Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

Kosova në Flakë, Serbia në Europë, Shqipëria në Europian

Teksa pati përsëri tym sot në Parlamentin e Kosovës, ndërsa liderë të opozitës dhe aktivistë të saj vijojnë të jenë në burg politik e qytetarët protestues po përleshen prej javësh me policinë, Serbia mori statusin e vendit kandidat për sjellje të mirë ndaj Kosovës. Nga Brukseli vjen lajmi se është vlerësuar pranimi i bisedimeve me Kosovën, duke qenë një prej arsyeve kryesore të përshkallëzimit të procesit të integrimit. As eurofobia e shumë qytetarëve serbë, të cilët e shohin ariun rus si vëllanë e madh, as faturat e spastrimeve etnike në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, të cilat mbijetojnë e zhvillohen te shovinizmi ndaj fqinjëve, faktori kryesor i destabilitetit në Ballkan, dhe as destabilizimi që politika serbe po i bën Kosovës duke copëtuar Mitrovicën nga pjesa tjetër e vendit, duke instrumentalizuar komunitetin serb në rrënimin e shtetit, nuk janë parë si arsye të mjaftueshme për të kushtëzuar procesin. Përkundrazi, sipas ndërkombëtarëve arsye penalizuese janë vetëm shashkat e tymit të opozitës kosovare dhe mospranimi i marrëveshjeve të diktuara nga Serbi-BE, që cenojnë rëndë sovranitetin dhe stabilizimin e vendit.
E pra standardet europiane favorizojnë popujt që kanë kryer genocid dhe vazhdojnë të vjelin frytet e krimeve të tyre pa u penduar aspak për tmerret e himnizuara si shërbime ndaj atdheut e Zotit. Fati i keq i shqiptarëve është se nuk kanë vrarë, therur e shfarosur ndonjë komb tjetër gjatë këtyre viteve, që të përfitojnë koncesione nga BE-ja. Për të, Kosova po sillet keq, sepse nuk po nënshtrohet sa duhet dhe nuk po bashkëpunon me përdhunuesit. Përkundrazi, Serbia po emancipohet duke i konkretizuar në rrugë institucionale politikat e saj shoviniste e destabilizuese ndaj popujve të tjerë. Kjo i bën ata partnerë të denjë për të filluar negociatat!
Nisur prej këtej, pozita dhe e gjithë media mainstream në Kosovë pohojnë me forcë se opozita po pengon Kosovën të bëhet një “nxënës i mirë”, se qëndrimet e saj destruktive ndaj marrëveshjeve me Serbinë po pengojnë procesin e integrimit, pra po pengojnë procesin e shndërrimit të saj në një vend të nënshtruar dhe destabilizuar. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit kombëtar konsiderohet prej tyre një utopi dhe herezi ndaj BE-së, ndërsa ata që mbajnë qëndrime të tilla nuk janë tjetër vetëm se aventurierë sharlatanë antikombëtarë. Kjo i jep të drejtë qeverisë të ushtrojë dhunë përtej ligjit, duke e kthyer vendin në një autarki oligarkësh që eliminon opozitën. Gjithë qëllimi i saj është të eliminojë pengesat në funksionimin e institucioneve dhe rendit demokratik, si mjet i domosdoshëm për integrimin e vendit.
Mesa duket demokracia nuk mund të funksionojë me mjete demokratike në Kosovë dhe u dashka pak diktaturë gjë gjërat të vihen në rregull. Të këtij qëndrimi duken edhe ambasadorët e vendeve perëndimore, të cilët, teksa nuk e kanë lënë rastin pa u shprehur në deklarata të ashpra për çdo shashkë të Albin Kurtit në Parlament, qëlluan me pushime ditën e arrestimit të tij dhe bastisjes së selisë së opozitës me dhunë policore. Demokracia e Kosovës punon part-time dhe orari i punës mbaron gjithmonë kur fillojnë të drejtat e opozitës dhe mbrojtja e sovranitetit të vendit.
Ndërkohë, nga ana tjetër e kombit, “Shqipëria amë” duket totalisht e papunë në arenën ndërkombëtare. Ka halle të tjera këndej dhe për nacionalizmin kujtohemi vetëm kur luan kombëtarja. Zjarri, tymi, burgjet e opozitës apo marrëveshjet e imponuara të Serbisë as që ia prishin terezinë “mëmës” që vazhdon shijon delirin e nacionalizmit futbollistik, e trazuar pak nga shorti i vështirë që na vuri në një grup me Francën dhe Zvicrën. Sa për tymin që po i del gjymtyrëve të saj, të shpërndara kudo nëpër rajon, ka një parim që ajo i qëndron besnik: të mos fusë hundët në punët e të tjerëve. Ajo i qëndron me stoicizëm këtij parimi, megjithëse nën hundën e saj shqiptarëve po u rrëshqet toka nën këmbë. Projekti ynë kombëtar për momentin është të kalojmë grupin.


(c) Ergys Mertiri
 

Theme Editor

Settings Colors

  • Mobile users cannot use these functions.

    Select View Mode

    Switch between full screen and narrow screen modes.

    Grid View

    Easily review content and get an organized view with grid mode.

    Image Grid Mode

    Display your content in an organized and visually rich way with background images.

    Sidebar Close

    Create a larger workspace by hiding the sidebar.

    Fixed Sidebar

    Ensure constant access and easily manage your content by pinning the sidebar.

    Box view

    You can add a box-style frame to the sides of your theme or remove the existing frame. Valid for resolutions over 1300px.

    Radius Control

    Customize the look however you like by turning the radius effect on or off.

  • Choose your color

    Choose the color that reflects your style and ensure aesthetic harmony.

Back