I vetmi ilaç në të cilin besojnë shqiptarët, është rakia

Lauri

Anunnak
Më 5 janar të vitit 1919, kohë në të cilën Noli ishte administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në SHBA, i shkruan një letër mikut të tij gazetarit Milto Gurra. Një letër të cilën nis e shkruan me një shishe raki përpara, të cilën ia kishte dhuruar pas meshës një shqiptar. Kishte kaq kohë që donte t’i shkruante mikut të tij, dhe vetëm kur ktheu gotën e parë të rakisë, e më pas tjetrën e tjetrën, u ndje i çliruar të shkruante të gjithë ato çfarë kishte në zemër, duke mos fshehur dhe trishtimin dhe pasigurinë që ndjente në atë periudhë. Letrat kanë qenë një mënyrë që Noli, por dhe bashkëkohës të tjerë të tij zgjidhnin për të komunikuar me njëri-tjetrin. “Se i vetmi ilaç në të cilin besojnë shqiptarët, është rakia. Dhe qenka ilaç me të vërtetë. Vetëm dy kupa dhe m’u ndreq shëndeti: dëshpërimi i lëshon vend një lumturie ëndërrore; buzëvarja ikën e ndjekur prej buzëqeshjes dhe pastaj e bombarduar prej hargalisjes; e sotmja s’më duket aq e keqe, dhe për nesër ka Perëndia. Dhe më e mira është që me një kupë të tretë mund të ndreqen të gjitha punët…”, shkruan Noli në letrën drejtuar mikut të tij. Teksa tregon se ndihet i lodhur nga punët, Noli me humor shkruan se të nesërmen do të pijë sërish një gotë raki, të marrë frymëzimin për punët e tjera që i ka lënë në gjysmë. Por duket se gjërat nuk shkojnë keq pas kësaj letre për personalitetin e njohur shqiptar. Vetëm 7 muaj më pas, më 27 korrik 1919, ai u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur. Një vit më pas, duke pasur parasysh rritjen e figurës së Nolit si udhëheqës politik e fetar i bashkësisë shqiptare dhe si shkrimtar, orator dhe komentator politik i talentuar, ishte e logjikshme që ai të zgjidhej kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Gazeta The Manchester Guardian, në një koment më 23 korrik 1924, e përshkruante Nolin si një burrë që do të kishte qenë i shquar në çdo vend. Diplomat i përkryer, ekspert i politikës ndërkombëtare, mjeshtër i debatit, që prej fillimit ai la mbresa të thella në Gjenevë. Me shumë mjeshtëri, por gjithmonë me buzë në gaz, ai i vuri me shpatulla pas murit të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas. Ai është një njeri me kulturë të pamasë, që ka lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglishte dhe frëngjishte. Gjatë gjithë viteve të jetës së tij aktive letërkëmbimi, përbën një nga komponentët më të rëndësishëm të burimeve vetjake të Fan Nolit. Ai paraqitet i pranishëm në çdo etapë të jetës, si pjesë e pandarë e veprimtarisë së tij poliedrike. Fan Noli gjatë jetës shkroi me mijëra letra. Sigurisht, këtë punë ai nuk e bëri si shkrimtar. Por duke qenë edhe i tillë, letrat në radhë të parë u diktuan nga kërkesat e kohës, nga detyrat historike dhe nevojat e ditës. Me anë të tyre, veç rrugëve të tjera, ai do të komunikonte me shokët e luftës dhe të punës, do të mbante ato lidhje aq të domosdoshme me botën shqiptare, por dhe me atë të huaj. Letërkëmbimi i Fan Nolit shtrihet në një periudhë kohore afro gjashtëdhjetëvjeçare (1906-1965). Por pasqyra më e plotë e letërkëmbimit të pasur e të gjerë të Nolit janë të dhënat që na ofron Biblioteka Fan Noli, e krijuar më 1970 pranë shkollës së Kryekatedrales Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, ku gjendet dhe fondi i korrespondencës, me 3000 letra dërguar Nolit në vitet 1930-1965 dhe rreth 100 kopje letrash të shkruara prej tij. Milto Sotir Gurra, të cilit i adresohet kjo letër është me prejardhje nga një krahinë e Korçës. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në emigrim, duke nisur nga Odesa, Amerikë, Stamboll, Sofje dhe Konstancë. Ai ka bashkëpunuar aktivisht me shumë organe shtypi kombëtare e letrare në mërgim shpesh me pseudonimet Nomadhi, Gjon Zeza dhe D.Toçkas. Ndërkaq, vetë qe botues apo bashkëbotues i një numri revistash të tilla si i organit politik e letrar Atdheu të Konstancës më 1912 dhe të Durrësit më 1914, i së përmuajshmes Shkëndija të Korçës më 1921, i organit satiro-humoristik Zegthi të Korçës më 1922, dhe i së përdyjavshmes Zëri i Popullit të Korçës më 1922. Në këto organe Gurra botoi tregimet e para, më të mirat e të cilave qenë shkruar gjatë viteve që jetoi në Rusi. Në vitin 1938 ai botoi librin me tregime “Plagët e kurbetit”. Një kontribut Gurra ka dhënë dhe në përkthimin e letërsisë ruse. Ai ka sjellë në shqip vepra në prozë të Turgenievit, Toltoit, اehovit, Gorkit etj.





