Mbiemrat e arbneshëve Një historik për origjinën

NeVertiti

~Kohe & Stine~
Staf në FV.AL
Themelues
Një historik për origjinën, konteksti historik, shpërnguljet, lidhja me traditat dhe asimilimi


Aty ku dikur ishte folur një gjuhë tjetër josllave dhe jetonin fiset ilire që u asimiluan në tërësi, po në ato vende do të flitet një gjuhë e ngjashme nga refugjatët arbneshë. Të shpërngulur më 1726 nga fshatrat buzë liqenit të Shkodrës që u vendosen në djerrinat e periferisë së Zarës, gjurmët e tyre do t’i përballojnë stuhitë e shumta gjatë historisë deri në ditët e sotme. Shpërngulja e arbneshëve në Zarë ishte e organizuar. Vendosja e etnitetit arbnesh në këto hapësira të Zarës, nuk kishte ndodhur rastësisht, por meqë aty shërbente kryepeshkopi Vicko Zmajeviq (i cili më parë kishte qenë kryepeshkop i Tivarit dhe u kishte shërbyer atyre malësorëve, të cilët i njihte mirë dhe ishte shumë i lidhur shpirtërisht me ta). Zmajeviq ishte njeri që kishte ndikim të madh në Vatikan, si dhe në Republikën e Venedikut. Ai kishte arritur ta organizojë ikjen e arbneshëve, nga fshatrat që administroheshin nga perandoria turke, në bashkëpunim me autoritetet e Venedikut dhe vendosjen e tyre në pjesën ku administronin ata. Arbneshët, me kohë e kishin lidhur fatin me ambientin e ri, i cili dallohej në gjuhë, origjinë e tradita e gjëra tjera. Mirëpo ekzistonte diçka e fuqishme e përbashkët që i afronte e i bashkonte me vendasit, e ajo ishte feja e njëjtë.
Ashtu siç shprehet edhe Dr. Sergjo Dokoza- Nikpali në kumtesën e tij në simpoziumin mbajtur në Zagreb, 2006 me rastin e 280-vjetorit të shpërnguljes së arbneshëve: “Si katolikë, ata feja me rrethin më shumë i ka ofruar, se sa i ka ndarë”. Arbneshët në fillim shërbesat fetare i kishin kryer në kishën vendore Shën Stoshje dhe atë të Shën Donatit derisa e ndërtuan kishën e tyre në qendër të katundit. Ndërtimi i kësaj kishe sipas Dr. Aleksander Stipqeviçit kishte përfunduar më 1743. Ajo ishte pagëzuar “Zonja Loret”( Zonja Jon), atje pranë ku edhe sot është sheshi kryesor i Arbneshit. Besimi i njëjtë i bënte më të afërt me rrethin. Megjithatë, ata jetuan në mënyrën e tyre, me traditat e tyre, duke ruajtur gjuhën deri atëherë kur bujqësia ishte burimi kryesor i ekzistencës. Ndryshimi i kushteve të gjithëmbarshme dhe zhvillimi i degëve të tjera ekonomike, domosdo ndikuan në afrimin dhe bashkëpunimin me rrethin që jetonin. Proceseve asimiluese arbneshët iu bënë ballë aq sa mundën, por ata nuk patën kapacitete të vetëmjaftueshme të rezistimit pakufi.

Shpërngulja e dytë e arbneshve

Homogjeniteti i etnitetit të tyre fillon të dobësohet për shumë shkaqe, si: nga martesat e përziera me pjesëtarët e vendbanimeve përreth, vendosjen e komuniteteve tjera në Arbanas, si dhe vendosja e arbneshëve në qytet dhe vise tjera edhe për shkaqe ekonomike. Qenia arbneshe është dëmtuar rëndë nga shpërngulja e madhe e arbneshëve në Itali e shtete tjera, nga frika e hakmarrjes së pushtetit komunist, i cili i etiketonte ata si element pro italianë….

