Kush ishte Mërkur Bua

Lauri

Anunnak
Emri i Mërkur Buas ka gjasa të mos harrohet asnjëherë.Dihet se harresa është një pastrim dhe dlirësi e historisë. Data dhe ngjarjet, heronjtë dhe antiheronjtë, njerëzit e jashtëzakonshëm por dhe ata të rëndomtët përballen më shumë me harresën dhe shpërbërjen. Sipas një koncepti kimik kemi të bëjmë me një proces distilimi. Lavdia është përherë tekanjoze, duket se është e pavarur nga vetë heronjtë, madje shumë shpotitëse, ngatërrestare dhe komplotiste ndaj tyre. Por në rastin e Mërkur Buas shpresoj se lavdia do të jetë më tepër një mirëkuptim, këndellje dhe hedonizëm i qartë. Mërkur Bua lindi nga një familje shqiptare në shek. XV-të, në qytetin Nauplion, në brigjet e Moresë në Peloponez. I ati i tij, Aleksi, qe stradiot, luftëtar me pagesë. Kur Mërkuri ishte 14 vjec i ati e mori me vete në Itali. Aty, për shkak të forcës fizike dhe inteligjencës së tij të paparashikueshme dhe të lëvizshme, mori famë si një luftëtar kokëshkretë dhe i pafrikshëm, madje u bë gjeneral i stradiotëve.

merkurbua_zps96c08477.png


Bëmat e tij janë të pabesueshme.

Luftoi në tërë Europën, herë u shërbente venedikasve, herë francezëve dhe herë spanjollëve.

Në vitin 1507 sulmoi qytetin e Gjenovës, ku i preu kokën Dogjit të Madh të Gjenovës, Paulo Di Novi. Pas kësaj kaloi në Flandër, në Bovari. Dikur në shërbim të Venedikut, mbas shumë vitesh i provoi armët e tij të përgjakshme kundër Venedikut. Ai mori me sulm kështjellën e Kueros dhe atë të Feltres.

Në 1513, me kalorësit e tij shqiptarë, Mërkur Bua u vu përsëri në shërbim të Venedikut. Gjatë një beteje të tij të Batalies zuri rob një djalosh spanjoll, mendjelehtë, por nga një familje e lartë aristokratike që quhej Karvajal. Në rrethana misterioze Karvajali u arratis, me të vërtetë e kishte liruar vetë Mërkuri për shkak të një zemërgjerësie të papritur.

Në 1516 mMërkuri korri një sukses të shkëlqyer, në afërsi të Veronës zuri rob një repart të madh spanjoll prej 600 vetësh. Por në 1521 Duka i Mantovës arriti ta kapë rob atë vetë. Mërkuri arriti të arratisej nga burgu.

Në 1527 ai u dallua në betejën e Bergamos. Pas kësaj, fama e tij u bë aq e madhe sa përherë gati i fitonte të gjitha betejat.

Disa kronikanë italianë kanë shkruar disa hollësira biografike për Mërkur Buan. Ai qe martuar me një shqiptare, Maria Bokalin, e veja e një shoku të tij të armëve. Maria qe disa vjet më e madhe në moshë se Mërkuri. Ajo ishte e bija e Katerina Arianitit, motrës së gruas së Gjergj Kastriot Skënderbeut

Në 1524, kur Maria vdiq, Mërkuri i bëri një funeral luksoz në kishën e Shën Vasilit, ku i bëri vajtime të mëdha dhe arkivolin e shoqëronin 32 klerikë jezuitë.

Pas një viti Mërkuri u martua me të bijën e një patrici, Alvise Balbi, i cili pretendonte se kishte lidhje gjaku me shenjtorin Shën Zulian të shek. XIII-të, kulti i të cilit qe shumë i përhapur në Itali.

Mërkuri kishte një pronë të tij në Trevizo. Kish filluar të plakej po qe ende i fuqishëm. Paratë e fituara i shpenzoi për të ndërtuar një pallat të madh prej mermeri, të cilin e zbukuroi me piktura që festonin dhe tregonin veprimtaritë e tij.

Thuhet se vdiq mbas vitit 1539. Ai pati një djalë të ligjshëm, i cili quhej gjithashtu Mërkur. Por gojët e këqija thonë se pati dhe 10 fëmijë të tjerë të paligjshëm, meshkuj dhe femra, të cilët, derisa i ati mbylli sytë, i ndihmonte dhe tregonte për ta një dashuri të madhe.

