Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

Konkursi i letërsisë ~tetor~2026

Voto krijimin që të pëlqeu

  • AH, MOJ SHQIPNI E BUKUR!

    Votat: 0 0.0%
  • KUDO QË JAM UNË, JENI EDHE JU

    Votat: 0 0.0%
  • DOJA TA VIDHJA NJË ZEMËR...

    Votat: 0 0.0%

  • Totali i votuesve
    0

AH, MOJ SHQIPNI E BUKUR!​

​

Ah, moj Shqipni e bukur,
Shqipni e blertë, nën beton e mbulueme,
me male t'boshatisuna, me zemra t'plagume,
me fusha që presin dorën e bujkut,
e me rini që merr rrugët e kurbetit.

Shqipnia e Vjosës, që rrjedh e lirë,
e Nartës, që shitet copë-copë,
ku natyra s'ka ma za me u mbrojtë,
e fitimi peshon ma randë se toka,
ku bukuria falet për nji grusht pare.

Ah, moj Shqipni, e kujt je sot?
E atij që t'don, a e atij që t'shfrytëzon?
Popullit t'lodhun, t'lanun n'harresë,
që me djersë e mban këtë vend n'kambë,
ndërsa shpresa i tretet ditë për ditë.

E pleqtë e shkretë, t'ngujuem n'vetmi,
me sytë kah dera, tuj pritë nji fëmijë,
që e mori kurbeti larg, përtej detit,
e s'i kthehet veçse me za n'Telefon,
se buka e jetës e çoi larg shpisë.

Ah, moj Shqipni, sa randë po m'dhemb,
kur t'shoh t'bukur, por shpirtin t'rrënuem,
me flamurin kuq e zi që valon n'erë,
e me nji popull që s'po gjen ma pranverë,
n'nji sistem t'dështuem, që veç plagë po len.

Por dije, moj nanë, se s'je veç dhimbje,
se n'këtë tokë ende rreh nji zemër,
ende ka njerëz që s'të shesin për pare,
që e duen Vjosën, malin e detin,
e që andrrën për ty s'e kanë varrosë.

Se Shqipnia s'asht veç tokë e pasuni,
as kullë betoni, as fjalë n'letër,
Shqipnia asht gjaku, kujtimi, krenaria,
asht nana që pret, asht malli për shpi,
asht shpresa që vdes, por ringjallet përsëri!

giphy.gif


KTHEHU TE PËRMBAJTJA
 
Redaktimi i fundit:

KUDO QË JAM UNË, JENI EDHE JU​

Sonte, pagjumësia më dërgoi në vitet e para të qëndrimit tim në këtë qytet. Pas shkollës, pas punës, që përfundonte pasi ishte larë çdo pjatë e çdo pllakë, kur kthehesha në shtëpi, rrugët ishin të zbrazëta dhe ishte momenti perfekt për të hequr frikën e shoferit të ri.

Arritja në shtëpi dhe madhësia e saj e zbrazët më mbyste... Ishte bosh, pa pritje dhe e pafjalë! E jashtë saj, në atë qytezë që ishte e përgjumur, nuk njihja pothuajse asnjë njeri.

Sapo kisha marrë patentën dhe, me këtë copëz lirie, nisi edhe aventura ime. Nga frika, dilja në orët e vona, kur rrugët ishin të boshatisura e qyteti ngjante si pronë e imja. Çdo ditë merrja një rrugë të re, të gjitha të panjohura për mua. Nuk ekzistonte atë kohë Google Maps apo TomTom-i i vjetër. Le të them se isha në eksplorim të atij vendi.

Një natë, pas punës së lodhshme dhe atyre udhëtimeve për të fituar siguri në makinë, arrita në një kodër, prej nga shihej i gjithë qyteti, i zbardhur nga një pëlhurë e hollë dëbore e plot drita... U mahnita! Më pëlqeu aq shumë, saqë çdo natë e kisha planin gati, me hartën Michelin, për kodrën e radhës.

