Krerët e partive dhe prostituta e Bisht-Pallës

Bilderberg

Anëtar i ri
[SIZE=+0]Nga Kico Blushi - d.b/GazetaShqiptare/Balkanweb)
[/SIZE][SIZE=+0][/SIZE]
Nëse në Shqipëri, pasi u lejua pluralizmi, do të ishte vendosur me statut që në kryetë herës, se një kryetar partie nuk mund të qëndrojë në post më shumë se dy mandate, demokracia shqiptare nuk do të katandisej “e brishtë” (kjo “e brishtë” tani tingëllon si: “demokraci cung”, ose “demokraci uloke!”). Po të mos ishin çimentuar kryetarët e partive në të përjetshëm e të pazëvendësueshëm, të pagjykueshëm e të pagabueshëm, të papërgjegjshëm e të pashembullt në makut-harbutëri, duke mbetur përherë kryetarë të lavdishëm, pavarësisht zgjedhjeve në parti e në shoqëri, me siguri rezultatet në Shqipëri do të kishin pas qenë krejt ndryshe, më pozitive se negative. Kaosi dhe rrokopuja në shpërndarjen e pasurisë nuk do të ishin kaq mosmëkeq, hierarkia e vlerave nuk do të qëndronte kaq kokëposhtë, autoritarizmi nuk do të kishte këtë fuqi bajraktërore e poshtëruese, sikundër e ka sot! As vajza e Doktorit nuk do të ishte bërë aq “e shquar”, sa të fuste në sherr gjithë Kuvendin e të ngatërronte bisedat e kafeneve e stolat-domino të pensionistëve tanë të lumturuar nga rritja 10% e pensionit!
ثshtë provuar më se një herë që kryetarët e partive mund të lëshojnë gjithçka, edhe gratë e fëmijët, por jo partinë, qoftë edhe sikur kjo të katandiset me një anëtar! Asnjë fabrikë apo biznes në Shqipëri nuk jep pushtet të pakufizuar dhe pasuri të pamerituar, sa të qënit kryetar partie, qoftë edhe në një humbëtirë! Nëse në vendet demokratike administrata civile është e qëndrueshme, ndërsa kryetarët e partive të zëvendësueshëm, tek ne ka ndodhur e kundërta. Ka ndodhur e kundërta pikërisht që disa kryetarë të jenë të përjetshëm, të paprekshëm, të gjithëpushtetshëm, të pazëvendësueshëm! Por demokracia nuk funksionon normalisht, nëse prishet kësisoj ingranazhi i zëvendësimit “automatik” i drejtuesve të partive e qeverive nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme! Pikërisht falë këtij ingranazhi të prishur “zgjedhor” që nuk e pranon rrotacionin dhe vetëlargimin, Berisha deklaroi me një sinqeritet të frikshëm se do të jetë edhe 30 vjet të tjera në pushtet! Ndaj, nëse edhe tek ne do të ndërrohej me “statut” e normalitet udhëheqësia, jo me katrahura, as me përmbysje, nuk do të kishim provuar as vitin ‘97, nuk do të na kishin mbirë piramidat financiare, nuk do të sulmohej e digjej kryeministria me antitank e tanke e arkivol, nuk do të kishim as Gërdec e as katarsis, e me siguri do të kishim hyrë në BE në mos më parë, në një kohë me Bullgarinë e Rumaninë, të cilat, për hir të së vërtetës, për shumë arsye, edhe gjeopolitike, kanë qenë më prapa nesh! Ja përse merita që Shqipëria mbeti e fundit në Ballkan, një dhi e zgjebosur e bisht përpjetë, e kanë, natyrisht e kryesisht, kryetarët e partive tona lavdi e zullum-mëdha!
