61 milionë lekë të rinj kanë përfituar në mënyrë abuzive nga skema e ndihmës ekonomike, mbi 18 mijë familje shqiptare vetëm në katër vitet e fundit. Abuzimet më të mëdha janë zbuluar në vitin 2010, ku shifra ka shkuar në mbi 20 milionë lekë të rinj. Mënyrat e abuzimit janë nga më të shumtat, duke nisur që nga falsifikimi i dokumenteve ku familja ka disa persona të punësuar në të zezë apo edhe prona e biznese në pronësi. Drejtuesit e ndihmës sociale kanë vërejtur se shkeljet bëhen gjate votimit në këshillat bashkiake apo të komunave, ku anëtaret futin në skemë veten, familjarët e tyre apo persona që japin ryshfet. Për këto arsye skema e ndihmës ekonomike do te përllogaritet me një formule të re, ku këshillat nuk do te kenë më të drejtë të ndërhyjnë në listën e emrave. Vetëm gjate vitit 2012, inspektorët e shërbimit social kanë kapur me dhjetëra anëtare të këshillave bashkiake që kanë votuar për t’i dhënë njëri-tjetrit ndihmë ekonomike. Por nga të gjitha masat administrative që janë vënë, për abuzuesit vetëm katër janë zbatuar. Ndërkohë që në buxhetin e shtetit nuk ka asnjë lekë të kthyer mbrapsht nga familjet që kanë përfituar të ardhura mujore pa qenë vërtet në nevojë financiare.
/Shekulli Online/Përgatiti: E.Sh/