Kalaja e Tiranës, aty ku plehrat po bëhen kala

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Na ishte njëherë një kala, mu në mes të qytetit të Tiranës. Ishte e lashtë dhe e bukur. Hijerëndë si zonjë e vjetër dhe fisnike, rrënojat e saj, ca mure me blloqe të mëdha gurësh, mendohet të jenë ndërtuar në periudhën romake. Por, që nga koha e romakëve janë shekuj të tërë që na ndajnë. Këta të fundit fshehën në gjirin e tokës shumë prej mureve të kalasë, për t’u zbuluar rastësisht në mars të vitit 2008, kur po rikonstruktohej rruga nga Bashkia e Tiranës. Aso kohe, bashkia nga njëra anë dhe Instituti i Monumenteve nga ana tjetër, morën përsipër t’i rikthenin identitetin. Në këtë kuadër, në ditët e fundit të shkurtit të viti 2009, ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango së bashku me arkitektin grek, Nikos Fintikakis, prezantuan një projekt magjepsës. Sipas këtij të fundit, rruga e Kalasë do të kishte qelq, sisteme ajrimi dhe dru. Modern në dukje dhe i realizueshëm lehtësisht, projekti prej 2,8 mln eurosh dhënë nga Këshilli i Europës pritej që të ishte tashmë në zbatim. Ato ditë imagjinonim veten duke shëtitur pranë Kalasë, ku temperaturat edhe në verë, falë projektit të hartuar nga arkitekti do të ishin mjaft të ulëta. Por, realiteti është krejt ndryshe nga imagjinata. Ana tjetër e medaljes është zhgënjyese. Në vend të gjelbërimit, rrugëve prej druri dhe sistemit të ventilimit, ajo çfarë gjejmë aty janë rrënojat e kalasë të fshehura mes mbeturinave dhe pluhurit. Kjo pamje “romantike” shoqërohet me simfoninë e përditshmërisë së “trafikut dhe burisë së makinave” që i kalojnë anash.
Kalaja
Kemi lënë pas më shumë se një vit që nga koha kur ky monument kulture u zbulua rastësisht gjatë punimeve të Bashkisë së Tiranës, për rikonstruktimin e rrugës. Që nga ajo kohë, përveç një rrjete ngjyrë portokalli që e rrethon (edhe kjo e rënë në tokë) dhe një tabele ku shkruhet: “Këtu po kryhen gërmime arkeologjike për Kalanë e Tiranës”, asgjë e prekshme nuk ka ndryshuar. Premtimet për projekte dhe ndryshime ambicioze të bëra në atë kohë, ia kanë lënë vendin heshtjes. I kalon afër dhe e sheh se si maska e plehrave i zë frymën dhe i zbeh hijeshinë që ka një monument që rrëfen histori dhe lashtësi. Përveçse nuk kryhen punime arkeologjike, duket sikur ajo është harruar. I afrohemi dhe shkrepim ca foto. Qytetarët dhe policët që gjenden aty pranë rastësisht, flasin me zë të ulët: “Duhet të jetë turiste”. Shohin me bisht të syrit dhe vazhdojnë rrugën e tyre. Muret heshtin, dhe rrinë aty siç kanë bërë që nga koha e romakëve. Mbase po të flisnin, do të ankoheshin. Ose, në fund të fundit, me sytë e tyre ata kanë parë shumë dhe kjo nuk iu bën edhe shumë përshtypje. Kanë qenë dëshmitarë të shumë ngjarjeve të ndodhura pranë tyre, e kanë përjetuar historinë e Tiranës, herë si mbrojtës të armikut që mund të asgjësonte zotërit që i kishin ngritur, e herë si shurdhmemecë që nuk ankohen dot për fatin e tyre, që e ka në dorë herë natyra, herë historia e së fundi institucionet zyrtare.
