DOJA TA VIDHJA NJË ZEMËR
Sapo ishte zgjuar nga gjumi, Tomi kish vënë kafenë me qumësht dhe po shihte reklamat e supermarketeve.
- T’i kam nënvizuar se çfarë do të blesh, - dëgjoi zërin e gruas nga dhoma e gjumit.
- E shoh, e shoh, po duhet një kontroll i shpejtë, - tha Tomi, duke dalë nga kuzhina me tasin e kafesë dhe duke u drejtuar drejt laptopit në sallon.
E hapi dhe filloi të shihte emailet. I ishte bërë zakon që një herë në javë t’i kontrollonte. Emailet i vinin në dy grupe: ato të tipit zyrtar dhe ato nga miqtë, si dhe grupi tjetër i emaileve të padëshiruara apo të panjohura.
Te emailet e rregullta i kishin ardhur dy, të cilat i lexoi me një frymë, dhe pastaj e çoi shigjetën e mausit te emailet e panjohura. Pa që ishte plot: emaile nga kazinoja, e cila gjithmonë e njoftonte se kishte kaq pikë, megjithëse nuk kishte luajtur ndonjëherë; emaile nga një fond që e lajmëronte se kishte kaq lekë dhuratë po të aplikonte tek ata; emaile nga gra të ndryshme apo agjenci që merreshin me këto gra. Këto i hiqte shpejt e shpejt, pa i lexuar, ose u lexonte vetëm titullin, pa i hapur fare.
Ndaloi për një çast. “Unë vetëm ty të dua”, lexoi titullin dhe emrin e femrës: Monika. Iu kujtua Williamka, zezakja e bëshme, me trup të madh, që i thoshte:
“Të dua, Tomi, me ty e kam fiksimin.”
Kish menduar ta bënte me të; do të ishte një rast i mirë për të parë një vaginë afrikane, por ishte ftohur me të, sepse një ditë, në ashensorin e ndërmarrjes, kur kishin hipur dhjetë veta, vithet e saj takonin barkun e Tomit dhe, sapo ky i kishte vënë pak dorën te vithet, ajo kishte bërtitur.
-“Çfarë ndodhi?” - kishin pyetur nja dy gra, por në atë moment ishte hapur dera e ashensorit dhe të gjithë kishin dalë.
Tomi kishte vënë re vështrimin e Williamkës dhe të një punonjëseje dhe ishte ndier në siklet. Qysh nga ai moment kishte filluar të mbante distancë me Williamkën, megjithëse ajo i kërkonte të falur që kishte bërtitur ashtu dhe i thoshte se nuk e kishte biseduar me të tjerët.
Mbylli kompjuterin, mori karrocën e ushqimeve dhe doli. I pëlqente të ecte. Donte të shkonte te dyqani ku punonte ajo, ajo që ia kishte marrë mendjen, një marokene e lindur në Europë. Ia kishte shfaqur ndjenjat asaj, por ajo i kishte thënë se ishte e zënë. Nuk e kishte zgjatur më tepër muhabetin, por ajo gjithmonë i buzëqeshte kur hynte në dyqan dhe gjithmonë e ndihmonte Tomin për ushqimet në ofertë.
Nuk kishte bërë as 500 metra kur, te kafja e marokenëve, vuri re Muhamedin, që po pinte kafenë jashtë me dy shokë të tij. I përshëndeti dhe u afrua. E shihte që ata e respektonin.
- Tomi, e pe Trampin dje? Më duket se u ka çmendur.
- Ai i çmendur ka qenë me kohë. Çfarë thotë sot, nuk e thotë nesër; një herë kështu e një herë ashtu. Unë ta kam thënë qysh vjet: ky president ka ardhur për luftë, jo për paqe.
- Po Europa ku është? Këta paskan qenë panine, nuk janë burra europianët.
- Europianët kanë metodën e tyre, me diplomaci, me bisedime, me sanksione, - vazhdonte muhabeti politik ndërmjet tyre.
Me gjithë lutjet e tyre që të ulej e të merrte një kafe, pas nja dhjetë minutash Tomi u largua. Rrugës përshëndetej me ndonjë të njohur dhe nuk kishte bërë as një kilometër kur pa arabkën që i lutej gjithmonë për lekë.
“Bo-bo, ku m’doli kjo para!”
- Hej, simpatiko, ku je që nuk të kam parë? - iu afrua ajo Tomit. - Për ty, e, vetëm për ty, 20 euro. Fute ku të duash! Për të tjerët e kam 40, por për ty, 20 euro.
- Ah, po s’kam kohë. Me gjithë qejf, por e kam ditën të ngarkuar sonte. Ndonjë herë tjetër, - tha Tomi, duke futur dorën në xhep dhe duke e ditur që ajo ditë nuk do të vinte kurrë.
