Shfletimi si vizitorë është i kufizuar

Konica për woodrow wilson

KONICA PثR WOODROW WILSON

Një ditë dimri, më 1920, shtypi i Evropës bëri të njohur se guvernat e Inglisë, të Francës, dhe t’Italisë, kishin arrirë në një marëveshje për Shqipërinë dhe kishin përfunduar që ky vënt të ndahej në mes t’Italianëve, të Grekëve, e të Sërbëve. Dëshpërimi më i rëndë kishte mbuluar zëmërat dhe fytyrat e Shqipëtarëve të mirë. Ah sikur të mos ish i sëmurë Uilsoni! Ky mendim, kjo fjalë, dilte nga shpirti ynë. Po Presidenti i madh, zëri i lartë, i të cilit e kishte shpëtuar një tjetër herë Shqipërinë, lëngonte në shtrat, i thyer dhe i mbaruar. Fati përkrahte shtrëmbërin’ e politikanëve t’Evropës; Shqipëria ish e dënuar për vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, as një rëzë shprese s’ndritte prej gjëkundi. Po e papritura ngjau: Ra rrufeja mu në tryezë ku vjedhësit e lirive dhe mundonjësit e popujve të vegjël bëjin planet e tyre.
Kjo rrufe ishte zëri, aq kohë i pushuar, i Uilsonit. Presidenti i sëmurë, i mbërthyer në shtrat të lëngimit, u ngrit për gjysmë dhe e para fjalë që tha ishte për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë: – Qëndroni! është padrejtësi ajo që doni të bëni! ka edhe Shqipëria të drejtën të rojë! – Fjalë monumentale, të larta e të pavdekura si majat e Alpeve, të cilat fryjtin anë mbanë të botës një erë të paqme nëpër qelbësirat e politikës së poshtër. Ndërgjegjja e njerëzisë e njohu përsëri zërin e madh, edhe u drodh nga gëzimi: se Uilsoni, duke mbrojtur Shqipërinë, nuk mbronte një popull vetëm: mbronte gjithë popujt, se mbronte parimin që edhe popujt e vegjël e të pafuqishëm kanë të drejta si popujt e mbëdhenj e të fortë. Politikanët zvarranikë t’Evropës qëndruan; hoqën duart nga plaçka; ca nga turpi, më tepër nga frika, u penduan; planin e tyre e hodhën në shportë; dhe Shqipëria mbeti e pacopëtuar.
Jemi të bindur se çdo shqiptar di dhe kupton ç’borxh të madh i kemi Uilsonit. Në qoftë se ka ndonjë Shqipëtar që s’mer vesh se shpëtimi dhe liria e vëndit tij i detyrohen kryesisht Uilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbërinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë.

Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Uilsonit një monument të pavdekur në zëmërat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Uilsoni duhej të ish i madh për shqiptarët. Po madhësia e tij është e përgjithëshme; është një madhësi nga ato që s’mohohen. Edhe atje ku ka bërë gabime, – gabimet e Uilsonit janë prej njeriu fisnik. Ka dashur në Gjermani vetëm prishjen e një sistemi që ai e gjykonte si të lig; s’ka dashur shkatërrimin e popullit gjerman: që nuk e ndaloi dot, është mjerimi dhe jo faji i tij. Drita, që Uilsoni shtiri në ndërgjegjet e njerëzve, do të shkaktojë më në fund shëllbimin e gjithë popujve. Parimet që ka mbrojtur me aq shkëlqim – çlirimin dhe bashkimin e gjithë popujve, të mëdhenj e të vegjël – do të jenë ungjilli i ri i njerëzisë së nesërme. Përpara këtij profeti të idealismës e të vëllazërisë, më të famshmit burra Shteti duken qesharakë, njerëzit e tipit të Napoleonit duken fare të vegjël. Që t’i gjejë një shok Uilsonit, dikush në Evropë përmëndi jo vetëm Linkolnin, po dhe Krishtin. Një gjë ësht e sigurtë: që Uilsoni është një nga udhëheqësit më të lartë e më fisnik që kanë ndritur udhën e njerëzisë.

Dielli, 7 shkurt 1924 6 f. 4.
 

Theme Editor

Settings Colors

  • Mobile users cannot use these functions.

    Select View Mode

    Switch between full screen and narrow screen modes.

    Grid View

    Easily review content and get an organized view with grid mode.

    Image Grid Mode

    Display your content in an organized and visually rich way with background images.

    Sidebar Close

    Create a larger workspace by hiding the sidebar.

    Fixed Sidebar

    Ensure constant access and easily manage your content by pinning the sidebar.

    Box view

    You can add a box-style frame to the sides of your theme or remove the existing frame. Valid for resolutions over 1300px.

    Radius Control

    Customize the look however you like by turning the radius effect on or off.

  • Choose your color

    Choose the color that reflects your style and ensure aesthetic harmony.

Back