Projekti
Kanë qenë ditët e fundit të muajit shkurt, kur ish-ministri Pango tha se Kalaja e Tiranës shumë shpejt do të kishte pamje të re. Firma arkitekturore greke prezantoi projektin për restaurimin e kalasë së Tiranës. Rruga “Murat Toptani” duhej të kishte tashmë një tjetër pamje. Në kuadër të projektit, “Zhvillim i Qëndrueshëm dhe Integral i Qendrave të Trashëgimisë Historike”, janë 5 milionë euro që KE-ja i ka akorduar MTKRS-së për restaurimin e tri kalave të Tiranës, Himarës dhe Krujës. Më i rëndësishëm ndër këto projekte është kalaja e Tiranës. Arkitekti grek që ka realizuar projektin, Nikos Fintikakis nëpërmjet një video-projeksioni paraqiti atë çka është tani Kalaja e Tiranës dhe se si pritet të shndërrohet. Po sipas projektit, funksioni i saj do të jetë ai i një parku publik. Rrënojave të Kalasë do t’iu vihej sipër një shtresë e trashë xhami. Kjo do t’iu mundësojë kalimtarëve shikimin nga lart të këtij objekti arkeologjik. Fintikakisi ka bërë një kombinim të drurit, qelqit dhe betonit, ku trotuaret e rrugës që do të restaurohet do të jenë prej druri. Ajo çfarë përbënte risi ishte sistemi i ventilimit. Arkitekti grek ka prezantuar një sistem ajrimi përmes tubave të vënë në tokë. Greku pati thënë se, “në një thellësi të caktuar, temperatura e tokës rri gjithmonë konstante, 15 gradë celsius. Falë këtij sistemi, në ditët e nxehta të verës ajri do të qarkullojë nëpërmjet tubave dhe do të freskojë mjedisin e jashtëm. Synohej krijimi i një lidhje mes zonave arkeologjike dhe urbane. Arkitekti, duke e menduar si park, kishte vendosur që stolat e pushimit të vendosen herë në formën e një fluture, herë si piano, si kuti shahu, e herë si pentagram. Art, kulturë, park, arkeologji të gjitha bashkë. Mrekulli! Projekti në letër ishte gati, edhe në video-projektor dukej joshës dhe ngjante akoma më i bukur dhe i gatshëm, a thua se mund ta prekje. I pyetur nga gazetarët se kur do të mund të prekim projektin e Kalasë, tashmë në kala dhe jo në sallën e konferencave të Ministrisë së Kulturës, Ylli Pango, titullari i atëhershëm i këtij institucioni do të shprehej: “Së shpejti”. Realizimi i projektit përfshinte segmentin rrugor që nga Ministria e Brendshme e deri te Ura e Tabakëve. Ndryshe nga ç’parashikonte ai, akoma sot kur, kanë kaluar më shumë se 5 muaj nga prezantimi i letrave që ndryshonin imazhin e këtij monumenti, ai është e mbuluar me plehra (por, si funksion të dytë ka edhe atë të parkingut të automjeteve). Pra, edhe pas kaq muajsh, ende nuk ka një datë të saktë për nisjen e zbatimit të tij. Kontaktuam Ministrinë e Kulturës duke i pyetur se kur pritet të fillojë zbatimi i projektit për Kalanë e Tiranës. Ols Lafe, drejtor i Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë tha: “Presim që KRT-ja e Tiranës të miratojë projektin, pastaj puna fillon direkt. Me delegacionin evropian kanë përfunduar të gjitha procedurat”. Por, ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, qe shprehur se punimet mund të fillojnë në muajin mars ose prill?!
Specialistët
Pas shpalljes së projektit, duke mos vënë në dyshim se së shpejti do të zbatohej, arkeologë dhe specialistë të monumenteve të kulturës, ishin të shqetësuar që projekti nuk përfshinte gërmimet e objektit. Nëse nuk gërmohet, si mund të zbulohet se sa vlera ka ai? Si mundemi ne ta vlerësojmë vetëm për ato vlera që ia kemi mësuar përciptazi rastësisht, gjatë një ndërtimi rruge? Një tjetër shqetësim i tyre ishte edhe firma që do të bënte punimet. A kishte specialistë ajo, dhe a do të ketë specialistë shqiptarë? Megjithatë, ata nuk folën në publik, por shqetësimet e tyre i shtruan me njëri-tjetrin.
Historiku
Në media, në kohën kur u zbuluan muret do të shkruhej se, “dalja në sipërfaqe e këtyre mureve mesjetare është vetëm maja e një ajsbergu manipulimi të historisë, neglizhence dhe korrupsioni institucional. Sipas specialistit të IMK-së, Behar Gjoka, gurët janë pjesë e dy kullave të Kalasë së Tiranës dhe të dhënat për to kanë ekzistuar prej vitesh në databazën e IMK-së”. Madje, këto të dhëna diheshin shumë mirë që para viteve ’90-të, por në favor të vlerave dhe versionit të historisë që mbrohej atëherë, këto rrënoja janë lënë nën dhe. Pas kësaj do të lindnin edhe debate për datimin e saj. Rrënojat, sigurisht që të çojnë tek gjurmët e Tiranës së vjetër, por në ç’shekull na çojnë rrënojat në vijim të kalasë së Toptanasve?! Pothuajse të gjithë kanë qenë njëzëri duke pohuar ajo daton në shekullin II. Mirëpo, ish-drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Gjerak Karaiskaj, mendonte ndryshe. Në shkrimet e gazetave të atyre ditëve ai shprehej se, “kalaja daton në shekullin XVIII, dhe për këtë nuk kam pikë dyshimi”. Mendimin e tij do ta arsyetonte me mënyrën e ndërtimit, kushtet historike të qytetit, por edhe nga gërmimi që është bërë. Arkitekti restaurator, Sulejman Dashi, ndrydhe nga Karaiskaj, do të shprehej se, “teknika e ndërtimit është me gurë të mëdhenj, si kalaja e dikurshme. Gjurmët arkeologjike na treguan që mund të jetë një kala romake e shekullit II ose III të erës sonë”. Dy tezat kundërshtojnë njëra-tjetrën, duke na çuar herë në shekullin e II-të, e herë në atë të XVIII-in.
*gazeta shqiptare*

korcabx7.png
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top