Luljeta Lleshanaku, një vështrim kritik për të nga "The Guardian"

ReNdEx

Interist Forever
Staf në FV.AL
Mod
47061.jpg


TIRANE- Lindur në 1968, Luljeta Lleshanaku arriti pjekurinë në Shqipërinë postkomuniste, e lirë për të shkruar sipas dëshirës, por me imagjinatë të formuar nga ngjarjet e mëparshme nën regjimin e Enver Hoxhës. Pas vdekjes së Hoxhës në 1985, diktatura vazhdoi deri në 1990. Familja e Lleshanakut, kishte qenë kundërshtare e regjimit dhe asaj i ndalohej të ndiqte arsimin e lartë, apo të botonte punimet e saj të hershme. Sikur ta kishte bërë këtë, do të kishte rënë pre e censurës, e cila shihte me dyshim edhe shprehjet më të pafajshme dhe konformiste.

Punimet e botuara më vonë nga Lleshanaku janë kokëfortësish besnike të shqetësimeve dhe preokupimeve të saj. Ka edhe ajo poezi për historinë, politikën dhe pushtetin, por ato shpesh janë derdhur sipas kushteve lokale apo të përditshme, në klimën e provincializmit ekstrem të regjimit të vjetër. Dëgjojmë për varre familjare me "vetëm katër gisht kohë midis,/të vënë në radhë/si një varg makinash të bllokuara/në kryqëzim me hekurudhën" e për luftën që "banorët" e tyre kishin bërë kohë më parë. Asistojmë në një vajtje në kinema, studiojmë gruan e dytë të një burri të dhunshëm, përgjojmë një darkë familjare dhe goditjen me gurë të çatisë së një të çmendure.

Atje ku vetë kuptimi i gjithçkaje kishte qenë aq i kufizuar dhe i dyshimtë, thjeshtë fakti i ekzistencës së diçkaje dukej sikur i atribuonte asaj një pavdekësi perverse, meqenëse s'mbetej gjë tjetër veç thjesht mbijetesa. Në mungesë të pushtetit, ironia në vetvete përbën një formë rezistence. Bota që Lleshanaku shpesh përshkruan është si një dhomë pa dritare, ku gjithçka që pritet të ndodhë, tashmë ka ndodhur: "E njëjta histori lufte/ e treguar qindra herë/ e njëjta markë e lire cigaresh e ofruar bujarisht/ dhe të njëjtët sy të errët e dembelë." Në një ese që kemi botuar këtu, Lleshanaku kujton se pas një qëndrimi në SHBA ajo i flaku poezitë që kishte shkruar atje, sepse "kisha ndjekur yllin e gabuar." Megjithatë, jeta jashtë grackës letrare ndoshta s'është aq e ndryshme, po t'i heqësh asaj numrat dhe zhurmën. Poezia e fuqishme "Me fatin e shkruar në fytyrë" pikturon një varg fatesh të pandryshueshëm: "Gruaja flokë-kuqe që pret përnatë burrin e pirë/ do të vazhdojë ta presë kështu edhe njëqind vjet./Nuk është faji i alkoolit. Ajo ka pritjen vulosur në fytyrë./Dhe ai ndodhet krejt rastësisht në këtë akt/ sa spektatori i rastit/që shiu e futi nga rruga në sallë."

Natyrisht që këtë do ta kishte kuptuar mire një poet si James Wright. Por Lleshanaku është edhe origjinale. Kur vëmendja e saj i kushtohet dashurisë, kuptimi i fatit njerëzor është i pamëshirshëm. Në "Veçanërisht në mëngjes", mendimi i përhapur se dashuria e tejkalon në vlerë historinë, trajtohet me një efekt të pasur dykuptimësie: "Edhe nëse ai akoma fle/ me atë fytyrë të panjohuri,/ pa kujtesë,/ që njerëzit kanë zakonisht në gjumë/ është pikërisht ai që e njeh atë kod,/ ndërsa rrjedh si një lumë pranë një kolonie ciganësh/ pa nënkuptuar/ as burimin dhe as fundin". Në këto kushte, nuk ka asnjë vend për sentimentalizëm. Këmbëngulja e tiranit për të mos lejuar asnjë centimetër "privacy" sjell pasojën e paparashikuar prej tij, të lindjes së domosdoshme të shkrimit të poezive të fuqishme që i rezistojnë kohës, të cilat megjithëse vuajnë gjithë privimet e imponuara të izolimit, megjithatë ruajnë në vetvete diçka të pasundueshme, pikërisht, saktësinë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top