Qëndroja ashtu, me makinën e ndezur, për një kohë që s'di ta përcaktoj, pasi varej nga shumë faktorë, si, për shembull, i ftohti, mërzia apo thjesht lodhja dhe kujtesa se në orën pesë niste rutina ime.

Netët e tilla u bënë të shumta dhe kaloi edhe pranvera kështu.

Në natën e ngrohtë të 13 gushtit, u ndala në një luginë, ku lumi pranë meje krijonte, për mua, në ato çaste, një paqe të papërshkruar... Kësaj radhe nuk isha në kodër; ato i kisha mbaruar dhe nuk shikoja gjithçka nga lart. Isha më poshtë se disa drita, fshatra e pyje gështenjash...

Më kapi një ankth i çuditshëm. Vetëdija u zgjua dhe po i bënte presion asaj çmendurie eksploruese.

“Po ku po shkon? Po sikur thjesht të të prishet makina? Ja, do të telefonosh asistencën, por “Ku je?” do të të pyesnin. “Na jep adresën ku ndodhesh!” E ç'do t'u thuash? Po sikur të ndihesh keq e, kur të të gjejnë, do të thonë: “Po kjo ç'deshi këtu?”

Dhe, në këto mendime, mundohesha të mbaja gjallë atë pjesën e çuditshme që, nuk e di pse, kërkonte ato copa vendesh të humbura, duke i thënë vetes: “Çfarëdo që të të ndodhë, mos u shqetëso! Ja, edhe pak dhe do të shkosh në shtëpi...”

Në këto lloj mendimesh, vura re një dritëz që zbriste nga një shteg ku nuk shihej asgjë, vetëm ajo dritëz, që herë dilte në pah e herë humbiste mes pemëve...

U bëra kurioze! Nuk e mohoj se mendova edhe që mund të ishte UFO-ja... Mendova gjithçka... Ndërkohë, ajo po afrohej drejt luginës ku isha unë.

Dëgjova edhe një zë... Aty u frikësova, sepse isha e izoluar. Instinktivisht, po e mbaja nën “shënjestër” atë dritë, derisa më pas pashë se ishte një njeri me një dritë në ballë, si ato të minatorëve...

“Të ketë minierë këtu? Po ç'bën i vetëm në këtë orë?”

Ai u afrua edhe më shumë, duke vazhduar rrugën e tij, ndërsa unë, aty në makinë, rrija e heshtur si struci që fsheh kokën në rërë. Unë fshihesha pas timonit... Kyça dyert e makinës dhe, ndërkohë, mendoja: “Sa idiote je! Një gur e thyen xhamin; s'është zgjidhje kjo...”

Njeriu dukej gjithnjë e më i gjatë, sa më shumë afrohej aty ku isha unë... Më pas kuptova se po fliste në telefon.

Me zemrën që më rrihte në fyt dhe kur frika humbi çdo anë racionale, mendova:

“OK, je ende e sigurt. Ik që këtu...”

Atë bëra. Ndeza makinën dhe u nisa...

Ndërkohë, shikoja njeriun, tashmë afër meje, të qetë në bisedën e tij, që vështronte makinën time duke u larguar. Kush e di çfarë do të ketë menduar!

Ai njeri i gjatë, me telefon në dorë, u bë një nga arsyet që më shtynë ta kontrolloja atë vesin tim të daljes në orë të papërshtatshme...

Nuk dola më natën, nuk u ndala më në kodra apo lugina... Pasi kuptova se ajo shtëpi e madhe dhe e boshatisur një ditë do të ishte plot, pasi kudo që isha unë, ishit dhe do të jeni edhe ju!
giphy.gif


KTHEHU TE PËRMBAJTJA
 
Redaktimi i fundit:
DOJA TA VIDHJA NJË ZEMËR

Sapo ishte zgjuar nga gjumi, Tomi kish vënë kafenë me qumësht dhe po shihte reklamat e supermarketeve.
- T’i kam nënvizuar se çfarë do të blesh, - dëgjoi zërin e gruas nga dhoma e gjumit.
- E shoh, e shoh, po duhet një kontroll i shpejtë, - tha Tomi, duke dalë nga kuzhina me tasin e kafesë dhe duke u drejtuar drejt laptopit në sallon.