Arbneshët e arbnishtja nuk mundën t’u bëjnë ballë të gjithë faktorëve rrënues, të cilët ishin të shumtë. “Arbëneshët nuk kanë pasur (apo kanë pasur në një kohë të shkurtër) mundësi të mësojnë gjuhën shqipe (arbënisht), sepse mësimi në gjuhën shqipe nuk ishte i lejueshëm. E vetmja mundësi e ruajtjes së identitetit të tyre gjuhësor, ishte në ruajtjen e traditës kulturore nëpërmjet dokeve të ndryshme”.( Croatica Slavica Iaderatina, Zadariv, 2008; Maximilijiana Baranqiq- Arbneshët dhe identiteti etnogjuhësor, faqe 553). Por edhe meshat e lutjet fetare, të udhëhequra nga famullitarët jo arbresh, jo shqiptarë në kishën e Arbëneshit, të cilat e largojnë arbënishten nga funksioni komunikues publik apo edhe pamundësia e komunikimit me atdheun e tyre të vjetër.
Sipas prof.dr. Aleksandër Stipqeviqit “Arbneshët e Zarës deri në mbarim të shek. XIX nuk kanë pasur kurrfarë kontakti me atdheun e vjetër”. Ndërsa për dr. Sergjo Dokoza – Nikpali, arbneshët procesit të asimilimit iu nënshtruan menjëherë pas shpërnguljes në rrethinat e Zarës. Megjithatë, arbënishtja gjuha e pashkruar edhe e izoluar e trashëguar në breza me një fond të kufizuar fjalësh, në fillim i mjaftonte për komunikim. Me kalimin e kohës, ajo nuk i plotësonte të gjitha nevojat komunikuese, andaj hyrja e fjalëve italiane e kroate në të folmen e arbneshëve, bëhet proces i pashmangshëm. Vitet e fundit, “Shoqëria Kulturore e Arbneshëve të Zarës”, me kryetarin e saj Enio Grdoviq, ka organizuar kurse për mësimin e arbnishtes, bazuar në fjalorin shkencëtarit të shquar kroat me origjinë arbneshe dr. Kruno Krstiq.