***
Kryetarët e partive të mëdha që kanë qeverisur me presidentë e kryeministra fuqiplotë, po edhe me aleanca të mini-partive që dinë të mbajnë iso, parti që ekzistojnë vetëm që kryetarët e tyre të bëhen domosdo ministra, janë përgjegjësit e fajtorët parësorë e ndoshta të vetëm për këtë sezon parlamentar me deputetë gjysmë- analfabetë, për këtë mbrapshti të pafalshme e të pashembullt të shoqërisë që detyrohet, prej gati 20 vjetësh, të ecë si gaforre, këmbadoras, qorrazi, me të dalë ku të dalë, drejt aspiratës sonë të dështuar për një demokraci normale. Janë kryetarët e plotfuqishëm të partive, që e transformuan “diktaturën e proletariatit” në “demokraturë të autoritarizmit”; që njëjtësuan votën e lirë me votën e vjedhur; që degën e ullirit të liri-demokracisë e kthyen në gjethe Dushku, që Njëshin e bënë numërorin e parë të vënë para qytetarëve të vlerësuar përherë si zero…
Ata pra, kryetarët e partive, pavarësisht nga pesha e partisë, ata dhe pakkush tjetër, (aq më pak populli, të cilin kur dëshpërohen e shajnë me pa të drejtë “ky popull këtë meriton”, “ky është një popull pa kulturë të mjaftueshme demokratike” etj), nuk ka faj për këtë theqafje morale, për këtë krizë të thiktë mosbesimi, për shpërthimin e ujërave të zeza nëpër media, për degradimin e institucioneve të pavarura, për kërcënimin e rrugës, për pasigurinë dramatike të familjes e shfytyrimin e shkollës, për këllirën e korrupsionit në çdo qelizë të administratës, për yrryshin e pandalshëm të krimit e gjakmarrjes kanunore, si dhe për mungesën e frikshme të Drejtësisë, që tashmë e ka ngujuar qytetarin në kullën “demokratike” të Padrejtësisë! Sepse populli bën sikur voton, ndërsa kryetarët partiakë bëjnë sikur numërojnë votat tona! Kujtoni ju se populli ka votuar e shprehur vullnetin e tij në Kashar, në rrethinat e Gërdecit të bombarduar pak muaj më parë? Sepse ne bëjmë sikur zgjedhim, por në fakt vendosin ata, kryetarët e partive! Dhe ja pra, Kuvendi e qeveritë tona mbushen përherë e më shumë me gjysmë-intelektualë, me ca ish-badigardë e ca ish-hidraulikë, me ca ish-mjelëse e me ca ish- “punëtore” të nëpërkëmbura në rininë e tyre nga brigadierët e operativët, me njerëz pa kulturë që as fjalën “zhele” nuk dinë ta shqiptojnë! Niveli i përfaqësimit tonë bie gjithnjë e më teposhtë! Pyetja është e thjeshtë: Si e përse ndodh që Kuvendi, sa vjen e degradohet për nga niveli kulturor e moral? Si ndodh që ministra, pas viteve 2000, papritur e pakujtuar bëhen ca anonimë që as për hyzmetqarë baxhosh nuk vlejnë? Si shpjegohet që qeveria e parë e I. Qemalit të ketë pasur nivel shumë më të lartë kulturor, arsimor dhe integritet moral se qeveria e vitit 2008?…Sepse kryetarëve të partive u leverdis që në pushtet të vijnë ca gjysmë intelektualë që kapin qiellin me dorë e që pastaj shiten e blihen nga kryetarët e partive më keq se kuajt në pazarin e bagëtive të Milotit! Vetëm me të tillë “admirues” të nënshtruar (që qeshin kur nuk ju qeshet, po me që qesh kryetari), kryetarët mund të kalërojnë rehat mbi zverkun tonë! Me të tillë deputetë ata na pështyjnë e pastaj na japin mesazhin paqtues: Shqiptarë, ju vetë na zgjodhët të drejtojmë fatin tuaj, tani ulni kokën e pranoni të hiqeni për hunde nga ne! Të jini të lumtur që kini fatin të udhëhiqeni nga kryetari ynë!, - kur në të vërtetë, jemi për faqe të zezë! Janë këta dinsëzë mediatikë që na detyrojnë të shkojmë nëpër votime për të zgjedhur të keqen më të vogël midis dy apo më shumë të këqijave, në vend që të zgjedhim, si ndodh në botën demokratike, më të mirën midis disa të mirave! Ja përse gjithmonë i Keqi i sotëm del më i Keq se pararendësi. Ja përse erdhi Berisha në pushtet: pikërisht se shqiptarët zgjodhën të keqen më të vogël, pa menduar se e keqja “e vogël” në pushtet është si metastazat e kancerit, nuk shërohet dot!
