Ish-drejtori i Antikrimit: “Konstatova gomonen e dytë me 8 trupat e zhdukur”

Nostra_22

Anëtar i Nderuar
Prokuroria rihap hetimet për Tragjedinë e 9 janarit


Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Hetimet për Tragjedinë e 9 janarit do të rihapen sërish. Si motiv i hapjes së hetimeve kanë qenë kërkesat e vazhdueshme të familjarëve dhe dëshmia e ish-drejtorit të Policisë Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sokol Bizhga ka pohuar në Prokurori se ka parë gomonen e dytë që ishte e rimorkiuar nga një anije shqiptare në afërsi të Gjirit të Dafinës. Pas shumë kërkesave dhe kësaj dëshmie që nuk është analizuar kurrë, Gjykata e Apelit Vlorë ka vendosur të rihapen hetimet për tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004 ku humbën jetën 28 persona në Karaburun. Seanca e djeshme gjyqësore u mblodh pas kërkesës së familjarëve të viktimave, të cilët ngritën pretendimin se ka fakte të reja të pazbuluara për këtë tragjedi. Kërkesa e tyre erdhi pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për pezullimin e dosjes për mungesë të faktit penal, vendim ky i papajtueshëm për familjarët e viktimave që kanë krijuar edhe shoqatën e tyre. Ndaj dje trupi gjykues, i kryesuar nga kryetarja e Apelit Vlorë, Alma Liçaj, pasi dëgjoi prokurorin e Apelit, Pelivan Malaj dhe përfaqësuesin ligjor të shoqatës së familjarëve, Dodë Mehmetaj vendosi që të rihapen hetimet në Prokurorinë e Vlorës për Tragjedinë e 9 janarit 2004.
Dëshmia e plotë e Bizhgës
"Në atë kohë isha drejtor i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Për 9 Janarin jam informuar së pari rreth orës 19:00 të po kësaj dite nga Top-Channel. Jam lidhur menjëherë me Zyrën e Informacionit pranë kësaj drejtorie dhe oficeri i rojës më tha se kishte një informacion ende të pakonfirmuar, se një gomone me njerëz mund të ishte nisur në drejtim të Italisë dhe kishte mbetur në det…". "Por Top-Channel transmetoi një bisedë direkte me njërin prej njerëzve në gomone, ku dëgjoheshin thirrjet e personave të tjerë që po mbyteshin. Atëherë kam dalë nga shtëpia dhe jam nisur menjëherë në drejtim të Vlorës…" "Po përse ky informacion merrej me kaq mendjelehtësi dhe përse nuk isha informuar unë?"- ka pyetur Bizhga i habitur oficerin e rojës dhe gjithnjë sipas deponimit të tij, është lidhur me specialistin e Drejtorisë së Policisë Kriminale, Ilir Burhanin, si dhe me drejtorin e Policisë së Qarkut të Vlorës, Josif Shtëmbari. Ky i fundit ishte shumë konfuz në shpjegimin e situatës në territorin që mbulonte vetë. "Me të mbërritur në zyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës, siç jua thashë, atje situata ishte ende e paqartë dhe jepeshin disa variante të ngjarjes. Një variant ishte se 3 trafikantë kishin ngarkuar drogë në një gomone dhe kishin mbetur në det. Sipas një varianti tjetër, trafikantët luanin me telefonata në televizion, me qëllim çorientimin e policisë".
Përgjigjja kyçe
Së bashku me shefin e Rendit, Veliu, dhe komandantin e Delta-Forcës si dhe me disa efektivë, jam nisur në drejtim të Llogarasë dhe më pas në Palasë për të vëzhguar direkt se çfarë po ndodhte realisht. Gjatë rrugës u ushtrua kontroll në të gjitha automjetet që kalonin. Kur dolëm nga rruga e asfaltuar dhe u futëm në rrugën rurale në drejtim të bregut të detit, në një afërsi rreth 300 metra nga bregu, gjetëm të ndaluar një autoveturë "Renault" apo "Peugeut" dhe pranë saj disa bidona me vaj. Në automjet nuk kishte njeri dhe urdhërova që të thyhej xhami për të verifikuar dokumentet nëse ishin aty. Gjatë patrullimit tonë në ato orë të vona të natës u munduam që të jepnim shenja me projektor dhe kemi lëshuar thirrje me zë, por nuk dëgjuam asnjë përgjigje. "Në të gdhirë të datës 10 janar, rreth orës 06:30 vumë re në një largësi rreth 4 milje nga Gjiri i Dafinës një gomone. Arritëm të dallonim se aty kishte njerëz, por nuk po shikonim lëvizje të tyre. Atëherë jam lidhur me Sallën Operative të Vlorës dhe pas 30 minutash u afrua te kjo gomone një mjet lundrues, më duket i Interforcës. 10 minuta më vonë mbërriti edhe një helikopter. Kur mbërriti mjeti lundrues te gomonia u konfirmua se aty kishte njerëz të mbytur, por unë nuk mund të shkoja aty, sepse nuk kishte vend se ku të mund të hipja në mjet lundrues. Shkova në Vlorë dhe pashë kufomat dhe të mbijetuarit, të cilët u ndihmuan dhe u morën menjëherë në spital. Në të njëjtën kohë u bënë edhe arrestimet e para…"
Pyetje e prokurorit: Përse shkuat ju në Vlorë dhe çfarë masash u morën atje për përballimin e situatës?
"Unë kam qenë me detyrë drejtor i Policisë Kriminale dhe natyrisht detyra ime ishte që të grumbulloja të dhëna për ngjarjen dhe të mobilizoja strukturat e policisë kriminale për të njohur dhe vlerësuar situatën. Kur kam mbërritur në Vlorë, të gjithë efektivat e policisë ishin në gatishmëri dhe kishin filluar patrullimin përgjatë bregut të detit. Mjetet e policisë ishin në gatishmëri, por ato nuk mund të dilnin në det të hapur, sepse nga informacionet e marra në Distriktin Detar na konfirmohej se deti ishte shumë i trazuar. Kështu, në drejtim të Palasës nuk u nis ndonjë mjet lundrues, sepse moti ishte shumë i keq. Llogaraja ishte me dëborë, kishte ngricë dhe deti ishte shumë i trazuar, gjë e cila e bënte të pamundur hedhjen në det të një mjeti lundrues. Natyrisht që unë nuk mund të di se çfarë veprimesh kanë kryer forcat detare, por nga Drejtoria e Policisë së Qarkut informohesha se një anije kishte dalë në det dhe një helikopter po kontrollonte zonën pas Karaburunit. Unë e kam parë vetë anijen, helikopterin si dhe mjetin lundrues të Interforcës, në të gdhirë të datës 10 janar ose rreth 30 minuta pasi njoftova për mjetin e konstatuar në det të hapur.
Tjetër gjë nuk kam për të thënë. Për sa deponova më lart, janë të vërteta dhe i firmos pa vërejtje..."