E hapi dhe filloi të shihte emailet. I ishte bërë zakon që një herë në javë t’i kontrollonte. Emailet i vinin në dy grupe: ato të tipit zyrtar dhe ato nga miqtë, si dhe grupi tjetër i emaileve të padëshiruara apo të panjohura.

Te emailet e rregullta i kishin ardhur dy, të cilat i lexoi me një frymë, dhe pastaj e çoi shigjetën e mausit te emailet e panjohura. Pa që ishte plot: emaile nga kazinoja, e cila gjithmonë e njoftonte se kishte kaq pikë, megjithëse nuk kishte luajtur ndonjëherë; emaile nga një fond që e lajmëronte se kishte kaq lekë dhuratë po të aplikonte tek ata; emaile nga gra të ndryshme apo agjenci që merreshin me këto gra. Këto i hiqte shpejt e shpejt, pa i lexuar, ose u lexonte vetëm titullin, pa i hapur fare.

Ndaloi për një çast. “Unë vetëm ty të dua”, lexoi titullin dhe emrin e femrës: Monika. Iu kujtua Williamka, zezakja e bëshme, me trup të madh, që i thoshte:

“Të dua, Tomi, me ty e kam fiksimin.”

Kish menduar ta bënte me të; do të ishte një rast i mirë për të parë një vaginë afrikane, por ishte ftohur me të, sepse një ditë, në ashensorin e ndërmarrjes, kur kishin hipur dhjetë veta, vithet e saj takonin barkun e Tomit dhe, sapo ky i kishte vënë pak dorën te vithet, ajo kishte bërtitur.

-“Çfarë ndodhi?” - kishin pyetur nja dy gra, por në atë moment ishte hapur dera e ashensorit dhe të gjithë kishin dalë.

Tomi kishte vënë re vështrimin e Williamkës dhe të një punonjëseje dhe ishte ndier në siklet. Qysh nga ai moment kishte filluar të mbante distancë me Williamkën, megjithëse ajo i kërkonte të falur që kishte bërtitur ashtu dhe i thoshte se nuk e kishte biseduar me të tjerët.

Mbylli kompjuterin, mori karrocën e ushqimeve dhe doli. I pëlqente të ecte. Donte të shkonte te dyqani ku punonte ajo, ajo që ia kishte marrë mendjen, një marokene e lindur në Europë. Ia kishte shfaqur ndjenjat asaj, por ajo i kishte thënë se ishte e zënë. Nuk e kishte zgjatur më tepër muhabetin, por ajo gjithmonë i buzëqeshte kur hynte në dyqan dhe gjithmonë e ndihmonte Tomin për ushqimet në ofertë.

Nuk kishte bërë as 500 metra kur, te kafja e marokenëve, vuri re Muhamedin, që po pinte kafenë jashtë me dy shokë të tij. I përshëndeti dhe u afrua. E shihte që ata e respektonin.
- Tomi, e pe Trampin dje? Më duket se u ka çmendur.
- Ai i çmendur ka qenë me kohë. Çfarë thotë sot, nuk e thotë nesër; një herë kështu e një herë ashtu. Unë ta kam thënë qysh vjet: ky president ka ardhur për luftë, jo për paqe.
- Po Europa ku është? Këta paskan qenë panine, nuk janë burra europianët.
- Europianët kanë metodën e tyre, me diplomaci, me bisedime, me sanksione, - vazhdonte muhabeti politik ndërmjet tyre.

