Leter e hapur kryeminsitrit Berisha

fcbesia

Anëtar i Respektuar
I nderuar Zoti Kryeministër, Në fakt dyshova ta nisja këtë letër me fjalën e kortezizë “i nderuar”, sepse nuk e di nëse je më për median, apo për atë pjesë të medias “mafioze” siç e quani JU, një njeri i nderuar.

Po meqë ca vota populli të kanë dhënë atë pozicion që Ju keni, po detyrohem, meqë po të shkruaj si kryeredaktore e Gazetës Shqiptare, “I nderuar zoti Kryeministër”...
Po ju drejtohem Ju personalisht për t’ju thënë se bëni gabim që e përzjeni atë zëdhënësen e “gjorë” të lexojë deklaratat tuaja kur Ju shani gazetarët, ata që përditë dalin në terren, mbledhin informacione dhe i komunikojnë të dhëna publikut, që Juve nuk ju pëlqejnë. Dhe po ashtu bëni gabim, që një deklaratë tërësisht politike dhe jo profesionale, e bëni nga podiumi i Qeverisë. Mund ta bëni te selia e PD psh, edhe pse edhe atje nuk është etike; apo te foltorja e parlamentit, ku dilni shumë shpesh dhe harroni se jeni kryeministër, por këto të paktën, publikisht mund të pranohen.
Tani, mungesës së etikës suaj në konsiderimin e Gazetës Shqiptare një gazetë që varet nga klane mafioze, po i përgjigjem shkurtimisht me disa argumenta:
Ju mund të na konsideroni mafiozë sa të doni, sepse nuk ju pëlqen që Gazeta Shqiptare në 3 korrik nuk thotë sa mirë qeverisi Berisha në 3 vjet, por i tregon opinionit publik se cilat janë dështimet e qeverisjes tënde në tre vjet;
Ju mund të na thoni mafiozë se që nga 15 marsi e deri më tani, kur Ju mbani mbi shpinë vdekjen e 26 njerëzve, Gazeta Shqiptare bëri ç’është e mundur të zbardhë një skandal dhe një aferë korrupsioni, më e papara ndonjëherë në Shqipëri e që rezultoi me një bilanc tragjik.
Ju mund të na konsideroni mafiozë, sepse Gazeta Shqiptare zbardhi atë kontratën e majme, që ju firmosët me Tom Ridge prej gjysëm milioni dollarësh, thjesht për “asistencë në fushën e NATO-s”. E këtë vendim Tuajin, po ju kujtoj, e fshehët fare nga faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave.
Ju mund të na konsideroni mafiozë, sepse Gazeta Shqiptare zbardhi një tjetër kontratë Tuajën të majme, me atë biznesmenin e Krans Montanës, mikun tuaj Karteron, i cili për nja dy seminare që nuk i kemi parë ende, ka marrë nja 250 mijë euro.
Ju ndoshta mendoni se keni të drejtë të na sulmoni e të na quani mafiozë, sepse ne zbardhëm e-mailet e këshilltarëve tuaj, të cilët pasi e kishin paguar me reklamë gazetën prestigjoze Financial Times, i kërkonin kësaj të fundit, një edicion special për Shqipërinë, por që më parë të ishte kontrolluar nga Ju personalisht, dhe kjo rrallë bën vaki me shtetarë profesionistë;
Ju zotëri, mund të na konsideroni mafiozë, sepse ne nuk ndaluam të tregojmë korrupsionin e zyrtarëve tuaj, kudo që janë, (po ju kujtoj vetëm ditën e djeshme kur u arrestua sekretari juaj i PD i degës së Vlorës);
Ju zotëri, mund të na konsideroni mafiozë, sepse ne zbardhëm të vërtetën e deklaratës së pasurisë së Argita Berishës, vajzës tuaj, paratë e së cilës kalojnë sa nga llogaria juaj tek e saj dhe anasjelltas. Aq më tepër u nxehët keqaz kur ne publikuam dhe me foto vilat e Argitës në bregdet, për të mos folur më pas për shtëpinë tuaj të vjetër që figuron juaja, ndërkohë që keni deklaruar se e keni ndërruar me Argitën dhe të gjitha këto i keni të zbardhura në faqet e Gazetës Shqiptare.
Ju zotëri, na konsideroni mafiozë, sepse ne ju treguam publikisht skandalet e zullumet e bëra nga ministrat tuaj të kabinetit, si ajo e ish ministrit tuaj të drejtësisë të cilit u detyruat më pas t’i kërkonit dorëheqjen meqë vëllai i vet ishte përfshirë në tendera.
Ju zotëri na konsideroni mafiozë sepse ne mbrojtëm administratën publike, menjëherë pas 3 korrikut 2005, kur ju erdhët me fshesë të madhe në dorë e tani do të duhet të paguani kostot e vendimeve tuaja politike prej miliona dollarësh, si rroga për zyrtarët e hequr nga puna (po ju kujtoj një ndër rastet më të freskëta: E mbani mend Argita Totozanin, ish drejtoreshën e Drejtorisë së Refugjatëve që e hoqet pasi kundërshtoi ardhjen e ujgurëve në Shqipëri: para pak ditësh e fitoi gjyqin dhe do të të marrë nga buxheti jo pak, por një vit rrogë);