Mbyllja e hetimeve
Një vit më parë Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë vendosi pushimin e çështjes dhe mospranimin e ankimimit nga ana e shoqatës së familjarëve. Ndërsa dje prokurori Malaj tha në sallën e gjyqit se duhet të rihapen hetimet bazuar në kërkesën e familjarëve për ankimim. Për përfaqësuesin ligjor Mehmetaj ka fakte të reja, ndër to edhe fakti se atë ditë janë mbytur dy gomone, jo një, që do të ndihmojnë në ecurinë e hetimeve. Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin 154 kishte vendosur të mos pranohet ankimimi. Vendim ky që u rrëzua dje nga Apeli, i cili vendosi të pranohet ankimimi për rinisjen e hetimeve. Familjarët e kanë cilësuar këtë vendim si një dritë jeshile për zbardhjen e ngjarjes dhe madje kanë kërkuar që dosja të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe për pasojë edhe të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi Gjykata e Vlorës nuk ka mundësi të shqyrtojë këtë dosje ku mund të jenë të përfshirë edhe pushtetarë.

Familjarët kërkojnë dëmshpërblim
Familjarët e viktimave të kësaj tragjedie kanë dorëzuar në Gjykatën e Tiranës kërkesëpadinë me objekt "Shpërblimin e dëmit për vdekjen e familjarëve në tragjedinë e 9 janarit". Sipas kërkesëpadisë së depozituar pranë togave të zeza, familjarët i kërkojnë dëmshpërblim Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Mbrojtjes, institucione këto që janë të paditurit e këtij procesi. Padia është firmosur nga 9 familjarët: Adem Kodra, Ded Gjoni, Gjon Docaj, Lulëzim Kurtaj, Mark Grishaj, Ndoc Bjeshka, Nikoll Mëhillaj, Pashuk Ndou dhe Xhelal Lumaj, të cilët u kërkojnë katër institucioneve shtetërore t i dëmshpërblejnë me vlerë monetare për vdekjen. "Me anë të kërkesëpadisë që mban datën e regjistrimit 19 korrik 2007, me numrin e çështjes 8320, familjarët paditës u kërkojnë Këshillit të Ministrave dhe tre ministrive dëmshpërblim për vdekjen e të afërmve të tyre. Sipas kësaj padie, nuk është përcaktuar shuma që u kërkohet këtyre katër institucioneve shtetërore, por mendohet se do të vlerësohet që për çdo jetë të humbur, të paguhen si dëmshpërblim nga 120 milionë lekë të vjetra, shumë kjo e përfolur disa herë nga avokatët e familjeve të viktimave. Gjithashtu, mësohet se familjarët e viktimave do t i përfaqësojnë në gjykatë avokatët e Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut.

Të zhdukurit

Ndue Sanaj, 21 vjeç, Shosh, Shkodër

Artan Sagrini, 33 vjeç, Shkodër

Arian Gjilaj, 29 vjeç, Golem, Shkodër

Marjana Zajeti, 18 vjeçe, Shkodër

Kreshnik Bjeshka, 25 vjeç, Shkodër

Fahrije Mehmeti, 34 vjeçe, Gruemirë, Malësi e Madhe

Gjin Grizha, 19 vjeç, Kelmend, Malësi e Madhe

Ermira Grizha, 16 vjeçe, Malësi e Madhe

G. Ballkan
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top