga koha të historikut të viseve kryesisht shqipfolëse. Si zanafillë që u lidh me Shqipërinë dhe shqiptarët pë Maksimilian Lamberc shërbeu një bursë qeveritare. Me anë të kësaj burse shkencëtari i ri bëri një udhëtim në Itali dhe në Greqi, gjatë të cilit, duke përgjuar bisedimet e peshkatarëve të Atikës dhe të barinjve të Thivis, ai ra në kontakt për herë të parë me gjuhën shqipe. Në maj dhe qershor të vitit 1916, Maks Lamberc udhëtoi për herë të parë në Shqipëri si anëtar i Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave për të kryer hulumtime gjuhësore dhe folklorike. Gjatë këtij udhëtimi ai kaloi në Grudë, Shkodër, Lezhë, Krujë, Tiranë, Durrës, në luginën e Kirit, Shosh, Shalë, në luginat e Drinit dhe të Valbonës, dhe në veçanti në Mirditë ku qëndroi shumë kohë duke studiuar dialektin dhe duke mbledhur material folklorik. Në dhjetor të vitit 1916 u kthye përsëri në Shqipëri, kësaj radhe me trupat austro-hungareze të cilët kishin pushtuar zona të gjera të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme, dhe u ngarkuar me mbikëqyrjen e shkollave në zonën austro-hungareze. Ishte gjithashtu anëtar i Komisisë Letrare Shqipe të ngritur nga autoritetet austro-hungareze për të vendosur një normë letrare dhe një drejtshkrim standard për gjuhën shqipe. Gjatë qëndrimit të Shkodër, ai bashkëpunoi më Gjergj Fishtën në redaksinë e gazetës së përdyjavshme Posta e Shqypnies (1916-1918), në të cilën botoi disa artikuj. Materiali i tij folklorik u paraqit gjermanisht për herë të parë në vëllimin Poezia popullore e shqiptarëve: një studim hyrës, Sarajevë 1917. Lamberci u kthye në Austri pas Luftës së Parë Botërore dhe punoi mësues shkolle deri në vitin 1934. Gjatë asaj kohe ai vazhdoi të shkruante libra dhe artikuj për aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, veçanërisht të folklorit. Në vitin 1934, pas ardhjes në pushtet të regjimit të Dollfuss-it në Austri, Lamberci, që prej 1910 anëtar i Partisë Socialdemokratike të Austrisë, u përjashtua nga puna. Në moshën 53 vjeç, me banim në Vjenë, ai iu kthye studimeve universitare për teologjinë protestante, por disertacioni i tij u hodh poshtë nga fakulteti për arsye racore – nëna e tij kishte qenë me prejardhje hebrej. Në vitin 1939, Lamberci u kthye në Mynih për të vazhduar punë me fjalorin latin, dhe mbeti aty deri në vitin 1942. Në 1943 shkoi në Lajpcig ku dha mësim në frëngjisht dhe italisht dhe ku bashkëpunoi në enciklopedinë e njohur të botës antike. Në qershor të vitit 1945, pasi u bë anëtar i partisë komuniste, u emërua drejtor i Shkollës së Lajpcigut për Gjuhë të Huaja dhe, në tetor 1946, u bë profesor i gjuhësisë krahasimtare dhe, deri në vitin 1949 dekan i Fakultetit të Pedagogjisë së Universitetit Karl Marks të Lajpcigut. U bë gjithashtu drejtor i Institutit të Studimeve Indoevropiane deri në vitin 1957 kur doli në pension. Lamberci e vizitoi Shqipërinë në qershor të vitit 1954 dhe në 1957 dhe, edhe pas prishjes së marrëdhënieve të ngushta politike midis Shqipërisë dhe Paktit të Varshavës, ai refuzoi të shkëpuste lidhjet me Shqipërinë dhe mori pjesë në disa pritje të ambasadës shqiptare në Berlinin lindor. Gjatë kohës kur punoi profesor në Lajpcig, Lamberci jetoi me gruan e tij austriake, Jozefa, në një vilë në lagjen Markkleeberg. Martesa nuk ishte e lumtur dhe çifti nuk pati fëmijë. Aty profesori vdiq më 26 gusht 1963. U varros në varrezat Wien-Döbling në qytetin e lindjes, Vjenë. Megjithëse Maks Lamberci nga shkollimi ishte specialist për gjuhën latine dhe greke, dhe më vonë teolog, pasioni i tij kryesor ishte dhe mbeti gjuha shqipe. Tani ai konsiderohet albanologu më i shquar gjermanishtfolës i shekullit të njëzetë.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top