Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 - 1881)

fcbesia

Anëtar i Respektuar
KRIZA LINDORE E VITEVE 70 DHE RREZIKU I COPثTIMIT Tث TOKAVE SHQIPTARE

Planet shoviniste për copëtimin e Shqipërisë

Qysh përpara Krizës Lindore të viteve 70 shtetet fqinje ballkanike, Greqia, Serbia dhe Mali i Zi, kishin shfaqur lakmitë shoviniste për t’u zmadhuar në dëm të trojeve shqiptare. Madje për këtë qëllim Greqia e Serbia përpunuan edhe platformat e tyre politike. Kryeministri grek Jani Koleti shpalli më 1844 programin e tij të quajtur ,,Ideja e madhe’’ (Megali Idea), i cili synonte të krijonte një shtet të madh helenik. Sipas ,,Idesë së madhe’’, e gjithë Shqipëria e Jugut deri në Shkumbin do të përfshihej brenda kufijve të Greqisë së madhe. ,,Megali Idea’’ greke gjeti mbështetje të fuqishme te Patrikana ortodokse e Stambollit.
Po kështu programi i ministrit serb Ilia Garashanin, i shpallur në të njëjtin vit (1844), dhe i njohur me emrin ,,Projekti’’ (Naçertania) synonte që principatën e vogël serbe ta shndërronte në një shtet të madh jugosllav, në të cilin do të përfshiheshin edhe të gjitha tokat shqiptare në veri të Shkumbinit, së bashku me Kosovën, të cilën filluan ta quanin ,,Serbia e vjetër’’ (Stara Srbija).
Këto programe kishin karakter shovinist. Ato nuk e njihnin ekzistencën e kombit shqiptar e të lëvizjes së tij kombëtare dhe si rrjedhojë, as të drejtën e tij për të krijuar shtetin shqiptar. Sipas tyre tokat shqiptare duhej të ndaheshin ndërmjet Greqisë dhe Serbisë.

Kriza Lindore dhe shqiptarët

Reformat centralizuese të zbatuara në Perandorinë Osmane për ta shpëtuar atë nga dobësimi i mëtejshëm nuk kishin dhënë rezultatet që priteshin. Si rrjedhojë, në fillim të viteve 70 të shek. XIX gjendja ekonomike dhe politike e kësaj Perandorie ishte keqësuar më tej. Kryengritjet popullore kundër shfrytëzimit feudal dhe kryengritjet e kombësive joturke kundër shtypjes osmane ishin përhapur në të katër anët e Perandorisë. Edhe gjendja ndërkombëtare e Perandorisë osmane u bë më e rëndë. Qëndrimi i Fuqive të mëdha ndaj saj nuk ishte i njëjtë. Anglia dhe Franca përpiqeshin ta mbanin në këmbë Perandorinë e dobësuar Osmane dhe të rrisnin ndikimin e tyre në zotërimet e saj. Kurse Rusia dhe Austro-Hungaria ishin për shembjen e saj. Rusia, që synonte të vinte nën kontroll ngushticën e Bosforit dhe atë të Dardaneleve për të dalë në Mesdhe dhe të rriste ndikimin në Ballkan, doli me flamurin e ,,pansllavizmit’’. Ajo filloi të nxiste popullsitë e shtypura për t’u hedhur në kryengritje kundër Portës së Lartë dhe të shtynte monarkitë sllave ballkanike (Serbinë e Malin e Zi) për të filluar luftën kundër Perandorisë Osmane. Austro-Hungaria ishte kundër formimit të shteteve të mëdha sllave në Ballkan dhe kishte synimet e veta për t’u shtrirë drejt këtij gadishulli.
Në rrethana të tilla, në verën e vitit 1875 shpërtheu kryengritja çlirimtare në Hercegovinë dhe pas saj në Bosnjë. Në pranverë të vitit 1876 ajo u përhap edhe në Bullgari, por Porta e Lartë i shtypi këto kryengritje. Menjëherë pas tyre, Serbia dhe Mali i Zi, të nxitur edhe nga Rusia, i shpallën luftë Perandorisë Osmane. Meqenëse edhe kësaj lufte Porta e Lartë i bëri ballë, Rusia filloi përgatitjet për luftë kundër saj.
Fillimi i Krizës Lindore krijoi një gjendje të re politike, shumë të rrezikshme për shqiptarët. Në atë kohë shqiptarët jo vetëm ishin, siç shprehej një dëshmitar i huaj, në ,,kulmin e varfërisë’’, por nuk gëzonin asnjë të drejtë kombëtare dhe kishin marrëdhënie shumë të acaruara me Portën e Lartë. Në të njëjtën kohë monarkitë ballkanike po vepronin politikisht dhe ushtarakisht për të copëtuar trojet shqiptare. Kurse fuqitë e mëdha nuk tregoheshin të prirura për ti njohur shqiptarët e besimeve të ndryshme si një komb më vete. Për më tepër, Rusia përbënte një rrezik të madh për Shqipërinë sepse mbështeste politikën shoviniste të shteteve sllave të Ballkanit.