Po ashtu, mund të na konsideroni mafiozë, sepse ne ju treguam në Gazetë “pemën nepotike dhe shoqërore” të administratës tuaj, ku në vendet më të rëndësishme, vutë familjarët apo shokët e shoqet e familjarëve tuaj;
Ju zotëri, na konsideroni mafiozë se ne ju biem çdo ditë si çekan mbi kokë për ekonominë e rrënuar, ku inflacioni mbetet 4 përqind dhe po e kalon këtë shifër, e ku rritja e pagave që pretendoni se do ta bëni nuk është reale për shkak të këtij inflacioni;
Ju zotëri na konsideroni mafiozë, se ne ju kujtuam se vetëm një vit pasi preve shiritin e rrugës Levan - Vlorë, nisët punimet e kësaj rruge, dhe atëherë inagurimin e bëtë thjesht për efekt elektoral;
Ju zotëri na konsideroni mafiozë, se kur realizuat kontrata të tilla si Albtelekom, Kakome, apo TEC në Vlorë, të tjera deklarime kishit dhënë publikisht kur ishit në opozitë dhe të tjera vendime morët kur erdhët në pushtet;
Ju...Ju...Ju...Ah zoti Berisha, u lodha duke jua numëruar të gjitha. Por të premtoj, njëherë tjetër, do të bëjmë një edicion special të Gazetës Shqiptare ku të hapim të gjithë arkivën dhe t’i kujtojmë të gjitha, sepse sa vite keni ju në pushtet, aq kohë na duhet ne për ti rishkruar të gjitha. Sepse, të tilla gjëra ju bëni përditë, por ngaqë një skandal kapet në rrugë nga një tjetër më i madh, ne nuk arrijmë dot që të merremi gjerë e gjatë vetëm me njërin.
Zoti Kryeministër,
Unë personalisht mendoj se duhet t’ju kenë frikë të gjithë ata që nuk sulmohen nga ju dhe duhet ta mendojnë këtë seriozisht. Sepse kur ju sulmoni Gazetën Shqiptare në Shqipëri, ne renditemi në të njëjtën linjë me gazeta prestigjoze ndërkombëtare si New York Times, të cilën ju e konsideruat “letër higjenike”; për të mos folur për stacionin BBC i cili ju nxorri zbuluar në një Hard Talk, tek i cili ju doni të flisnit me siguri, por shpeshherë edhe ngecje. E meqë detyra jonë është të informojmë publikun, ju garantoj se Gazeta Shqiptare do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë.
Zoti Berisha,
Ju lutem, si kryeministër i këtij vendi, merruni më mirë me gjëra serioze; merruni me spitalet, meqënëse keni profesionin e mjekut, se në spitale sot nuk gjendet as alkool, por nuk funksionon as laboratori për bërjen e analizave të gjakut; merruni zoti kryeministër me varfërinë e tejskajshme, sepse janë shtuar rastet e njerëzve që marrin bukën me listë; merruni zoti kryeministër me korrupsionin e zyrtarëve tuaj që shtohet nga dita në ditë; merruni me ujin e pijshëm, se nuk kemi pikë uji në çezmat tona dhe po e marrim me bidona; merruni zoti kryeministër me financat publike dhe mungesën e realizimit të investimeve, alarm që e ka dhënë edhe ministri juaj Bode; merruni me peshkatarët zoti kryeministër se u premtuat naftë pa akcizë, por s’po marrin dot asgjë; ... pra ju sugjeroj të merreni me gjithë gjërat tuaja ekzekutive dhe jo me pushtetet e pavarura.
Zoti kryeministër,
Dhe një gjë të fundit: sa për atë titullin e Gazetës që qeveria juaj nuk i ka dhënë para bashkisë së Tiranës e Vlorës, ne kemi të drejtë. Ju në atë përgënjeshtrimin tuaj përmendni një kredi japoneze që e ka garantuar personalisht “kryeministri Berisha”. Gaboheni zoti Kryeministër! Nëse nuk keni memorje, po ju kujtoj se kredia japoneze është negociuar në kohën e qeverive socialiste (para 6 vitesh) dhe nuk është një kontribut i juaji, pavarësisht se ju e firmoset. Eshtë një kredi që nuk fillon këtë vit, (këtë po jua kujtoj) dhe është financim i huaj dhe jo para të buxhetit të shtetit; sa për projektin e Unazës së Madhe që përmendni, edhe ky është një investim i huaj dhe jo me paratë e këtij gjashtëmujori nga buxheti juaj. Dhe kjo kredi, edhe pse qeveria ka dalë garant meqënëse nuk ka dalë ende ligji për huamarrje të drejtpërdrejtë nga pushteti vendor, do të paguhet një më një nga Bashkia e Tiranës dhe jo nga Qeveria. Ndaj po ju them sërish se në buxhetin suplementar 2008, ju ke lënë jashtë Bashkinë e Tiranës dhe Vlorës.

Mirë u takofshim me një tjetër letër të hapur kur të na thuash sërish mafioz!

Me respekt
Anila Basha
Kryeredaktore
GAZETA SHQIPTARE
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top