Kjo lloj zgjedhjeje “vertikale” ndodh jo se kështu duam ne, jo se jemi të mangët për nga “kultura demokratike”, jo se jemi aq të budallallepsur, (derisa zgjedhim vazhdimisht “po ata”e po “atë!”), po se janë të njëjtët kryetarë që patjetër e me çdo çmim do të rizgjidhen, (le po na thonë: “me vota të lira”!), pavarësisht se si kemi pas votuar ne! Nuk mund të zgjedhim ne edhe pse, kur brenda partive nuk ka demokraci të brendshme e zgjedhje të lira, afërmendsh nuk mund të ketë demokraci funksionale as jashtë tyre, në zgjedhjet parlamentare e vendore, as në shoqëri! Nuk mund të ketë zgjedhje të lira kur kryetarët e partive, me çdo kusht e me çdo mjet, me demagogji e para të pista, me polici e komisionerë të blerë luftojnë të mbeten sërish kryetarë, kryetarë që përcaktojnë rregullat e lojës, fushën e lojës, arbitrat dhe rezultatin! Me sa duket edhe parimi “një anëtar, një votë” u shqiptarizua shpejt e shpejt për t’u transformuar në parimin tradicional arnaut: “një votë e një anëtar për të njëjtin kryetar”!
***
Në Shqipërinë tonë, sa kryenaltë aq dhe të menderosur para opinionit europian për nga niveli mjeran i demokracisë së brendshme të partive e të shoqërisë, për nga (keq) zhvillim-lulëzimi (“i paparë!”) i ekonomisë së gab-tregut, për nga mosmirëqenia jonë kronike, kryetarët e partive, e pas tyre edhe këpëdëistët e kongresmenët e bërë deputetë e ministra nëpërmjet partitizmit lepepeqe dhe parlamentarizmit të tipit “dru me pre”, kanë meritat kryesore! Të gjithë këta ish-hiça të rëndësishëm tash janë hedhur në tregun mediatik për të bërë sa më shumë propagandë dhe ferk, jo për dobi të qytetarëve, por të kryetarëve të partive të mëdha që kanë fuqi absolute të emërojnë e të çemërojnë, të hartojnë “lista” e të bëjnë deputet apo ministër çfarëdo lloj hiçi anonim që nuk ka turp të gënjejë opinionin publik e të shkatërrojë rivalin politik! Mjafton të shihet “shembulli Ndoka”, si u bë kryetar i demokristianëve, si u emërua pastaj ministër dhe si u flak këto ditë në botën e hiçit të Vaut të Dejës prej nga kish ardhur! Pra, po të mos ishte treguar aq i shkathët ky Ndoka, sa të kapte kreun e një partie, për t’i hyrë në shërbim kryeministrit aktual, pra po të mos kishte formuar me allishverish një grup “të madh” parlamentar me disa deputetë të blerë që nuk kishin, njëlloj si ai, asgjë të përbashkët me demokristianizmin e po të mos ishte shpërbërë grupi parlamentar i PDK-së, (natyrisht jo nga zhvillimet brenda partisë, po nga forca jashtë saj, nga “Grupi i Qendrës” pa qendër), ky Ndoka nuk do të ishte ai Ndokë i braktisur dhe i leqendisur që është sot, po do të ish, ndoshta, një Ndokë zëvendës kryeministër, po aq hijerëndë sa Pollo! Pra, qeveria e Berishës ecën përpara “nga fitorja në fitore” me këmbët e Xhuvelit dhe me sytë, veshët e mendjen e Ndokës, por kurrsesi me votat tona!