Shqipëria dhe marrëveshja e Budapestit (1877)

Përpara se t’i shpallte luftë Perandorisë Osmane, Rusia ishte e detyruar të hynte në bisedime me Austro-Hungarinë, rivalen e saj kryesore në Ballkan, dhe t’i bënte asaj disa lëshime me qëllim që ajo të mbante qëndrim asnjanës. Në fillim të vitit 1877 në Budapest u nënshkrua një marrëveshje e fshehtë ndërmjet Rusisë dhe Austro-Hungarisë. Viena zotohej se në luftën ruso-turke do të qëndronte asnjanëse. Si shpërblim, në mbarim të luftës, ajo fitonte të drejtën të pushtonte Bosnjën dhe Hercegovinën. Në qoftë se Perandoria Osmane do të shembej krejtësisht, parashikohej që në Ballkan të krijoheshin tri shtete të reja: Bullgaria, Rumelia dhe me kërkesën e Austro-Hungarisë, edhe Shqipëria.
Marrëveshja e Budapestit është akti i parë diplomatik ndërkombëtar që pranoi në parim krijimin e një shteti autonom shqiptar. Megjithatë ajo cënonte tërësinë e tokave shqiptare, sepse viset jugore, të cilat përfshiheshin nën emërtimin Epir, i premtoheshin Greqisë, Serbisë i hapej rruga për të aneksuar Kosovën, Malit të Zi mendohej t’i jepeshin viset e Shqipërisë Veriore, kurse trevat shqiptare lindore ishin në rrezik të përfshiheshin brenda shtetit autonom sllav që do të krijohej me emrin Rumeli. Pas marrëveshtjes së Budapestit, më 24 prill 1877 Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Kjo luftë e thelloi më tej Krizën Lindore. Duke parashikuar disfatën e forcave osmane, të gjitha palët u vunë në lëvizje në përputhje me interesat e tyre.

Komiteti Kombëtar i Stambollit

Kur filloi Kriza Lindore, shqiptarët i kuptuan rreziqet që kërcënonin atdheun e tyre, prandaj vendosën që fillimisht të qëndronin në pritmëri dhe të ndiqnin me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve politike. Meqenëse shpërthimi i luftës ruso-turke e shtoi rrezikun e copëtimit të tokave shqiptare, në radhët e patriotëve lindi ideja e organizimit të kryengritjes çlirimtare antiosmane për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe për ta vënë diplomacinë europiane para një fakti të kryer.
Për këtë qëllim ishte e nevojshme të krijohej një qendër drejtuese dhe të sigurohej një aleat i jashtëm. Në fillim atdhetarët formuan në Janinë, në maj 1877, një komitet të fshehtë shqiptar nën kryesinë e Abdyl Frashërit. Në verë të po atij viti u formua në Shkodër një komitet tjetër, me kryetar Pjetër Gurakuqin (i ati i Luigj Gurakuqit). Pas disa muajsh, në dhjetor 1877, u formua në Stamboll një komitet kombëtar me emrin ,,Komiteti Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare’’, i cili shkurtimisht është quajtur Komiteti i Stambollit. Në të bënin pjesë patriotë të njohur, si: Pashko Vasa, Ymer Prizreni, Sami Frashëri, Zija Prishtina, Jani Vreto, Ahmet Koronica etj. Kryetar i tij u zgjodh Abdyl Frashëri.
Si aleat për kryengritjen shqiptare patriotët mendonin se mund të ishte Greqia, e cila ishte e interesuar të luftonte kundër Perandorisë Osmane dhe njëkohësisht të kundërshtonte zgjerimin e shteteve sllave në Ballkan. Prandaj, që në korrik 1977, përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare hynë në bisedime me përfaqësues të Greqisë për të krijuar një aleancë shqiptaro-greke. Mirëpo qeveria greke kundërshtonte kushtin kryesor të palës shqiptare, që ajo të njihte zyrtarisht formimin e shtetit të pavarur shqiptar me kufijtë etnikë të Shqipërisë, duke përfshirë Kosovën në Veri, deri në Vranjë, dhe اamërinë në Jug, deri në Prevezë. Bisedimet e zhvilluara disa herë përfunduan pa ndonjë rezultat, sepse pala greke nuk hiqte dorë nga pretendimi për të aneksuar Shqipërinë e Jugut deri në Shkumbin.

Traktati i Shën Stefanit dhe Shqipëria

Ushtritë ruse përparuan drejt jugut dhe në janar 1878 arritën në fshatin Shën Stefan, në periferi të Stambollit. Ndërkohë ushtritë e Serbisë dhe të Malit të Zi që kishin rifilluar luftën kundër Perandorisë Osmane marshuan drejt tokave shqiptare në vilajetin e Kosovës dhe në vilajetin e Shkodrës. Po kështu Greqia u përpoq, por pa sukses, që me rreth 500 të ashtuquajtur vullnetarë epirotë të provokonte në Shqipërinë e Jugut një kryengritje antiosmane, e cila duhej të kërkonte bashkimin e kësaj pjese të Shqipërisë me Mbretërinë Greke. E ndodhur ngushtë, Porta e Lartë nënshkroi në fillim armëpushimin e Edrenesë më 31 janar 1878, dhe në Shën Stefan, më 3 mars nënshkroi Traktatin e Paqes me Rusinë. Në të vërtetë, Traktati i Shën Stefanit iu diktua Turqisë së mundur, prandaj ai ishte krejtësisht në favor të Rusisë dhe të shteteve sllave të Ballkanit. Sipas tij, Perandorisë Osmane i shkëputej pjesa më e madhe e zotërimeve të saj në Ballkan. Në këtë Traktat shqiptarët nuk ziheshin fare në gojë si kombësi më vete, por trojet e tyre copëtoheshin shumë rëndë. Gati gjysma e tokave shqiptare u jepej shteteve sllave të Ballkanit. Sipas Traktatit të Shën Stefanit, Bullgaria, që fitonte autonominë me kufij shumë të gjerë, do të merrte krahinat shqiptare të Korçës, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut dhe të Kumanovës; Serbia do të aneksonte viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës; Mali i Zi do të merrte Ulqinin, Krajën, Anamalin, Hotin, Grudën, Kelmendin, Plavën, Gucinë dhe Rugovën. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin osman. Si rrjedhojë, trojet shqiptare do të ndaheshin ndërmjet katër shteteve të huaja: Perandorisë Osmane, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Traktati i Shën Stefanit shkaktoi një shqetësim të thellë dhe të përgjithshëm në Shqipëri. Nga të katër anët e vendit pati protesta dhe u shpreh vendosmëria për të kundërshtuar me të gjitha mjetet zbatimin e këtij Traktati. U krijuan gjithashtu besëlidhje krahinore për mbrojtjen nga copëtimi. Ndërkohë Traktati i Shën Stefanit kundërshtohej edhe nga fuqitë e tjera të mëdha, të cilat kërkuan rishikimin e tij në një kongres ndërkombëtar që u vendos të mbahej në Berlin, në qershor të vitit 1878.