Me gjithë lutjet e tyre që të ulej e të merrte një kafe, pas nja dhjetë minutash Tomi u largua. Rrugës përshëndetej me ndonjë të njohur dhe nuk kishte bërë as një kilometër kur pa arabkën që i lutej gjithmonë për lekë.

“Bo-bo, ku m’doli kjo para!”
- Hej, simpatiko, ku je që nuk të kam parë? - iu afrua ajo Tomit. - Për ty, e, vetëm për ty, 20 euro. Fute ku të duash! Për të tjerët e kam 40, por për ty, 20 euro.
- Ah, po s’kam kohë. Me gjithë qejf, por e kam ditën të ngarkuar sonte. Ndonjë herë tjetër, - tha Tomi, duke futur dorën në xhep dhe duke e ditur që ajo ditë nuk do të vinte kurrë.
- Okej, po ty nuk e di, të kam fiksim. Gjithmonë thua “herë tjetër”, por asnjëherë bashkë. Vetëm për ty, 20 euro; të tjerëve nuk ua bëj këtë privilegj.
- Na, këtë dyeuroshin (€), pi një kafe nga unë, - buzëqeshi Tomi, duke u ndarë prej saj.

Iu duk sikur shpëtoi nga një siklet. Iu kujtuan edhe rastet e tjera kur femra të bukura i ishin ofruar për seks me lekë, por ai u ishte shmangur gjithmonë me lezet. Seksin pa dashuri, apo pa njëfarë simpatie dhe respekti për femrën, e quante seks qensh.

E ndiente dhe kishte dëshirë të provonte një femër, një vaginë tjetër, një femër të hijshme, të sinqertë, pa hile, por edhe kur kishte filluar të ndiente diçka për një të tillë, për arsye të ndryshme nuk ishte realizuar gjë.

Mbërriti te supermarketi dhe vuri re se ajo ishte te kasa. Vuri re që asaj iu çel fytyra. Filloi të mbushte karrocën; për dhjetë minuta, gjysma e karrocës-çantë ishte mbushur.

U afrua te kasa e saj. Fytyra e saj, herë serioze e herë me buzëqeshje, përcillte mallrat duke i skanuar. Tomi filloi të zbrazte mallrat mbi transportierin e kasës, ndërkohë që radha e tij po afrohej. Ai ngriti karrocën, duke ia treguar asaj karrocën bosh.
- Oh, nuk është nevoja, - buzëqeshi ajo. - Unë e di që ti nuk vjedh, - dhe filloi të skanonte mallrat e Tomit.
- Në fakt, doja ta vidhja një zemër, - buzëqeshi Tomi.
- Çfarë? Zemër?
- Po, por ishte e vështirë. Nuk di si të veproj.
- Oh, paske festë sot me këtë uiskin! Me kë do ta pish? - buzëqeshi ajo.
- Me asnjeri, nuk kam me kë ta pi, por kam një zjarr këtu në gjoks dhe ne shqiptarët kemi një gjë: zjarrit i fusim zjarr që ta shuajmë, - tha Tomi, duke tundur shishen e uiskit dhe duke e futur në çantën e karrocës.
- 59 euro gjithsej, - foli ajo, duke parë nga radha e njerëzve.

U përshëndetën të dy dhe Tomi, pasi mori edhe një reklamë për javën që vinte, doli.
Iu duk vetja sikur ishte mbushur me energji. Në mendje i kalonin të gjitha sekuencat e bisedës që kishte bërë me të. Ndihej sa i gëzuar, aq edhe i merakosur që muhabeti me të nuk po ecte më tej.

