Ina Rama, fat si Sollaku

WxP

Staf në FV.AL
Ende pa bërë një vit në krye të organit të akuzës, Ina Rama merr goditjen e parë të rëndë nga mazhoranca. Shkak i tronditjes së pozitës së saj është bërë hapja e hetimeve ndaj biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, i cili akuzohet për pastrim parash në Shqipëri. Për të hetuar këtë çështje, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar hapjen e hetimeve, duke ngrirë të gjitha llogaritë bankare dhe asetet e tij.

Ky veprim ka acaruar mjaft qeverinë dhe Kryeministrin Berisha, i cili ka deklaruar se Fazliç është miku i tij dhe për të verifikuar praktikat e Prokurorisë së Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë dhe e Rendit kanë kërkuar të marrin me forcë në prokurori dosjen “Fazlliç”.

Kjo përpjekje ka rezultuar e dështuar, por jo vullneti i mazhorancës për të “ndëshkuar” Kryeprokuroren Ina Rama, për të cilën ata kanë vendosur të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor.

Deklarata e Patozit


Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar dje se demokratët do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar përplasjen mes institucioneve të Prokurorisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Por, pjesë e këtij hetimi nuk do të jetë organi i akuzës shqiptare, por një grup ekspertësh ndërkombëtarë, të cilët, pas përfundimit të punës së tyre, do të tregojnë nëse Fazlliç ka lidhje me qeverinë shqiptare apo jo, ashtu siç ka deklaruar opozita.

Duke u dhënë përgjigje edhe deklaratave të ambasadorëve të huaj në vendin tonë, të cilët kërkojnë nga Kuvendi që të mos ndikojë në punën e institucioneve të pavarura, Patozi shprehet se “nuk e lexoj në këtë mënyrë deklaratën e ambasadorëve, unë besoj se ne i kemi dhënë përgjigje edhe këtij shqetësimi me iniciativën tjetër të mazhorancës për ngritjen e një komisioni parlamentar, i cili do të hetojë përplasjen institucionale, e cila është e pakëndshme për këdo në Shqipëri, edhe për ne si mazhorancë”.

Kryetari i grupit të PD-së thekson se do të ngrihet një komision parlamentar, ku do të përfshihen të gjitha grupet politike të vendit, i cili mund të arrijë në përfundime të kënaqshme, që do të nxjerrin përgjegjësinë, por do të tregojnë dhe me gisht përgjegjësit.

Sipas Patozit, “mazhoranca është e gatshme që të bëhet ky hetim ndërkombëtar dhe nuk ka frikë nga e vërteta, por është Edi Rama, tha ai, që ka frikë nga hetimi”.

Sipas Patozit, “Edi Rama ka frikë nga hetimi ndërkombëtar, i cili do ta bënte më kredibël dhe më të shpejtë, por ai i druhet mesa duket përsëritjes së rastit ‘Trebicka’, ku përfshirja e një eksperti të huaj bëri që hetimi të përfundonte më shpejt dhe ai të mos arrinte rezultatet e dëshiruara nga Edi Rama”.

Zgjedhja

Ina Rama është zgjedhur në krye të Prokurorisë së Përgjithshme më 22 nëntor 2007 nga Kuvendi i Shqipërisë, me 83 vota pro, 33 kundër dhe 5 pesë abstenim.

Në atë seancë, votimi është bërë me kuti të fshehtë, por në fund të tij rezultoi se Ina Rama nuk ka pasur vetëm mbështetjen e deputetëve të mazhorancës, por edhe të deputetëve të opozitës, të cilët kanë votuar pro saj.

Zgjedhja e Ina Ramës në krye të organit të akuzës ka ardhur pas një beteje të gjatë dyvjeçare nga mazhoranca për të shkarkuar ish-kryeprokurorin Sollaku, i cili, sipas mazhorancës, ishte bërë palë me krimin, pasi nuk vepronte në kohë reale për hapjen e dosjeve.

Me dhjetëra herë, Kryeministri Berisha ka deklaruar si në Kuvend, edhe në media, se Sollaku po fle mbi dosjet e krimit dhe të korrupsionit, pasi zvarrit hapjen dhe hetimin e tyre.

Por pas një viti, kur gjërat ndryshuan dhe në krye të Prokurorisë së Përgjithshme erdhi Ina Rama, është sërish mazhoranca ajo që po akuzon organin e akuzës dhe Kryeprokuroren. Këtë herë jo për reagim të vonuar ndaj hetimit të korrupsionit, por për përshpejtim të procedurave.

Top-channel
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top