Letra drejtuar Milto Sotir Gurrës

Boston, Mass, 5 janar 1919
I dashur mik,
I lodhur nga shpirti dhe nga trupi, i plakur përpara kohës, i thyer nga shëndeti, me luftë dje dhe me luftë nesër, me një rrezik të ri përpara posa lashë tjetrin pas, me detyrën e tmerruar të sulem e të udhëheq kur këmbët e rënduara dëshirojnë shtrirje, ndodhem në situatën e njeriut të torturuar, që përpiqet ta fshehë mjerimin e tij moral dhe fizik dhe shtrëngon dhëmbët me një fort të fundme nga frika se mos i shpëton një ulërimë e përmbytur e dëshpërimit.
Pas kësaj parafjale, tragjike, në e besofshi, melodramatike, në dyshofshi me nënqeshje, merrni vesh përse më rëndohet pena dhe përse kam heshtur. S’kam qenë mirë dhe s’ma ka kënda për asgjë. Me gjithë që më kini kujtuar me katër letra, dhe me gjithë që s’gjeja në asnjë çip të zemrës as hijen e ndjesës për heshtjen time, prapë- e rrëfej :- do të mos ju kisha shkruar, sikur të mos më zbriste papritur një frymëzim, në formën dykupësh rakie prej rrushi, të cilat më dhanë forcën të mbaroj këtë detyrë të harruar përpara një miku të vjetër. Shishen e çmuar e kam përpara. E vogël për fat të zi, por ka edhe disa kupa brenda, kupë që shtrojnë nervat, që kullojnë gjakun, që shërojnë të sëmurin, që ngjallin të vdekurin. Ma fali sot një besnik zemërdhembshur, pasi mbaroi mesha. Besniku e di që unë s’pi, por ma dha për ilaç. Se i vetmi ilaç në të cilin besojnë shqiptarët, është rakia. Dhe qenka ilaç me të vërtetë. Vetëm dy kupa dhe m’u ndreq shëndeti: dëshpërimi i lëshon vend një lumturie ëndërrore; buzëvarja ikën e ndjekur prej buzëqeshjes dhe pastaj e bombarduar prej argalisjes; e sotmja s’më duket aq e keqe, dhe për nesër ka Perëndia. Dhe më e mira është që me një kupë të tretë mund të ndreqen të gjitha punët.
O burrani! Nën flamurin e Shahinit trimëria më shtohet, bëhem zjarr e shpuzë! Të kam gjetur, or Milto! Më duket sikur të shoh përpara përmes mjegullës diafane, me të cilën më rrethoi fuqia magjike e ilaçit të vilajetit. Që të kthjellohet koka dhe të më çelen sytë, rrëmbej kupën e katërt, se ashtu këshillojnë theriaklinjt tanë, të shtruar këmbëkryq, që pinë me njërën dorë dhe ia kërcasin me tjetrën! Dhe tani të humba fare! Po kudo që të jesh mos pandeh se të harrova. Të kam kujtuar këtu e ca ditë në Mançester, ku u poqëm herën e parë. Një ditë shkova ca çaste të lumtura duke kënduar legjendën “Plaku i moçëm”. Po këtu duhet të mbaroj se m’u errën sytë dhe nisi të më dhëmbë koka. U mor vesh që ilaçi i mjekëve tanë me kallca dhe me silah s’bëka për mua. Megjithëkëtë prapë mbaroj një punë, se ja ku të shkrova këtë letër me gjallërinë më fluturake që më dha. Nesër do ta provoj edhe një herë kush e di, mund të bëj prapë ndonjë çudi. Gjer atëherë natën e mirë! Ju faleminderit me gjithë zemër për fjalët e mira që më shkruani dhe përkrahjen besnike që më keni dhënë. Qofshi shëndoshë!
Ju përshëndosh vëllazërisht dhe mbetem Juaji me besë
F.S. Noli
Peshkop F.S. Noli
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 7 41.2%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 4 23.5%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 6 35.3%
Back
Top