Po i afrohej shtëpisë kur syri i zuri Aishen, palestinezen që kishte pasur në punë.
- Hej, Tomi, si je?
- Oh, Aisha, xhan! Mirë. Fëmijët si i ke?
- Mirë, Tomi. Rriten të dy.
- Ah, shkëlqyer! Po qenë fëmijët mirë, edhe mama është mirë, - buzëqeshi Tomi, duke e bërë Aishen të qeshte. - Socialin a ta lidhën, Aisha?
- Po, po, shyqyr! Ishalla nuk ma heqin.
- Ishalla jo, megjithëse e kanë mbledhur punën. Po ti, më vonë, shih për ndonjë kurs pune për gratë. Tani vazhdo me shkollën; gjuha ka rëndësi.
- Po, po, Tomi, - tha Aisha, ndërsa sytë e saj vështronin sytë e Tomit.
- Na, merre këtë çokollatën për kalamajtë, - i tha Tomi.

Iu kujtua Zyberi, një djalë palestinez në punë, që donte t’i afrohej Aishes me ndihmë për familjen e saj në Gaza. E kishte pyetur atëherë Aishen: “Hë, ç’bëri Zyberi? A të ndihmoi ndopak?”
-”Eh, Tomi, ai është kalamo.”
- Jo, Tomi, jepua fëmijëve të tu.
- Po ç’fëmijë, o Aisha? Ata janë bërë zullapë! - qeshi Tomi, duke bërë edhe Aishen të qeshte.
- Faleminderit, Tomi, - tha ajo.
Të dy sikur donin të ndaheshin, por nuk ndaheshin dot. Aisha priste që Tomi të merrte iniciativën për të ikur; nuk donte të ikte ajo e para. Tomi e kishte vënë re këtë gjë edhe herë të tjera.

“Mos vallë më dashuron?” - mendoi Tomi, duke i zgjatur dorën për t’u ndarë.
Filloi të ngjitej drejt shtëpisë. Hapi derën dhe hyri brenda me karrocën e ushqimeve.
- Hej, gjete gjë? - dëgjoi zërin e gruas, që po shihte reklamën e ushqimeve.
- Gjeta, gru, gjeta dashurinë, - buzëqeshi Tomi.
giphy.gif


KTHEHU TE PËRMBAJTJA
 
Redaktimi i fundit:
RReth konkursit ( për votim e diskutim do të hapet edhe pak )
pra se të votoni lexoni disa kritere... SIPAS RREGULLORES
KUJDES ... KENI TË DREJTË TË VOTONI PËR 2 KRIJIME
Për konkurs do të hapet vetëm një temë: votim dhe bisedë/diskutim rreth krijimeve
* Konkursi është i hapur për të gjithë anëtarët e forumit.
* Çdo pjesëmarrës mund të dërgojë një krijim letrar.
* Tematika është e lirë

* Krijimi duhet të jetë origjinal (yti - jo i kopjuar) dhe të mos jetë paraqitur më parë në konkursin tonë.
- Sqarim ( për këtë kriter ):
Kjo do të thotë se nuk mund të konkurroni për herë të dytë me të njëjtin krijim. Nëse keni një krijim të publikuar më parë në forum ose edhe jashtë forumit tonë, por jashtë konkursit ( konkurrencës ), mund ta paraqitni për konkurrim, nëse dëshironi ta vini në sprovë vlerën e tij letrare.
 
Konkursi është i hapur .... MUND TË VOTONI

sukses pjesëmarrëve
 

Theme Editor

Settings Colors

  • Mobile users cannot use these functions.

    Select View Mode

    Switch between full screen and narrow screen modes.

    Grid View

    Easily review content and get an organized view with grid mode.

    Image Grid Mode

    Display your content in an organized and visually rich way with background images.

    Sidebar Close

    Create a larger workspace by hiding the sidebar.

    Fixed Sidebar

    Ensure constant access and easily manage your content by pinning the sidebar.

    Box view

    You can add a box-style frame to the sides of your theme or remove the existing frame. Valid for resolutions over 1300px.

    Radius Control

    Customize the look however you like by turning the radius effect on or off.

  • Choose your color

    Choose the color that reflects your style and ensure aesthetic harmony.

Back