KUVENDI I PRIZRENIT DHE FORMIMI I LIDHJES SHQIPTARE

Thirrja e Kuvendit të Përgjithshëm në Prizren

Pezullimi i zbatimit të Traktatit të Shën Stefanit deri në mbajtjen e Kongresit të Berlinit, u jepte patriotëve shqiptarë një kohë shumë të çmueshme për ta organizuar më mirë qëndresën politike e ushtarake dhe për t’u përgatitur që t’i bënin ballë rrezikut të copëtimit të atdheut. Situata e re kërkonte mobilizimin e të gjitha forcave njerëzore dhe materiale, si dhe krijimin brenda vendit të një qendre të vetme drejtuese. Në këto rrethana u përhap në mbarë shqiptarët ideja për të formuar një lidhje të përgjithshme kombëtare, në të cilën do të përfshiheshin të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga krahina, feja dhe gjendja e tyre shoqërore.
Më këtë ide bashkoheshin edhe dy rrymat politike që ekzistonin atëherë në Lëvizjen Kombëtare, megjithëse ato kishin ndryshime ndërmjet tyre për mënyrën se si duheshin siguruar kërkesat kombëtare: rryma radikale ishte për realizimin e tyre edhe me luftë, kurse rryma e moderuar vetëm me pëlqimin e sulltanit. Për të formuar një organizatë të tillë mbarëshqiptare u mendua të thirrej një kuvend kombëtar, ku do të përfaqësoheshin të gjitha krahinat e vendit. Përpjekjet në këtë drejtim u shpejtuan në gjysmën e dytë të majit, kur u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878.
Patriotët shqiptarë, dhe veçanërisht Komiteti i Stambollit, fillimisht u përpoqën ta bindnin Portën e Lartë që të lejonte formimin e një lidhjeje shqiptare, por ajo nuk pranoi. Meqenëse nuk qe në gjendje të ndalonte mbajtjen e kuvendit shqiptar, ajo u përpoq me anën e agjentëve dhe të përkrahësve të saj që kuvendi të formonte jo një lidhje shqiptare, por një lidhje islamike proturke, e cila do të vepronte sipas orientimeve dhe interesave të sulltanit. Në këtë lidhje duhej të merrnin pjesë të gjitha popullsitë myslimane të Gadishullit të Ballkanit, pavarësisht nga kombësia e tyre, pra shqiptarë, turq, boshnjakë etj. Në kundërshtim me këto synime sulltaniste, patriotët shqiptarë vazhduan përgatitjet për kuvendin e përgjithshëm kombëtar. Barrën e thirrjes dhe të organizimit të tij e mori përsipër një komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni dhe Gjakova, si Ymer Prizreni, Ahmet Koronica etj.

Formimi i Lidhjes Shqiptare

Punimet e Kuvendit të Përgjithshëm u hapën më 10 qershor 1878. Për shkak të kohës së shkurtër dhe të vështirësive që nxorën autoritetet osmane, në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Delegatët e vilajetit të Shkodrës, p.sh., nuk ishin nisur ende sepse pengoheshin nga valiu, Hysen Pasha. Kuvendin e Përgjithshëm e drejtoi Iljaz Pashë Dibra, një veteran i luftërave që kishin zhvilluar shqiptarët kundër reformave centralizuese të Stambollit dhe kundër synimeve shoviniste të shteteve fqinje.
Qysh ditën e parë Kuvendi vendosi të formonte një lidhje me karakter politik dhe ushtarak, duke e quajtur në fillim thjeshtë Lidhja e Prizrenit. Po më 10 qershor, ai vendosi të njoftonte Kongresin e Berlinit, që do të mblidhej më 13 qershor, të mos i jepte asnjë pëllëmbë toke nga atdheu i shqiptarëve ndonjë shteti të huaj, përndryshe shqiptarët do të luftonin deri te njeriu i fundit. Kuvendi vendosi gjithashtu që Lidhja e Prizrenit të organizonte forcat e saj të armatosura, të pavarura nga Porta e Lartë. Këto do të ishin forca të armatosura vullnetare dhe do të përdoreshin për të mbrojtur vendin nga rreziku i copëtimit. Vendim tjetër i rëndësishëm i Kuvendit të Prizrenit ishte shpallja, sipas zakonit tradicional, e një bese të përgjithshme, me anë të së cilës të gjithë shqiptarët do të pajtoheshin, duke ndërprerë gjakmarrjet dhe mëritë që kishin ndërmjet tyre, deri sa të kalonte rreziku i jashtëm për atdheun. Pas formimit të Lidhjes së Prizrenit u zgjodhën organet e saj të larta: Këshilli i Përgjithshëm me kryetar Iljaz Pashë Dibrën për funksionet legjislative, dhe Komiteti Qendror në të cilin bënin pjesë Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi, Haxhi Shabani etj. për funksionet ekzekutive.