- Okej, po ty nuk e di, të kam fiksim. Gjithmonë thua “herë tjetër”, por asnjëherë bashkë. Vetëm për ty, 20 euro; të tjerëve nuk ua bëj këtë privilegj.
- Na, këtë dyeuroshin (€), pi një kafe nga unë, - buzëqeshi Tomi, duke u ndarë prej saj.
Iu duk sikur shpëtoi nga një siklet. Iu kujtuan edhe rastet e tjera kur femra të bukura i ishin ofruar për seks me lekë, por ai u ishte shmangur gjithmonë me lezet. Seksin pa dashuri, apo pa njëfarë simpatie dhe respekti për femrën, e quante seks qensh.
E ndiente dhe kishte dëshirë të provonte një femër, një vaginë tjetër, një femër të hijshme, të sinqertë, pa hile, por edhe kur kishte filluar të ndiente diçka për një të tillë, për arsye të ndryshme nuk ishte realizuar gjë.
Mbërriti te supermarketi dhe vuri re se ajo ishte te kasa. Vuri re që asaj iu çel fytyra. Filloi të mbushte karrocën; për dhjetë minuta, gjysma e karrocës-çantë ishte mbushur.
U afrua te kasa e saj. Fytyra e saj, herë serioze e herë me buzëqeshje, përcillte mallrat duke i skanuar. Tomi filloi të zbrazte mallrat mbi transportierin e kasës, ndërkohë që radha e tij po afrohej. Ai ngriti karrocën, duke ia treguar asaj karrocën bosh.
- Oh, nuk është nevoja, - buzëqeshi ajo. - Unë e di që ti nuk vjedh, - dhe filloi të skanonte mallrat e Tomit.
- Në fakt,
doja ta vidhja një zemër, - buzëqeshi Tomi.
- Çfarë? Zemër?
- Po, por ishte e vështirë. Nuk di si të veproj.
- Oh, paske festë sot me këtë uiskin! Me kë do ta pish? - buzëqeshi ajo.
- Me asnjeri, nuk kam me kë ta pi, por kam një zjarr këtu në gjoks dhe ne shqiptarët kemi një gjë: zjarrit i fusim zjarr që ta shuajmë, - tha Tomi, duke tundur shishen e uiskit dhe duke e futur në çantën e karrocës.
- 59 euro gjithsej, - foli ajo, duke parë nga radha e njerëzve.
U përshëndetën të dy dhe Tomi, pasi mori edhe një reklamë për javën që vinte, doli.
Iu duk vetja sikur ishte mbushur me energji. Në mendje i kalonin të gjitha sekuencat e bisedës që kishte bërë me të. Ndihej sa i gëzuar, aq edhe i merakosur që muhabeti me të nuk po ecte më tej.
Po i afrohej shtëpisë kur syri i zuri Aishen, palestinezen që kishte pasur në punë.
- Hej, Tomi, si je?
- Oh, Aisha, xhan! Mirë. Fëmijët si i ke?
- Mirë, Tomi. Rriten të dy.
- Ah, shkëlqyer! Po qenë fëmijët mirë, edhe mama është mirë, - buzëqeshi Tomi, duke e bërë Aishen të qeshte. - Socialin a ta lidhën, Aisha?
- Po, po, shyqyr! Ishalla nuk ma heqin.
- Ishalla jo, megjithëse e kanë mbledhur punën. Po ti, më vonë, shih për ndonjë kurs pune për gratë. Tani vazhdo me shkollën; gjuha ka rëndësi.
- Po, po, Tomi, - tha Aisha, ndërsa sytë e saj vështronin sytë e Tomit.
- Na, merre këtë çokollatën për kalamajtë, - i tha Tomi.
Iu kujtua Zyberi, një djalë palestinez në punë, që donte t’i afrohej Aishes me ndihmë për familjen e saj në Gaza. E kishte pyetur atëherë Aishen: “Hë, ç’bëri Zyberi? A të ndihmoi ndopak?”
-”Eh, Tomi, ai është kalamo.”
- Jo, Tomi, jepua fëmijëve të tu.
- Po ç’fëmijë, o Aisha? Ata janë bërë zullapë! - qeshi Tomi, duke bërë edhe Aishen të qeshte.
- Faleminderit, Tomi, - tha ajo.
Të dy sikur donin të ndaheshin, por nuk ndaheshin dot. Aisha priste që Tomi të merrte iniciativën për të ikur; nuk donte të ikte ajo e para. Tomi e kishte vënë re këtë gjë edhe herë të tjera.
“Mos vallë më dashuron?” - mendoi Tomi, duke i zgjatur dorën për t’u ndarë.
Filloi të ngjitej drejt shtëpisë. Hapi derën dhe hyri brenda me karrocën e ushqimeve.
- Hej, gjete gjë? - dëgjoi zërin e gruas, që po shihte reklamën e ushqimeve.
- Gjeta, gru, gjeta dashurinë, - buzëqeshi Tomi.
KTHEHU TE PËRMBAJTJA