Kodi i ri elektoral dhe Pakoja e Ahtisaarit

xha Sulua

pleqeri
Shteti grek ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimet e brendshme dhe të jashtme të politikës shqiptare së pari nëpërmjet marrëdhënieve bilaterale duke përbërë edhe vendin pritës kryesor të emigrantëve tonë, partnerin e dytë tregtar dhe vendin prejardhës të kompanive që zotërojnë sektorët më strategjik të ekonomisë shqiptare si telekomunikacionin apo energjinë. Së dyti duke instrumentalizuar me efikasitet NATO-n dhe Bashkmin Evropian duke i lënë Tiranës të kuptojë që anëtarësimi në këto institucione kalon nga Athina. Sikur mos të mjaftonin këto dy kanale, ka edhe “kalin e Trojës” brenda Shqipërisë pasi një tjetër faktor ndikimi është PBDNJ-ja e cila në jetën politike shqiptare ka pasur një pozicion shumë të çuditshëm dhe gjithmonë të privilegjuar. Duke mos humbur dhe mos fituar asnjëherë zgjedhje sepse gjithmonë do përfshihej në qeverisje sido që të ndodhte. Duke e mbajtur të mobilizuar partinë vetëm nëpërmjet ofiqeve dhe favoreve të shpërndara nga të qenurit gjithmonë pjesë e ekzekutivit, pa ideologji, pa platformë e pa identitet të qartë politik, vetëm me identitet etnik, si dhe duke mos dhënë ndonjëherë llogari para askujt për rezultatet apo dështimet në dikasteret që ata kanë drejtuar apo në komunat apo bashkitë që kanë pasur në dorë. Sikur të mos mjaftonin këto, tanimë me sistemin e ri elektoral dhe kodin shoqërues, sipas të gjitha gjasave PBDNJ-ja nuk ka për të qenë më thjesht pjesëmarrës por mund të shndërrohet edhe në faktor vendimtar dhe shantazhues për qeverinë e ardhshme duke marr një fuqi strategjike të pakundërshtueshme. Pra jo më si tani kur PBDNJ-ja futej në qeveri për të “rregulluar biografinë” me Evropën, por me këto ndryshime do të jetë e doemosdoshme që të futet në qeveri PBDNJ-ja për të arritur një shumicë të thjeshtë qeverisëse. Një trajtim i tillë i privilegjuar i minoriteteve brenda vendit kombinuar me një presion të jashtëm favorizues është i krahasueshëm vetëm me diskriminimin e tejskajshëm pozitiv që kanë marrë serbët nëpërmjet Pakos së Ahtisaarit duke krijuar një super-minoritet të pajustifikueshëm në Republikën e Shqipërisë.
Sistemi i ri zgjedhor dhe kodi elektoral që janë vënë në jetë së fundmi u duk qartë se ishin fryt i një konjukture interesash të dy liderëve aktual të dy partive kryesore. Vështirë se mund të mendohet se ky ndryshim i ka shërbyer dy partive politike pasi në fakt ky sistem i ngurtëson këto parti, duke fuqizuar akoma më tej supremacinë e dy liderëve përkatës. Ajo iu ul partive efikasitetin pasi dëmton rolin e partive për të farkëtuar kuadro sepse më këtë sistem dekurajohen individualitetet pasi listat e proporcionalit janë të mbyllura , të caktuara nga liderët dhe nuk duhen më personalitetet e spikatura për të garuar me emrin dhe kapacitetet e tyre në zona të vështira. Gjithashtu dëmton frymën e debatit dhe diskutimit brenda partive pasi disidenca mund të kërcënohet me përjashtim nga listat e deputetëve dhe skizmat potenciale dekurajohen ngaqë partitë e vogla që nuk futen në koalicion nuk kanë shans të futen në parlament.
Në parim sistemi elektoral proporcional rajonal penalizonte partitë e vogla dhe iu jepte një avantazh të pandershëm partive më të mëdha dhe kjo shkaktoi reagimin agresiv të partive më të vogla të cilat fillimisht në pranverë u rrjeshtuan në një lloj aleance partish të vogla. Mirëpo për ta legjitimuar këtë transformim radikal të sistemit zgjedhor në kurriz të partive të vogla, u gjet një rrugëdalje kompromisi që garantoi ndryshimin e mendimit të partive të vogla. Në kodin elektoral u vendos që numërimi midis partive apo koalicioneve të ndryshme të bëheshin me teknikën d’hondt të numërimit kurse brenda koalicionit sainte lague. Sistemi i parë i numërimit favorizon partitë e mëdha dhe penalizon partitë e vogla kurse i dyti favorizon partitë e vogla. Pra kjo i detyron partitë e vogla që të futen në koalicion me partitë e mëdha sepse të veçuara ato janë të rrezikuara kurse në koalicion ato marrin më shumë peshë sesa iu takon prej votave. Me pak fjalë një votë e e Partisë Social Demokrate si pjesë e një koalicioni me Partinë Socialiste do ketë pothuaj vlerën e dyfishtë të votës së marrë prej Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo është arsyeja pse Gjinushi, Milo, Mediu, Dule që në fillim bënë naze për sistemin e ri elektoral e braktisën LSI-në në kundërshtimin ndaj sistemit të ri elektoral. Ndërkohë thyerja mes LSI-së dhe PS-së u bë e pakthyeshme sepse tanimë edhe po të dojë, PS-së nuk i leverdisë më ta ketë në koalicion LSI-në sepse me Saint Lague, LSI-ja në koalicion parazgjedhor do ia merrte një pjesë të madhe të deputetëve që i takonin koalicionit. Pas zgjedhjeve, mllefi i të shkuarit dëm të shumë votave të LSI-së ka për ta penguar që të futet në një koalicion me PS-në.