Kararnameja dhe Kanuni i Ri

Pas vendimeve të para më të ngutshme, Kuvendi i Përgjithshëm i vazhdoi punimet për të hartuar dhe për të miratuar programin e Lidhjes. Mirëpo rreth programit pati mjaft debate. Delegatët patriotë kërkuan që Lidhja të ishte një organizatë me karakter kombëtar, e cila do të luftonte jo vetëm kundër rrezikut të copëtimit, por edhe për të siguruar të drejtat kombëtare për Shqipërinë. Kurse delegatët me prirje turkomane, së bashku me disa delegatë myslimanë, turq e boshnjakë, që ishin ftuar në Kuvend, kërkuan që Lidhja të kthehej në një organizatë islamike ballkanike dhe të kundërshtonte si copëtimin e viseve shqiptare, ashtu edhe aneksimin e Bosnjës e të Hercegovinës nga Austro-Hungaria, pra t’i shërbente interesave të Portës së Lartë. Pas një javë debatesh, më 17 qershor 1878, projektprogrami i paraqitur nga delegatët turkomanë, i njohur me emrin Kararname (turqisht - libri i vendimeve) u konsiderua i miratuar, ndonëse nuk mori shumicën e votave. Me gjithë ndryshimet që iu bënë, Kararnameja shprehte besnikërinë ndaj sulltanit dhe përshkohej nga fryma islamike.
Formimi i Lidhjes së Prizrenit pati jehonë pozitive dhe ngjalli shpresa në të katër anët e vendit. Por Kararnameja u prit ftohtë nga pjesa më e madhe e shqiptarëve. Në këto rrethana, kur arritën delegatët e pothuajse të gjitha krahinave shqiptare, u mblodh rishtas në Prizren, më 1 korrik 1878, Kuvendi i Përgjithshëm, i cili më 2 korrik miratoi Kanunin e Ri. Në të thuhej shprehimisht se Lidhja Shqiptare, e formuar në Prizren, do të luftonte për të drejtat kombëtare të Shqipërisë dhe se veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Përveç kësaj, Kanuni i Ri i jepte të drejtë Lidhjes të kishte degët në qendrat e ndryshme të Shqipërisë, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të mblidhte për nevojat e veta buxhetore një sërë taksash të ndryshme, të kishte gjyqe të veçanta etj. Me këto të drejta që përcaktonte Kanuni i Ri, Lidhja e Prizrenit fitonte funksione pushtetore të veçanta nga ato të shtetit osman dhe krijohej mundësia për të ngritur shkallë-shkallë një shtet autonom shqiptar. Miratimi i Kanunit të Ri tregonte se në Lidhje kishte triumfuar platforma kombëtare.

Vendimet e Kongresit të Berlinit për copëtimin e Shqipërisë

Tri ditë pasi u themelua Lidhja e Prizrenit, më 13 qershor 1878, filloi punimet Kongresi i Berlinit. Në të morën pjesë përfaqësuesit e gjashtë fuqive të mëdha: të Gjermanisë, të Anglisë, të Francës, të Rusisë, të Austro-Hungarisë dhe të Italisë. Shtetet ballkanike u ftuan vetëm për të parashtruar kërkesat e tyre. Ndonëse në Berlin do të diskutohej edhe për fatin e popullit shqiptar, delegacionin që dërgoi Lidhja e Prizrenit me nismën e vet, nuk e pranuan të fliste në Kongres. Pas një muaj punimesh të Kongresit dhe pas një lufte të ashpër diplomatike, më 13 korrik 1878 u nënshkrua Traktati i Berlinit. Sipas këtij Traktati, përfitimet politike dhe territoriale të Rusisë dhe të shteteve sllave të Ballkanit u pakësuan. Kufijtë e Bullgarisë autonome u zvogëluan tri herë. Krahinat shqiptare, që traktati i Shën Stefanit ia jepte Bullgarisë, do të mbeteshin nën sundimin osman. Serbia nuk zgjerohej në drejtim të Mitrovicës dhe të Prishtinës, por iu dhanë krahinat e Pirotit, të Trenit, të Vranjës dhe të Nishit që i qenë premtuar Bullgarisë. Malit të Zi i jepeshin krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës dhe të Kolashinit.Kongresi mori në shqyrtim edhe kërkesat e Greqisë që nuk kishte marrë pjesë në luftë kundër Perandorisë Osmane dhe vendosi që kufiri i ri në Tesali dhe në Shqipërinë e Poshtme të caktohej nga një komision turko-grek. Si vijë kufiri rekomandohej vija që formonin lumenjtë Kalamas dhe Selemvria, duke i dhënë kështu Greqisë, përveç tokave greke që i takonin, edhe trevën shqiptare të اamërisë.
Në këtë mënyrë Kongresi i Berlinit e trajtoi Shqipërinë si plaçkë tregu dhe e bëri objekt copëtimi në favor të shteteve fqinje ballkanike. Këto vendime cënonin rëndë të drejtat dhe interesat kombëtare të popullit shqiptar. Prandaj ato e shtuan edhe më tepër zemërimin e shqiptarëve. Nga të katër anët e vendit pati protesta kundër copëtimit të trojeve shqiptare.



PثRPJEKJET E LIDHJES Sث PRIZRENIT PثR FORMIMIN E SHTETIT SHQIPTAR (1878 - 1879)

Platforma e Lidhjes së Prizrenit për autonomi

Në fillim të Krizës Lindore patriotët rilindas ishin të mendimit se populli shqiptar, ashtu si popujt e tjerë, duhej të çlirohej nga sundimi osman me anën e kryengritjes së armatosur dhe të krijonte shtetin e tij të pavarur. Mirëpo acarimi i mëtejshëm i Krizës Lindore nxori në shesh jo vetëm mundësinë e shembjes së Perandorisë Osmane, por edhe rrezikun e madh të copëtimit të tokave shqiptare ndërmjet monarkive fqinje. Në rrethant e reja, patriotët shqiptarë, pa hequr dorë nga synimi për pavarësi kombëtare, nxorën në plan të parë luftën për mbrojtjen e atdheut nga copëtimi dhe për sigurimin e të drejtave për autonomi në kuadrin e Perandorisë Osmane. Madje edhe kërkesat për autonomi nuk u paraqitën të plota që në Kuvendin e parë të Prizrenit. Krahas fuqizimit të Lidhjes së Prizrenit dhe të luftës së saj mbrojtëse, u plotësua dhe u ngrit më tej platforma për autonomi. Në kërkesat e para për autonomi përfshihej krijimi i vilajetit të Shqipërisë, d.m.th. bashkimi i të gjitha tokave shqiptare, që atëherë ishin të ndara në katër vilajete, në njësi të vetme administrative. Brenda këtij vilajeti, shqiptarëve do t’u njiheshin disa të drejta me karakter politik, ekonomik dhe kulturor. Kërkesat për autonomi janë paraqitur gjatë viteve të Lidhjes nga shumë kuvende krahinore e mbarëshqiptare si dhe nga personalitete të shquara shqiptare të asaj kohe.