Kjo jetë prej luftëtari, më saktë prej mercenari, qe vërtet e zulmëshme por dhe fare e kotë. Kureshtarët mund të fantazojnë, skeptikët kuptohet që heshtin. Vërtet Mërkuri qe një Bua ( Buall), kishte një fizik të madh dhe forcë të jashtëzakonshme. Dinte të luftonte me të dyja duart. Sidomos dinte të mos mposhtej. Ai i ndërronte padronët sa herë të donte. Kjo nuk e shqetësonte aspak.

Në fund të jetës Mërkur Boa mbante titullin e kontit.

Ngjarja që e bëri më rezistent emrin e tij ndaj harresës lidhet me një skulpturë. Në pallatin e tij Mërkur Bua në fund të jetës pati disa prirje meditative, krejt të pazakonta me jetën luftarake. Një farë bashkatdhetari i i tij, i lindur në ishullin e Zantes, me emrin Zane Koroneu, me afshe mistike (donte të bëhej murg por pastaj ndërroi mendje), i kushtoi Mërkur Buas një poemë shumë të gjatë në një gjuhë greke vulgare të tmerrshme, plot plagjiatura të silimitudave homerike, me shumë fjalë shqipe, madje dhe arabe.

Libri u botua dha pavarësisht nivelit artistik mesatar ose të dyshimtë, për arsye të pashpjegueshme pati një bum leximesh në Itali. Ky lloj poeti vdiq nga tuberkulozi, s’dihet se ku është varrosur. Poema në fjalë e mistifikoi më shumë figurën e Mërkur Buas.

Ai gati u bind se ishte me të vërtetë dikush, një qenie e përkëdhelur nga fati. Fati dhe lavdia nuk janë e njëjta gjë. Këtë Mërkuri e kuptonte. Trupi i tij prej vdekatari do të shpërbëhej një ditë sepse vdekja është e pashmangshme.

Atëherë luftëtari i vjetër mendoi diçka ambicioze. Ai arriti të gjejë një artist të panjohur me emrin Agustino Busti, i njohur më pas me mbiemrin e dytë Bambaia, kur u bë i famshëm, për t’i gdhendur skulpturën e vetvetes.

Kjo skulpturë do të ishte skulptura funebre e Mërkur Buas.

Skulptura ruhet dhe sot në kishën Santa Maria Maggiore dhe ka një pllakë përkujtimore lëvduese. Por si është e vërteta e skulpturës?

Në qytetin Pavia, në rininë e tij, Mërkur Bua kishte rrëmbyer disa vepra arti, midis të cilave dhe një skulpturë të perëndisë Mërkur. Skulptura qe e mrekullueshme, e stilit rilindas, rizgjim i skulpturës antike greke. Pikërisht këtë skulpturë shqiptari e deshi më shumë, ndonëse shija e tij artistike qe e vagullt dhe aspak profesionale.

Por ai s’çante kokën për këtë.

Ai e thërriti artistin Agustino dhe i tha t’ia hiqte kokën skulpturës së perëndisë Mërkur dhe të montonte mbi të kokën e tij të skulpturuar prej shqiptari. Dhe kështu ndodhi. Shumë historianë të artit italian e përmendin skulpturën në fjalë.

Ata habiten nga stili eklektik, por parafytyrimi i tyre nuk arrin t’i çojë në arsyetimin logjik se koka është diçka e montuar në një trup tjetër, se kemi një mënyrë arrogante por dhe të mençur për të bashkuar kokën e një personazhi historik të shek. XVI, për më tepër të një shqiptari të frikshëm ndonëse fitimtar, me trupin e një perëndie, që në mitologjinë klasike përfaqësonte Lajmëtarin të urdhrave dhe dëshirave të perëndive olimpike

Megjithatë koka është origjinale. ثshtë koka e Mërkur Buas.

Ai kishte qenë njeri i vërtetë gjatë jetës, s’mund të mos ishte i vërtetë dhe pas vdekjes. Me shpatën dhe armët e tij ai kishte lëvizur, bërë dhe zhbërë shumë ngjarje të historisë, sipas një anarkie të brendshme dhe misterioze të racës së vet, por kjo nuk qe e mjaftueshme për të mos vërshuar mbi të harrimi i zi dhe gërryes.

Atë që mund të mos e arrinte me artin strategjik, me anë të luftës së pamëshirshme, Mërkur Bua, pa qenë as njohës i artit, as estet dhe as njeri i ditur, e arriti habitërisht me anë të shpikjes së tij të pafytyrë dhe të një krenarie të rëndë.

Ai vendosi kokën e vet të skulpturuar me gjithçka.

Kafka e tij e vërtetë ka humbur, ashtu si dhe eshtrat . Skulptura e dyfishtë mbart të fshehtën nuk u harrua.

(MOIKOM ZEQO )
 
Redaktimi i fundit:

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top