Ndaj gaboj po të hakatem të pohoj se edhe shteti i së (pa)drejtës, pra edhe vetë demokracia jonë “e brishtë”, tash është e përdhunuar nga “reparti” qeveritar njëlloj si ajo prostituta e Bisht Pallës, të cilën e kemi harruar, siç kemi harruar shumë mysybete e hatara gërdecërore që ndodhin tek ne! Besoj se më shumë dinjitet duhet të ketë pasur prostituta e Bisht Pallës se disa kryetarë mini-partish, madje edhe se kryetarja e Kuvendit, apo se disa deputetë të përdorur e ca palo-liderë të gjithëfarllojshëm që këto ditët e fundit po na shfaqen si protagonistë për t’u bërë ministra, për t’u futur në lista, për t’i hyrë në zemër kryeministrit! Ajo, pra, prostituta e Bisht Pallës, tashmë e harruar, (po që na e kujtoi fjalori i kryeministrit në Kuvend), pasi parakaloi nëpër repartet ushtarake e në disa komisariate policie të Durrësit, i dha më në fund dum e vendosi të vërë në vend “nderin e prostitutës”, duke denoncuar emrat e maskarenjve seksomanë me pushtet dhe uniformë ushtarake! Po a mund të bëjnë të njëjtën gjë prostitutat tona të politikës, deputetë e ministra, të guxojnë e të denoncojnë edhe këta përdhunuesit e demokracisë? Në të kundërt, deputetët e zyrtarët, konet e bindura të kryetarëve, hapur e pa u tutur dalin në publik e lehin që të mbrojnë “shefin e repartit”, pikërisht atë që i ka përdhunuar! E gjora prostitutë e Bisht-Pallës paskësh pasur më tepër dinjitet se shumica e deputetëve, ministrave dhe zyrtarëve tanë!
Por ama duhet pranuar, gjurma e prostitutës së Bisht-Pallës paskësh mbetur e ngulur në trurin e kryeministrit, derisa ai përdori fjalor prostitute ndaj “provokatorëve” në Kuvend! Vetëm se, asokohe, e gjora nuk u muar seriozisht, aq sa po merret kryeministri ynë! Se po të ishte marrë sadopak seriozisht skandali i saj, rreziku i hapjes së dosjeve nga prostitutat e politikës do t’i detyronte kryetarët e sotëm të partive t’i vinin gishtin kokës! Këta do të ishin detyruar, nga frika e publikimit të nesërm të zullumeve të tyre të venë sadopak rregull e disiplinë në Kuvend dhe në Qeveri, nëpër partira, në ushtri e shoqëri që të mos gëlojnë dhe grumbullojnë aq shumë pushtet prostitutat e sotme politike, duke bërë ministra e deputetë ata që prostituojnë më paturpësisht në sytë e opinionit publik! Pra, po të kishte mbetur gjallë kujtimi dhe dyshimi që mbolli prostituta e Bisht-Pallës, do të ekzistonte frika se, në mos sot, nesër, edhe nga mjediset e reparteve të politikës mund të dalë një ditë ndonjë “prostitutë e ndershme” që të nxjerrë në publik të palarat e kryetarëve të mëdhenj për të vënë në vend dinjitetin e vet, pra për t’u transformuar nga një ish e/i përdhunuar, në një tash “sinqerisht i/e penduar”. Por kryetarët e partive tona janë aq të dehur me vetveten, sa as nga ky “rrezik” potencial nuk kanë frikë. Sepse tek ne skandalet nuk bëjnë asnjë përshtypje! Se kryetarët e partive opinionin publik e vlerësojnë në mos të vdekur, të currufjepsur! Dhe meritën kryesore për këtë arritje “demokratike” padyshim e kanë ata, kryetarët e partive, të cilët nuk e njohin turpin, madje, me sa po shihet, njëlloj si pronarët e shtëpive publike, ata nuk kanë më turp as nga turpi publik i Gërdecit të hedhur në erë, jo më i fjalëve të ndyra!
Duhet pranuar: Ky është i vetmi sukses real i tyre!

 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top