Acarimi i marrëdhënieve të Lidhjes me Portën e Lartë​

Pas Kongresit të Berlinit, shqiptarët shprehën gatishmërinë për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë të tokës së tyre. Menjëherë filluan përgatitjet për të kundërshtuar copëtimin e atdheut, duke regjistruar vullnetarë për në luftën mbrojtëse, duke dhënë ndihma në të holla, drithë, bagëti etj. Një mobilizim i veçantë përfshiu Kosovën dhe sidomos banorët e Plavës e të Gucisë, ku rreziku ishte më i madh. Për të shmangur konfliktin e armatosur, i cili nuk dihej se si mund të përfundonte, knjaz Nikolla i Malit të Zi kërkoi ndërhyrjen e fuqive të mëdha. Porta e Lartë, e ndodhur nën presionin e fuqive, veçanërisht të Rusisë, shpejtoi veprimet për t’i dorëzuar Malit të Zi Plavën e Gucinë. Për këtë qëllim, në gusht 1878, ajo dërgoi në Shqipëri mareshalin Mehmet Ali Pasha, si komisar me fuqi të jashtëzakonshme dhe me detyrë që t’i bindte shqiptarët që të mos kundërshtonin dorëzimin e Plavës dhe të Gucisë.
Më 25 gusht Mehmet Ali Pasha arriti në Prizren, ku ndeshi në kundërshtimin e organeve qendrore të Lidhjes. Ai bëri për vete vetëm disa pashallarë turkomanë. Megjithatë mareshali vazhdoi rrugën e vet për në kufirin e Malit të Zi dhe më 1 shtator 1878 arriti në Gjakovë. Këtu ai hasi në një kundërshtim edhe më të vendosur. Komiteti i Lidhjes për Gjakovën, i udhëhequr nga patriotët Sulejman Vokshi dhe Ahmet Koronica, i kërkoi mareshalit të ndërpriste udhëtimin drejt kufirit malazez dhe të kthehej në Stamboll. Meqenëse ai nuk e pranoi këtë kërkesë, forcat vullnetare të Lidhjes rrethuan sarajet e Abdullah Pashë Drenit, ku ishte strehuar Mehmet Ali Pasha dhe më 3 shtator filluan sulmin kundër tij.
Luftimet e ashpra që vazhduan deri më 6 shtator, përfunduan me fitoren e forcave të Lidhjes Shqiptare. Edhe vetë Mehmet Ali Pasha me Abdullah Pashë Drenin mbetën të vrarë. Ngjarjet e Gjakovës patën jehonë të madhe brenda e jashtë vendit.

Kuvendi i Dibrës (Nëntor 1878)​

Me ngjarjet e Gjakovës iu dha një goditje e rëndë Portës së Lartë. Përveç kësaj, çështja e dorëzimit të Plavës e të Gucisë u shty për më vonë. Në këto kushte, rrethet patriotike menduan se të drejtat për autonomi mund të arriheshin pa qenë nevoja për një kryengritje të armatosur, por duke ia kërkuar Portës së Lartë. Prandaj patriotët, dhe veçanërisht Komiteti i Stambollit, përpunuan një projektprogram i cili parashikonte formimin e një vilajeti autonom shqiptar.اështja e autonomisë u shqyrtua gjerësisht në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, që u mbajt në Dibër më 1 nëntor 1878, nën kryesinë e Iljaz Pashë Dibrës. Në përfundim të punimeve, Kuvendi i Dibrës miratoi një program të përbërë prej pesë kërkesash: 1) formimi i vilajetit të Shqipërisë, i cili do të përfshinte të gjitha krahinat shqiptare; 2) njohja e gjuhës shqipe nga nëpunësit e këtij vilajeti; 3) zhvillimi i arsimit dhe futja edhe e gjuhës shqipe në shkolla; 4) krijimi i një kuvendi të madh që do të zbatonte reforma në Shqipëri; 5) përdorimi i një pjese të buxhetit të këtij vilajeti për arsimin dhe ndërtimet botore në Shqipëri.
Kuvendi ngarkoi një delegacion prej 14 vetash, me në krye Iljaz Pashë Dibrën e Abdyl Frashërin, i cili do t’ia paraqiste këto kërkesa Portës së Lartë. Mirëpo Porta e Lartë ishte e vendosur për të mos bërë asnjë lëshim në këtë drejtim. Megjithatë ajo, pa i kundërshtuar hapur, e zvarriste përgjigjen ndaj kërkesave për autonomi.

Kuvendi i Prevezës (janar 1879)