Më këtë kod u përmbush interesi i PBDNJ-së duke bërë që kësaj partie ti leverdisë ky sistem i ri elektoral ndërkohë që ka mundësi për t’u futur në koalicion nga të dy anët. Sistemi elektoral i proporcionalit rajonal e ka avantazhuar apriori PBDNJ-në pasi ky sistem i jep dorë atyre faktorëve politik që i kanë votat të përqëndruara brenda një rajoni, ndërkohë që shkatërron ato parti që i kanë votat të shëprndara proporcionalisht, me peshë të njëjtë në gjithë vendin pa patur asnjë përqëndrim domethënës në një rajon të caktuar. Kjo do të thotë që PBDNJ nga ky sistem del aktori politik më i fituar pasi votat e veta i ka kompakte të akumuluara vetëm në jug dhe mund ti kapitalizojë në mënyrën më optimale me vende në parlament, sidomos duke qenë në koalicion me një parti të madhe e duke përfituar nga sistemi Saint Lague të numërimit. . Me LSI-në ndodh e kundërta, përveç njëfarë përqëndrimi në qarkun e Beratit dhe njëfarë pranie domethënëse në Tiranë dhe Fier, votat e tjera made in LSI janë të hallakatura në gjithë vendin e atje ku do hidhen sdo përkthehen dot në përfaqësi parlamentare.

Nga ana tjetër po të maten me sistemin dhe kodin e ri elektoral votat e dhëna në zgjedhjet e mëparshme për partinë socialiste dhe partinë demokratike dhe po të hamendësohet se prirja e sjelljes elektorale nuk do të ketë ndonjë ndryshim radikal në zgjedhjet që po afrohen, del me një probabilitet të lartë se rezultati ka për të qenë i ekuilibruar, diferenca midis dy partive do jetë minimale dhe ka shumë mundësi që asnjë të mos mund të marrë shumicën absolute. Këtu del edhe domethënia e ndryshimeve kushtetutese të bëra në prill mbi rolin dhe autoritetin e presidentit dhe kryeministrit. Të dy palët e dinë mirë me këto ndryshime të sistemit elektoral vështirë se do ketë parti me shumica të konsoliduara prandaj edhe e konsoliduan pozicionin e kryeministrit dhe e minimizuan mundësitë që kryeministri me një shumicë të brishtë të rrezohej.

Pra skenari më i mundshëm ka për të qenë një skenar ku dy partitë kryesore do e kenë shumë të vështirë që të marrin një shumicë të thjeshtë dhe tre e mbase katër deputetët e PBDNJ-së do vendosin nga do anojë peshorja për të qeverisur vendin mot duke marr rolin e arbitrit në Shqipëri. Prandaj nuk është e rastit fakti që qeveria në fuqi tani që po afrojnë zgjedhjet po i bëjnë lëshime Greqisë me varrezat greke dhe i ka toleruar për një kohë të gjatë interesat abuziv e monopolist të disa kompanive greke në Shqipëri.

Adri Nurellari, "Shqip"
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top