Arbneshët, mbiemrat ndër shekuj

Autorja Maksimilijana Baranqiq ka bërë një analizë të ndikimeve, evoluimit të arbënishtës, jo vetëm duke u bazuar në burimet e shumta të linguistëve të njohur shqiptarë, por edhe të tjerë. “Të folurit e arbëreshëve, rrjedh nga gjuha e cila është folur në atdheun e arbneshëve në fillim të sh. XVIII. duke i ruajtur disa cilësi arkaike (disa të përvetësuara nga dialekti toskë), mirëpo gjatë kohës në luftë për ekzistencë ka përjetuar ndryshime të theksuara, për shkak të tendencave të veta zhvillimore dhe ndikimit të gjuhëve të huaja, si: shtokavishtës nga prapavija e Kotarit, çakaviane nga rrethi i afërt dhe nga ujdhesat, si dhe gjuha romane (gjatë kohës së sundimit venecian dhe okupimit italian). Përveç ndeshjes themelore me gjuhën standarde të shqiptarëve, gjuha e arbneshëve të Zarës, dallohet në aspektin fonetik, morfologjik dhe në nivelin leksik që e vështirësojnë komunikimin me banorët e ish-atdheut të vjetër”. (”Croatica Slavica Iaderatina”, “Arbneshët dhe identiteti etnogjuhësor”). Gjuha arbëreshe, e mbetur jashtë institucioneve, e pashkruar e pa alfabet të sajin, e përdorur vetëm në shtëpi e gjatë punës në bujqësi, e papërkrahur nga institucionet shtetërore dhe e penguar nga sunduesit e ndryshëm, si edhe nga pushteti komunist ku ndikim të fuqishëm kishte elementi serb, erdhi në këtë gjendje që është sot.
Vërtet mbiemrat janë një element i fuqishëm i identitet të arbëreshëve, një përmendore që i qëndroi valëve të ashpra të historisë. “Këta mbiemra na mundësojnë identifikimin dhe na orientojnë, për të ditur sa herë që i dëgjojmë e i lexojmë se kemi të bëjmë me ndonjë arbnesh. Ata na dëshmojnë se arbneshët jetojnë e tregimi për ta nuk ka mbaruar. Ndryshimi i mbiemrave e tyre sëpari ndodhi që me arritjen në atdheun e ri, duke regjistruar prapashtesën viq”. Ndryshimi i dytë ndodhi gjatë kohës mes dy luftërave botërore. Maximilijana ka bërë një punë shumë të madhe hulumtuese, empirike e krahasuese, duke shfrytëzuar arkivat shtetërore, dokumentet kishtare, të lindjes, vdekjes, kurorëzimit, si edhe dokumentacionet e bëra nga administratat e kohës. Që dëshmitë të jenë sa më të plota ajo ka punuar: nga viti 2000-2005 duke i krahasuar regjistrat e shkruar, kroatisht, italisht dhe në gjuhën e vjetër kishtare. Administrata italiane në Zarë kishte qenë e interesuar të bëjë asimilimin e asaj popullate, si edhe të arbëneshëve. Andaj në mënyrë administrative i kishte bërë presione të ndryshme, duke ia ndryshuar edhe mbiemrat familjar. “Me qëllim të italianizimit të njerëzve tanë, italianët nuk kishin zgjedhur mjete, ua ndryshuan emrat e rrugëve, por edhe mbiemrat familjar. Me qëllim të asimilimit dhe humbjes së identitetit etnik, italianët, menjëherë pas aneksimit për qëllimet e tyre u shërbyen me Kishën, ushtrinë, shkollën, bursat, institucionet bamirëse, dhe entet edukuese. As kroatishtja e as arbnishtja nuk janë guxuar të fliten, kanë mundur vetëm të pëshpëriten. Kjo ishte koha prej 1918 -1943”. Lidhur me këtë çështje, prof. Maximilijana ka sjellë materiale të shumta faktografike, të sistemuara në mënyrë tabelare, ku lehtë vërehen ndryshimet e mbiemrave të arbneshëve gjatë sundimit italian. Ne po i paraqesim vetëm disa mbiemra të italianizuar nga administrate italiane, si: Qurkoviq-Chirco, Dadiq-Dadini, Kalmeta-Calmetta, Gërdoviq-Gherdini, Karuz-Caruso, Mateshiq-Mattessi, Mattasi, Matetei, Marushiq-Marussi, Marsan- Marsano, Muzhanoviq-Muzani, Moroviq-Moroni, Nikpali Nipali, Peroviq-perini, Vladoviq-Vladani. Ndërsa disa mbiemra kanë pësuar ndryshime e deformime thelbësore psh: Deshpali–Despoti, Kërstiq-Marcuzzi, Karuz, Karuc-Raggi, Joviq-Giovini, Nikpal–Nisi, Stipqeviç-Stefani, Vukiq-Vuksani, Vukiq-Lupis. Disa mbiemra në periudhën mes dy luftërave botërore në tërësi e kanë ndryshuar formën e tyre, nganjëherë ka ndodhur edhe përkthimi i mbiemrave në latinisht. Si për shembull mbiemri Vukiq i ndryshuar në Lupis lat-Lupus-Ujk. Prof. Maksimilijana, duke i krahasuar format e sotme të mbiemrave të arbneshëve me mbiemrat e evidentuar në fillim të ardhjes në Zarë, konstaton se ka pak ndryshime pasi që pas Luftës së Dytë Botërore, arbneshët i kanë ndryshuar mbiemrat, duke i rikthyer në variantin e vjetër të kroatizuar, si:Qurkoviq, Dadiq, Deshpali, Duka, Gjergja,ose Gjergia, Kalmeta, Karuc (Karuzo), Kotlar, Kërstiq, Jelenkoviq, Joviq, Mateshiq, Marshan, Marushiq, Mazija, Muzhanoviq, Nikpali, Petani, Peroviq, Ratkoviq, Stipqeviq, Tomas, Vladoviq, Vladoviq-Rela, Vukiq. Kjo na përkujton veprimet politikës asimiluese të Jugosllavisë Mbretërore, ndaj shqiptarëve, politikë e cila u vazhdua edhe gjatë pushtetit socialist deri në rënien nga pushteti të ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviq, më 1966. Kjo njihet njohur si periudha e tmerrshme për shqiptarët, ku nuk munguan as vrasjet, arrestimet, shpërnguljet. Ndërkaq shqiptarëve në Maqedoni iu shtua sufiksi-ov dhe ski. Pas rënies së këtij shovinisti serb, shqiptarët i ndryshuan mbiemrat e tyre duke ia përshtat natyrës së gjuhës shqipe e në Maqedoni ka ende raste që mbiemrat e shqiptarëve të kenë sufiksin maqedonas. Maximilijana gjatë hulumtimit ka hasur edhe dy mbiemra që janë shuar: Pema dhe Difialo, si dhe disa familje të tjera që kanë jetuar në mesin e arbneshëve dhe janë asimiluar. Bajlo, Baniq, Gërdoviq etj. Derisa gjuha ka pësuar shumë ndryshime dhe arbnishten e flasin vetëm moshat e vjetra, ata që rezistojnë ende janë mbiemrat. Prandaj, me të drejtë prof. Maksimilijana përfundon: “Mbiemrat janë ato që flasin për mbi identitetin e dikujt, ndërsa te arbëreshët e Zarës, ndoshta është e vetmja gjë që i përkujton ata në origjinën e tyre”. Arbneshët e Zarës, tani janë të integruar në shoqërinë kroate, dhe katundi i tyre është shndërruar në një lagje e bukur dhe turistike e qytetit. të Zarës.

b:G.Metropol
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top