Gjatë kohës që vëmendja e shqiptarëve ishte përqëndruar kryesisht në çështjen e kufirit me Malin e Zi dhe në kërkesat për autonominë e Shqipërisë, qeveria e Athinës i bënte presion të vazhdueshëm Portës së Lartë për të zbatuar Protokollin nr. 13 të Kongresit të Berlinit, sipas të cilit اamëria duhej të aneksohej nga Greqia. Më në fund, të dy palët vendosën që nga fundi i janarit 1879 të organizonin në Prevezë një konferencë, ku do të diskutohej dhe të vendosej për këtë çështje. Lajmi për këto bisedime turko-greke vuri menjëherë në lëvizje patriotët shqiptarë, të cilët vendosën të organizonin në Prevezë një kuvend të jashtëzakonshëm dhe të shprehnin botërisht qëndrimin e Lidhjes Shqiptare. Kuvendi i Prevezës filloi më 11 janar 1879 me pjesëmarrjen e qindra delegatëve. Ai nuk ishte kundër që Greqisë t’i jepej Tesalia, siç preferonte Kongresi i Berlinit, por kundërshtoi në mënyrë të vendosur kalimin e krahinave shqiptare brenda kufijve të Mbretërisë Greke.
Kuvendi i Prevezës formoi tri komisione: njëri për të pritur punimet dhe vendimet e konferencës turko-greke, tjetri për të organizuar forcat e nevojshme luftarake të Lidhjes, dhe i treti për t’i bërë presion Portës së Lartë që të mos bënte lëshime në dëm të tokave shqiptare. Qëndrimi i vendosur i shqiptarëve ndikoi te Porta e Lartë. Përfaqësuesit e saj në Prevezë i zgjatën bisedimet me palën greke dhe i ndërprenë ato pa arritur ndonjë rezultat. Për të mbrojtur kërkesat e Lidhjes Shqiptare përpara fuqive të mëdha dhe për t’i bërë ato të njohura për opinionin publik ndërkombëtar, në pranverë 1879 u dërgua një delegacion i përbërë nga Abdyl Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni në Europë. Delegacioni i vizitoi kryeqytetet e Italisë, Francës, Anglisë, Gjermanisë, Austro-Hungarisë e më në fund edhe Stambollin. Si në takimet që bëri, ashtu edhe me anën e memorandumit që u paraqiti ministrave të jashtëm të atyre vendeve, delegacioni dënoi vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit për copëtimin e Shqipërisë, shprehu vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur vendin e tyre dhe për të siguruar autonominë.

Lufta kundër administratës osmane. Kuvendi i Prizrenit (tetor 1879)

Në pranverë 1879 Lidhja e Prizrenit ishte forcuar më tej. Në çdo krahinë shqiptare ishin ngritur degët e saj. Lidhja kishte krijuar forcat e saj të armatosura. Përveç ushtrisë, ajo kishte krijuar në mjaft krahina organet pushtetore të veçanta nga ato të administratës osmane. Përpjekjet e Lidhjes për autonomi patën mbështetjen e lëvizjes popullore, e cila kërkoi me insistim të krijoheshin gjykata shqiptare, taksat të paguheshin në favor të Lidhjes e jo të autoriteteve osmane dhe shërbimi ushtarak të mos bëhej në ushtrinë turke. Lëvizja u përhap sidomos në vilajetin e Kosovës. Gjatë verës së vitit 1879 në krahina të ndryshme pati goditje kundër administratës shtetërore lokale, si në Gjakovë, Pejë, Prizren, Mitrovicë dhe në Vuçiternë.
Në vjeshtë 1879, kur përsëri u acarua çështja e Plavës dhe e Gucisë, u mblodh në Prizren, më 3 tetor 1879, një kuvend i përgjithshëm. Lidhur me rrezikun që vinte nga Mali i Zi, të gjithë ishin për një qëndresë të armatosur. Diskutime pati për pikën tjetër të rendit të ditës, për çështjen e autonomisë. Aty u shpreh mendimi se Lidhja duhej të kërkonte jo krijimin e një vilajeti shqiptar si më parë, por të një principate shqiptare ose të një republike shqiptare. Kuvendi zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm të Lidhjes me kryetar Ymer Prizrenin. Punimet e Kuvendit të Prizrenit vazhduan më tepër se dhjetë ditë. Pavarësisht nga pikëpamjet e ndryshme që kishin për formën e regjimit, të gjithë pjesëmarrësit ishin për t’i siguruar Shqipërisë të drejtën e vetëvendosjes.
Punimet e këtij kuvendi shkaktuan shqetësime në Stamboll dhe ai u shpërnda me dhunë pa arritur të miratonte asnjë rezolutë.

LUFTA E LIDHJES PثR RUAJTJEN E TثRثSISث Sث TOKAVE SHQIPTARE

Mbrojtja e Plavës dhe e Gucisë

Pas ngjarjeve të Gjakovës, Porta e Lartë e kishte shumë të vështirë të ndërhynte në Shqipëri për t’i dorëzuar Malit të Zi krahinat e caktuara nga Kongresi i Berlinit. Megjithatë, knjaz Nikolla kërkonte vazhdimisht nga fuqitë e mëdha që ta detyronin Perandorinë Osmane të zbatonte vendimin e tyre. Në shkurt 1879, Porta e Lartë u shtrëngua të tërhiqte ushtritë e veta nga Podgorica, Shpuza dhe Zhabjaku, të cilat i morën forcat malazeze. Lidhja e Prizrenit nuk e pengoi lëshimin e tyre, sepse ato kryesisht banoheshin nga popullsia sllave. Por ajo kishte vendosur të mbronte me luftë të armatosur Plavën e Gucinë, të cilat banoheshin, në masën dërmuese, nga popullsia shqiptare.
Porta e Lartë u përpoq rishtas t’i bindte shqiptarët për t’i dorëzuar këto dy krahina pa përdorur forcën sepse kishte frikë mga shpërthimi i ndonjë kryengritjeje shqiptare, por nuk pati asnjë rezultat. I pakënaqur nga zvarritja e kësaj çështjeje dhe nga qëndrimi i Portës së Lartë dhe i fuqive të mëdha, Mali i Zi vendosi të pushtonte me luftë Plavën dhe Gucinë. Pas veprimeve të para ushtarake të zhvilluara në nëntor, më 4 dhjetor 1879 një ushtri malazeze prej rreth 4 mijë vetash, nën komandën e Mark Milanit, filloi sulmin në drejtim të Plavës dhe të Gucisë. Përballë saj qëndronin forcat e Lidhjes Shqiptare, rreth 3 mijë luftëtarë, nën drejtimin e shtabit ushtarak të kryesuar nga Ali Pashë Gucia. Të dy palët luftuan rreptë. Forcat shqiptare, ndonëse më të pakta dhe pa armatime të mjaftueshme, qëndruan heroikisht. Një nga betejat më të përgjakshme u zhvillua në afërsi të fshatit Nokshiq, ku përveç pushkëve u përdorën edhe jataganët. Pas disa orë luftimesh të ashpra, forcat malazeze pësuan disfatë dhe u tërhoqën në territorin e tyre.
Megjithatë, Mali i Zi nuk hoqi dorë nga synimet e veta dhe organizoi një mësymje të përgjithshme, në të cilën u angazhuan pothuajse të gjitha forcat e tij luftarake, rreth 9 mijë veta. Në mbrojtje të Plavës dhe të Gucisë u grumbulluan rreth 7 mijë vullnetarë shqiptarë të udhëhequr gjithnjë nga shtabi ushtarak i Lidhjes. Luftimet, që filluan më 8 janar 1880, qenë të përgjakshme dhe vazhduan tri ditë. Forcat shqiptare kaluan me shkathtësi nga pozitat mbrojtëse në një sulm të përgjithshëm dhe u shkaktuan përsëri disfatë ushtrive malazeze. Në këtë mënyrë dështuan sulmet pushtuese të Malit të Zi, i cili përsëri kërkoi mbështetjen e fuqive të mëdha.

Mbrojtja e Hotit dhe e Grudës

Fitorja në Plavë dhe në Guci e ngriti moralin e shqiptarëve, shtoi besimin dhe vendosmërinë për të kundërshtuar çdo ndërhyrje të re në dëm të trojeve kombëtare. Fuqitë e mëdha, duke parë qëndresën e vendosur të shqiptarëve dhe paaftësinë ushtarake të Malit të Zi, pranuan ta rishikonin vendimin që kishin marrë në Kongresin e Berlinit lidhur me Malin e Zi. Pas shumë bisedimesh, në prill 1880, fuqitë e mëdha vendosën që në vend të Plavës e të Gucisë, t’i jepnin Malit të Zi krahinat e Hotit e të Grudës së bashku me një pjesë të Kelmendit, të cilat gjithashtu banoheshin nga popullsia shqiptare. Ato menduan se, meqenëse popullsia e këtyre krahinave ishte katolike dhe jo myslimane, nuk do ta kundërshtonte bashkimin me Malin e Zi. Këtë vendim e pranoi edhe Porta e Lartë. Parashikohej që këto krahina t’i dorëzoheshin Malit të Zi më 22 prill 1880.
Vendimi i ri i fuqive të mëdha ishte po aq i padrejtë, sa edhe ai për Plavën e Gucinë. Prandaj kudo u shpreh zemërimi dhe vendosmëria për t’i mbrojtur krahinat e rrezikuara. Protesta të reja iu drejtuan fuqive të mëdha dhe Portës së Lartë. Lidhja Shqiptare filloi përgatitjet për luftë mbrojtëse. Më 19 prill 1880 në Shkodër u zhvillua një miting i madh popullor në mbrojtje të Hotit e të Grudës. Po atë ditë u nisën rreth 1 500 qytetarë vullnetarë për t’u bashkuar me mijëra vullnetarë të tjerë nga malësitë e veriut. Shtabi ushtarak i forcave të Lidhjes me në krye Hodo Sokolin u vendos në kalanë e Tuzit. Në zbatim të vendimit të fuqive të mëdha, Porta e Lartë, më 22 prill 1880, i tërhoqi ushtritë e veta nga krahinat që i jepeshin Malit të Zi, por kur forcat malazeze me rreth 10 mijë ushtarë, të komanduara nga Petar Vukotiçi, vjehrri i knjaz Nikollës, u drejtuan për në Hot e në Grudë për t’i marrë ato në dorëzim, ndeshën në forcat e Lidhjes Shqiptare prej gati 8 mijë vullnetarësh. Përpjekja e parë e armatosur filloi te ura e Rzhanicës, pika më e avancuar e kufirit në atë kohë. Forcat shqiptare u hodhën në sulm edhe kundër forcave kryesore malaziase që ndodheshin në Helm, në breg të lumit Cem. Pas disa orë luftimesh malazeztë u thyen dhe u tërhoqën. Menjëherë pas disfatës knjaz Nikolla protestoi përsëri pranë fuqive të mëdha.

Kuvendet e Lidhjes në Gjirokastër (korrik 1880) dhe Dibër (tetor 1880)

Ndonëse kishin kaluar dy vjetë nga Kongresi i Berlinit, nuk ishin zbatuar ende ato vendime të tij që lidheshin me tokat shqiptare. Prandaj u mbajtën dy konferenca ndërkombëtare, njëra në Berlin (16 qershor 1880) dhe tjetra në Stamboll (26 qershor 1880). Konferenca e Berlinit iu përmbajt Protokollit nr. 13 të Kongresit të Berlinit lidhur me kufirin me Greqinë, kurse konferenca e Stambollit vendosi që në vend të Hotit e të Grudës, Malit të Zi t’i jepej qyteti i Ulqinit me rrethin e tij, që banohej krejtësisht me popullsi shqiptare. Në këtë situatë Lidhja Shqiptare organizoi një kuvend të ri, i cili u mbajt në Gjirokastër më 23 korrik 1880. Në të morën pjesë delegatë pothuajse nga e gjithë Shqipëria. Kuvendi hodhi poshtë vendimet e këtyre konferencave dhe shprehu vendosmërinë për të mbrojtur me armë si Ulqinin në veri, ashtu edhe اamërinë në jug. Një çështje tjetër themelore që u diskutua aty ishte ajo e autonomisë së Shqipërisë. Programi i paraqitur nga Abdyl Frashëri i kalonte caqet e vilajetit autonom dhe parashikonte krijimin e një shteti autonom shqiptar, nën sovranitetin e sulltanit. Diskutime pati sidomos për kohën dhe mënyrën e realizimit të autonomisë. Një pjesë ishte për shpalljen e menjëhershme të autonomisë, por shumica pranoi si kohë më të përshtashme çastin kur Porta e Lartë do të lejonte copëtimin e tokave shqiptare në veri ose në jug. Lidhur me mënyrën e veprimit, Kuvendi vendosi që t’i parashtrohej edhe njëherë Portës së Lartë kërkesa për autonomi, por të merreshin gjithashtu edhe masa për t’a realizuar atë me pahir, duke organizuar kryengritjen e armatosur.
Në vjeshtën e vitit 1880, kur marrëdhëniet ndërmjet Lidhjes Shqiptare dhe Portës së Lartë u acaruan edhe më shumë për çështjen e Ulqinit, përfaqësuesit e Anglisë dhe të Austro-Hungarisë u premtuan drejtuesve të Lidhjes se po të dorëzohej Ulqini pa luftë, do t’u jepnin shqiptarëve të drejtat për autonomi. Kjo i joshi qarqet e moderuara, por patriotët radikalë nuk u besuan atyre premtimeve dhe ishin të vendosur për mbrojtjen e Ulqinit me çdo kusht. Madje ata mendonin se tani që Porta e Lartë mund ta dorëzonte Ulqinin me forcë, duhej të viheshin në jetë vendimet e Kuvendit të Gjirokastrës për autonominë e Shqipërisë.
Në këto rrethana, më 20 tetor 1880, u mbajt në Dibër një kuvend i jashtëzakonshëm i Lidhjes, ku morën pjesë rreth 300 delegatë nga krahina të ndryshme dhe që përfaqësonin të dy rrymat e lëvizjes për autonomi. Delegatët e rrymës patriotike radikalë të kryesuar nga Abdyl Frashëri parashtruan programin që ishte i njëjtë me atë të Kuvendit të Gjirokastrës, në të cilin, përveç mbrojtjes së Ulqinit, parashikohej krijimi i vilajetit të Shqipërisë dhe i qeverisë së përkohshme shqiptare. Kuvendi vendosi që Ulqini të mbrohej, por për çështjen e autonomisë pati debate të zjarrta. Delegatët e rrymës së moderuar pranonin edhe kërkesën për formimin e vilajetit autonom të Shqipërisë, por ndaheshin për mënyrën e realizimit. Disa ishin për veprime të armatosura, kurse të tjerët ngulnin këmbë në paraqitjen vetëm të një peticioni, duke ia lënë në dorë sulltanit realizimin e tij. Mirëpo të gjithë delegatët e moderuar ishin kundër formimit të qeverisë së përkohshme. Kuptohet që me ta bashkoheshin edhe delegatët që qëndronin në pozita sulltaniste.
Për shkak të këtyre divergjencave (kundërthënieve), Kuvendi i Dibrës doli me dy rezoluta: ajo e rrymës radikale me 130 vota, që kërkonte një autonomi të gjerë të realizuar me forcë, dhe rezoluta e rrymës së moderuar me 150 vota, që kërkonte një autonomi të kufizuar dhe me pëlqimin e sulltanit. Të dy rezolutat u dërguan në Stamboll, kurse për qeverinë e përkohshme Kuvendi nuk mori asnjë vendim.

FORMIMI I QEVERISث Sث PثRKOHSHME SHQIPTARE

Lufta për mbrojtjen e Ulqinit

Që nga qershori i vitit 1880, fuqitë e mëdha i kërkuan Portës së Lartë t’i dorëzonte Ulqinin Malit të Zi, duke përdorur edhe armët kundër shqiptarëve. Madje e kërcënuan se do të zhvillonin një demonstratë detare në bregdetin shqiptar. Nga ana tjetër, Lidhja Shqiptare dhe kuvendet e saj i kishin përsëritur disa herë Portës së Lartë vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur Ulqinin. E ndodhur nën një presion të dyfishtë, Porta e Lartë në fillim bëri përpjekje, duke përdorur të hollat, premtimet dhe kërcënimet, për t’i bindur shqiptarët që të hiqnin dorë nga qëndresa e armatosur, por nuk ia arriti qëllimit. Duke iu përgjigjur thirrjes së Lidhjes, forcat vullnetare shqiptare, nën drejtimin e Isuf Sokolit, Haxhi Mehmet Bècit, Mehmet Gjylit etj., rrethuan Ulqinin, e shtinë në dorë atë dhe deklaruan se do ta mbronin deri në fund. Ushtria osmane u detyrua të largohej nga Ulqini. Pas disa ditësh, më 20 shtator 1880, një flotë e përbashkët e fuqive të mëdha, e përbërë prej 17 luftanijesh, arriti para Ulqinit dhe u kërkoi në formë ultimatumi shqiptarëve që ta dorëzonin qytetin. Por forcat e Lidhjes nuk pranuan. Ato do ta mbronin qytetin e tyre, duke qenë të rrethuara, në veri nga ushtritë malaziase, në jug nga ushtritë osmane dhe nga deti nga forcat detare të fuqive të mëdha.
Me gjithë qëndresën heroike të 3 mijë vullnetarëve shqiptarë, forcat osmane, që kishin epërsi të madhe ushtarake, hynë në Ulqin, të cilin ua dorëzuan malaziasve më 26 nëntor 1880. Lufta për mbrojtjen e Ulqinit la përshtypje të thellë në opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar. Në shtyp dhe në disa parlamente të Europës pati protesta kundër kësaj politike të padrejtë të Fuqive të Mëdha.
 
Disa foto e Objektit ku mbajt Lidhja e Prizrenit
 

Attachments

  • L.P.jpg
    L.P.jpg
    4.4 KB · Shikime: 17
  • lidhjaa.jpg
    lidhjaa.jpg
    3.4 KB · Shikime: 9
  • lidja.jpg
    lidja.jpg
    3.2 KB · Shikime: 18
  • lidhjaaaaa.jpg
    lidhjaaaaa.jpg
    4.4 KB · Shikime: 13
  • ...l...p.jpg
    ...l...p.jpg
    3.5 KB · Shikime: 13

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top